Prof. Dr. Ago Nezha/Vlora, perëndesha e Pavarësisë

565
Sigal

Janë shumë pak ditë që jemi ndarë me festën e 100 -vjetorit të Pavarësisë. Por nuk janë ditët, as muajt, as edhe vitet që atmosferën e festës që e përjetuam dhe u lumturuam deri në ekstazë, ta  vlerësojnë. Zor se shuhet kurrë nga kujtesa e Shqiptarëve. Një mrekulli e vërtetë, një parajsë tokësore, një bukuri hyjnore. Gjithçka në perfeksion. Organizimi, debutimi, kremtimi, një orkestrim harmonik, ku dirigjenti Shpëtim Gjika, kishte derdhur gjeninë e vetë, si Kryebashkiaku i vendit pritës. Por një tjetër virtyt i Shqiptarëve, që u shfaq dukshëm në këtë jubile, ishte patriotizmi kombëtar, solidariteti, krenaria për veprën e të parëve, sjellja dhe kultura qytetare, deri në perfeksion. Rregulli, qetësia, maturia, në rrugë, në mjedise shoqërore e kudo, kishin një shkëlqim të veçantë. Nuk ishin partitë, e as qeveria që ju bëri thirrje për tu grumbulluar si bletët në koshere, të ardhur nga të gjitha trevat Shqiptare, Kosova, Maqedonia, Presheva, Mali i Zi, si dhe nga gjithë diaspora, duke filluar nga Amerika e largët, Kanadaja, Gjermania, Zvicra, e deri  te më të afërtit, nga Italia e Greqia fqinjë. Vlora atë ditë ishte zëmra e Shqiptarëve dhe Shqiptarët e kishin zëmrën e tyre që ju rrihte pa pushim. Një simbiozë simbol. Atë ditë magjike, gumëzhinin zërat e shqiptarisë të ardhur nga e gjithë bota në shtëpinë e tyre, si zërat e zogjve që cicërojnë në folenë e vetë. Ata ndiheshin jo vetëm qytetar të Vlorës, por ishin motra dhe vëllezër të një gjaku. Të gjithë ishin të vlerësuar dhe nderuar njësoj nga më i vogli te më i madhi. Çdo gjë ishte organizuar me fantazi dhe hijeshi. Vlora ishte veshur si nuse me kostumin kombëtar kuq e zi. Por dekori që niste nga Sheshi i Pavarësia te Sheshi i Flamurit, kishte një kolorit të veçantë. Në mes të bulevardit ishin vendosur banderola me portretin e babait të kombit plakut Ismail Qemali, ku në fund të çdo banderole në të dy faqet ishin shkruar emrat e qyteteve shqiptare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të zi dhe Çamërisë. Aty lexohej në njërën anë Vlora, në tjetrën Tirana, dhe respektivisht në të gjitha banderolat shpaloseshin emrat e qyteteve Prishtinë, Prizren, Preshevë, Podgoricë, Prevezë, Shkup, Tetovë, Shkodër, Korçë, Krujë, Sarandë, Skrapar, Durrës, Berat, e kështu me radhë. Kjo ishte një gjetje shumë mbresëlënëse që tregon se kufijtë nuk na ndajnë për të qenë bashkë në evenimente historike që kanë të bëjnë me ekzistencën dhe prosperitetin e kombit.

-Qytetar nderi në qytetin e pavarësisë

Është në nderin e Vlorës së Pavarësisë dhe të historisë që gjithmonë ka ditur të nderojë e vlerësojë  njerëzit më të shquar të kombit. S’ka si të ndodhë ndryshe, në këtë jubile të madh asaj i duheshin dy qytetar të rinj, personalitete të spikatura në fushat e tyre. Dhe ata i spikati Bashkia e Vlorës dhe i shkëputi si dy meteorë nga galaktika e njerëzve të shquar. Ata ishin akademiku i shquar Rexhep Qosja dhe diplomati amerikan Xhon Uithers. Këto dy personalitete, unikal në llojin e vet, kanë shpalosur vlera kombëtare dhe qytetare jo vetëm në dobi të kombit të tyre, por edhe më gjerë. Për jetën dhe veprën  e Rexhep Qoses foli Prof. Pëllumb Xhufi, ku theksoi krijimtarinë e tij publicistike, historike, letrare dhe patriotike, si një trashëgimi të vyer për kombin tonë. Rexhep Qosen, unë do ta quaja një rilindës të kohë sonë, që me qëndrimin, veprimin, krijimtarinë dhe kontributin që ka dhënë dhe jep në kuadrin kombëtar, është i pazëvendësueshëm. Ai, vazhdimisht e ka vlerësuar Vlorën dhe Labërinë si djepin e lirisë e demokracisë. Ishte Rexhep Qosja, që në Kuvendin e dytë të Labërisë në Vlorë tha se: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë”. Jo rastësisht Shoqata “Labëria” e ka Kryetar Nderi të shoqatës qysh nga krijimi i saj.  Në rastin e marrjes së titullit qytetar nderi ai e cilësoi Vlorën: “Qytetin që bashkon zemrat e gjithë shqiptarëve”. Vazhdimisht mendimtari Rexhep Qosja, ka vlerësuar rilindësit dhe Babain e Kombit siç e quan ai, Ismail Qemalin. Ai ka vlerësuar rolin historik të Vlorës dhe ka kritikuar ata që duan ta zbehin rolin e saj në shekuj për liri dhe pavarësi.

Ambasadorin Amerikan Xhon Uithers, e prezantoi gazetari i njohur Sokol Balla, i cili vuri në dukje dashurin e tij për Shqipërinë, ku tha se në shtëpinë e tij përveç flamurit amerikan, çdo gjë tjetër flet shqip. Ndërsa Uithers, deklaroi se në Vlorë ndihet si në shtëpinë e tij. Këto dy personalitete, që kanë “lindur” si qytetarë nderi në 100 -vjetorin e Pavarësisë, u nderuan edhe me veprimin që zbuluan shtatoren e Ismail Qemalit, vepër e dy skulptorëve Çam, bashkautorëve Zeqir Alizoti dhe Pëllumb Halili. Në këtë eveniment ata mbajtën edhe nga një fjalë rasti së bashku edhe me kreun e opozitës Edi Rama. Aty ishin qindra qytetarë të Vlorës, Shqipërisë Kosovës  e gjithë trevave shqiptare si dhe deputet të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Qytetarët më të rinj, por më të nderuar të Vlorës, akademiku Rexhep Qosja dhe Xhon Uithers, tashmë e kanë edhe një shtëpi të dytë që i pret si bijtë e vetë, me nderime të mëdha sa herë që të vijnë në qytetin e tyre të Pavarësisë.

-Nëntori muaji i festave

Në përkujtim të 100- vjetorit të Pavarësisë, si në të gjithë krahinat e vendit, ashtu edhe në Vlorë e gjithë Labërinë, u organizuan veprimtari përkujtimore për ngjarje, heronj dhe heroina të luftës për liri dhe pavarësi që u shoqëruan me aktivitete kulturore e vlerësime me tituj nderi për figura të shquara gjatë periudhës 100 -vjeçare. Janë të shumta aktivitetet që u organizuan në ato mjedise natyrore ku ka shkelur këmba e Ismail Qemalit dhe ka bërë takime e zhvilluar kuvende burrash për çështje kombëtare. Desha të veçoj disa prej tyre që janë më përfaqësueset dhe më të spikaturat në fshatrat e Vlorës. Ceremoni dinjitoze u organizuan në fshatrat Dukat, Mesaplik, Kaninë Tragjas, Himar, etj.. Shoqata Atdhetare kulturore “Dukati”, organizoi në Llogora një ceremoni përkujtimore ku u inaugurua lapidari “lufta e krahinës së Dukatit në 1912” kundër andartëve grek, në mbrojtje të qeverisë së Ismail Qemalit. Po në Dukat, në zonën e Karaburunit në Ravenë, u ngrit një Lapidar, i cili ishte i rrënuar, ku Ismail Qemali kishte bërë një takim me barinjtë dukatës në 1913.

Një veprimtari analoge u organizua në Mesaplik, me rastin e Pavarësisë së Mesaplikut, ku u përurua edhe një obelisk në përkujtim të Besëlidhjes Ndërkrahinore të Mesaplikut në 1847 si dhe dy kuvendet e Ismail Qemalit, në krahinën e Labërisë, 1908, 1913. Veprimtari përuruese u organizuan edhe në Kaninë, në vendorigjinën e plakut të mençur Ismail Qemali, ku u përurua lapidari në nderim të figurës së tij si dhe në Tragjas, ku u vendosën lule e u bën homazhe në varrezat e dëshmorëve, si dhe u vlerësuan shumë personalitete të kohës që kanë qenë miq dhe mbështetës të Ismail Qemalit për shpalljen e Pavarësisë. Të gjitha aktivitetet u shoqëruam me koncerte, grupe polifonike e recitime të organizuara nga këshillat e Komunave dhe shkollat e fshatrave. Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria,” Vlorë, nën drejtimin e kryetarit të saj Ahmet Dema, organizoi disa ceremoni nderuese për figurën e Ismail Qemalit në frymën e Sesionit Jubilar që u organizua në Tiranë.

-Një ditë që s’vdes kurrë

Dhe ja erdhi dita e shumëpritur, dita e flamurit, dita më fatlume e shqiptarëve, dita e Pavarësisë dhe mëvetësisë së kombit. Në këtë ditë të shenjtë për shqiptarët, nuk ka trevë shqiptare që të mungojë. Sheshet e rrugët e Vlorës ishin mbushur me bijtë dhe bijat e shqipes që kanë “fluturuar” nga të gjitha viset e vendit dhe nga përtej kufirit. Sheshi i Flamurit, atë ditë ishte lidhur me një kordon të kuq me sheshin e Pavarësisë. Nuk kishte vend për të gjithë. Por dashuria për atë shesh dhe etja për të qenë prezent, nuk shuhej duke qëndruar larg tij. Ndaj, si zogjtë në pemë, gra e burra, të moshuar e të rinj, i ishin ngjitur pallateve, ballkoneve, e dritareve të shtëpive, për ta përjetuar nga afër atë çast magjik, ngritjen e flamurit.

Ceremonia, nisi si një vullkan që shpërtheu nga gëzimi dhe hareja e të pranishmëve. Ngritja e flamurit ishte çasti kulmor ku u përzien duartrokitjet me mirënjohjen ndaj plakut të Vlorës, Ismail Beut. Mitingu mori zjarr kur sheshi u mbush me mbi 300 kalorësit Kosovar të hipur mbi kuaj që parakalonin në rresht, ku fillimi ishte te Sheshi i Flamurit dhe fundi te Shesh i Pavarësia. Ishte një imazh i papërsëritshëm, tepër ngazëllues dhe shumë mbresëlënës, kur mes kalorësve dallohej një vajzë që përfaqësonte Shote Galicën. Një moment tjetër që rriste adrenalinën e krenarisë kombëtare, ishte kalimi dorë më dorë mbi kokat e njerëzve e flamurit me një shtrirje disa metra. Rastet janë të shumta. Por një moment tepër emocionues ka qenë kur erdhi grupi i Strugës me mbi 100 vetë me karrocë të dekoruar bukur, ku në të qëndronte Ismail Qemali. Ndërsa krahas tij ecnin Skënderbeu, që personifikohej nga aktori i madh Xhevat Limani dhe krahas tij ishte Adem Jashari, figura emblematike e historisë tonë. Ata zbritën te sheshi i Flamurit dhe udhëtuan së bashku për te shtëpia muze. Krahas tyre ishin edhe kalorësit që vinin nga Hani i Elezit dhe Gjilani kurse nga Morina mbërriti AK-ja dhe Kreshnik Spahiu, i cili vendosi kurora dhe bëri homazhe te busti i Ismail Qemalit dhe Isa Buletinit. Nuk ka figurë të dytë që mund të krahasohet Ismail Bej Vlora. Ai flaku ofiqet që i kish dhënë perandoria, sakrifikoi karrierën, komoditetin, qetësinë familjare dhe rrezikoi fëmijët për t’i dhënë Shqipërisë pavarësinë. Nderimi për këtë njeri të madh është i pa mat. Dita e Pavarësisë është një ditë që nuk vdes kurrë në jetë të jetëve. Nuk ka të dytë si kjo ditë. Është ditë e përjetshme. Këtë ditë e kemi festuar çdo vit. Por këtë 100 vjetor ajo ka pasur një shkëlqim vezullues, tundues, elektrizues, krenarie e lavdie hyjnore. Zëmrat e shqiptarëve në këtë ditë kanë qenë të ndezura nga zjarri i mallit të pashuar për vendin e Skënderbeut të trimërisë, të nënë Terezës së bamirësisë, të Ismail Qemalit të mençurisë, që na solli dhuratën më të bukur të jetës së njeriut, mëvetësinë, duke flakur njëherë e përgjithëson robërinë dhe një homazh për ata që sollën pavarësinë, lirinë dhe çliruan Kosovën nga regjimi e shtypja më shtazarake e shovinizmit serb.