Prof. Dr. Valter Shtylla: Tre nga Urat më të hershme të ruajtura në Ballkan

61
Sigal

Të shkruash për Trashëgiminë Kulturore është një detyrim moral për çdo njeri të fushës. Vlerat e njohura, në dritën e botimit pa dyshim përbëjnë një kontribut të paçmuar që çdo specialist ia dhuron vendit të tij. Vlerat e prekshme të Kulturës janë një frymëmarrje tradicionale e një Kombi. Ato formësojnë historinë etnike, politike, kulturore, intelektuale, turistike dhe sa më lartë të trajtohen, publikohen dhe konsiderohen, aq më shumë forcohet ndjenja patriotike kombëtare dhe autoriteti ndërkombëtar ndaj një populli, që e respekton kulturën në tërësinë e tij.

Na vjen mirë që është rritur ndjeshëm interesi i prurjeve turistike në Shqipëri gjatë viteve të fundit, ashtu siç e ndjejmë interesin e turistëve së pari, bashkë me natyrën dhe detin për të vizituar monumentet dhe qendrat tona historike.

Harku kryesor i urës së Bukaqit

Jemi një vend i vogël, por kemi ruajtur në gjirin tonë tre kryeqendra historike: Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën, tashmë të shpallura “Pasuri e Kulturës Botërore nën mbrojtjen e UNESKO”. Duhet të ndërgjegjësohemi çdo ditë e më shumë se Turizmi Botëror, që urojmë ta kemi gjithashtu e më të pranishëm, në qendër të preferencave të tij sigurisht ka vizitat në Qendrat Historike të çdo vendi që prek. Italia, Greqia, Turqia, kanë bume turistike në Rajon, së pari se kanë kujtime historike të përbotshme, siç janë në Itali, Romë, Venecia, Firence, Greqi, Akropoli, Selanik etj. dhe në Stamboll- Shën Sofia, Xhamia Blu, Efesi në Izmir, Kapadokia etj.

I kanë këto vlera, i mirëmbajnë, i publikojnë, duke qenë kështu vende turistike nga më pikantet në pellgun e Mesdheut. Në këtë aspekt edhe ne kemi shumë replike historike, që presim më shumë nga pikëpamja e restaurimit, e publikimit, e sigurimit te infrastrukturës, e kredos turistike etj. Shprehur qartazi, sa më shumë monumente dhe qendra historike të ketë vendi, ku përshtatet tradita historike me aktualitetin, aq më i zhvilluar në numër dhe cilësi do të jetë aktiviteti turistik në trevat tona plot me histori dhe resurse natyrore.

Kalldrëmi i urës së Bukaqit

Shqipëria zyrtarisht është atdhe me shumë organizata kulturore ndërkombëtare, si në UNESKO, në ICOMOS (Monumentet dhe sitet), në IÇROM (Restaurimi i Monumenteve), në ICOM (Këshilli i Muzeve), në Konventën e Hagës për Mbrojtjen e Monumenteve nga lufta, etj. Këto organizata priten me aktivitete, por mungojnë takimet, seminaret, konsultat, lobimet, qoftë dhe për asistenca financiare etj. Komiteti i Marsejës për 100 Qendrat Historike të Mesdheut, ku bashkë me Barcelonën,Valencian, MonteKarlon, Gjenovën, Romën, Napolin, Tunizinë, Plitin, Dubrovnikun, Kotorrin, Athinën, Prizrenin, Stambollin, etj., njihen si detare edhe Durrësi, Apolonia, Butrinti, Lezha, etj., por që efektivisht deri më tani nuk kemi prekur asnjë investim.

Pozitiv është fakti që kemi përjetuar disa asistenca bashkëpunimi evropiane, ndër më efikaset me organizatën “EuropaNastra”. Na vjen keq kur dëmtohen monumentet në Afganistan, Siri, Marakesh etj., por sigurisht duhet të ndjehemi shumë herë më të prekur kur shembet një banesë gjirokastrite, kur digjet një kishë diku ne Kozarë, kur bie Ura e Hoshtevës në Zagori etj. Megjithëse këto raste tashmë i takojnë historisë.

Kalldrëmi i urës së Poshnjes

Rëndësi ka që monumentet, siç na sugjerojnë dhe statutet ndërkombëtare të tyre, kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme, nga Pushteti Qendror, nga ai Lokal, nga Bashkësitë Fetare, nga sponsor të ndryshëm, etj. Shqipëria sot numëron rreth 1300 monumente, numër jo besnik, duke pasur parasysh dhe objektet e veçanta që mbushin Parqet Arkeologjike, kategorinë e dytë të objekteve etj.

Në këtë numër përfshihen dhe rreth 140 monumente inxhinierike si: rrugë, ura, ujësjellës, kroje, banja, puse, etj. Nga këto rreth 80 objekte janë ura. Ato janë nga periudha të ndryshme kohore, janë të ndryshme nga ana tipologjike, të madhësive të ndryshme, varësisht nga përroi apo lumi ku kalojnë, me detaje specifike funksionale. Për arsye se ndodhen gjithmonë nën presionin e faktorëve natyrorë gërryes e dëmtues deri në shkatërrim urat nuk kanë jetëgjatësi. Nga urat romake shek.II– IVp.e.s hasen vetëm rrënojat, mbetje të këmbëve të gurta (Tepelena, Këlcyra, Subashi, Çorodova, Bashtova, Qukësi, Haxhi Beqari, etj.).

Pamje ballore e Urës së Pulaias

Për gjatësi të mëdha ato qenë prej druri (Keci, Haxhi Beqari) apo guri pasi atëherë u shfrytëzuan elementë të urave romake paraardhëse. Gjatë mesjetës së Perandorisë Osmane u ndërtuan mjaft ura me qemerë guri në lumenjtë Vjosë, Drin, Mat, Osum, etj.

Urat në këmbë, që trashëgojmë sot janë pothuaj të gjitha nga kjo periudhë (viti 1700 deri në fund të shekullit të XIX), aq sa mund t’i rezistojë një urë prurjeve maksimale të një lumi. Duke marrë parasysh qëndresën e urave ndaj faktorëve shkatërrues, ka rëndësi fakti që këto tri ura që publikojmë në këtë shkrim ruhen në gjendje pothuajse të plotë konstruktive.

Kategorizimi i urave ka rëndësi përsa i takon datimit të tyre. Si objekte tranzitore në dallim nga fortifikimet jetëgjatë, kullat etj., studiues të ndryshëm rrallë japin vite të sakta të ndërtimit të tyre, veç rasteve të urave me mbishkrim. Datimet shekullore të tyre mbështeten kryesisht në tipologjinë, në teknikat e ndërtimit të tyre dhe në afërsinë me objekte të tjera funksionale si: vendbanime, rrugë, kala etj.

Ura antike e Frëngut në Pshnje – Berat. Shek

Në këtë aspekt, rast interesant sa i takon datimit paraqet ai i Urës së Bukaqit, mbi përroin e Fokës në qytetin e Kavajës. Deri në vitin 1987, kur iu nënshtrua restaurimit ajo ishte mbuluar me ferra dhe ishte krejtësisht e palexueshme. Nuk dalloheshin as tipi, as teknika e ndërtimit dhe as dëmtimet e marra gjatë kohëve. Aq sa mendova se kishim të bënim me një objekt të mesjetës turke. Megjithatë mbeta me dyshime dhe e trajtova si objekt që duhet të mbetej në studim. Me kalimin e viteve dhe me rritjen e përvojës profesionale, me konsultimet e vazhdueshme bibliografike dhe sidomos duke studiuar më tej teknikën e ndërtimit, veçanërisht llojin e tullave të përdoruara në kornizat e dy themeleve të vegjël anësorë, e cilësova këtë urë si urën më të hershme të ruajtur te ne, nga shekujt II-IV të Periudhës Romake.

Ura e Bukaqit në Kavajë Shek 2-4

Ura e Bukaqit, me gjatësi 8 metra dhe gjerësi 3.23 metra, urë e tipit me kurriz në kyç, ka qemerin kryesor dhe dy dritare më të vogla në brigjet. Nga pikëpamja funksionale Ura e Bukaqit, e ndodhur pranë apo mbase vetë pjesë e Egnatias, mund të quhet me vërtetësi si një objekt i hapësirave territoriale të Via Egnatias së famshmes romake në trojet tona.

Dihet se në antikitet, përgjatë luginave të lumenjve tanë kanë funksionuar rrugë qerresh me gjerësi 5-6 metra në fushë (Egnatia, Lissus, Noissus) në grykat malore me ujë, gjerësi 2-3 metra, kaloheshin vetëm me kafshë, kuaj apo mushka. Rruga fushore romake, Apolloni-Berat, majtas Seman-Osumit kalonte në itinerarin: Fier – Çukas – Kuç – Syzes – Poshnje – Pashalli-Gur i Bardhë – Starovë – Velabisht-Berat.

Pjesë nga kjo rrugë antike hasim në fshatin Poshnje, ku ruhet në gjendje relativisht mirë ura romake e Poshnjës. Ndërtuar vetëm mbi ujë me qemer tulle me hapësirë drite 5m. Duke bërë krahasimin e tullave rezulton se Ura e Poshnjës i takon shekujve IV të antikitetit të vonë, në kapërcyellin Perandori Romake-Perandori Bizantine. Kjo urë ruhet në gjendje solide në një shtrat të thatë, pa ujë.

Ura e Pulaias në Selanik. Shek

Një urë romake, e ruajtur vetëm me një hark tulle (ka qenë me disa harqe) është ajo e Pualias në rrethinat e Selanikut, në Greqi. Ajo sot ndodhet mbi një shtrat të thatë, pa ujë. Lidhur me datimin e saj nuk ka asnjë të dhënë nga studiuesit grekë. Ata janë shprehur vetëm se ajo është një urë romake. Veç teknikës së ndërtimit ka edhe një logjikë tjetër. Ajo ndodhet pranë Selanikut, ku kalonte edhe andej si në Bukaq, Via romake Egantia, kështu që mund të datohet si një urë romake e shekujve II-III.

Botimi i këtyre tre urave së bashku përbën si të thuash një fazë zbulimi për lashtësinë e urave në Ballkan, një territor i mbushur me objekte të pazbuluara ende.