Në rrugë kalojnë makinat, në trotuare kalojnë biçikletat, po njerëzit ku do të kalojnë? Kur kopshtaria bëhet politikë dhe qyteti ngushtohet nga “projektet e gjelbra”
Menjëherë sapo mori postin e kryebashkiakut, Erion Veliaj vendosi me zell të krijojë korsi biçikletash në pothuajse çdo rrugë të kryeqytetit, sikur Tirana të ishte Pekini i viteve ’80, ku qytetarët lëviznin vetëm me biçikleta. Ky projekt, i paraqitur si “i gjelbër”, në fakt është zbatuar pa analizë reale të kushteve të qytetit dhe pa menduar pasojat logjike: ngushtim rrugësh, trafik më i rënduar dhe kaos urbanistik.
Në vend që rrugët e Tiranës të zgjerohen për të përballuar fluksin gjithnjë e në rritje të automjeteve, ato janë ngushtuar nga korsitë e biçikletave që janë shtruar në të dyja anët e rrugës. Tashmë, në çdo segment të qytetit, një pjesë e konsiderueshme e rrugës është bllokuar nga këto korsi, ndërkohë që përdorimi i biçikletave në Tiranë mbetet minimal krahasuar me përdorimin e makinave.
Shumë qytetarë pyesin me të drejtë: Ku jemi këtu, në Tiranë apo në Pekin? Sepse ndryshe nga Kina, ku përdorimi i biçikletës është i lidhur me realitete të tjera sociale dhe infrastrukturore, në Tiranë mënyra e jetesës, distancat dhe nevojat janë krejt të ndryshme.
Edhe më paradoksale është fakti që korsi biçikletash janë krijuar edhe mbi trotuare, duke ua marrë hapësirën e pakët që u kishte mbetur këmbësorëve. Qyteti duket si një eksperiment i dështuar urbanistik, ku parimet e logjikës janë flakur tej për të bërë propagandë “green”.
Nëse vërtet synojmë të lehtësojmë trafikun dhe të bëjmë një qytet më funksional, atëherë është e domosdoshme që këto korsi të rishikohen. Të paktën në njërën anë të rrugës të hiqen, dhe përdoruesit e biçikletave të bashkëjetojnë me realitetin e një qyteti të mbingarkuar me automjete. Sepse me të drejtë qytetarët ankohen dhe shprehen: “Në rrugë kalojnë makinat, në trotuare kalojnë biçikletat, po njerëzit, ku do të kalojnë …?! Qyteti nuk ka nevojë për eksperimentime “ekologjike” të pakonsultuara, por për politika realiste që ndjekin nevojat e qytetarëve, jo dëshirat e një kryebashkiaku që i sheh rreth-rrotullimet si çerdhe lulesh dhe rrugët si lulishte me goma.
Koha për korrigjim është tani. Përndryshe, shumë shpejt, do të duam të lëvizim me biçikleta, por nuk do të kemi më qytet ku të lëvizim.



















