Mateusz Morawiecki: Aktualiteti i historisë së Luftës II Botërore

Mateusz Morawiecki* Kryeministër i Polonisë

Kryeministri aktual i Republikës së Polonisë ka qenë anëtar i ekipit që negocioi kushtet e hyrjes së Polonisë në Bashkimin Europian. Ka studiuar Histori në Universitetin e Vrocllavit; Biznes-Administrim në Universitetin Politeknik të Vrocllavit si dhe në Central Connecticut State University.

NOA

Lufta II Botërore filloi më 1 shtator 1939. Rajhu i Tretë Gjerman, i paprovokuar dhe pa asnjë paranjoftim, nisi pushtimin e Polonisë. Një nga aktet e para të luftës ishte bombardimi i një depoje polake municioni në gadishullin Westerplatte. Zjarri mbi ushtarët polakë u hap nga kryqëzori “Schleswig-Holstein”, i ankoruar pak më herët në Gdanjsk për një vizitë gjoja paqësore.

I sjell në vëmendje këto fakte themelore 83 vjet pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, sepse kjo distancë kohore bën që shoqëritë evropiane të jenë përherë e më pak të vetëdijshme për gjenezën e ngjarjeve që i dhanë formë Evropës moderne.  Sa më pak dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve mbeten mes nesh, aq më e brishtë është kujtesa e kohëve të luftës dhe gjithnjë e më e madhe përgjegjësia mbi supet tona për t’u kujdesur për të vërtetën. Dhe çmimi i kësaj përgjegjësie sot është më i lartë se në çdo kohë tjetër në historinë e pasluftës.

Evropa e paraluftës ra në kurthin e Luftës së Dytë Botërore sepse për vite me radhë nuk mundi të kuptonte dhe vlerësonte siç duhej kërcënimet që mbartnin dy ideologji totalitare. Komunizmi sovjetik dhe nazizmi gjerman ishin fenomene krejtësisht të pakonceptueshme për elitat politike të asaj kohe. Në veçanti nazizmi dhe magjepsja masive e gjermanëve me Hitlerin nuk ishin brenda kufijve të imagjinatës evropiane. Në fund, për vite me radhë Gjermania mbetej model i një kulture tepër të zhvilluar, imune ndaj çmendurisë masive.

Qysh në fillim të sundimit të tij në Gjermani, Hitleri nuk i fshehu ambiciet imperiale. Dhe hap pas hapi ai i realizoi këto ambicie, së pari duke bërë Anschluss të Austrisë, pastaj duke pushtuar Çekosllovakinë. Secili prej këtyre hapave u prit me qëndrimin pasiv të Evropës, e cila ushqente iluzionin se lufta mund të shmangej nëse përmbusheshin orekset gjermane. Çmimi për paqen duhej të ishte robëria e kombeve dhe shteteve që Gjermania e njihte si sferën e vet të ndikimit, Lebensraum-in e saj.

Polonia ishte në këtë sfond e veçantë. Hitleri i tundonte  ndonjëherë polakët me ndonjë ofertë bashkëpunimi në këmbim të statusit të shtetit vasal, por asnjë nga këto propozime nuk u pranua. Andaj vendimi i Gjermanisë duhej të ishte vetëm një – pushtimi. Në të njëjtën kohë Hitleri kishte dy shqetësime. I pari kishte të bënte me reagimin e Perëndimit ndaj sulmit ndaj aleatit polak. I dyti ishte reagimi i Bashkimit Sovjetik, që zyrtarisht ishte armiqësor ndaj Rajhut të Tretë.

Dy totalitarizmat, pavarësisht nga dallimet e shumta, u bashkuan nga dëshira për të shkatërruar shtetin polak. Më 23 gusht 1939, Rajhu i Tretë dhe BRSS nënshkruan një pakt të mos-agresionit dhe në një protokoll shtesë sekret ranë dakord mbi ndarjen e territoreve të Polonisë, Lituanisë, Letonisë, Estonisë, Finlandës dhe Rumanisë. Pakti Molotov-Ribbentrop vulosi fatin e Evropës Qendrore dhe Lindore. Më 1 shtator Gjermania sulmoi Poloninë, më 17 shtator Ushtria e Kuqe sulmoi nga krahu tjetër. Polonia u bë viktima e parë e përgjakshme e luftës, teksa Hitleri dhe Stalini përjetuan ndjesinë e një fitoreje të dyfishtë. Ata jo vetëm që përdorën supremacinë e madhe ushtarake për triumf të menjëhershëm, por gjithashtu nuk hasën në asnjë reagim konkret nga vendet perëndimore.

Evropa bashkëkohore është ndërtuar mbi kujtesën e fitores mbi nazizmin dhe në të njëjtën kohë mohimin e turpshëm të së vërtetës mbi pasivitetin në fazën e parë të luftës. Kur Polonia po gjakosej, duke u përballur e para me regjimin kriminal, në Paris apo edhe në Londër, shumë besonin ende se Hitleri do të ndalej në Varshavë. S’kaloi shumë dhe e kuptuan sa të gabuar ishin.

Evropa bashkëkohore është ndërtuar mbi kujtesën e fitores mbi nazizmin dhe në të njëjtën kohë mohimin e turpshëm të së vërtetës mbi pasivitetin në fazën e parë të luftës. Kur Polonia po gjakosej, duke qenë e para që përballej me një regjim kriminal, në Paris ose edhe në Londër shumë besonin ende se Hitleri do të ndalej në Varshavë. S’kaloi shumë dhe e kuptuan sa të gabuar ishin.

Ajo që ndodhi me Poloninë dhe ajo që ndodhi në tokat e saj gjatë pushtimit gjerman është një histori e perversionit total. Në tokën polake gjermanët kryen krimet më mizore. Në tokën polake Gjermania ndërtoi pjesën më të madhe të infrastrukturës që u përdor për një nga krimet më të përbindshme në histori – Holokaustit. Në shumë vende perëndimore, pushtimi ishte një përvojë e dhimbshme, por gjithsesi e përballueshme. Ndërkohë, në Poloni, miliona polakë dhe hebrenj luftonin për të mbijetuar çdo ditë dhe trajtoheshin si qenie nënnjerëzore. Populli hebre u dënua qysh në fillim me asgjësim nga populli i «zotërinjve». Kombi polak u klasifikua si një komb skllevërish, pjesa dërrmuese e të cilit gjithashtu duhej vrarë.

Ndërgjegjësimi se Gjermania e kishte kthyer Poloninë në ferr mbi tokë, në Perëndim vinte jashtëzakonisht ngadalë. Simbolike në këtë kontekst është historia e Jan Karskit, i cili ishte një nga të parët që raportoi në Shtetet e Bashkuara mbi krimet gjermane – shfarosjen e hebrenjve. Madje edhe atëherë, ndonëse lufta vazhdonte prej muajsh, Perëndimi nuk ishte gatshëm të pranonte të vërtetën e plotë.

Aftësia për t’u përballuar me të vërtetën për Luftën e Dytë Botërore është detyra jonë jo vetëm ndaj së kaluarës, por edhe detyrimi ynë ndaj të ardhmes. Fakti që Gjermania e pasluftës u inkorporua kaq shpejt në komunitetin ndërkombëtar pa nevojën e një llogaridhënieje të plotë të krimeve të luftës, la të hapur një shteg për relativizimin e së keqes. Në politikë rrallë ka vend për moralizim, por kur vjen puna te vlerësimi i totalitarizmit, nuk mund të kemi asnjë dyshim – ishte një e keqe absolute, dhe keqbërësit e përjashtuan veten një herë e përgjithmonë nga bashkësia njerëzore. Ndërkohë, gjithnjë e më shpesh dëgjojmë e lexojmë për bashkëfajësinë e viktimave. Me këto jemi veç një hap larg për të përmbysur plotësisht historinë dhe për ta kthyer atë kokëposhtë. Këtë hap ndaj Polonisë nuk e ndërmori askush tjetër veç Vladimir Putini. Propaganda ruse është përpjekur të bindë botën për vite me radhë se Polonia është përgjegjëse për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Kjo gënjeshtër sa e pacipë, aq edhe absurde, përbën një nga një nga veçoritë bazë të propagandës totalitare.

Krahasimet historike çalojnë, megjithatë sot është e vështirë t’u ikësh. Nëse do të rishkruanim zanafillën e Luftës II Botërore në kushtet e sotme, pikë kulmore do të ishte agresioni rus ndaj Ukrainës. Fakti, që ai ndodhi do të thotë që shumë shtete kanë harruar mësimin që vjen nga shekulli XX. Ne gjendemi përballë një perandorie të rilindur me prirje totalitare. 83 vjet më parë Polonia ishte e para që e refuzoi nënshtrimin.  Zgjodhi besnikërinë ndaj lirisë, besnikërinë ndaj vlerave që qëndrojnë në themel të qytetërimit europian. E megjithatë u tradhtua nga aleatët e vet. E që i kthehemi kësaj historie nuk e bëjmë thjesht për ta përmendur, por vetëm që të mos përsëriten po ato gabime që u bënë atëkohë.

 

Teksti botohet njëkohësisht edhe në të përmuajshmen polake ”Wszystko co Najważniejsze” si pjesë e projektit historik me Institutin e Kujtesës Kombëtare dhe Fondacionin Kombëtar Polak.