INTERVISTA/ Për ndeshjet e javës së parë të Superiores, flet për “Telegraf” specialisti i futbollit Agim Canaj
Agron KAJA

Sezoni 2025-2026 i Superiores nisi me katër ndeshjet e javës së parë, si i përshkruani nisur nga rezultatet?
Në tërësi, më bëri më shumë përshtypje se në të gjitha skuadrat kishte lëvizje të shumta të lojtarëve. Rezultatet dukshëm i favorizonin skuadrat vëndase, sikundër me premierën Vllaznia-Egnatia 2-0, apo Partizani me Vorën.
Çfarë dukurie mendoni se u veçua më shumë në këtë start të ri?
Dukuri do thoja ndryshimet e trajnerëve në disa skuadra, por edhe ndryshimet e shumta të lojtarëve. Ardhja e tyre në momentet e fundit nuk ka bërë kolaudimin e plotë të skuadrave, edhe pse nuk kemi parë dy skuadra, Teutën dhe Dinamon.
Duke ju referuar emrave të merkatos së verës, keni ndonjë emër që bëri diferencën?
Të them të drejtën, më shumë spikati më shumë qëndërmbrojtësi i Vllaznisë, i cili shënoi edhe gol. Por është shumë shpejt për ta thënë. Vllaznia dhe Egnatia duken më të konsoliduara, por ende duhet të presim se është i vështirë kolaudimi.
Java e parë nisi “klasiken” e 23-të të pretendentëve, çfarë tregoi për ju sfida Vllaznia-Egnatia 2-0?
Në këndvështrimin tim, Vllaznia ka një bosht të mirë, dhe ndeshjet në Europa i bënë mirë për ta kolauduar skuadrën. Ndërsa Egnatia kishte shumë ndryshime dhe largime të lojtarëve kyç, ndaj dhe harmonizimi i skuadrës nuk ishte i plotë.
Në ndeshjet e tjera, cilën e veçoni jo vetëm për rezultatin, por edhe për lojën e zhvilluar?
Më bën përshtypje se Elbasani po investon si skuadër me potencial. Ka një presidencë të ekuilibruar dhe në qetësi, jo në luftë me trajnerin dhe skuadrën. AF Elbasanin e shoh në “Final 4”. Të tjerat sikur ishin në nivelet e sezonit të kaluar,
Tirana dhe Flamurtari kishin shumë ndryshime në ardhje, çfarë do presim nga këto dy skuadra?
Tirana kishte bërë ndryshime, edhe pse Tirana nuk dha atë që pritet, me një pikë të domosdoshme për të krijuar atmosferë pozitive në skuadër. Te Flamurtari më bënë përshtypje fjalët e trajnerit që nuk e quante të konsoliduar skuadrën. Të huajt nuk po ambientohen në kampionatin shqiptar.
Kjo javë nisi pa ndeshjen Teuta-Dinamo City, sa ndikim do ketë për Teutën pritëse të kësaj sfide?
Nuk mendoj se do ketë ndonjë ndikim, edhe pse duhet parë Teuta që këtë sezon ka ndryshime të mëdha. Teutës kjo shtyrje i dha një mundësi më shumë për skuadrën, ndërsa Dinamo do shikohet pas ndeshjes me Jagellonian, ku do luajë me Vllazninë.
Një parashikim për grupin e skuadrave “Final 4”, cili është sipas jush?
Unë mendoj katër skuadrat e sezonit të kaluar në “Final 4”. Investimet e tyre dhe ruajtja e boshtit të skuadrës, këto dominojnë. Pra, Vllaznia, Dinamo e Partizani me Egnatian, do kenë edhe AF Elbasanin si “kërcënim”, ndoshte edhe Flamurtarin.
Edhe pse u luajt një javë, cili është urimi juaj për Abissnet Superiore të sezonit 2025-2026?
Shpresojmë dhe është e rëndësishme për mua që fenomenet e sezoneve të kaluar të minimizohen. Në këto momente, për futbollin shqiptar ka rëndësi një fillim i mbarë dhe unë ju uroj suksese të gjitha skuadrave skuadrave.
Superiorja për rekord, në javën e parë 51% të huaj në fushë!
Në katër ndeshjet e luajtura për javën e parë të Abissnet Superiore 2025-2026, Kampionati i 87-të në histori, një dukuri thyeu rekordin. Sepse ishin 58 lojtarë të huaj që luajtën në 8 skuadra (Bylis-Tirana 21 të huaj). Bylisi kishte në fushë 11 të huaj, Tirana dhe Flamurtari nga 10 të huaj, Elbasani 8, Egnatia 7, Vora 4, Partizani 5 dhe Vllaznia 3 të huaj. Rregulli i FSHF-së për aktivizim pa limit të lojtarëve të huaj, dukshëm e “vrau” futbollin shqiptar-shqiptar, ku 51% e lojtarëve janë të huaj.

ABISSNET SUPERIORE
SEZONI 2025-2026

Ndeshjet-Java e dytë
E shtunë 30 gusht 2025
Flamurtari-Bylis 17:00
(Luhet në Ballsh)
Partizani-Teuta 20:00
Egnatia-Elbasani 20:00
E dielë, 31 gusht 2025
Vora-Tirana 17:00
Dinamo-Vllaznia 20:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Vllaznia 1 3
2.Partizani 1 3
3.AF Elbasani 1 3
4.Bylis 1 1
5.Tirana 1 1
6.Dinamo City 0 0
7.Teuta 0 0
8.Flamurtari 1 0
9.Vora 1 0
10.Egnatia 1 0
LIGA E KONFERENCËS
Dinamo City e ka të vështirë kualifikimin, por jo të pamundur
Për të qënë më e gatshme në ndeshjen e së enjtes kundër Jagellonias në Konferencë Ligë, këtë Dinamo City nuk e luajti ndeshjen e javës së parë të Abissnet Superiore 2025-2026. Por për Agim Canaj, ish-futbollist e trajner dinamovit, kjo nuk do të ndikojë te gjëndja fizike e skuadrës. Sipas tij, ndikim do ketë tek ndeshja e javës së dytë ku Dinamo do luajë ditën e dielë ndaj Vllaznisë. “Nisur nga rezultati humbës 0-3 në takimin e parë në Poloni, unë mendoj se Dinamo City do ta ketë të vështirë kualifikimin. Dinamos i duhet së pari që ta fitojë këtë ndeshje, por edhe të shpresojë për t’u kualifikuar më tej. Nuk është e pamundur nëse beson dhe lufton për këtë objektiv”, kështu e mendon këtë sfidë specialisti i futbollit Agim Canaj, i cili tek Dinamo mendon se do ketë ndikim pasndeshja me polakët, në sfidën e javës së dytë ndaj Vllaznisë. “Me Vllazninë do shohim Dinamon e kampionatit”. Dinamo City luan të enjten në mbrëmje (20:45 ) ndeshjen e dytë me Jagellonian e Polonisë, ku në ndeshjen e parë ka humbur 0-3.

DINAMO C NË EUROPË
Liga e Konferencës
Turi i dytë kualifikues
Datë 24 korrik 2025
Atletik (And)-Dinamo C 1-2
Datë 31 korrik 2025
Dinamo C-Atletik (And) 1-1
Turi i tretë kualifikues
Datë 7 gusht 2025
Hajduk (Kro)-Dinamo C 2-1
Datë 14 gusht 2025
Dinamo C-Hajduk (Kro) 3-1
Turi Play-off
Datë 21 gusht 2025
Jagellonia (Pol)-Dinamo 3:0
Datë 28 gusht 2025
Dinamo C-Jagellonia 20:45


















