Frank Shkreli: Kush provokon me statujat e Stalinit e të Leninit në Tiranë në ditën e Evropës për kujtimin e viktimave të totalitarizmit?

223
Sigal

Analizë nga Frank Shkreli, ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

 

Por, Shqipëria e kujtoi këtë ditë në mënyrën e vet që e dallon nga çdo shtet tjetër ish-komunist në Evropë, duke shfaqur sërish të ekspozuar në oborrin e vilës që përdoret për pritje zyrtare të kryeministrit Rama, statujat e Stalinit dhe të Leninit, njoftojnë një numër mediash e portalesh shqiptare. Kush janë këta qeveritarë të pa përgjegjëshëm, pa ndjenja e pa ndërgjegje njerëzore, të pamoral e padrejtësi për viktimat e komunizmit në Shqipëri, që statujën e Stalinit e quajnë një ekspozitë arti? Me Stalinin e Leninin, duan të futen në Evropë këta. Po ambasada amerikane atje cilave “vlera të përbashkëta”, me këtë klasë politike 30-vjeçare pseudo-komuniste, u referohet në deklaratën e saj të fundit .

 

Ndërkohë që edhe këtë vit, ashtu si në të kaluarën, Evropa — me përjashtim të Shqipërisë, si zakonisht —  shënoi me 23 gusht Ditën Evropiane të Kujtesës së Viktimavae të totalitarizmit — komunizmit e nazizmit —Remembrance for the victims of all totalitarian regimes (europa.eu).

Por, Shqipëria e kujtoi këtë ditë në mënyrën e vet që e dallon nga çdo shtet tjetër ish-komunist në Evropë, duke shfaqur sërish të ekspozuar në oborrin e vilës që përdoret për pritje zyrtare të kryeministrit Rama, statujat e Stalinit dhe të Leninit, njoftojnë një numër mediash e portalesh shqiptare.  Në të njëjtën ditë, në portalin e saj, Ambasada amerikane në Tiranë shpalli, “marrëdhëniet tona të forta në fushën e mbrojtjes dhe “vlerat tona të përbashkëta të NATO-s”, me rastin e fluturimit të dy avionëve amerikanë B-52 mbi Sheshin Skenderbej.  Për të cilat vlera të përbashkëta flet kjo ambasadë, me këtë regjim i cili në vend që të kujtojë viktimat e komunizmit në Shqipëri, të pakën me një deklaratë në Ditën e kujtimit të viktimave të komunizmit, kur e gjithë Evropa bën një gjë të tillë çdo vit – regjimi autokrat në Tiranë rishfaq dhe vendos statujat e Stalinit e Leninit në oborrin e një vile qeveritare – banesë e kriminelit shqiptar, ish-Kryeministrit Mehmet Shehu.

“Në të njëjtën ditë, në portalin e saj, Ambasada amerikane në Tiranë shpalli, “marrëdhëniet tona të forta në fushën e mbrojtjes dhe “vlerat tona të përbashkëta të NATO-s”, me rastin e fluturimit të dy avionëve amerikanë B-52 mbi Sheshin Skenderbej. Për të cilat vlera të përbashkëta flet kjo ambasadë, me këtë regjim i cili në vend që të kujtojë viktimat e komunizmit në Shqipëri, të pakën me një deklaratë në Ditën e kujtimit të viktimave të komunizmit, kur e gjithë Evropa bën një gjë të tillë çdo vit – regjimi autokrat në Tiranë rishfaq dhe vendos statujat e Stalinit e Leninit në oborrin e një vile qeveritare – banesë e kriminelit shqiptar, ish-Kryeministrit Mehmet Shehu.”

Statuja e Jozef Stalinit në oborrin e njërës prej vilave qeveritare të Shqipërisë, ku dikur banonte Mehmet Shehu. Shqiptaro-Amerikanit, Tonin Mirakaj, i njerës prej familjeve më të vuajtura anti-komuniste – statuja e Stalinit në Tiranë – i kishte kujtuar vjershën që detyroheshin nxënsit e gjenerataë së tij ta mësonin përmendësh:
“Bijtë e Stalinit jemi ne,
Që derdhim gjakun anë e mbanë,
Sa të valoj përmbi dhe
Flamuri drapën dhe çekan!”

Askush nuk thotë, zyrtarisht, se pse statujat e Stalinit e Leninit u ekspozuan, pikërisht, në këtë kohë në qendër të Tiranës, por krye-censuruesi zyrtar i qeverisë së Tiranës, një Endri Fuga jep një “shpjegim” që citohet nga media shqiptare të ketë thenë se vendosja e statujave të diktatorëve kriminelë rusë – përgjegjës për pothuaj 100-milionë të vrarë të komunizmit në oborrin e një vile të qeverisë shqiptare e justifikon si “vepër arti”.  “Është pjesë e një instalacioni më të madh se statuja e Stalinit,” tha Fuga për BIRN, pa dhënë detaje mbi autorin apo titullin e instalacionit apo vendosjen e tyre në një godinë shtetërore ku hyjnë e dalin delegacione të huaja.  Kur u pyet nëse ky ekspozim mund të kishte pasoja sensitive për viktimat e komunizmit në Shqipëri, Fuga shtoi se: “nuk besoj se duhet gjykuar mbi një vepër arti me syzët e politikës”.

Për reagimin e ish- të përndjekurve pse nuk pyet ndonjë ish të burgosur të regjimit të Enver Hoxhës – dishepullit të paepur të Stalinit – se si e shohin shfaqjen e Stalinit në hapësirën publike në Tiranë.  Përgjigjen t’a dha një prej atyre, Simon Mirakaj, një përfaqësues i familjeve anti-komuniste më të vuajtura në Shqipëri: “Ekspozimi i tyre është shumë sensitiv për ne dhe për të gjithë shqiptarët, pasi ata janë dy persona që kanë shkaktuar mjaft plagë në vendet e tyre dhe në vendet e tjera që kanë qenë në varësi të ish-Bashkimit Sovjetik”, tha Mirakaj për BIRN.  “Në Shqipëri, kampi famëkeq i Tepelenës që ka marrë shumë jetë njerëzish i përket pikërisht asaj periudhe të Stalinit,” është shprehur me dhimbje të thellë ish-i burgosuri i regjimit të Enver Hoxhës, i cili për fat i mbijetojë Kampit të Tepelenës dhe të tjerave mundime e vuajtje, ndryshe nga mijpra të tjerë që vdiqen në kampet komuniste të Enver-Stalinit.

Endri Fugës dhe bosëve të tij do iu përgjigjesha me fjalët e mikut dhe kolegut tim Profesor Sami Repishtit – ish- i dënuar politik i regjimit komunist të Enver Hoxhës: “Mos lendoni plagët tona të hapuna” SAMI REPISHTI – JU LUTEMI, MOS LËNDONI PLAGËT TONA TË HAPUNA! – Dielli | The Sun (gazetadielli.com)

More, kush janë këta përfaqsues të qeverisë shqiptare të pa përgjegjëshëm, të pa ndjenja e të pa ndërgjegje njerëzore, të pa moral e pa drejtësi për viktimat e komunizmit në Shqipëri, që statujën e Stalinit e quajnë një ekspozitë arti në publik? Nga vijnë këta njerëz dhe kujt i shërbejnë? Shqiptarë janë këta? Duan të futen në Evropë këta. Me Stalinin e Leninin?  Jo, more se këta fëlliqin mbarë Evropën me vlerat e tyre pseudo-komuniste. Mirë se Fuga përfaqëson vlerat e regjimit të tij kur flet për statujën e rishfaqur të Stalinit në Tiranë…

“Rishkruar historinë e regjimeve totalitare. Pyetje për regjimin e Tiranës: Cilës trashëgimi i shërben instalimi i statujave të Stalinit dhe Leninit në oborrin e vilës qeveritare ku dikur banonte Mehmet Shehu? Pse kjo fyerje ndaj ish-të përndjekurve të regjimit të Enver Hoxhës?”

Po ambasada amerikane atje cilave “vlera të përbashkëta”, me këtë klasë politike 30-vjeçare pseudo-komuniste, u referohet në deklaratën e saj të fundit në portalin e saj. A nuk sheh ndonjë të keqe kjo ambasadë me rishfaqjen e Stalinit e Leninit në oborrin e një vile qeveritare, ku priten e përcillen delegacione të huaja? A po është dakort!?  Pse heshtë! “Krah për krah” me kë, me një regjim që, sipas zëdhënsit të saj Fuga, “vepra e artit” e Stalinit nuk duhet të gjykohet me syzët e politikës”? Po me çfarë syshë ta shikojmë?  Pse heshtni para një dukurie të tillë? Ju jeni përfaqsues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit më demokratik të botës, vendit më të dashur për shqiptarët kudo — i të gjitha kohërave.  Vendit ku shqiptarët e Amerikës kanë gjetur strehim dhe ku jetojnë bazuar në vlerat amerikane. Ju lutem, përfaqësoni dhe mbroni vlerat tona. Dënojeni shfaqjen e Stalinit në mes të Tiranës.  Statujën e vet djallit të trupëzuar/mishëruar aty në Tiranë, diktatorëve komunist Stalinit dhe Leninit! Kjo do duhej të ishte diçka krejt e natyrshme për një përfaqësi diplomatike amerikane.

Çfarë hipokrizie politike e diplomatike është kjo?  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqsues të tyre jashtë vendit nuk duhet të kenë asgjë të përbashkët dhe as të mos deklarojnë mbështetje të “vlerave të përbashkëta” me një regjim që adhuron vlerat stalinisto-enveriste e marksiste-leniniste.  Në vend të kësaj, ju lutem ndani dhe mbroni vlerat e përbashkëta të Amerikës dhe të Evropës demokratike me viktimat e komunizmit në Shqipëri dhe kujtoni ato viktima, të gjallë e të vdekur, në ditët e caktuara ndërkombëtarisht për këtë qëllim, siç ishte Dita Evropiane e Kujtesës me 23 Gusht.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me rastin e Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit – totalitar dhe autoritar — kujtoi viktimat e komunizmit dhe nazizmit duke deklaruar se, “Ata që bënë qëndresë kundër totalitarizmit, nuk do të harrohen…”.

A lexuat ndonjë deklaratë të Kryeministrit të Shqipërisë në Ditën e Kujtesës Evropiane të Viktimave të totalitarizmit ndërkombëtar? A po Shqipëria është në një planet tjetër, nuk është në Evropë dhe nuk pritej një gjë e tillë prej Tiranës zyrtare!?” Tirana zyrtare i “kujtojë” viktimat e totalitarizmit enverist me vendosjen e statujës së babait ideologjik të Enverit, në një truall të qeverisë shqiptare. Ai truall nuk u përket viktimave shqiotare të komunizmit!? A nuk janë ata shqiptarë?

Prania e statujës së Stalinit në një vend public, mu në mes të Tiranës, është një vlerë e trashëgimisë së kësaj klase politike shqiptare të antivlerave njerëzore që ka udhëhequr atë vend për më shumë se 30-vjet tranzicion. Unë nuk e kuptoj nostalgjinë e udhëheqjes aktuale të Shqipërisë për regjimin e Enver Hoxhës, si një vlerë e kësaj klase politike të korruptuar dhe të papërgjegjshme për interesat kombëtare.  Por, kjo klasë politike është në dorë të votuesve shqiptarë. Siç duket, këta janë përfaqsuesit politikë që duan të kenë votuesit shqiptarë, këta i kanë. T’i gëzojnë, ndërkohë që Shqipëria po zbrazet dhe shqiptarët e ngratë, të hutuar, po marrin dhenë si delet që u bie ujku në vath drejtë vendeve dhe vlerave perëndimore.

Por çfarë më shqetëson edhe më shumë mua si shetas amerikan, është fakti se pse këto dukuri qëllimisht provokuese, me një mesazh të caktuar politik dhe simbolik nga autoritetet zyrtare të Shqipërisë — siç është rishfaqja e statujave të Stalinit e Leninit në një vend të NATO-s – vazhdon të has në heshtje të shurdhër dhe në një indiferencë të plotë nga ana e përfaqësive perëndimore në Tiranë – evropiane dhe amerikane — ndaj dukurive të tilla shqetësuese, në një vend anëtar të NATO-s!?

Siç ndodh normalisht, Evropa dhe shtete individuale të saj e shënuan edhe sivjet, si çdo vit, ç’prej vitit 2009, Ditën e Viktimave të Komunizmit e Nazizmit.  Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me rastin e Ditës Evropiane të Viktimave të Totalitarizmit, kujtoi viktimat e komunizmit dhe nazizmit, duke u shprehur se, “Ata që bënë qëndresë kundër totalitarizmit, nuk do të harrohen…”  Remembrance for the victims of all totalitarian regimes (europa.eu)

Por ndërsa Stalini i vjetër ripushton hapësirçn publike në Tiranë, Stalini i ri, Vladimir Putini ka pushtuar Ukrainën për më shumë se 6 muaj tani – bazuar në vlerat e Stalinit të vjetër dhe nuk ndalet —Frank Shkreli: Ndërsa Stalini i ri në Moskë pushton Ukrainën, Stalini i vjetër ripushton Tiranën | Gazeta Telegraf

Disa shtete të Evropës e kuptojnë këtë rrezik më shumë dhe më mirë se infantilët e papjekur politikë të Tiranës.   Në një letër të përbashkët drejtuar institucioneve të Bashimit Evropian muajin që kaloi, 5 shtete: Estonia, Rumania, Polonia, Lituania dhe Letonia, kanë deklaruar se lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës duhet të na kujtojë se sa i rëndësishëm është dënimi i të gjitha krimeve të regjimeve totalitare të shekullit 20-të si dhe, njëkohësisht, të kujtojmë viktimat e atyre regjimeve kriminale.

‘Pyetje për përfaqsuesit e vendeve perëndimore në Tiranë: Si përfaqsues të botës demokratike, a nuk u vret hiç ndërgjegja juaj se jeni dëshmitarë të një dukurie të tillë, në një vend të NATO-s? A nuk u vret ndërgjegja juaj se po të kishit dashur, mund të kishit bërë më shumë, që në Shqipëri të dënoheshin, zyrtarisht, krimet e komunizmit dhe që shoqëria shqiptare të përballej, njëherë e mirë, me të kaluarën e saj të tmershme komuniste?”

“E gjithë Evropa duhet ta kuptojë mirë se çfarë ndodh nëqoftse nuk dënohen krimet e regjimeve totalitare.  Rusia është duke përsëritur çdo ditë krimet e regjimit sovjetik në Ukrainë. Ndërsa për Evropën Perëndimore, fundi i Luftës së II Botërore solli paqën, për Estoninë dhe për vende të tjera të rajonit tonë mbarimi i Luftës së II Botërore solli vrasje në masë, deportime dhe shtypje nga regjimet komuniste. Që t’i thuhet stop luftës së Kremlinit (në Ukrainë) dhe që kriminelët e kësaj lufte të mbahen përgjegjës duke i sjellur ata para drejtësisë – ne duhet të njohim mirë rrënjët e imperializmit rus”, ka thenë Kryeministri i Estonisë, Kajas Kallas, njëri prej nënshkruesve të letrës.

Në letrën e tyre të përbashkët drejtuar enteve më të rëndësishme evropiane, 5 kryetarët e shteteve të lartë përmendura shkruajnë se Rusia nuk ka dënuar kurrë krimet e regjimit komunist sovjetik dhe liderët e sotëm rusë haptazi tolerojnë dhe me plot entuziazëm mbështesin trashëgiminë sovjetike komuniste. Udhëheqsit e 5 vendeve të Evropës dhe anëtare të BE-së, në letrën e tyre theksojnë, ndër të tjera, nevojën për të shtuar veprimet në nivelet më të larta të Bashkimit Evropian kundër përpjekjeve të Moskës me qëllim  ruajtjen e trashëgimisë së komunizmit duke rishkruar historinë e regjimeve totalitare.

Pyetje për regjimin e Tiranës: Cilës trashëgimi i shërben instalimi i statujave të Stalinit dhe Leninit në oborrin e vilës qeveritare ku dikur banonte Mehmet Shehu? Pse kjo fyerje ndaj ish-të përndjekurve të regjimit të Enver Hoxhës?

Pyetje për përfaqsuesit e vendeve perëndimore në Tiranë: Si përfaqsues të botës demokratike, a nuk u vret hiç ndërgjegja juaj se jeni dëshmitarë të një dukurie të tillë, në një vend të NATO-s?  A nuk u vret ndërgjegja juaj se po të kishit dashur, mund të kishit bërë më shumë, që në Shqipëri të dënoheshin, zyrtarisht, krimet e komunizmit dhe që shoqëria shqiptare të përballej, njëherë e mirë, me të kaluarën e saj të tmershme komuniste?