Prof. Dr. Qemal Lame: Evropa Poli i Tretë

208

“Evropa nuk duhet të kontribuojë në përshkallëzimin e konfliktit, por të ndjekë pozicionin e saj si poli i tretë midis SHBA-së dhe Kinës. Në fund të vizitës së tij dy-ditore shtetërore në Holandë, Macron  theksoi edhe një herë: “Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal”, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara.”

Sigal

Sipas presidentit francez Emmanuel Macron, Evropa duhet të ndjekë strategjinë e saj. “Gjëja më e keqe do të ishte të mendosh se ne evropianët do të bëheshim ndjekës për këtë çështje dhe ose do të duhej të ndjekim stilin amerikan ose një reagim të tepruar kinez,” e citoi revista franceze‘ Politico‘. Evropa nuk duhet të kontribuojë në përshkallëzimin e konfliktit, por të ndjekë pozicionin e saj si poli i tretë midis SHBA-së dhe Kinës. Në fund të vizitës së tij dy-ditore shtetërore në Holandë, ai theksoi edhe një herë: “Të jesh aleat nuk do të thotë të jesh vasal”, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara. Franca ka “të drejtën të mendojë vetë”. Franca ishte “për status quo-në në Tajvan”. Vendi i tij po përpiqet për një “zgjidhje paqësore të situatës”.

Deklaratat e Macron shkaktuan diskutime, kundërshtime, kritika, zemërime dhe moskuptim jo vetëm në Gjermani, SHBA, Poloni dhe shtetet baltike. Edhe në Francë njerëzit ishin të befasuar për deklaratat e presidentit! Me siguri mund të thuhet se e gjithë kjo ishte një keqkuptim,- shkruante “Le Monde”.

Pallati Élysée siguroi, se Emmanuel Macron kishte përsëritur vetëm gjërat që ai kishte thënë shumë herë më parë: Një Evropë sovrane ishte urgjentisht e nevojshme për ekuilibrin botëror. Është e rëndësishme të shmanget një konfrontim midis blloqeve dhe të përfshihet Kina në një sistem shumëpalësh. Për më tepër, nuk ka dyshim që SHBA-të janë aleatët e Francës me të cilët ndan vlera të përbashkëta dhe se Parisi mbështet status quo-në e Tajvanit.

Deklarimet e Macron dhe diskutimet e kritikat, mendoj se kuptohen e motivojnë drejtë duke u vlerësuar politika e pavarur franceze në marrëdhëniet e brendshme dhe ato ndërkombëtare si anëtare e Bashkimit Evropian e NATO-s, ndikimin, që kërkohet të luajë në zgjidhjen e krizave që rrezikojnë botën e sotme. Ideja e tij për një lidership të ri evropian është e njohur. Vullneti politik për t’u shkëputur nga SHBA ka ekzistuar në Francë që nga vitet 1960. Macron e ripërcaktoi këtë ide edhe me autonominë e tij strategjike evropiane‘. Franca do të kontribojë në këtë drejtim, nëse do të arrijë bashkëpunim me shtetet e tjera. As Franca dhe as vetë Macron nuk duhet të pretendojnë të vihen në udhëheqje të BE. Franca është anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe fuqi e njohur bërthamore. BE nuk e ka këtë status. Ajo është një nga 27 shtetet e BE dhe ka përgjegjësinë të kontribojë në bashkëpunim dhe me mirëkuptimin e mbështetjen e gjithë shteteve të tjera.

1.Marrëdhëniet korekte dhe një qëndrim i afët me Kinën është i drejtë. Por jo në dëm të shteteve të tjera. Macron nuk përkrah politikën e “grupimit kundër grupimit”, të “bllokut ushtarak kundër bllokut ushtarak”.

2.Në marrëdhëniet mes Evropës dhe Amerikanëve, vërehet se nuk ka unitet. Tani ka tre krerë qeverish në Evropë që pretendojnë se janë “udhëheqës” në Evropë. Dhe secili do të thotë diçka ndryshe nga tjetri:

– Olaf Scholz dëshiron lidership përkrah Amerikës.

– Emanuel Macron dëshiron lidership si një shprehje të një “sovraniteti strategjik evropian që është sa më i pavarur nga Amerika.

– Dhe së fundmi ka një tjetër kandidat evropian shumë të sigurt për udhëheqjen e kontinentit: Polonia. Kryeministri polak Matteusz Mazowiecki sapo tha këtë pas një bisede me nënpresidenten amerikane Kamala Harris: “Evropa e Vjetër (Gjermania dhe Franca, shënimi i redaktorit) besonte në një pakt me Rusinë. Dhe Evropa e vjetër dështoi. Por ka një Evropë të re që e di se çfarë ishte komunizmi rus. Dhe Polonia është lideri i kësaj Evrope të re.”

3.Konflikti midis Kinës dhe Tajvanit përbën njëkohësisht edhe problemin e ndjeshëm të konfliktit midis Kinës dhe SHBA. Evropa kërkohet të qartësojë qëndrimin e saj, pasi ky konflikt është i lidhur direkt edhe me gjeopolitikën evropiane dhe Aleancën Perëndimore.

3.Aleatët e Francës nuk ishin aq entuziastë për udhëtimin e Macron-it sa departamenti i medias i Pallatit Elysee. Sepse në vend që të përfaqësonte një pozicion të përbashkët evropian në Kinë, Macron u distancua nga presidentja e Komisionit të BE-së shumë më kritike ndaj Kinës, Ursula von der Leyen. Franca duhej të bashkëpunone më parë me BE dhe të tregonin unitetin e interesave në këtë vizitë të përbashkët. Franca nuk duhet të tregohej e njëanshme në marrëdhëniet e saj ekonomike tregtare me Kinën, pasi BE është partneri kryesor tregtar i Kinës, veçanërisht Gjermania.

BE-ja nuk ka në strategjinë e saj një program politik që të bëhet superfuqi e tretë. Aktualisht nuk ka një politikë uniforme evropiane për rolin e saj për sovranitet strategjik, si superfuqi gjeopolitike dhe raportet me dy superfuqitë SHBA dhe Kinën. Kjo nuk është e re. Në përshtatje me zhvillimet, ka vite që janë bërë përpjekje për të formuluar një strategji të pëbashkët evropiane për Kinën. Kjo është mjaft e vështirë për BE-në dhe për shtetet anëtare individuale. Por të paktën në vitin 2019, BE-ja kaloi në pozicionin e përcaktimit të Kinës si një rival sistematik. Evropa është në rrugën e rregullimit të marrëdhënieve të saj me Kinën, siç e kërkojnë kohët e reja. BE-ja po e bën këtë me ritmin e saj shumë të qetë, por po e bën. Aktualisht t‘i bëhet e qartë Kinës se Evropa është kundër luftës në Tajvan dhe ajo do të ketë përgjegjësinë për pasojat, që mund të ndodhin dhe sanksionet nga bashkësia ndërkombëtare.

Në bazë të Traktatit të Lisbonës, shtetet sovrane anëtare në Bashkimin Evropian kanë unifikuar politikën e jashtme, që drejtohet nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme. Realisht BE nuk arrin të marrë vendime të pavarura dhe të detyrueshme për të gjithë shtetet pa u arritur mirëkuptimi paraprak. E drejta e vetos së shteteve anëtare shfrytëzohet në çdo rast që interesat kombëtare nuk përputhen me ato të bashkësisë. Reformimi si supershtet është i vështirë për shkak se shtetet anëtare duan të ruajnë sovranitetin. Në këto kushte do të ishte ndryshim pozitiv arritja e mirëkuptimit për të hequr të drejtën e vetos në marrjen e vendimeve. Shtetet më të fuqishme si Gjermania dhe Franca vlerësohen si motorët, që i japin fuqi Bashkimit Evropian. Por ndjehet se ky bashkëpunim është dobësuar. Nga fjalimet dhe deklarata e Macron në Kinë, si dhe në politikën franceze dallohet dëshira për lidërship evropian. Me këtë tendencë shprehet apo kuptohet e kritikohet edhe thënia e Macron për polin e tretë të Evropës midis Kinës dhe SHBA.

BE është një faktor që duhet marrë seriozisht në skenën globale. BE-ja është në moshë gjeopolitike. Ajo ka teritorin, popullsinë, ekonominë dhe institucionet përfaqësuese. Kjo nuk do të thotë se duhet të shkëputet nga Shtetet e Bashkuara, por se mund të formulojë, përfaqësojë dhe zbatojë interesat e saj, përfshirë edhe në lidhje me Shtetet e Bashkuara.

Evropa me historinë dhe kontributin e saj ka luajtur një rol kyç në historinë e shoqërisë njerëzore. Pas Luftës së Dytë botërore, roli i saj u dëmtua dhe mbizotërojë dominimi i SHBA si superfuqia e parë botërore. Koha shtroi nevojën e krijimit dhe forcimit të Bashkimit Evropian. Tani kërkohet sovranitet dhe një rol kyç edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bashkësia ndërkombëtare ka nevojë për qëndrimet dhe vendimet evropiane për ruajtjen e ekulibrave, zgjidhjen e krizave dhe bashkërendimin e politikave për të sotmen dhe të ardhmen e njerëzimit. BE po jep kontributin në problemet ekonomike, të klimës, të shëndetësisë etj. Qëndrimi i BE kërkohet edhe në marrjen e vendimeve politike e ushtarake. Këtë e kërkoi edhe Rusia para se të ndërmerrte sulmin ndaj Ukrainës. Këtë po e kërkon edhe Kina për zgjidhjen e krizës së Tajvanit. Politikanët udhëheqës vihen para përgjegjësisë për t‘i dhënë bashkësisë formën e saj shtetërore si shtet të gjithë evropianëve dhe të marrë përsipër përgjegjësitë me vizionin e domosdoshëm gjeopolitik. Evropa autonome strategjikisht është e vetmja mënyrë që të mbrojë veten nëse është e nevojshme, për të mos u eleminuar nga historia botërore si aktor aktiv dhe bashkëpërcaktues. Koha ecën me shpejtësi. Elita politike evropiane kërkohet të eci me këtë ritëm dhe ta bëjë Bashkimin Evropian ashtu si e meritojnë popujt e saj. Kështu do të jenë më të forta edhe marrëdhëniet me SHBA, superfuqitë dhe gjithë shtetet e tjera.