Gëzim Zilja: Vlora e bekuara nga zoti, e mallkuar nga qeveria

153

“Çfarë përfiton Shqipëria duke kthyer Gjirin e Vlorës në depo karburantesh, në stacion shkarkimi e transporti të gazit të lëngshëm për llogari të firmave të huaja? A është i nevojshëm gazifikimi i Shqipërisë, siç pretendon qeveria (sepse ka plan të gazifikohet dhe Shqipëria, por Alketi nuk e thotë,)”

Sigal

Para disa ditësh avokati Alket Hyseni, këshilltar ligjor pranë qeverisë shqiptare, bëri me dije fansat në faqen e tij të fb-së se: “Pata nderin e një mëngjesi pune me Z. James Richard Perry, ish-Sekretar për Energjinë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Guvernator i Teksas për 15 vite. Nën frymën e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe USA, diskutuam për një sërë projektesh dhe investimesh të rëndësishme strategjike në sektorin energjitik të kompanive shumë serioze amerikane dhe partnerë të tyre që do të fillojnë së shpejti në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit.” Këshilltari nuk jep hollësira për këto projekte e investime të rëndësishme strategjike në sektorin energjitik, Saktësisht bëhet fjalë për një projekt energjitik, që është iniciuar nga amerikanët qysh në vitin 1994, që bën bashkë kompanitë më të mëdha amerikane si Exelerate, ( kjo ka sjellë TEC-et lundruese në Vlorë), Exon, Overgaz dhe Albgaz për ndërtimin e një impianti të rigazifikimit të LNG (gazit të lëngshëm) që do sillet me anije, do të depozitohet, përpunohet dhe do të transportohet me gazsjellës nga Shqipëria, në gjithë Ballkanin Perëndimor deri në Bullgari. Për këtë do të ketë dhe një bashkëpunim me TAP për të cilin nuk jepen sërish hollësira. Nga ana e qeverisë nuk ka asnjë njoftim zyrtar mbi këto bisedime megjithëse bëhet fjalë për një investim miliardash. Është një projekt që do të përfshijë ndërtimin e Korridorit të Tetë, Durrës-Qaf-Thanë-Kapshticë-Shkup-Sofie-Varna, një seri rrjetesh hekurudhore, që do të lidhin Ballkanin Perëndimor, ndërtimin e dy impianteve gjigande për përpunimin e naftës, (si ai i Ballshit) park tokësor për transportues të kapaciteve dhjetëra tonelatash, stacione hekurudhorë për trena me vagonë/cistern, që kapin gjatësi kilometrike, zgjerim e zgjatim kalatash ku do të ankorohen e zbarazen çisterna prej qindramijëra tonësh karburant në depot e instaluara në tokë etj etj. Le t’i shqyrtojmë me rradhë:

E para: A është i nevojshëm gazifikimi i Shqipërisë, siç pretendon qeveria (sepse ka plan të gazifikohet dhe Shqipëria, por Alketi nuk e thotë,) kur ne arrijmë të përmbushim tërësisht nevojat tona me anë të energjisë ujore dhe diellore, energji të pastra me kosto të ulët, që nuk ndotin mjedisin?

E dyta: A ia vlen të rrafshosh 200 ha pyll pishash, që janë mushkëritë e Vlorës dhe qindra ha të tjerë akuarium, të dëmtosh e shkatërrosh në mënyrë të pakthyeshme florën e faunën e zonës së mbrojtur  të Zvërnecit, Lagunës së Nartës e gjithë Gjirit të Vlorës?

 E treta: Çfarë përfiton Shqipëria duke kthyer Gjirin e Vlorës në depo karburantesh e impiantesh përpunimi të naftës, në stacion shkarkimi e transporti të gazit të lëngshëm për llogari të firmave të huaja? Shqipëria ve në dispozicion vetëm tokën e detin dhe investimi është i gjithë i huaj. E shumta mund të marrë një qera simbolike si me fushat e naftës në Patos-Marinës dhe minierat e kromit në veri. A nuk do të ishte më fitimprurëse të zhvillohej si zonë turistike?

E katërta:  Përse qeveria nuk bën publike këto takime e marrëveshje duke mos pyetur qarqet akademike, grupet e interesit, komunitetin e Vlorës duke zhvilluar referendum etj? Normalisht këshilltari Alket duhet të jepte një intervistë për bisedimet në SHBA, me gazetarët dhe grupet e interesit pas kthimit në Shqipëri.

Së fundmi: Shqipëria është vend i vogël, i ka shumë të kufizuara hapësirat dhe çdo cm2 i saj është i shtrenjtë. Si mund të kthehet Gjiri Vlorës në depo karburantesh për gazifikimin e Ballkanit!? Atëherë nuk bëhet më fjalë për turizëm, veliera, pulëbardha, lejlekë, pelikanë, flamingo apo peshq të llojeve të ndryshme. Në gjithë atë tokë të bekuar nuk ka për të çelur më portokalli e limoni, nuk ka për të mbirë fije bari, të rriten vreshtat e të vijnë turistë. Vlora mjerisht mund të shndërrohet në një tokë të vdekur, të pushtuar nga avujt e mbetjet e naftës. Ky popull duhet të kuptojë se jo vetëm po e varfërojnë, por po i grabisin tokën, detin, ajrin e diellin. Në kushte të tilla jeta bëhet e pamundur.