Prof. Dr. Qemal Lame: Anëtarësimi i Serbisë në BE një perspektivë e largët

Ballkani Perëndimor shihet në mënyrë kritike nga këto vende, si dhe nga shumë udhëheqës e ekspertë politikë e ekonomikë evropianë, pasi mund të minojë parimin e barazisë për të gjithë anëtarët e BE-së. Zgjerimet e mëparshme tregojnë për më tepër, shtetet e reja anëtare mund të bllokojnë fqinjët e tyre: Sllovenia bllokoi Kroacinë, Kroacia po bllokon Serbinë dhe Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut.

 

Politikanë serbë kërkojnë anëtarësimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian. E vërteta është se nuk ka përkushtim masiv nga populli. Vetëm 40 përqind e serbëve ende e mbështesin integrimin evropian. Shqiptarët mbështesin me më shumë se 95 përqind.

NOA

Rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian filloi në janar të vitit 2001, kur, pas rrëzimit të ish-Presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq në tetor të vitit 2000, partitë pro-evropiane fituan zgjedhjet parlamentare.Në atë kohë, disa vëzhgues madje spekuluan se Republika Federale e Jugosllavisë mund të bashkohej me BE-në që në vitin 2007. Por gjërat dolën ndryshe. Jugosllavia u shpërbë në vitin 2006 pas shkëputjes së Malit të Zi dhe pushoi së ekzistuari.

Serbia është përballur prej kohësh me sfida të shumta ndërkombëtare edhe para se të nënshkruhej Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe Serbia të bëhej kandidate e BE-së në vitin 2009.

Ky shtet pati vështirësi në bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTJ) në Hagë dhe vuante nga nacionalizmi dhe një ekonomi e dobësuar rëndë nga lufta. Për më tepër, pati një kryengritje shqiptare në rajonet jugore të Bujanocit dhe Preshevës, të cilat kërkonin të drejtat për shkëputje dhe bashkimin e natyrshëm me Kosovën.

Pavarësisht të gjitha këtyre pengesave, Serbia nisi rrugën e gjatë drejt integrimit evropian. Ky mbetet një qëllim qendror i politikës serbe sot.

Mbështetje nga serbët në zvogëlim!

Në fillim të viteve 2000, më shumë se 70 për qind e serbëve mbështetën pranimin në BE. Sot, kjo shifër është vetëm rreth 40 për qind. Entuziazmi fillestar është zbehur, por lidershipi politik mbetet i përkushtuar ndaj kursit evropian. Kryeministri Đuro Macut theksoi se orientimi evropian i Serbisë është një përparësi strategjike: “E ardhmja evropiane e Serbisë nuk është vetëm një qëllim politik, por edhe një garanci për zhvillim, progres dhe një jetë më të mirë për qytetarët tanë”, tha Macut për Euronews Serbia.

Qeveria po vazhdon programet e saj të reformës dhe modernizimit, duke i sinjalizuar Brukselit se i merr seriozisht angazhimet e saj. Macut theksoi se Serbia tashmë ka përafruar 61 për qind të politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në, duke shënuar një moment të rëndësishëm në zbatimin e reformave për plotësimin e standarteve të anëtarësimit.

Përveç përafrimit politik dhe ligjor, siguria energjetike mbetet një çështje kyçe. Serbia po punon për të siguruar një furnizim të qëndrueshëm me gaz, naftë dhe energji elektrike, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët rajonalë si Hungaria. “Serbia duhet të ruajë pavarësinë dhe stabilitetin e saj energjetik, edhe në kushte të vështira ndërkombëtare,” tha Macut.

Ky fokus i dyfishtë në integrimin evropian dhe stabilitetin energjetik, pasqyron qëllimin mbizotërues të Serbisë për të siguruar si besueshmërinë ndërkombëtare ashtu edhe stabilitetin kombëtar të tronditur nga demostratat masive të studentëve.

Serbia mbështetet më shumë edhe në krahsim me Kosovën.

Kosova, e cila ishte nën administrimin e OKB-së pas luftës së vitit 1999, ende konsiderohet ligjërisht pjesë e Serbisë sipas Rezolutës 1244 të OKB-së. Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Ajo është njohur nga 116 shtete. Deri më sot, Serbia padrejtësisht nuk e njeh atë. Beogradi nuk reflektoi as pas padisë së bërë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, e cila e vlerësoi të drejtë e të ligjshme pavarësinë dhe shtetin sovran të Kosovës.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin më shumë Serbinë në politikën për integrimin evropian në krahasim me Kosovën, deri edhe me sanksione. Kjo është më e ndjeshme në afrimin, qëndrimet e lëshimet zyrtare apo në heshtje, megjithë vazhdimësinë e politikës së vjetër shoviniste serbe për t’u rikthyer në Kosovë, Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, pretendimeve serbe dhe shmangien nga bisedimet për marrëveshjen me Kosovën etj.

Perspektiva e Serbisë:

Nemanja Starović, Ministri i Integrimit Evropian i Serbisë, pranoi se popullsia po bëhet gjithnjë e më e paduruar me progresin e ngadaltë të anëtarësimit evropian. “Pavarësisht pakënaqësisë, do të ishte një gabim të braktisej integrimi në BE. Anëtarësimi në BE është në interesin kombëtar të Serbisë”, tha ai për Euronews.

Drejtuesit e Komisionit dhe të Parlamentit Evropian kanë deklaruar, dhe premtuar, të ndihmojnë konkretisht e besojnë se Serbia mund të jetë gati për anëtarësim deri në vitin 2030. Kjo do të kërkonte kapërcimin e disa pengesave: pengesave politike, tensioneve rajonale dhe varësisë së saj të madhe energjetike nga Rusia. “Është shumë e vështirë për ne t’ia dalim pa gazin rus. Ka alternativa, por për momentin jemi shumë të varur nga Rusia”, shpjegoi Zečević.

Debatet mbi zgjerimin e BE-së

Në të njëjtën kohë, një model i ri zgjerimi po diskutohet aktualisht në Bruksel: anëtarësim i pjesshëm. Kjo do t’u lejonte vendeve të reja të bashkoheshin pa të drejta të plota vote. Propozimi po shkakton polemika në Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri malazez Milojko Spajić e hodhi poshtë me forcë idenë. Ai theksoi se sovraniteti nuk duhet të kufizohet.

Kryeministri kroat Andrej Plenković shprehu gjithashtu shqetësime. Ai ka frikë se pranimi i Serbisë mund të ndryshojë ekuilibrin e pushtetit brenda BE-së. “Kroacia nuk do të ishte veçanërisht entuziaste për të parë Serbinë në BE. Kjo do të forconte ndikimin e Serbisë në institucionet e BE-së”, tha Slobodan Zečević i Institutit të Beogradit për Studime Evropiane (IES).

Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina vazhdon të mbetet prapa. Sipas Amil Dučić, redaktor i revistës Fokus në Sarajevë, vendi konsiderohet “nxënësi më i keq” në rajon kur bëhet fjalë për integrimin në BE.

Vështirësitë e dukshme të zgjerimit evropian dhe këto debate penguese e çorientuese ilustrojnë se sa delikat është ekuilibri midis ambicieve politike, dinamikës rajonale dhe kapacitetit afrues, anëtarësues e zhvillimit të BE-së.

Anëtarësimi i pjesshëm

Anëtarësimi i pjesshëm është një ide e diskutuar prej kohësh nga udhëheqësit e disa shteteve të fuqishme evropiane në kushtet e kundërshtimeve të fuqishme të grupimeve politike të djathta që kundërshtojnë zgjerimin dhe mbrojnë interesat nacionale duke theksuar edhe shkëputjen. Kjo politikë e propozuar aktualisht për të shpejtuar procesin e integrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor shihet në mënyrë kritike nga këto vende, si dhe nga shumë udhëheqës  e ekspertë politikë e ekonomikë evropianë, pasi mund të minojë parimin e barazisë për të gjithë anëtarët e BE-së. Zgjerimet e mëparshme tregojnë për më tepër, shtetet e reja anëtare mund të bllokojnë fqinjët e tyre: Sllovenia bllokoi Kroacinë, Kroacia po bllokon Serbinë dhe Bullgaria po bllokon Maqedoninë e Veriut.

Aktualisht, Mali i Zi dhe Shqipëria konsiderohen më të përgatiturat për anëtarësim deri në vitin 2030. Prandaj, ato gëzojnë një favorizim më të madh në Bruksel.”BE-ja aktualisht ka simpatinë më të madhe për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, tha Zečević. “Anëtarësimi i pjesshëm vetëm sa do të vononte reformat e nevojshme institucionale.”

Tensionet rajonale, sfidat e brendshme dhe çështjet e pazgjidhura si Kosova vazhdojnë të formësojnë rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Anëtarësimi mbetet si një qëllim afatgjatë ashtu edhe një ndërmarrje delikate strategjike. Evropa kërkohet të forcohet e të zgjerohet, por përballet me presionin e grupimeve politike nacionaliste kundër interesave të përbashkëta që pengojnë reformimin e mëtejshëm të institucioneve evropiane.Evropa të vendosi për të mirën e saj.