Demokracia në Shqipëri shënon rënie, korrupsioni nuk hetohet

891
Sigal

Raporti i Freedom House “Liria në Botë 2020” e vlerson vendin tonë me 67 pikë si vend pjesërisht të lirë duke shënuar regres në proçesin zgjedhor, pluralizmin politik dhe qeverisjen. Koordinatori për Europën Noah Buyon: Pushtetet i ka marë në dorë një parti e vetme politike duke paralizuar legjislacionin, liritë e qytetarëve dhe medias. Jemi të shqetsuar për nisjen e proçedurave të politizuara kundër Presidentit.

Raporti i Freedom House: Demokracia në Shqipëri shënon rënie

Raporti i Freedom House “Liria në Botë 2020” e vlerëson Shqipërinë me 67 pikë si vend pjesërisht të lirë, ndërkohë që vendi shënoi regres me një pikë në kategorinë e të drejtave politike. Raporti i Freedom House për Lirinë në Botë 2020 e ka vlerësuar Shqipërinë me një total prej 67 pikësh nga 100 të mundshme, duke e cilësuar atë si një vend pjesërisht të lirë. Shqipëria shënoi rënie me një pikë krahasuar me raportin e një viti më parë në kategorinë e të drejtave politike, ku vlerësohet procesi zgjedhor, pluralizmi politik dhe pjesëmarrja si dhe funksionimi i qeverisë.

Në këtë kategori, Shqipëria mori 27 pikë nga 100 në total. Përsa i takon kategorisë së lirive civile, ku vlerësohen liria e shprehjes dhe e besimit, të drejtat e pjesëmarrjes dhe organizmit, zbatimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut, Shqipëria u vlerësua me 40 pikë nga 100 të mundshme, duke qëndruar në vendnumëro nga viti i kaluar. Nga vendet e rajonit, vetëm Kroacia ka marrë statusin e vendit të lirë dhe është vlerësuar me 85 pikë. Ndërsa vendet e tjera fqinje të rajonit janë cilësuar si vende pjesërisht të lira nga raporti. Kosova u vlerësua me 56 pikë, Maqedonia e Veriut me 63 pikë, Serbia me 66 pikë dhe Mali i Zi me 62 pikë, Bosnja dhe Hercegovina me 53 pikë nga 100 të mundshme. Raporti vlerësoi me pikët maksimale Finlandën, Norvegjinë dhe Suedinë, duke i cilësuar këto si vendet me lirinë më të madhe në Europë.

“Liria në Botë” është një raport vjetor global mbi të drejtat politike dhe liritë civile, i përbërë nga vlerësime numerike dhe tekste përshkruese për secilin vend dhe një grup të zgjedhur territoresh. Edicioni i vitit 2020 përfshin zhvillimet në 195 vende nga 1 janari 2019 deri më 31 dhjetor 2019. Nga 195 vendet e vlerësuara, 83 prej tyre (43 për qind) u vlerësuan të lirë, 63 prej tyre (32 për qind) ishin pjesërisht të lirë dhe 49 (25 për qind) nuk ishin të lirë. Përqindja e vendeve të lira ka rënë me 3 pikë gjatë dekadës së fundit, duke ngritur shqetësime për rënien e demokracisë në përgjithësi.

Në kategorinë të drejtat politike, ku vlerësohet procesi zgjedhor, pluralizmi politik dhe pjesmarrja, dhe funksionimi i qeverisë, Shqipëria u vlerësua me një pikë më pak se sa viti i kaluar, 27 pikë nga 40 në total

Rreziku, antishpifja dhe proceduarat politike për shkarkimin e Presidentit

Noah Buyon, Koordinatori i kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë

Ne regjistruam një rënie të lehtë në cilësinë e qeverisjes demokratike në Shqipëri në vitin 2019. Kjo i atribuohet në pjesën më të madhe përplasjeve të fuqishme politike që ndodhën gjatë vitit në vend. Opozita doli nga parlamenti, e bojkotoi dhe dorëzoi mandatet. Në këto kushte zgjedhjet lokale u mbajtën nën hijen e këtij zhvillimi në qershor, të cilat opozita i bojkotoi duke sjellë si rezultat fitoren e partisë në pushtet në një numër bashkish dhe komunash në gjithë vendin.

Si rezultat i këtyre prirjeve, efektivisht është vetëm një parti politike që drejton vendin dhe ne jemi të shqetësuar se kjo do të kufizojë aftësinë që legjislacione të debatueshme, si paketa anti-shpifje që të shqyrtohen dhe sfidohen ashtu siç duhet. Pavarësisht nga përkatësia partiake në Shqipëri, është e qartë që vitin e kaluar pati një paralizë politike dhe në fund të fundit kjo nuk u shërben qytetarëve të Shqipërisë. Po ndjekim me shumë kujdes ecurinë e paketës së ligjeve të ashtuajtur anti-shpifje. Po ashtu po presim të shohim se si do të shkojë procedura e nisur për shkarkimin e presidentit. Ka shqetësime që kjo procedurë mund të bëhet në mënyrë të politizuar.

Ne jemi veçanërisht të përqendruar tek masat për të luftuar korrupsionin, të cilat në Shqipëri dhe vende të tjera kanë munguar. Shpesh ato gjyqe që bëhen për raste korrupsioni të profilit të lartë, bëhen për arsye politike dhe jo për të vënë drejtësinë në vend. Korrupsioni si në nivele të larta, edhe të ulëta shpesh nuk hetohet dhe nuk ndiqet penalisht. Krimi i organizuar vazhdon të jetë një sfidë e përhapur, pra nuk po shohim atë nivel përparimi që duam të shohim për këto çështje.