Don Agaçi i qeverisë ka për Atdhe, vetëm tenderat dhe paranë

175

Gati projektligji që Don Engjëll Agaçi do t’i paraqesë formalisht brenda javës së parë të shtatorit, Këshillit të Ministrave për miratim sipas së cilit do të hiqet tavani i vlerës së kontratave të tenderëve duke ligjëruar shtesat fiktive të fondeve deri sa të përfundoi objekti i prokurimit. Në 5 vitet e fundit, janë bërë mbi 208 milionë Euro shtesa kontratash pa ligj nga “ustallarët” e qeverisë për llogari të  oligarkëve të tyre. Ortakëria e klaneve politike të kupolës qeveritare me klasën e biznesmenëve, po fusin në veprim një marifet të ri për të vjedhur hapur tenderat, privatizimet, PPP, investimet strategjike etj. Ja projektet që kanë përfituar lukunia e grabitqarëve.

Sigal

 

“Në 5 vitet e fundit, janë bërë 208 milionë Euro shtesë kontratash pa ligj/ Babloku dhe “ustallarët” e tij, që janë përfitues tenderash, privatizimesh, koncesionesh dhe të lidhur në ortakëri me krerët e klaneve politike e kupolës qeveritare, po fusin në veprim një marifet të ri për të vjedhur hapur.”

Denoncimet tronditëse të shoqëruara me fakte konkrete tregojnë se me urdhër të kryeministrit, me firmën e ministres Balluku dhe e zbatuar prej Drejtorit të Rrugëve, Ervis Berberi, firmës “Gjoka Konstruksion”  i janë dhënë 52 milionë Euro shtesë fondi në rrugën Kardhiq-Delvinë. Para 2 vitesh, ministrja Balluku i dha firmës “Gjoka Konstruksion”, 25 milionë Euro shtesë kontrate, për gjoja “punime të paparashikuara” në tunelin e Murrizit te Rruga e Arbrit, ndërsa para 1 muaji, me të njëjtin mashtrim i miratoi dhe 12 milionë Euro shtesë po për këtë tunel. Referuar ligjit “Për prokurimet publike”, këto lloj shtesa fondesh, që bëhen pasi tenderët kanë përfunduar e ka nisur zbatimi i projekteve apo shërbimeve, quhen të paligjshme e klasifikohen vepër penale me objekt: “Mashtrim e falsifikim për vjedhje”. Troç, janë skema vjedhjesh që organizohen prej drejtuesve shtetërorë, në bashkëpunim me biznesmenët përfitues tenderësh e koncensionesh, ku privati harton preventivë shtesash fiktive, ndërsa qeveritarët i miratojnë po me raporte ri-vlerësimi false. Për ta bërë të ligjshme këtë vjedhje fondesh, kryeministri Rama i ka kërkuar Ministres së Financave, Delina Ibrahimaj, të paraqesë propozimin e një projekt- akti, për ndryshim në Ligjin nr. 162/2020, te neni 127 me objekt: “Modifikimi i kontratave gjatë afatit të zbatimit të tyre”. Kjo shtesë ligjore e përcaktuar “Pika a/1 e nenit 127”, u jep të drejtën autoriteteve kontraktore shtetërore, të lënë të hapur kufirin tavan të vlerës së kontratës, dhe pasi tenderi të jetë përfunduar e të ketë nisur zbatimi i kontratës. Më qartë, po bëhet ligj ky marifet: Pasi tenderi të mbyllet, kryeministri, ministri, prefekti, drejtori e kryebashkiaku, ka të drejtë të bëjë shtesë fondi, duke hartuar një raport të përbashkët ri-vlerësimi kostoje me firmat private, pa pasur kufi për vlerat shtesë në kontrata. Deri tani, ligji parashikon shtesë kontrate, por vetëm si kohë jo më shumë se 2 muaj, në rastet kur kontrata përfundon, por për shkaqe objektive vonohet ose bllokohet tenderi pasardhës. Ndërsa shtesat financiare, si 77 milionë Euro që Rama e Balluku i kanë bërë firmës “Gjoka Konstruksion”, pa ligj e pa komision të posaçëm për situata të paparashikuara, janë indicie se bëhet fjalë për vjedhje. Këtë skemë vjedhjesh, Rama ka vendosur të bëjë me ligj, duke hapur rrugën që në çdo kontratë tenderi, të shtohet vlerë financiare, aq sa do bien dakord në pazar drejtuesit shtetërorë e privatët. Ministresha e Financave që i është çuar gati projekt- shtesa ligjore, do ta paraqesë propozimin formalisht brenda javës së parë të shtatorit, te Don Engjëll Agaçi i Këshillit të Ministrave e kur do t’ia kalojë Bablokut për miratim. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, rezulton se vetëm në 5 vitet e fundit, janë bërë 208 milionë Euro shtesë kontratash pa ligj; ku rekord janë tenderët dhe koncesionet e rrugëve, shëndetësisë, bujqësisë, ri-ndërtimit, arsimit, shërbimit të transportit rrugor dhe bashkitë Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan e Korçë./Pamflet/

“Gati projekt- shtesa ligjore, do ta paraqesë propozimin formalisht brenda javës së parë të shtatorit, te Don Engjëll Agaçi i Këshillit të Ministrave e kur do t’ia kalojë Bablokut për miratim. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, rezulton se vetëm në 5 vitet e fundit, janë bërë 187 milionë Euro shtesë kontratash pa ligj…”

Marrëveshje për financimin shtesë për rrugën Qukës-Qafë Plloçë me 49 mln USD

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe drejtori Ekzekutiv i Fondit Saudit të Zhvillimit, Abdulrahman Al-Marshad, nënshkruan, në Tiranë në 8 gusht 2022, marrëveshjen për financimin e shtesës së huasë, për projektin e ndërtimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë. Ky financim kap vlerën 49 milionë dollarë, ndërsa më herët janë dhënë edhe 25 milionë dollarë për ndërtimin e rrugës Qukës-Qafë Plloçë.

Kardhiq-Delvinë, kostot dalin jashtë kontrollit, 29% e fondeve për shtesa punimesh ose 15 mln USD deri gusht 2022

Punimet në rrugën Kardhiq – Delvinë, që kanë nisur që në vitin 2007, rreth 14 vite më parë, ende janë larg përfundimit, kurse kostot e punimeve po dalin jashtë kontrollit pasi financimet e buxhetit të shtetit po shkojnë për shtesa të punimeve. Qeveria njoftoi si afat për përfundimin total të punimeve në rrugë datën 7 gusht të vitit 2022, por në buxhetin afatmesëm ky aks do të financohet deri në vitin 2024. Kostot e rrugës u rriten pasi qeveria vendosi vitin e kaluar për të rishikuar projektin në të gjithë gjatësinë e tij, për ta pajisur me sinjalistikë të gjitha lotët në gjatësinë prej 32 kilometër, funksion që normalisht e kryejnë kompanitë që realizojnë punimet.

Autostrada Tiranë-Elbasan gllabëroi 119 milion Euro

Autostrada Tiranë-Elbasan, për rrëshkitjen para tunelit dhe pas tunelit i shkaktoi shqiptarëve edhe 104 mln euro punime shtesa dhe gjoba në arbitrazh. Rreth 60 mln euro kushtuan punimet shtesë në Krrabë dhe 15 mln euro mbrojtëse betoni në dalje të tunelit në drejtim të Elbasanit. Këto punime duhej t’i riparonte firma greke Aktor, fituese e projektit. Por firma greke u përzu, dhe qeveria miratoi fonde shtesë pa projek rreth 75 mln euro në total. Ndërkohë që 44 mln euro firma greke i fitoi në arbitrazh, pasi u përzu dhe shuma arrin në 119 milion euro, punime shtesa ,por edhe para të fituara pa punuar.

U munduam të përmendim vetëm këto pak raste pa përmendur edhe mbikalimet dhe unazat e Fierit, të Vlorës, Tiranës Beratit etj. Nuk po përmendim punimet shtesë pas shesheve të përmbytura të projekteve të Rilindjes Urbane, e cila gllabëroi mbi 400 milion euro para fushatës së 2017 nga qeveria Rama. Dhe pikërisht për t’i shpëtuar hetimeve, pasi firmat duhet të kenë projekte të sakta, dhe fituesi duhet ta realizojë projektin sipas ofertës që ka plotësuar kur ka konkuruar. Por këto shtesa i lënë hapësirë firmave dhe entit prokurues që është ministria e linjës bashkë me Autoritetin Rrugor, që ta fitojnë me një çmim dysheme dhe pastaj të shtojnë fonde pafundësisht deri sa të mbushen jo më thasët por dyshekët e “Rilindjes”. Me pak fjalë ky është legalizim që i bëhet me ligj pazareve qeveri-oligarki.