Prof.Dr. Alqi Naqellari: FMN-ja, jashtë realitetit të ekonomisë globale

485
Sigal

FMN-ja, jashtë realitetit të ekonomisë globale

 Prof.Dr Alqi NAQELLAR

FMN-ja,  për ne shqiptarët, është një institucion financiar ndërkombëtar i cili na është ndodhur afër në momentet e para të futjes në ekonominë e tregut me asistencë teknike dhe monetare. Se sa efektive ka qenë kjo ndihmë e saj dhe e institucioneve  të tjera ndërkomb ëtare e tregon situata e ekonomisë shqiptare sot, pas 30- vitesh prezencë. Unë nuk kam pasur asnjëherë ndonjë simpati për këto lloj institucionesh, duke menduar se ato shikojnë në rradhë të parë interesat e tyre, në vendet ku futin kapitalin, sesa arritjet e vet vendit. Bile në një shkrimin tim të hershëm kam theksuar: “FMN- ë, jashtë nga Shqipëria!” duke përshëndetur veprimin e qeverisë së asaj kohe që e largoi këtë organizëm, i cili ka ndryshuar në vite edhe objektivin e synimeve të saj për të cilin ishte krijuar. FMN-ja  dhe BB-ja  evoluan, por nuk u revolucionarizuan në mentalitet, teknologji dhe në strukturë, nuk u ridimensionuan kurrë por krijuan institucione, organizma, marrëveshje të varura, të kontrolluara dhe në interes të tyre, si OBT, GAAT, Marrëveshjet e Tregëtisë së Lirë etj, etj. Ajo ka mbetur, thuajse ashtu si u krijua në Breton  Woods.

Për këtë shkrim u bë shkak Covid-19, i cili nxorri në pah edhe dobësitë e sistemeve monetare botërore, në këtë kuadër edhe parazitshmërinë dhe qenien jashtë kohës të institucioneve të tilla si FMN, BB etj. Askujt prej tyre nuk iu dëgjua zëri, përkundrazi Qeveritë dhe Bankat Qendrore të vendeve të botës, (Fed, ECB, PBC, etj, etj.), reaguan të parat me politikat  e tyre ekspansioniste. Në këtë shkrim do analizojmë FMN-n ë, roli i të cilës për mendimin tim, ka përfunduar me kohë. Ajo është e atrofizuar dhe jashtë kohe, ndihmën e së cilës e kërkojnë vetëm disa vende të botës së tretë.

Globalizimi  ekonomisë  botërore i ka dhënë shtysë ndërkombëtarizimit  të kapitalit dhe të produkteve, përparimeve  teknologjike, robotizimit  të proceseve të prodhimit, tregëtisë elektronike, dhe në përgjithësi rritjes së rendimentit të punës.

Gjëja më e veçantë e kësaj situate është se pavarësisht shkallës së lartë të teknologjisë dhe robotizimit, niveli i papunësisë është më i ulti i të gjitha kohërave dhe niveli i punëzënjes më i larti i të gjitha kohërave. Sot supershtetet si,  USA, Kina, Gjermania, Japonia, etj., nuk kanë problem ushqyerjen e popullsisë dhe papunësinë,  por  “ngushtimin e shkallës së mirëqenies midis provincave të ndryshme të vendit”.

Situata aktuale kërkon që të gjitha vendet e tjera, të tërhiqen dhe të fokusohen në këtë trend, dhe nuk kërkon një centralizim të politikave monetare, kërkon një Fond Ndërkombëtar, gjithëpërfshirës me mendësi, strukturë dhe teknologji  të re, ku pjesmarrës absolutë  të jenë vendet  e fuqishme ekonomike, veç USA-s, të jetë edhe Gjermania, Kina, Japonia, Italia, Koreja, India, Brazili dhe vende të tjera.

Shembja e standardit  të arit që filloi nga mesi viteve ‘60 dhe përfundoi  në 1971, zhvillimet e pabesueshme  të ‘30 viteve të fundit, mesa duket,  po i bëjnë presion valutave të forta, pozicioni të cilave po lëkundet çdo ditë e më shumë. Kalimi  ekonomisë  Kineze në statusin e një superfuqie ekonomike, konsolidimi i BE-së, i Japonisë, rritja e Indisë, Brazilit i kanë bërë presione pozitive ndryshimeve  strukturore të pozicionit të rezervave të valutës në botë. Nuk mund të pranojë Kina që renminbi=juani, monedha e fuqisë së dytë ekonomike në botë të ketë 1.96%  të rezervës së valutës botërore, më të ulët se Britania dhe Japonia, apo sa Australia, popullsia  e të cilës është thuajse sa Tajvani. Nuk mund të pranojnë vendet e botës së zhvilluar që produktet kryesore në tregjet ndërkombëtare të listohen në dollarë. Sepse ky listim dhe qenja rezervë vlere e dollarit me funksionin e parasë botërore, i ka dhënë superioritet USA-ve në fushën e tregëtisë ndërkombëtare, e para dhe në mbrojtjen e ekonomisë së brendëshme e dyta. Kjo u pa në masat që morën qeveritë e USA-s dhe vendeve të BE-së në përballimin e pasojave negative të koronavirusit, Covid-19.

Kontradiktat e fundit, në lidhje me tarifat, në lidhje me transferimin e ndërmarrjeve nga Kina,  midis USA-s dhe Kinës, USA-s dhe Rusisë, USA-s dhe BE-së, Kanadasë, Meksikës etj., po dalin gjithnjë e më shumë në pah dhe po kërkojnë ndryshime globale strukturore. Është e vështirë  sot të jesh Kryeshtet, sepse duhet ta justifikosh atë, duhet ta mbash atë pozicion me superioritet teknologjik dhe demokraci. Globalizimi përcjell teknologji, përcjell stabilitet, ndoshta nëpërmjet forcës së frikës, por nuk mund të përcjell ë edhe demokraci funksionale në funksion të këtij zhvillimi. Kjo është prezente në një sërë vende të botës.

Monedhat në përdorim po kthejnë vështrimin nga një monedhë virtuale ndërkombëtare. Janë me dhjetra monedha virtuale në qarkullim, por asnjëra prej tyre nuk është e mbështetur nga ndonjë Bankë Qendrore, apo nga ndonjë vend, ato janë lënë të lira dhe të pambrojtura. Si të tilla mbi funksionimin dhe rolin e tyre në ekonomi janë hedhur shumë dyshime deri në pastrimin e parave të pista dhe financimin e organizatave terroriste. Nëse botërisht do pranohet një e tillë, atëhere do ketë ndryshime themelore strategjike të politikave monetare botërore. E interesuar për këtë monedhë është Kina, që po e eksperimenton në disa qytete dhe pak e interesuar është USA me qëndrimin e saj ndaj libras.

            Cilat ishin vendet që morën pjesë në marrëveshjen e “Breton  Ëoodsit”  ku u krijua FMN-ja  dhe BB-e?

Nga 1 në 22 korrik 1944, u mbajt në Bretton  Woods, -New Hampshire USA, një Konferencë Monetare dhe Financiare e Kombeve të Bashkuara. Në këtë takim ishin përfaqësues të dyzet e katër vendeve të Kombeve të Bashkuara dhe kombeve të lidhura me ta, dhe Danimarka. Në këtë Konferencë u arrit marrëveshja për krijimin e një Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe të një Banke Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim(BB).

Kjo Konferencë kishte disa karakteristika.

E para, ishte se u organizua nga vendet që më vonë do ishin fituese të Luftës së Dytë Botërore, të bllokut antinazist dhe antifashist. Nuk morën pjesë Gjermania, Japonia, Italia.

E dyta, në të morën pjesë vende socialiste dhe vende kapitaliste  të ekonomisë tregut. Një pjesë e vendeve që firmosën në këtë marëveshje ishin socialiste, gjysëm socialiste me sisteme të paqarta, feudale, thuajse nga e gjithë bota. Një pjesë e mirë e tyre, pas përfundimit  të Luftës së Dytë  Botërore u futën nën ombrellën e bllokut socialist. Në këtë bllok u përfshinë edhe ato që u quajtën vende të botës së tretë.

E treta, nuk morën pjesë të gjitha vendet e botës. Nga 195 vende që ka sot bota, në këtë konferencë morën pjesë vetëm 45 vende, ose 23% e vendeve të botës. Nga Europa morën pjesë 12 vende, nga 44 që ka sot Europa, nga Azia dhe Oqeania morën pjesë 8 vende,  nga 48+14 vende që kanë sot, nga Afrika morën pjesë 5 vende, nga 54 që ka sot, nga Amerika e Jugut dhe Karaibet morën pjesë 18 vende, nga 33 që ka sot, nga Amerika e Veriut morën pjesë dy nga dy që ka sot.

-Nga Europa 12 vende: Jugosllavia (RFSJ), Polonia, Çekosllovakia, që u përfshinë në bllokun socialist dhe 9 vende me ekonomi me sistem të ekonomisë tregut: UK(Mbretëria e Bashkuar), Franca, Belgjika, Holanda, Greqia, Norvegjia, Luxemburgu, Islanda dhe Danimarka.

-Nga Amerika e Veriut 2 vende,  USA dhe Kanada.

-Nga Amerika e Jugut 18 vende: Kuba, Bolivia, Brazili, Kili, Kosta Rika, Kolumbia, Ekuadori, El Salvador, Guatemala, Haiti, Honduras, Meksika, Nikaragua, Panama, Paraguaj, Peru, Uruguaj dhe Venezuela.

-Nga Azia dhe Oqeania 14 nga  që ka sot, 8 vende: BRSS(Bashkimi Republikave Socialiste Sovjetike), Kina, India, Irani, Iraku,Australia, Komonuelthi  Filipineve  dhe Zelanda e Re.

-Nga Afrika morën pjesë 5 vende: Egjypt, Etiopi, Liberi, Republika Domenikane dhe Unioni Afrikës së Jugut.

Sot një pjesë e këtyre shteteve nuk ekzistojnë më, ato janë shpërbërë dhe janë krijuar disa shtete. Kështu BRSS-ja  u krijua  pas Luftës së Dytë Botërore dhe u shpërbë në vitet ‘90. RFSJ-ja po ashtu, u krijua dhe  u shpërbë  në Serbinë, Kroacinë, Sloveninë, Maqedoninë, Kosovën, etj,.  Çekosllovakia  është shpërbërë në Çekinë dhe Sllovakinë, Gjermania Federale është bashkuar me RDGJ-nw, Kina është bashkuar me Hong Kongun, etj. Në këtë mënyrë nuk ekzistojnë më ato vende kryesore firmëtare të kësaj marrëveshje.

Cila ishte arsyeja që u krijua FMN-ja  dhe Banka për Rindërtim dhe Zhvillim?

Marrëveshjet që u firmosën në Bretton  Woods qenë shembulli i parë në historinë e botës për një sistem monetar të planifikuar, për të drejtuar marrëdhëniet monetare midis shteteve të pavarura, të ekonomisë së tregut dhe vendeve me ekonomi të centralizuar.

FMN-ja  synonte rivendosjen e kushteve nën të cilat transaksionet që rrjedhin nga tregtia e jashtme mund të zgjidheshin pa probleme me eleminimin e presioneve të panevojshme, rreziqeve dhe trysnive mbi ekonomitë e vendeve pjesëmarrësve.

“Fondi nuk ka për qëllim të korrigjojë keqformimet ekonomike në vendet e ndryshme, por do të ushtrojë një ndikim tek anëtarët për ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese dhe t’ju lerë atyre kohë, për ta bërë një veprim të tillë efektiv. Ai do të promovojë stabilitetin e shkëmbimit dhe do të ofrojë lehtësira për rregullimin e duhur të shkëmbimeve,  kur është e nevojshme për të – korrigjimin e keqformimeve themelore. ”

Çfarë detyrimesh kishin shtetet ndaj marrëveshjes?

Para se të shpjegojmë këtë, bëjmë një sqarim: Deri në këtë marrëveshje blerjet jashtë vendit bëheshin me monedhë, ari ose argjendi, me funksionin e tyre si para botërore, rezervë vlerash. Në Breton  Woods, u vendos që stokun e arit dhe argjendit ta përfaqësonte dollari dhe monedhat e vendeve pjesmarrëse. Pra çdo kartëmonedhë dollari, mund të konvertohej prej vendeve anëtare në ar. USA ishte e detyruar t’u jepte në ar kundravlerën e çdo dollari. Pasi USA preu më shumë kartëmonedha dhe nuk i mbulonte dot në ar, u detyrua të bënte një marrëveshje tjetër në 1971, ku nuk garantohej më dollari me ar, dhe lihej kursi i lirë, ndërkohë që bankat e vendeve të tjera ishin të mbushura me dollarë. Dollari vazhdonte të ishte valutë e fortë dhe të përdorej  si para botërore dhe rezervë vlerash. Ky pozicion është edhe sot me ndryshimin se janë futur edhe monedha të tjera. Këtë pozicion të dollarit, USA vazhdon ta shfrytëzojë.

Detyrimet që kishin shtetet:

E para, detyrimi për çdo shtet për të përshtatur një politikë monetare që stabilizonte kursin e këmbimit me një vlerë fikse kundrejt dollarit, që bëhej kështu valuta kryesore;

E dyta, detyrimi për të ekuilibruar çekuilibrimet e shkaktuara nga pagesat ndërkombëtare. Kjo ishte përgjegjësi ekskluzive e  Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Sistemi i planifikuar në Bretton  Woods, ishte mbështetur në standardin e këmbimit të arit, i bazuar mbi raporte këmbimi fikse ndërmjet valutave, të gjitha të varura prej dollarit, i cili nga ana e tij ishte i varur prej arit. Marrëveshjet e “Bretton  Woods”, nuk parashikonin një kontroll korrekt  të sasisë së dollarëve të hedhur në treg, duke i lejuar kështu USA-s,  hedhjen e pakontrolluar të monedhës  në qarkullim, fakt ky i kontestuar  shumë herë nga Franca dhe Gjermania, ndërkohë që USA,  eksportonin inflacionin e tyre, duke varfëruar kështu pjesën tjetër të botës. Pikërisht kjo dukuri i dha mundësi USA-BE edhe në përballimin e pasojave të koronavirusit Covid-19, por në kushte të tjera.Në këtë mënyrë kjo marrëveshje ishte tërësisht në interes të USA-s.

Europianët e panë këtë dobësi të marrëveshjes në interes të tyre dhe prioritetet e  USA-ve ndaj tyre. Kështu filluan të kërkonin të këmbenin dollarin me ar. Franca dhe Gjermania ishin vendet kryesore që reaguan, si pasojë thesari i USA-s, u pakësua me 90000 ton ar. Richard Nixon, ish president i USA-ve, ndaloi këmbimin e dollarit me ar, më 15 gusht 1971. Në dhjetor të 1971, u firmos nga grupi i dhjet ëshes marrëveshja “Smithsoniane”, (Smithsonian Agreement). Kjo marrëveshje e firmosur në Camp David, e njoftuar në dhjetor 1971, krijoi një standard të ri të dollarit, ku parashikoheshin që monedhat e një numri shtetesh të industrializuara të këmbeheshin me dollarin amerikan. Këto monedha u lejuan të luhaten me 2.25% ndaj dollarit.  Çmimi në ndryshim i arit, zhvlerësoi dollarin me 7.9%. Në këtë mënyrë, standardi i arit u zëvendësua nga një “josistem” këmbimesh fleksibël. Veprimi Nixonit  mori në konsideratë thellimin e deficitit fiskal dhe deficitit tregëtar të bilancit Amerikan, duke ia vënë fajin për këtë deficit të bilancit të pagesave të SH.B.A.-së,  praktikave të padrejta treg ëtare dhe mosgatishmërisë së vendeve të tjera për të ndarë barrën ushtarake të Luftës së Ftohtë. Shikoni sa interesant, është i njëti veprim që bën sot Donald Trump, për të detyruar vendet anëtare të NATO-s, të caktojnë një limit pagese ndaj GDP-së  tyre.

Europa iu përgjigj  Sistemit  Amerikan me Monedhën e saj ECY dhe më vonë, (1999) me Euro. Euro në Krizën e 2008-s, tregoi vitalitet dhe e mbrojti ekonominë  europiane  nga ekonomia amerikane në mënyrë perfekte. Nëse nuk do qe euro, por vendet  europiane do kishin në përdorim monedhat e tyre, një pjesë e ekonomive të këtyre vendeve do kishin kaluar në depresion.

Kush i përcaktonte vendimet në FMN-n ë  dhe në BB- ë? Përqindjen më të madhe në totalin e votave e kishte USA, me 28%,  UK (Anglia), me 13.4% dhe BRSS-ja,  me 12.4%. Këta tre vende kishin 53.8%. Vetëm USA  me Anglinë  kishin  41.4%. Kështu vendimet (kanë një metodikë të veçantë) të FMs ë dhe të BB-s ë  ishin në dorë të USA-ve, votat e të cilës mund të rriteshin.

Përfundimisht FMN-në,  në kushtet e sotme mund ta kërkojnë për asistencë teknike dhe monetare ndonjë vend i botës së tretë, ndonjë vend me ekonomi të shkoqur, të pa stabilizuar, me korrupsion të lartë dhe pa një drejtim të caktuar. Nuk mund ta çojë kush në mendje se do mbështesë  FMN-ja Kinën, Rusinë apo Indinë. Kinën e zhvilloi  kapitali  ndërkombëtar privat dhe etja e tij për maksimizimin e fitimit, akumulimi i brendshëm dhe investimet e brendëshme kineze dhe jo patericat e BB-s ë dhe FMN-s ë.  Në GDP-n ë e Kinës, 44.4% , e zenë shpenzimet për investime,  sa në asnjë vend të botës. Ka ardhur koha për një ndryshim thelbësor  në kuadër të globalizimit dhe pasojave të tij në ekonominë botërore. Iku koha e FMN-së.