Kristo MËRTIRI / STEFAN CIPA NUK MERRET ME TYMIN DHE HARRON ZJARRIN…

655
Sigal

Dhe as mbron me kokëfortësi idetë, faktet dhe problemet që nuk preken e besohen nga qytetarët me bindje politike të majta a të djathta. Është me këmbët në tokë dhe me dorën në zemër, prandaj i dhemb çdo gur e hall i Sarandës ku u rrit e bëri emër të mirë në punë e në jetë. Di të ndajë grurin nga egjra, sukseset nga makutëria që kërkon të shëmtojë bukurinë e kësaj perle shqiptare. Prandaj e votuan pa pishmanllëk në krye të Bashkisë dhe jo vetëm nga një llogore partiake. Kështu ndodhi edhe ato ditë para se të hynte në tempullin e lartë të demokracisë, në Parlament, si deputet serioz dhe i përgjegjshëm për detyrat e premtimet mbi supe. Por, edhe kur pranoi për ca kohë të drejtonte Ministrinë e Rendit Publik. Dhe prapë kokulur. Pa hundë e buzë egoiste, pa fodullëk, pa qejfmbetje provinciale e kapardisje boshe nëpër Tiranë, zbriti thjesht e pa zhurmë kolltukofagë në vendlindje. Kërkesat e shumta të sarandjotëve të dashur nuk i hodhi pas krahëve. I peshoi dhe i vlerësoi sinqerisht e pa këmbët në yzengji. Bashkë me ta hyri në betejën elektorale lokale, me qytetari e optimizëm tokësor, larg euforisë shterpë dhe pa u mbërthyer me thonj e me dhëmb vetëm te daullet e shpuara partiake. Një fushatë që do mbahet mend gjatë në qytetin që u 5-fishua brenda dy dekadave të tranzicionit halleshumë! Përballë medias së shkruar e asaj elektronike nuk përpiqet të fshihet, as bën naze apo dredha selektive e mënjanime përkëdhelëse. Komunikon hapur, pa lustër shfajësimi e reklame, konkret dhe plot kurajë e transparencë. Këto cilësi, nëpërmjet ekraneve dhe faqeve të gazetave, tashmë njihen e respektohen edhe përtej atij qyteti të bekuar. -Dëgjo mua, ai nuk i mbulon asnjëherë disa plagë të hapura nëpër vite mbi trupin e Sarandës, i shikon drejt në sy dhe nuk po bën sehir nga Kalaja e Lëkurësit,- na thotë Kiço Peshtanaku, miku ynë që jeton e punon te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit.-E kam ndjekur disa herë në televizor atë burrë me sedër e vizion përparimtar. Për mua është nga të rrallët kryetarë bashkie që ngre probleme të mprehta dhe tregon pengesat e rrugëzgjidhjet përballë opinionit publik. E sidomos për pushtetin Gjyqësor në Shqipërizën tonë, por edhe për Qeverinë. Se fjala vjen, nuk është plagë e vockël ajo e regjistrimit të mbi 100 trojeve që sot dalin me nga dy e tre pronarë(?!). Kjo katrahurë zyrtare e korruptive, pjell vetëm zezona në prehrin e Sarandës. Dhe a e dini përsenë kryesore? Stefan Çipa e tha troç, shkurt e qartë: “Odiseja e mbajtjes bllokuar të trojeve nga qeveritë e kaluara e kjo aktuale, si dhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, mjerisht ka vazhduar…”. Ja pasoja: Ky bllokim u ka hapur e shtruar rrugën akraballëqeve nën e mbi dorë, llagëmet e parave të pista nga shitjet e dyta e të treta.Poa dëgjuan nga ky vesh pushtetarët qendrorë në Tiranë dhe drejtuesit në Kontrollin e Lartë të Shtetit? Gjer më tani nuk pipëtin asgjë në mexhlis, megjithëse bubullimat për transparencën s’pushojnë gati përditë! Më thuaj ti, miku im veteran i shtypit, përse nuk begeniset zëri i pastër e guximtar i këtij Kryetari Bashkie jo dosido? Kemi vite që na u çanë veshët nga fjalët “kompetenca”, “decentralizim”, ‘vetadministrim fondesh e taksash”, “bashkëpunim efektiv” etj. Por në praktikë më duket se është bërë një vërë në ujë!… Nuk po e kundërshtoja dot mikun tim të vjetër në Jug. Duke e dëgjuar me vëmendje, kujtova atë llafin e mençur: Preokupimi për të ardhmen është përgjegjës për shumë gabime të së sotmes. P.sh. vera që sapo kaloi solli krizën e ujit të pijshëm në disa lagje të Sarandës. Goditje e dyfishtë, për banorët dhe pushuesit e ardhur nga brenda e jashtë vendi. “Ujin e qytetit e pi deti, e pinë lavazhet dhe…jo qytetari!”. Mirëpo kryetar Stefani, foli edhe më shkoqur e më pranë hallexhinjve të pafajshëm. Sepse nga xhepat e tyre të grisur rrjedhin 3 pagesa absurde. Së pari, në fund të muajit qytetarët paguajnë faturat fiktive të sahatit “të çakorduar”. Së dyti, para të tjera plus firasin për elektropompat dhe depozitat e instaluara në tarraca. Së treti, gjatë verës janë të detyruar të paguajnë edhe autobotin e privatit që shkel syrin e qesëndis ndërmarrjen e Ujësjellësit!…Prandaj nuk e harron dot irritimin e ligjshëm të banorëve e të turistëve. Vaj halli, po u lanë gjërat njëlloj edhe për sezonin e ardhshëm! Mjaft kusure të pushtetit Gjyqësor, po i këpusin mesin e brinjët qytetarit në Shqipërizën tonë halleshumë. Veçanërisht fukarenjve dhe atyre që nuk kanë as “dajko kralin” dhe as mikun e çifligun nepotik. Ngërçi jo i panjohur, litari që vazhdon të rrethojë qafën e Sarandës (e jo vetëm atë), është hedhur edhe nga vetë duart e palara të disa gjyqtarëve të babëzitur e kokëboshë, por me xhepat plot. Ndonjëri edhe inatoset a shfryn poshtë e përpjetë e më tepër prapa krahëve, sa herë që Stefan Çipa flet pa doreza e ballë për ballë qytetarëve në Sarandë e më gjerë. “Gjykata ka njohur pronësinë e disa ish pronarëve, për hektarë të tëra”, duke shkelur ligje dhe vendime. Këta myteberë kadilerë mund të “protestojnë” nën hije shkresash e nenesh të qepur keq. Kjo shpurë të kujton vetiu ata tipat që “Hanë bajga, pastaj protestojnë kur gjejnë edhe një qime” në trupin e pushtetit lokal! Të vendosësh, të firmosësh e të vulosësh kaq lehtë për hektarë të tëra, do të thotë shumë gjëra dëshpëruese për Shtetin e së Drejtës, që duam të ngremë gjatë rrugës për në Europë. Shkurt, një lëmsh i korkolepsur korruptiv, një masakër e vërtetë ligjore e tepër abuzive në kurrizin e qytetit të mrekullueshëm bregdetar. Qytet ku unë dhe familja ime falëm disa vjet nga jeta jonë. Por këto radhë në gazetë, nuk janë vetëm dallgë dashurie e nostalgjie njerëzore. Edhe mua më dhëmb e brengosem natyrshëm  kur dëgjoj atë këngën popullore mjaft të përhapur:”Moj Sarandë, moj DelvinëKush ua prishi bukurinë ?!”… Vërtet Stefan Çipa është nga ata Kryetarë Bashkie që nuk merret me tymin dhe harron zjarrin.Apotë ngrohej e të fërkonte duart i qetë rreth mëkateve të paraardhësve në 20 vitet e fundit. Përkundrazi. Presidenti, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Qeveria dhe pse jo Prokuroria e Përgjithshme apo Kontrolli i Lartë i Shtetit, mendoj se nuk duhet ta hanë ende sapunin e korrupsionit për djathë! Në mos qofshin të ngjyer e të përlyer vetë në këtë pellgaçe të qelbur…Stefani nuk flet apo shqetësohet thjesht për apartamentin e tij privat dhe as për Rrapin historik të Pilurit mbi dete e tramundanë. Çdo ditë që ikën pa veprime e aksione konkrete të ligjshme, i bën hyzmet matrapazllëkut, rrumpallës urbane e asaj arkitekturore. “Në 6 vjet janë akorduar më pak fonde se në një vit (2005-2006) ose 8 herë më pak investime?!”. Ky informacion ulëritës flet shumë. Menefregizmi i sotëm për hir të pasioneve politike e partiake, rrëmbimi i thasëve me vota të blera e mashtrime të pasosura etj., në fund të fundit duan të përgatisin lëngimin final dhe funeralin e një qyteti që e ka sevda dynjaja. Mirëpo të mos harrojmë: Vdekjen nuk e ftojnë, ajo vjen vetë…