Marjana Bulku: Më vjen keq që asgjë s’ka ndryshuar

362
Sigal

Duket se koha ka ecur mbrapsht kur shoh se si ende duartrokitet me ekzaltim, servilizëm dhe nënshtrim udhëheqja e kujtdo krahu qoftë ajo. Është fatkeqësi kur sheh se si udhëheqja ulet sërish këmbëkryq mbi hallet e pupullit duke numëruar suksese imagjinare. E çuditëshme pra që populli ende duartroket në vend që të dëgjojë, serviloset; në vend që të kërkojë llogari, hesht; në vend që të revoltohet dhe ngrejë zërin… Është e dhimbshme teksa sheh se si demokracia vdes sa herë që ekranet pushtohen nga udhëheqja, që çdo shërbim e reklamon si “fitorje” kur në fakt e ka për detyrë shërbimin për sa kohë që është në atë detyrë. Vdes demokracia sa herë që populli manipulohet, hesht, dorëzohet. Pamje jo pak e njohur kjo për ne që u lindëm dhe u rritëm nën atë lloj kulture nënshtrimi ndaj fuqisë. Dhe kur fuqia u dorëzua, guxuam të urrenim pa cak të këqijat, por edhe të mirat, që prodhoi sistemi i kultivuar keq. Lindte demokracia sa herë që logjika njerërore zgjohej nga tulatja e gjatë. Dhe zgjimi popullor nënkupton vetëdije qytetarie, të drejta, liri dhe përgjegjësi, por edhe detyrime, kreativitet, rregulla. Kështu demokracia do të rritej duke i dhënë popullit frymëmarrje e peshë përballë pushteteve, që edhe më të përgjegjshëm i bën qytetaria aktive… Duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar që kur pretenduam se e prekëm Demokracinë. A e prekëm vallë?! Pyes veten teksa shoh se asgjë nuk paskërka ndryshuar!

Nuk ka ndryshuar asgjë as në sjelljet qeveritare, që riciklojnë të njëjtat mëkate; as në reagimin popullor, që di vetëm të nënshtrohet apo të reagojë kur partia ia do; as në kulturën individuale të nënshtrimit ndaj të keqes. Tabloja shqiptare e vitit 2022 me puçe e grushte pushtetesh, që synojnë jetëgjatësi a ndoshta edhe përjetësi dhe popull i nënshtruar, që në dukje është i çorientuar, por në thelb është i njëjtë: fajtor i pafaj. Është fajtor, sepse hesht, duartroket dhe serviloset dhe paradoksalisht është pafaj, sepse menuja e detyruar, që ka përpara është vështirë të ndryshohet .

Duket se asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh se si zhvlerësohet puna e ndershme. Vlerën e saj (dikur e zinte ajo kolektive) sot e ka dhunuar mania kolektive për t’u pasuruar padrejtësisht dhe me çdo mënyrë madje pa punuar. Asgjë nuk ka ndryshuar kur sheh një popull që është në ikje permanente nga trojet e veta, në një proces braktisje si me dhunë (të padukshme) nga vendin i vet. Asgjë nuk ka ndryshuar kur ndjek se si ikjet ndjekin njëra -tjetrën zinxhir ( gjyshi im u arratis në vitin 1959 duke thënë “ nuk rri dot në një shtëpi me stola dhe oxhak”, ndërsa unë /ne u larguam në 6 korrik 2011 kur mbeta pa punë në vendin dhe kohën ku kishim investuar aq shumë ). Të vjen keq për fjalën, që nuk u tha, mbeti peng, ndërkohë që ajo kullonte drejtësi edhe pse ajo gjithmonë e drejta pritet në mes. Të vjen keq që folëm aq pak për lirinë, për idhujtarët e saj, të vjen keq që i lamë në vetmi dhe pa rrugë produktet tona të nderit dhe dinjitetit, që sillte puna me nder, por të paktën ato ekzistojnë përsa kohë ka kujtesē. Êshtë fjala dhe vetëm fjala ajo që e mban gjallë mendimin, qëndrimin dhe të drejtën! Jo prapë burg asaj! (Fjalës). Asgjë nuk ndryshon nëse nuk kuptohet se Demokracia është një guidë të drejtash jete, një lloj vetqeverisje, që porsi trupi njerëzor, prej të cilëve ajo funksionon, mat, kalkulon, krahason, analizon dhe gjykon gjithçka, që evidentohet në procesin e gjatë dhe të pandalshëm që quhet jetë.