Leonard Olli: Mos u gënjeni, Rama nuk ka ndryshuar!

682
Është i detyruar të shfaqet në rolin e klounit pasi beson se me batutat e tij mund të zbusë sadopak hidhërimin dhe shkatërrimin qe i ka “dhuruar” shqiptareve ne çdo aspekt.

Fushata që tashmë ka marrë rrugë edhe ligjërisht, duhet nënvizuar se për Ramën dhe rilindësit kishte kohë që kishte filluar, edhe pse në kundërshtim flagrant më Kodin Zgjedhor. Por ky fakt nuk përbën asnjë shqetësim për krye timonierin, pasi kur guxon të shkelë haptas Kushtetutën, për ligjet e tjera nuk do të dijë. Rama me të njëjtën strategji me vitin 2013, por këtë herë pa dajre e klarineta, ashtu si në zgjedhjet vendore 2015, vijon të bëjë fushatë në rolin e gaztorit. Dukshëm konstaton mungesën e seriozitetit dhe respektit për militantët e tij apo sytë e publikut si nga gjuha e përdorur ashtu edhe veshja. Nga tregimet gaztore, rrëfyer në dialekt apo edhe batutat bajate. Sigurisht që e di shumë mirë se pse ndjek këtë strategji, e di shumë mirë se nuk ka asnjë bilanc për të prezantuar, asnjë premtim të mbajtur nga dita kur mori në dorë qeverinë e deri më sot. Duke sfiduar hapur edhe parimet më elementare të estetikës, vijon të besojë vetëm te forma ose fasada me zero përmbajtje. Është i detyruar të shfaqet në rolin e klounit pasi beson se me batutat e tij mund të zbusë sadopak hidhërimin dhe shkatërrimin qe i ka “dhuruar” shqiptareve ne çdo aspekt. Mos u gënjeni, pas kësaj shfaqje të shëmtuar gaztori, fshihet po i njëjti politikan, cinik, arrogant, i zhveshur nga çdo element njerëzor, pjellë dhe bartës i korrupsionit më të shëmtuar në këto 27 vite post komunizëm. E për fat të keq jo vetëm ai, por edhe i gjithë ekipi që e ndjek nga pas. Është po i njëjti drejtues partie që mbushi Kuvendin me kriminelë të certifikuar. Ata që u nxorën me shumë sforco nga dera e parlamentit, sot janë pjesë integrale e fushatës së PS-së në çdo qark, si drejtues politikë. Është po i njëjti kryeministër që në emër të ligjit futi në burg rreth 40 mijë bashkëqytetarë të tij, vetëm e vetëm për të krijuar terrorin social, po i njëjti individ që kriminalizoi deri në palcë kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, duke çuar nivelin e rendit dhe sigurisë publike në parametrat më të ulët historikë, po i njëjti politikan që u bë palë me krimin dhe me hashashizimin e gjithë territorit jo vetëm ka vënë në rrezik sigurinë kombëtare, por ka rrënuar krejtësisht ekonominë. Rama do të hyjë në histori si politikani që në shpërdorim të plotë të detyrës shkatërroi në thelb bizneset me taksat stratosferike, gjobat abuzive e terrorin fiskal dhe instaloi diktaturën e urisë, si mjeti i fundit për të mbajtur të nënshtruar shqiptarët. Rezultat i kësaj neo-diktature, një amalagam i diktuarës musoliniane e komuniste, është edhe eksodi i azilantëve shqiptarë, numri i të cilëve në këto 4 vite arriti në rreth 200 mijë, duke rrezikuar maksimalisht pezullimin e lëvizjes së lirë. Nëse do sjellim në vëmendje premtimet e rilindjes kupton se Rama i ka humbur kuptimin fjalës mashtrim. Në vend të 300 mijë vendeve të punës, sot kemi 200 mijë azilantë që enden rrugëve të Evropës dhe 200 mijë të tjerë që presin duke iu lutur Perëndisë të fitojnë lotarinë amerikane. Por më e tmerrshmja është se edhe pas këtij gjenocidi, papunësia sipas shifrave zyrtare është rritur me mbi 7 për qind krahasuar me katër vite më parë. Çmimi i karburanteve është më i shtrenjtë se në çdo vend të Evropës, ndërsa premtimin për naftën pa akcizë për fermerët e peshkatarët e mbajnë në ajër avionët e drogës. Çmimi i rritur i energjisë ka kaluar në kolaps çdo familje, ndërkohë që terrori i ushtruar shkaktoi me dhjetëra viktima të pafajshme. Përralla për shëndetësinë falas prodhoi vetëm mega-afera korruptive koncesionesh. E ndërsa fatkeqët burgoseshin për një meremetim çatie apo dritareje, mafia e betonit vijon edhe sot skandalet, me qershizën mbi tortë, kullën me stadium. Administrata publike, mbushur me militantë rilindës dhe persona me rekorde kriminale sot është në nivelin më të ulët të performancës, por me më të lartin në korrupsion dhe grabitje të shqiptarëve. Do të duheshin net dimri për të rrëfyer të gjitha paudhësitë e Ramës dhe bandës së tij, por kam bindjen se shqiptarët dinë gjithçka. Andaj mos u gënjeni nga gëzofi gaztorit dhe hokatarit që Rama vesh në çdo dalje publike, pasi pas tij fshihet çakalli që kërkon të shqyejë atë çfarë ka mbetur, nëse tragjikisht merr një mandat të dytë. Urtësia e shqiptarit, e shprehur në thënie proverbiale e përcakton më së qarti rrezikun Rama: Ujku qimen ndërron, por zakonin nuk e harron!

Shkruar për Citynews.al
Sigal