Prof. Dr. Artan Xh. Duka: Të rënët nga qielli

20
Sigal

Analizë nga Prof. Artan Duka: Demokracia nuk ka nevojë për shembuj “zeusi” të përjetshëm në politikë e qeverisje me “amin” nga poshtë, sado punambarë qofshin ata, për më tepër kur pas 2008 janë atje jo me “votë-për-kokë”, por me lista të mbyllura që nëpërkëmbin përfaqësimin real. Mundësia për të abuzuar dhe mbrojtur prej akuzave garanton reformat për të cilat edhe perëndimi ka interes (psh. ajo në drejtësi), ndaj sot mjerisht fati i qytetarit lidhet me oreksin e vullnetin e individëve atje “lart” ndërkohë që ai duhet të garantohet nga sistemi

Në fshat ra sëmundja e bagëtive e kur i mënçuri i fshatit u thotë të mos hanin mish se mund të çmënden, miku i vet e fton të bashkohet me të tjerët ndryshe, po u marrosën të gjithë, do ta merrnin atë për budallanë e fshatit!

Telenovela me dy aktorë 

Pas viteve 90 u trumbetua se shumë gjëra do të bëheshin krejt ndryshe nga më parë. Mbi të gjitha pushteti e politika do të vareshin drejtpërsëdrejti nga vullneti i votuesit dhe emrat atje “lart” do të shkonin e vinin shpesh. Jo vetëm që nuk ndodhi, por tashmë shitet si normalitet!

Në kushte normale do të ishte një bonus për opozitën të kishte përballë një kundërshtar që ka qeverisur gjatë sa kohë opozita vetë ka lënë pas të shkuarën që nuk zihet me gojë. Rama ka mbi një dekadë kryeministër, pa llogaritur kohën si minister, apo kryebashkiak deri edhe si kryeopozitar dikur. Koha bën të vetën dhe pavarësisht bilancit të qeverisjes, duhet ndryshim edhe atje “lart”, ndryshe bëhesh bozë!

Demokracia nuk ka nevojë për shëmbuj “zeusi” të përjetshëm në politikë e qeverisje me “amin” nga poshtë, sado punambarë qofshin ata, për më tepër kur pas 2008 janë atje jo me “votë-për-kokë” (ligj mazhoritar), por me lista të mbyllura që nëpërkëmbin përfaqësimin real. Në këtë “shah” pafund politik ku shkojnë e vijnë “ushtarët” lumë, vetëm “mbreti” e oborri i tyre mbetet po ai dhe këtu ka ndikimin e tij si kodi zgjedhor ashtu edhe perëndimi vetë.

Bumerang demokratik

Kjo bajatisje e politikës mjerisht është bumerang për normalitetin demokratik. Ajo nxit vetëkënaqësi e snobizëm në politikë, karshillëk ndaj ligjit ushqyer nga “parzmorja” e imunitetit politik e strukja pas mandatit parlamentar, kuturisje pa galje individuale në shpërdorim sipas qasjes “shih shoqi-shoqin e piqu” e deri abuzime me alibinë “kolegjiale” me ligje që hartohen me përfituesin në mëndje (njëlloj si një bandë që grabit bankën të shpallet e pafajshme se vjedhja u krye në …grup!) etj zullume pafund që nuk ka SPAK që ia del.

E gjitha kjo me pasoja drastike në besimin e qytetarit tek sistemi demokratik duke filluar nga vlera e votës, institucionet publike, fjala e premtimi i politikanit, shërbimet publike e ato të sigurisë, vetë sistemi i drejtësisë dhe deri Perëndimi që nuk bëzan, por i kanaqet!

Afërmëndsh, përballë këtij zullumi pa fre, qytetari e humbet dhe të vetmet rrugë për të çarë mbeten ose bërja njësh me këtë sistem antivlerash duke iu bashkuar korit e mbajtur ison e korrupsionit teksa lëvdon rrobat e mbretit lakuriq, ose një jetë dinjitoze, por modeste duke vuajtur mbase edhe namin e “budallait” të fshatit, ose ikja nga sytë këmbët jashtë!

Kjo bajatisje e politikës nga tjetër është bumerang për vetë politikën. Karriket atje “lart” kur kapen nuk lëshohen më ndaj edhe i riu ambicioz e di kufirin e vet dhe kjo nxit në mos apati e tërheqje, servilizëm dhe klonim të politikanit në shërbim të statukuosë që mbyt evolucionin në politikë.

Kusuret kanë rradhë

Sot mjerisht fati i qytetarit lidhet me oreksin e vullnetin e individëve atje “lart” ndërkohë që ai duhet të garantohet nga sistemi e fryma që krijon ai që mundëson më pas që karrikja “lart” dhe jo ai që kacavirret e ulet atje, të sigurojnë normalitet demokratik dhe shanse të barabarta për të gjithë.

Rama ka tejkaluar çdo afat në karriken ku ulet sot. PS duhet të futet në zgjedhjet e rradhës me drejtues të ri. Ikja e Ramës nuk ka pse të shihet si obobo nga askush në atë parti ndryshe vaj halli për të. Nuk është individi që e bën të madhe e fituese një parti. por e kundërta dhe shëmbulli i një liberali antikomunist me pardesy të bardhë në vitet 90 që mundi të bëjë “karierë” tek një parti që e anatemonte më parë, aq sa sot të reklamohet nga “dishepujt” e tij si simbol i saj, flet vetë.

Me apo pa Ramën, PS mbetet ku e ku ndaj opozitës përballë dhe fitorja nuk vihet në dyshim. Opozita kryesore (Rithemelimi) sot është gjithshka përveçse grishje për të ardhmen. Shumë gjëra mbase thuhen drejt, por nisur se nga kush i thotë, asgjë nuk merret më e mirëqënë, sepse mbeten po ata të pabesueshëm të pashpresë.

Opozita është po ai ekip e po ajo frymë e dikurshme berishiste që identifikohet me trashëgiminë më tragjike gjatë tranzicionit famëkeq. Ishin ata që e prurë Ramën me votë plebishitare në pushtet e sa kohë gëlojnë në politikë e duan të “nusërojnë” për së treti, mbeten “zile” kujtese përse Rama e PS duhet të mbeten në pushtet. Qeverisja Rama ka kusure plot. por edhe kusuret kanë rradhë!

Ndërkohë vetë Rama, nëse vërtet beson se ka krijuar një sistem që “ecën” vetë e nxjerr vetvetiu drejtues të aftë, nuk ka pse të ngulmojë më me protagonizmin e tij. Binomi “hero-antihero” që vetëm tensionon e cënon kohezionin social, nuk shkon më me trumbetimin e demokracisë si sistem që e gjen vetvetiu shtegun e saj.

Ikje që të fut në histori

Kodi zgjedhor aktual dhe sjellja, miratimi e bashkëpunimi i perëndimit me politikën që vijon të mbetet e individualizuar prej viteve 90, nuk flasin për besim tek urtësia e votuesit. Arsyet e vegjetizmit politik mund të jenë të ndryshme. Nga mundësia për të abuzuar dhe mbrojtur prej akuzave për abuzim, nga “pezullia” që garanton reformat për të cilat edhe perëndimi ka interes (psh. ajo në drejtësi, integrimi në BE etj) apo garantimit të gjeopolitikave të caktuara. që i shkon për shtat politikave globale dhe realizohen me zell prej qeverive “kone” ndaj tij, nga ndikimet e gjeopolitikave historike në rajon etj arsye e rrethana që me sa duket, edhe për vetë perëndimin, peshojnë më shumë se fati i normalitetit demokratik e atij qytetar. Ndaj, s’do mënd, që me Berishën nëpërkëmb, basti i perëndimit mbetet ende me Ramën dhe për ndryshimet në ligjin e kodin zgjedhor mesa duket i biem murit me kokë!

I vetmi që ia del Ramës është Rama. Të bëjë dinjitozen e vërë një kapak të respektuar karrierës së tij pushtetare duke u dorëhequr fisnikërisht dhe dhënë lajmin se askush nuk është i rënë nga qielli dhe kushdo që punon dhe beson tek vetja e sistemi mund të ulet atje “lart” pa pritje të pafund “komente” për një shans në politikë. Me zor nuk të mban njeri dhe iket edhe kur të thonë puna e mbarë. Veç shton pikë kur kujtohesh më pas. Sa për fatet e punëve e demokracisë, jeta vazhdon!