Prof. Dr. Ago NEZHA/Gjynahet e gjykatave shqiptare!

623
Sigal

Njeriu zotëron të drejtat natyrore, si të drejtën e jetës, të pacenueshmërisë së trupit, të lirisë së ndërgjegjes, lirinë shpirtërore, shoqërore, si personalitet dhe krijesë e lirë. Këto të drejta natyrore të njeriut janë sanksionuar në “Deklaratën e Përbotshme të Drejtave të Njeriut”, e shpallur nga Kombet e Bashkuara më 10 dhjetor 1948, ku thuhet se: “Çdo individ ka të drejtën e jetës, të lirisë dhe sigurisë së personit të vetë…Askush nuk mund të mbahet në skllavëri, as në robëri…Askush nuk duhet të jetë objekt i masave arbitrare”. E parë në këtë kontekst, në Shqipëri jeta e njeriut është e kërcënuar, rrezikuar dhe e pa mbrojtur nga ligji dhe shteti i ashtuquajtur demokratik. Veset e rënda, monstruozitetet e rasteve të krimeve makabër, prostitucioni, pedofilia, homofobia, trafikimi i femrave dhe fëmijëve, s’kanë të numëruar dhe janë kthyer në një fenomen masiv shoqëror. Lulëzimi i këtyre dukurive vjen nga drejtësia e deformuar, në një shtet të korruptuar dhe të degjeneruar. Nga ana tjetër, marrëdhëniet e shoqërisë me individët e viktimizuar janë thjeshtë ndjesi të brendshme, por pa një reagim të fuqishëm publik, trysnues ndaj drejtësisë dhe shtetit. Ka ardhur koha që të ndryshojë struktura e ndërgjegjes shoqërore kur përballemi me fenomene kaq të shëmtuara që janë jashtë moralit traditave tona zakonore. Duhet të dëshmojmë se jemi një shoqëri që nuk e kemi humbur ende lidhjen me traditën, zakonet dhe normat morale-shoqërore, megjithëse këto norma në këto vitet e demokracisë, kanë pësuar ndryshime sasiore dhe cilësore, në hapësirë dhe në kohë. Megjithë ndryshimet që kanë ndodhur në jetën sociale në vitet e demokracisë, përsëri prostitucioni, pedofilia, homofobia, mbeten revolta kundërshtuese të fshehura në vetëdijen tonë. Ne si popull, pederastinë e dënojmë si diçka jo natyrore, sepse ajo nuk bën pjesë në normat morale të shoqërisë sonë, siç ndodhte në Greqinë e lashtë. Etika e përgjithshme dhe ajo sociale në këto 22 vjet nën “demokraci” është pasuruar me një fjalor tepër banal që kërkon të nënshtrojë sovranitetin moral të popullit tonë. Këto dukuri të shëmtuara kanë gjetur terren, sepse fenomenet e manifestuara nuk janë ndëshkuar me masa ekstreme për tu bërë mësim edhe për të tjerët, por përkundrazi, janë toleruar deri në gjykime banale që ju kanë hapur rrugën veprimeve konvejer të krimeve nga individë pervers. Në shumicën e rasteve të fundit nga Shaban Mera, e deri te Ardian Prenjasi, janë njerëz me shfaqje të përsëritura të perversitetit të tyre dhe gjykimet kanë qenë abuzive duke ju dhënë dënime qesharake që ju kanë dhënë lirinë për të vazhduar në rrugën e krimit pa u shqetësuar nga organet e rendit. Këtë fakt e dëshmon odiseja e pedofilit Prenjasi që për këto veprime është gjykuar e rigjykuar në mënyrë të përsëritur dhe është lënë i lirë për të vazhduar pa u shqetësuar veprimtarinë e tij të shëmtuar kriminale. Opinioni publik, u njohë nëpërmjet medias se ai ka shfaqur perversitetin e tij edhe herë të tjera si në Greqi e Shqipëri, madje duke provokuar edhe fëmijë të gjakut të vetë dhe përsëri është lënë i lirë duke u gjobitur me një shumë qesharake lekësh, sikur të kishte vjedhur presh në kopshtin e ndonjë qytetari. Shthurja e jetës sociale dhe lulëzimi i krimit në Shqipëri, është produkt i katër pushteteve të korruptuara në çdo qelizë, veçanërisht i qeverisë dhe gjykatave. Në vizionin e secilit prej nesh, nuk shuhen nga kujtesa ndodhia tragjike e Gërdecit, ku ende s’kanë marrë përgjigje edhe pas pesë vjetësh, ngjarja e 21 Janarit ku u vranë katër demonstrues të pafajshëm para tempullit të pushtetit, te godina e Kryeministrisë, që edhe pse u evidentuan vrasësit nëpërmjet ekspertizës më të kualifikuar botërore, asaj të FBI-së, ata u konsideruan të pafajshëm nga padrejtësia e drejtësisë Shqiptare. Na prezantohen në ekranet televizive, kryetar partish, kryebashkiak, kryekomunar, deputet e qeveritar që vjedhin e përvetësojnë pasurinë kombëtare dhe përsëri gjykatat i nxjerrin të pafajshëm dhe populli hesht. Në këtë situatë të paprecedentë për asnjë vend demokratik, ka ardhur koha që të gjykohen gjykatat, policia, prokuroria dhe maja e piramidës, kupola e shtetit të korruptuar e degjeneruar në çdo qelizë të saj. Por, kjo klasë politike nuk mund ta bëjë këtë revolucion. Kërkohet të ndryshojë rrënjësisht klasa politike, për të ndryshuar filozofinë e saj grabitëse. Lirinë në demokraci, njerëzit e degjeneruar e me vese e përdorin për të realizuar qëllimet e tyre perverse duke ndotur moralin shoqëror. “Ujku dhe qengji e kuptojnë në mënyra të ndryshme fjalën “Liri”, thotë Linkoln. Kjo racë njerëzore që turbullon jetën morale, shpirtërore dhe fizike të qytetarëve, nuk duhet të lejohet të bashkëjetojë me komunitetin në gjendje të lirë. Ato mostra kriminale, që kanë kryer krime çnjerëzore me fëmijë, me gra, apo qytetar të ndryshëm, duhet të marrin të njëjtin shpërblim me pushkatim apo varje. Vetëm kështu mund të vendoset barazia, e pabarazisë që ekziston në mjedisin tonë të deritanishëm. Në një vend që ekziston krimi dhe gjakmarrja, duhet të veprojë ligji i dënimit me vdekje. Në rast të kundërt, trazimi i jetës sociale me mozaikun e krimit, do ekzistojë në rritje dhe nuk do pësoi ulje. Motivimi i heqjes së ligjit të dënimit me vdekje si kusht i kërkesave të Europës, duhet të sfumohet për kushtet specifike të vendit tonë, me një trashëgimi zakonore specifike. Për më tepër që gjykatat tona janë të korruptuara dhe të mbrojtura nga shteti, që lejojnë kriminelët të livadhisin në gjendje të lirë, edhe pas dy e tre krimeve të kryera. Kjo situatë kaotike, ka ngjallur vetëgjyqësinë dhe hakmarrjen zakonore.

“Gjyqtari që nuk është i aftë të dënojë, bëhet në fund të fundit, bashkëpunëtor i krimit”. (Gëte). Kundrejt kriminelëve drejtësia duhet të jetë e ashpër paegërsi dhe e butë në gjykim, pa bërë asnjë lëshim. Duke falur gjykatësi kriminelët, ligjëron moralin e krimit dhe i hap rrugën jetëgjatësisë së tij. Ai gjykatës që mbron fajtorin e merr akuzën mbi vete dhe bëhet ai fajtor që duhet gjykuar e dënuar më shumë se fajtori. Duke mëshiruar kriminelët siç bëjnë disa gjykatës dhe avokat mbrojtës, harrojnë që dënojnë njerëzit e ndershëm që janë të pambrojtur. Policia duhet të njohë, evidentojë dhe mbikëqyrë kriminelët, për ti prerë rrugën krimit. Më ka ndodhur që të shkojë me shërbim në vendet ish lindore si Çeki, Poloni, Bullgari dhe kur largoheshe nga vendstrehimi ku ishe akomoduar, do merrje vërtetim, përndryshe nuk mund të kaloje kufirin për në destinacion. Në Shqipëri, krahas kriminelëve tanë janë të shumtë shembujt e qytetarëve të huaj, pedofil apo kriminel, që veprojnë lirisht jashtë çdo kontrolli institucional. Papërgjegjshmëria e shtetit dhe drejtësisë, ka krijuar një situatë të pasigurt për jetën e qytetarëve, ku çdo ditë të gjithë ndihemi të kërcënuar dhe të trysnuar nga fuqia që ka marrë krimi, në një vend që nuk ndëshkohet padrejtësia. “Që të rrojë vendi, duhet të rrojnë të drejtat”. (Mickieviç)

Turpi dhe padrejtësia, nuk është ndëshkimi, por krimi.