Xhevat Mustafa: Ku ka më shumë rreziqe opozitarizmi, në Rusi apo Shqipëri?

160
Sigal

Një shembull dinjiteti nga një disident rus për mijëra burracakë shqiptarë…! “…frikacakët apo burracakët shqiptarë të dy sekseve apo gjinive, që justifikohen me “humbjen e vendit të punës” së tyre apo të një familjari tjetër, nëse nuk votojnë për Rama-parti-qeverinë, juridikisht janë “qytetarë të lirë” dhe de facto “të vetëprangosur me dëshirë…”.

Disidenti rus Vladimir Kara Murza fitoi shumë simpatizantë dhe mbështetës, kur në procesin gjygjësor politik kundër tij, më 14 mars 2023, ngjashëm me proceset gjygjësore në kohën e Stalinit në Rusi, të Enver Hoxhës në Shqipëri, të Kim Jong – un në Korenë e Veriut, të regjimit diktatorial në Iran, të Erdoganit në Turqi…, nga një i akuzuar pa fakte për fajësi politike, u shndërrua në një akuzues i ndërgjegjshëm e kurajoz për demokraci e drejtësi të vërtetë, që mungojnë prej një kohe të gjatë në vendin e tij, sidomos qysh kur në fron është “cari”Putin…!
Siç informohet nga “La Stampa” dhe “Albanian Post”, ndër akuzat më të rënda ndaj Murzas, 41 vjeç dhe një nga fytyrat më të njohura të opozitës ruse, janë ato “të tradhtisë dhe përhapjes së informacionit të rremë për ushtrinë”, që në praktikën juridike në këtë vend është e barabartë me denoncimin publik të luftës kriminale të nisur nga Vladimir Putin në Ukrainë.
Është shumë shprehës dhe demaskues për regjimin putinian fakti se dyshohet që Vladimir Kara Murza të jetë helmuar dy herë, së pari në vitin 2015 dhe pastaj, më 2017.
“Kundërshtarët e Kremlinit” – deklaroi Murza – “janë vrarë, helmuar dhe burgosur. Rusia sot ka më shumë të burgosur politikë të njohur se sa kishte BRSS-ja në vitet e saj të mëvonshme”. Telashet e tij me “drejtësinë” putiniane nisën gati një vit më parë, në prill, kur ai u arrestua për 15 ditë, zyrtarisht për “mosbindje ndaj policisë”. Dhe prej asaj kohe dosja e tij është mbushur me “akuza” të reja të sajuara. Për drejtësinë e Kremlinit me sa duket Murza  e mbushi kupën me fjalimin kundër luftës në Ukrainë mbajtur para deputetëve të Arizonës, në prill 2022.

Sakaq, Amnesty International vjeshtën e kaluar u ka bërë thirrje autoriteteve qeveritare dhe juridike të Kremlinit për lirimin e tij të menjëhershëm “si dhe të të gjithë atyre që janë ndjekur penalisht dhe dënuar për kritikimin paqësor të forcave të armatosura ruse”.

Sipas avokates së tij mbrojtëse, Maria Eysmont, në sallën e gjyqit, në seancën e dt. 14 mars 2023, Murza deklaroi me bindje të plotë  se ishte i pafajshëm. Ai i bëri vetes dhe kauzës së tij një mbrojtje shembullore dhe mbresëlënëse! Njëkohësisht, me ato që u tha në fytyrë trupit gjykues dhe të tjerëve në sallë, shërbëtorë të verbër të regjimit putinian, bëri një akuzë apo aktakuzë publike ndaj diktatorit dhe diktaturës! Kështu i tregoi regjimit dhe popullit jashtë burgjeve të tij se Rusia e sotme nuk ka vetëm burracakë e skllevër, por edhe plot intelektualë me bindje të fortë ndaj idealit të tyre dhe me kurajo të lartë, pa llogaritur rëndimin e dënimit dhe rrjedhojat e tjera! Për opinionin publik antiqeveritar dhe demokratik, aq sa lejohet në Rusi nga Putini dhe regjimi i tij opozitarizmi, si dhe për opinionin demokratik ndërkombëtar, Murza mbajti një qëndrim emocionues, burrëror e dinjitoz përballë një drejtësie të munguar, të nëpërkëmbur dhe përdorur prej mbi 23 vitesh për ambicjet e tij të çmendura nga diktatori rus. Lidhur me Shqipërinë e sotme dhe për paralelizëm, nëse do ta lexonin tekstin e mbrojtjes së Vladimir Kara Murzas, në atë farsë gjyqësore shumë zyrtarë e punonjës në administratën publike, në institucione qeveritare apo bashkiake, në arsim, shëndetësi, kulturë…, patronazhistë, aktivistë dhe istë të tjerë të sajuar në këta mbi 9 vjet të Rama-qeverisjes, duhej t’u vinte turp nga vetja, që kanë vite që e justifikojnë mbështetjen dhe votën për Rama partinë me frikën më shumë të fantazuar se sa reale për “humbjen e vendit të punës”!!!??? Dhe të mos harrojnë: Vladimir Kara Murza është një i burgosur politik dhe ishte  para një trupi gjykues diktatorial, pa asnjë shpresë zbutjeje të dënimit…dhe daljes nga qelia, për rreth 20 vjet!!! Ndërsa këta frikacakët apo burracakët shqiptarë të të dy sekseve apo gjinive, që justifikohen me “humbjen e vendit të punës” së tyre apo të një familjari tjetër, nëse nuk votojnë për Rama-parti-qeverinë, juridikisht janë “qytetarë të lirë” dhe de facto “të vetëprangosur me dëshirë”. Këta tremben nga një rrezik i mundshëm, ndoshta jo i përjetueshëm shpejt apo vonë, por më shumë për konsum taktik e presion psikologjik!!!??? “Rreziku i humbjes së vendit të punës”, për pjesën më të madhe të këtij kontigjenti dredharakësh, dyfytyrash apo “të majtësh”, pa ose me maska, më shumë se mundësi është justifikim i trashë dhe alibi, që nuk ua beson asnjeri, bile as vetvetja. Në këtë kontekst, meritojnë më tepër respekt ata që nuk e fshehin dhe justifikojnë “dashurinë” e tyre ndaj eneverizmo-edramizmit. Apo që deklarojnë edhe me zë të lartë se janë “të majtë” e do të votojnë deri në frymën e fundit për partinë e zemrës të gjyshërve, baballarëve e nënave, të xhaxhallarëve, dajallarëve, të tyre vetë! Për më tepër, kapja sipas një fije kashte tek ky rrezik më shumë imagjinar se sa real, spërdredhjet me këtë justifikim, shprehin edhe mungesë karakteri, burrërie apo kurajoje qytetare e demokratike. Në të kundërt me këta, ka plot burra e femra, që edhe pse janë të punësuar e rrogtarë në institucione e sektorë qeveritarë dhe shtetërorë, nuk e kanë fshehur dhe nuk e fshehin opozitarizmin e tyre, duke shprehur personalitet, dinjitet, integritet… Ata nuk e kanë llogaritur rrezikun e hakmarrjes e të ndëshkimit me humbjen e vendit të punës dhe nuk ia kanë kursyer as në media kritikat qeverisjes dhe shtetit. Nga ana tjetër, për t’i dhënë e mos ia ngrënë hakën: Edi Rama ka plot ngjashmëri me Vladimir Putinin. Mund ta ketë idhull e shembull. Gjithashtu, mund të ketë dëshirë edhe ambicje t’i ofrohet sa më shumë. Por, fatmirësisht, deri më sot, nuk është as 51% si ai. As si Enveri…Edhe më SHQIP, troç dhe POPULLORÇE! Në të vërtetë, këta që e justifikojnë “majtizmin” apo edramizmin e vullnetshëm dhe votën për Rama-parti-qeverinë me frikën e humbjes së vendit të punës, në mënyrë figurative, mund të krahasohen për prostitucion politik edhe me ato laviret, që justifikohen se bëjnë prostitutën nëpër trotuare, hotele, shtëpi publike, zyra, lulishte…për “bukën e gojës” së tyre e të fëmijëve!