Prof. Dr. Lisen Bashkurti: Ivanovi i Maqedonisë është ushtari mjeran i Gruevskit dhe Kadeti i bindur Rusisë

547
Qëndrimi i Presidentit Ivanov është lajthitje. Ai është tërësisht antikushtetues, antidemokratik dhe me rrezikshmëri shumë të lartë. Është një sjellje tipike autokratike. Ivanovi zbuloi vetveten si një lider me formim dhe sjellje bolshevike

Jakyup B. GJOÇA
Ballkanologu Prof. Dr. Lisen Bashkurti në intervistën për gazetën “Telegraf”, e cilëson presidentin e Maqedonisë, si një ushtar mjeran i Grueskit dhe Kadet i bindur i Rusisë, deri sa refuzimi i tij për të mandatuar Zaev të krijojë qeverinë e re, duke mos pranuar programin politik, që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare, është antikushtetues, antidemokratik dhe shumë i rrezikshëm për koniukturat në Ballkan. Prof. Dr. Bashkurti pranon , se prapa qëndrimit të Ivanov, fshihen ndikimet e Rusisë në Ballkan. Ballkanologu Bashkurti, duke iu referuar çështjes “Haradinaj”, konkludon se “Pra, rasti “Haradinaj” në thelb është sfidë e Kosovës. Zgjidhja e këtij rasti kushtëzohet drejtpërdrejtë nga kushtet, rrethanat dhe statusi ndërkombëtar i Kosovës, sikundër edhe nga kushtet, rrethanat dhe statusi i Serbisë.”

-Prof. Bashkurti, a ka precedent politik refuzimi i Presidentit të Maqedonisë, që të mos i japë Zaev mandatin qeveriformues, pasi rrezikohet interesi kombëtar i Maqedonisë, nëse pranohet gjuha shqipe?
– Qëndrimi i Presidentit Ivanov është lajthitje. Ai është tërësisht antikushtetues, antidemokratik dhe me rrezikshmëri shumë të lartë. Është një sjellje tipike autokratike. Ivanovi zbuloi vetveten si një lider me formim dhe sjellje bolshevike. Ai injoron shumicën e votuesve të Maqedonisë, pra 700 mijë vota. Vetëm Stalini thoshte: “Populli voton, ne i numërojmë votat”. Edhe Ivanovi në thelb thotë…”Nuk pyes për shumicën e votuesve, jam unë ai që përcaktoj, se kush do qeverisë dhe jo vota qytetare”. Kushtetuta e Maqedonisë është shumë e qartë në ndarjet e pushteteve, në procesin e konstituimit të Parlamentit dhe të mandatimit të qeverisë së re të pas zgjedhjeve. Presidenti duhet të ndjek procedurën kushtetuese. Mandatohet partia më e madhe. Nëse nuk arrin mazhorancën, vijohet me partinë e dytë. Nëse e dyta krijon mazhorancën qeverisëse, ajo formon qeverinë, përpilon programin qeverisë dhe e miraton në Parlament. Në tërë këtë procedurë Presidenti nuk ka tagër kushtetues të ndërhyjë. Ivanovi ka lajthitur. Por jo pa qëllim. Ai është dorë e zgjatur e Gruevskit, pra përfaqësues i së keqes, të cilën populli i Maqedonisë e dënoi me votë.

– A është rend kushtetues në Maqedoni, veprimi dhe qëndrimi i Presidentit Ivanov që të shpallë armik të Maqedonisë, Gjuhën shqipe?
– Tanimë Presidenti i Maqedonisë, Ivanov e ka futur vendin në një krizë shumëdimensionale, kushtetuese, politike, ndëretnike, fqinjësore dhe akoma më gjerë, gjeopolitike. Ivanovi po e shndërron Maqedoninë në një geto për popullin e vet dhe në një rrezik për mbarë Ballkanin. Ai duhet bllokuar në sipërmarrje lajthitëse dhe të rrezikshme.

– Prof. Bashkurti, ju mendoni se pas qëndrimit të Presidentit Ivanov kundër shqiptarëve, fshihet ndonjë forcë e huaj politike antishqiptare?
– Deri përpara pak kohësh kishte mjaft paqartësi për deklarimet, qëndrimet, sjelljet dhe veprimet e Ivanovit. Tanimë kriza ia ka zbuluar rrënjët. Ivanovi është ushtari mjeran i Gruevskit dhe Kadeti i bindur Rusisë. Përtej këtyre dy cilësive, Ivanovi nuk ka asnjë vlerë demokratike dhe Perëndimore. Ai nuk është shtetar, po militant nacional populist maqedon. Ai nuk është patriot, por vasal i influencës dhe interesave Ruse në Ballkan. Si i tillë Ivanovi është fund e krye një albanofob. Ai është mbjellës i urrejtjes politike, ndëretnike dhe fqinjësore në Ballkan. Falë Zotit, që është i dobët ai dhe shteti i tij, se përndryshe, me filozofinë e tij politike dhe orientimet gjeopolitike, Ivanovi do ishte më i rrezikshëm se Millosheviçi në qëndrimin ndaj shqiptarëve.

– Para disa ditësh, mediat ruse akuzuan kryeministrin Rama, se u bëri thirrje SHBA dhe Presidencës së Trampit, që të jenë më aktiv në Ballkan, ndryshe Ballkani do të bjerë nën ndikimin rus. Cilat janë informacionet tuaja rreth kësaj çështjeje?

– Mendoj se Kryeministri Rama gjeti një realitet mjaft sfidant. I mbështetur nga partneri i tij, Meta, zoti Rama ndërmori iniciativa të guximshme dhe të rëndësishme. Askush nuk të mohojë se sot kemi një shtet me funksional dhe një realitet më të modernizuar. Reforma administrative, reforma energjetike, reforma territoriale, reforma në drejtësi, sikundër edhe në administratën publike, kanë sjellë afrimin e Shqipërisë me BE. Ndërmjet këtyre reformave, pati aspekte, ku qeverisë i humbi kontrolli. Këto fusha janë korrupsioni, krimi i organizuar, inkriminimi i politikës dhe i disa sektorëve publik, mbjellja dhe trafikimi i narkotikëve. Pikërisht, në këto sektorë pati jo vetëm mungesë kompromisi e dhe bashkëpunimi mbarëkombëtar, por edhe midis vetë radhëve të koalicionit. Edhe ballafaqimi i këtyre ditëve dëshmon se politika e dy kampeve të mëdha, PS, PD vazhdon të preferojë akuzat reciproke, konfrontimin, tensione dhe kriza me shumë sesa qetësinë, dialogun institucional dhe bashkëpunimin përballë sfidave të mëdha të vendit. Kemi një asimetri midis aspiratave qytetare dhe sjelljes së lidershipit politik shqiptar. Pra, në thelb, kriza e sotme e Shqipërisë është e krizë lidershipi. 

– Përse forcat politike në Kosovë janë të ndara, për sa i përket çështjes së Ramush Haradinajt?
– Kosova po përballet me sfida të brendshme, rajonale dhe ndërkombëtare. Për nëntë vjet pavarësi Kosova ka arritur shumë. Por realizimi i plotë i projektit të saj ka ende shumë rrugë për të bërë. Madje, një rrugë shumë sfiduese. Brenda vendit ka shumë për të bërë për ndërtimin e funksionalizimin e strukturës shtetërore, hedhjen e bazave të qëndrueshme demokratike dhe multietnike, ngritjen e shtetit ligjor, garantimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave, ndërtimin e ekonomisë së tregut të lirë. Në nivelin rajonal Kosova ka rrugë për të bërë për krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me fqinjët dhe rajonin. Në nivele Evropiane, Kosova lypet të ecë përpara në rrugën e integrimit Euro Atlantik. Në nivel ndërkombëtar sfida e Kosovës ka të bëjë me njohjen ndërkombëtare, deri te subjektivizimi i plotë si anëtare e OKB. 

– Ndalimi i Haradinaj nga Interpoli francez është çështje politike apo juridike?
– Problemi Haradinaj, që pyesni juve, është pjesë e brendshme dhe e jashtme të sfidave të Kosovës. Pra, rasti “Haradinaj” në thelb është sfidë e Kosovës. Zgjidhja e këtij rasti kushtëzohet drejtpërdrejtë nga kushtet, rrethanat dhe statusi ndërkombëtar i Kosovës, sikundër edhe nga kushtet, rrethanat dhe statusi i Serbisë. Kosova tenton për zgjidhje të këtyre problemeve, por ka akoma barriera juridike, politike dhe institucionale ndërkombëtare. Serbia vazhdon të abuzojë statusin e saj ndërkombëtar të avancuar, përkundër shtetit të pavarur të Kosovës. Kjo gjendje kontraverse e disfavorshme për Kosovën dhe abuzuese për Serbinë është e përkohshme dhe tranzitive. Rasti Haradinaj është pikërisht dëshmi e kësaj situate kontraverse. Ftillimi i saj do mbyllë shpejt rastin Haradinaj dhe raste analoge, ose të përafërta me të në Kosovë. 

– Derisa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës kundër Krimeve të Luftës i ka dhënë pafajësinë Ramush Haradinaj, mbi çfarë të drejte ndërkombëtare juridike mund të mbështetë interpoli francez arrestimin dhe mbajtjen akoma të Haradinajt?
– Ky rast nuk lidhet me Francën dhe as me drejtësinë franceze. Aq më pak, nuk lidhet me ndikime të politikës serbe mbi Francën dhe drejtësinë e saj. Franca e kohës sonë është provuar pro Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj. Sikundër drejtësia franceze është model i drejtësisë së pavarur, me integritet dhe profesionalitet në civilizimin e sotëm modern. Rasti Haradinaj ka ndodhur në Francë, por nuk është prodhim francez. Si i tille, ky rast nuk ka asnjë arsye për të cenuar sado pak marrëdhëniet e mira midis Kosovës dhe Francës. 
1
Tanimë Presidenti i Maqedonisë, Ivanov e ka futur vendin në një krizë shumëdimensionale, kushtetuese, politike, ndëretnike, fqinjësore dhe akoma më gjerë, gjeopolitike. Ivanovi po e shndërron Maqedoninë në një geto për popullin e vet dhe në një rrezik për mbarë Ballkanin
2
Rasti “Haradinaj” në thelb është sfidë e Kosovës. Zgjidhja e këtij rasti kushtëzohet drejtpërdrejtë nga kushtet, rrethanat dhe statusi ndërkombëtar i Kosovës, sikundër edhe nga kushtet, rrethanat dhe statusi i Serbisë. Kosova tenton për zgjidhje të këtyre problemeve, por ka akoma barriera juridike, politike dhe institucionale ndërkombëtare. Serbia vazhdon të abuzojë statusin e saj ndërkombëtar të avancuar, përkundër shtetit të pavarur të Kosovës
Sigal