Precedenti i papërgjegjshmërisë

816
Sigal

Vangjush Saro

Precedenti i papërgjegjshmërisë ka pushtuar vendin, po përhapet lart e poshtë sikur ndonjë epidemi. E pyesin Kryeministrin, z. Edi Rama, për ministrat e tij të përfolur dhe ai bën të paditurin; i flasin për atë Dakon e stërfolur, thotë ç’ju duhet juve e ç’iu duhet partnerëve… I kujtojnë atë kryetar bashkie apo për këtë ‘të fortë’ pranë tij dhe PS-së, ai e çon bisedën gjetkë.

Tani politikanët shqiptarë, Kryeministri ynë i pari, kanë krijuar precedentin e frikshëm të papërgjegjshmërisë; ata nuk pyesin më as për parimet më elementare të jetës politike dhe të praktikës qeverisëse: në thelb, në veprime dhe në sjelljen formale.

I kujtojnë Kryetarit të Bashkisë së Tiranës kullat dhe gjithfarësoj ndërtimesh në krah të strukturave të hershme, në kurriz të jetës dhe mirëqenies së banorëve të kryeqytetit dhe ai s’e ka për gjë të thotë që… është rritur qyteti, s’do t’i lëmë pa shtëpi njerëzit… Çfarë cinizmi!

A thua ata po jetojnë dhe do të jetojnë në këto kullat gjigande, (të frikshme ngado që ta shikosh çështjen).

Precedenti i papërgjegjshmërisë ndaj gjithçkaje, pasqyrohet sidomos në aktivitetet partiake. Duke ndjekur fushatën e Demokratëve për të zgjedhur kreun e partisë dhe, më pas, për ta paraqitur atë si kandidatin demokrat për President në zgjedhjet e vitit 2021 në SHBA, krejt natyrshëm të shkon mendja te jeta e vakët, false dhe agjitative e partive politike shqiptare.

Siç jam përpjekur të them edhe në ndonjë shkrim tjetër, korrigjimi i defekteve të jetës politike e sociale fillon te përfshirja e njerëzve në këto organizma si të barabartë, për të zgjedhur përfaqësues që do të ndryshonin kursin e mbrapshtë të politikës, kurs që mban në pasiguri dhe depresion gjithë vendin. Por këto ndryshime, me sa duket janë të vështira, në mos të pamundura; së paku hë për hë.

Akti më i fundit i papërgjegjshmërisë, i arogancës, mospërfilljes ndaj parimeve kryesore të pluralizmit, akt që flet për njëlloj prapambetjeje në politikë e qeverisje, në rregulla e norma dhe në praktikë, ishte ajo që ndodhi përpara disa ditësh në ‘Kongresin’ e PS-së. Në parti dhe institucione, prej vitesh nuk ndihet asnjë zë, asnjë mërmërimë; ka veç britma e mburrje të njëshit, të atij që ka vënë poshtë zyrat kryesore, partinë dhe socialdemokracinë shqiptare. Është fjala për dukuri që duhej të ishin kapërcyer dhe për individë që e kanë rënduar edhe më tablonë që prodhon politikanë ‘të fortë’ dhe oligarkë.

Një prej tyre, është edhe z. Edi Rama; madje ngarkesa e tij vetjake në rrokëpujën e socialdemokracisë e të vendit, sa vjen dhe bëhet më e madhe, më dramatike.

Në vend të një fushate a përpjekjeje për zgjedhje të drejta dhe alternativa të besueshme, qytetarët e Shqipërisë panë në atë Kongres një show dhe dëgjuan se si i ka punët me gruan Kryetari i PS-së dhe Kryeministri i vendit, ç’bën e ç’thotë i biri dhe si duhet folur në lidhje me të vëllanë…

Këto dhe të tjera hollësi të një ‘sage’ familjare, nuk ka pse t’i ketë para syve dhe në ekrane qytetari shqiptar, i ngecur tashmë në hallet dhe dyzimet e veta. Dukuria e ikjes nga problematika e vërtetë e kohës dhe krijimi i telenovelave alla komuniste, me njësha, me duartrokitje të stuhishme dhe me suksese madhështore, është bërë e padurueshme.

(“Forma më e lartë e injorancës, është dëshira për lavdi.” G. Santajana) Në politikën e sotme, për më tepër në një vend si yni, në plan të parë duhet të jetë normaliteti i procedurave, diskutimi mbi temat e nxehta, krijimi i hapësirave për mendimin ndryshe, etj. Dikur kjo sëmundje e mbledhjeve propagandistike duhet kuruar.Të mos bëjmë naivin; fragmente të deformimit të demokracisë, si praktikë politike dhe qeverisëse, gjenden kudo, madje edhe në Amerikën e madhe, ku, bie fjala, në kampin e Republikanëve, gjithashtu ka pak kërkim e zgjedhje dhe, me sa duket, i njëjti protagonist (që nuk la zyrtar të lartë e medie pa telendisur) do të vazhdojë ‘garën’ për një mandat të dytë.

Natyrisht, ne jemi shumë larg z. Trump, për të cilin ishte fjala; në të gjitha dimensionet. Por po përpiqemi të flasim për modele të qëndrueshme, për të krijuar një fokus sadopak serioz në lidhje me përgjegjshmëritë, por edhe për një mënyrë tjetër komunikimi me publikun, me mediet, me partnerët, sepse gjithnjë kemi vuajtur nga madhështia e rreme, diktati, prepotenca dhe mungesa e parimeve.Po bëj një parantezë, në lidhje me qëndrimet dhe sjelljen e dy politikanëve, që në vështrimin tim, kanë treguar profesionalizëm dhe seriozitet: Barak Obama dhe tani Justin Trudeau, përkatësisht i pari ish-Presidenti i SHBA-ve dhe i dyti Kryeministër i Kanadasë.

 

Pavarësisht arritjeve të tyre në tërësi – kjo është një fushë ku ekspertët mbase mund të flasin më tepër dhe në mënyrë më bindëse – ata janë figura më se serioze, në mënyrën se si qasen në pushtet, në mënyrën se si e bëjnë qeverisjen, në mënyrën se si flasin e sillen: me njerëzit e tyre, me kolegët, me vartësit, me mediet dhe zgjedhësit. Ata asnjëherë nuk i rrëmben emfaza dhe emocioni, ca më pak vreri, ironinë dhe satirën i lënë për kohën kur do të shkruajnë kujtime, formati zyrtar kërkon të tjera qasje; por jo çdo burrë (shteti) mund t’i bëjë të vetat. (“I pasur bëhesh, elegant lind.” Balzak)

Unë nuk pres që këtij opinioni t’i bashkohet gjithkush; sepse ka shumë njerëz që duan ‘të fortët’, në mos tiranët. Problemi është që një demokraci e brishtë si kjo e jona, kishte nevojë të ndiqte përvojat më të mira, më të hapura, më të pranueshme; kështu dhe vetëm kështu, çelej ndonjë rrugë që vërtet mund të çonte diku dhe krijohej ndonjë shans për më shumë dhënie llogarie e ndershmëri në një vend që prej tre dekadash është zhytur në krizë e konflikte.

Nga qëndrimi pasiv dhe i nënshtruar i masës së socialistëve, nga hedhja poshtë e një mocioni të disave që mendonin ndryshe, nga batudat dhe skenat me familje dhe me mama e grua e fëmijë, nga ‘vizatimi’ rozë i gjendjes së vendit dhe konfliktualitetit politik, nga ironitë dhe thashethemet për kundërshtarët në vend të përballjes me opsionet e tyre, nga të gjitha këto e të tjera që do ta zgjatnin shumë frazën, kuptohet që jeta këtu është një parodi dhe gjendja do të vijë duke u vështirësuar. (“Në se kështu thotë shoku Napoleon, atëherë kështu duhet të jetë…” Xh. Oruell. “Republika e kafshëve”).

Përgjegjësia për atë që asgjë nuk lëviz, nuk ndryshon e nuk përmirësohet, është e të gjitha forcave politike, e të gjitha institucioneve dhe instancave; por më së shumti e atyre që kanë pushtetin, me të cilin po abuzojnë dukshëm.