Lashtësia e gjuhës shqipe dhe smira shoviniste maqedonase

1368
Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C
Më 22 mars të këtij viti gazeta e famshme “The New York Times” botoi një shkrim-ese me titullin: Family Tree of Languages, Albanian One of the Oldest. Në frazën e parë, në fjalinë e parë, shkruhej: Albanian Language is among 3 oldest languages! What a great discovery! Albania is ancient.” Këto tri gjuhë të moçme janë: Armenishtja, greqishtja dhe shqipja. Nuk është hera e parë që në këtë gazetë prestigjioze botohet një zbulim i tillë. Edhe para disa viteve u botua në këtë gazetë një studim i Akademisë së Shkencave të Suedisë që përmendte gjuhën shqipe si ndër më të lashtat dhe e vetmja origjinale. Ne, shqiptarët, duhet ta vlerësojmë këtë fakt, pohimin publik për lashtësinë e shqipes, sepse ka edhe botime të mirëfillta shkencore që shqipja është hequr nga harta e gjuhëve të botës (shih: Eqrem Çabej – Hyrja në Indoeuropianistikë, 2008, përgatitur nga Brikena Çabej, Ledi Shamku Shkreli.) Albanologët e shquar shqiptarë, si gjuhëtari i madh Eqrem Çabej dhe albanologë të huaj, kanë theksuar lashtësinë e gjuhës shqipe dhe origjinalitetin e saj. Një plejadë e madhe studiuesish të huaj, duke filluar nga shek. XVII dhe gjer në ditët tona, i janë kushtuar studimit të gjuhës shqipe, aspekteve më të ndryshme të saj. Po përmendim disa syresh si: G. W. Lejbnic, Hans Tunman, Johan G. Herder, Hahn, që njihet si pionieri i studimeve shqiptare (Hahn është një gjeni, thoshte N. Jokli), për të vazhduar me Franc Bopin, Jakob Falmerajerin, Gustav Mayerin, që Çabej e cilësonte si “themeluesin e vërtetë të studimit të gjuhës shqipe etj., etj.

Një analizë më të gjerë të prurjeve të albanologëve shqiptarë dhe të huaj për gjuhën shqipe do ta gjeni në librin e profesor Xheladin Gosturanit “Historia e Albanologjisë”, Tiranë, 1999, me 304 faqe. Poeti i madh i Rilindjes shqiptare, Naim Frashëri, e ka shpallur krenarinë për bukurinë dhe lashtësinë e shqipes në vargjet:
Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjall’ ka qenë.
Pellazg’ u thoshin më parë,
Më së fundi shqiptarë.
Gjuh’ që flisnin Perënditë,
Atë flisnin pallazgjitë,
Atë kanë shqiptarët.”
(Naim Frashëri: Vepra letrare, 1999, f. 123)

Pavarësisht nga metafora poetike në këtë vjershë, mund të thuhet se gjuha shqipe, si ndër më të lashtat në gjirin e gjuhëve indoevropiane, është një gjuhë komunikuese qytetëruese me vlera të shumta linguistike e artistike, me aftësi të pamasa shprehëse dhe ligjëruese. Gjuha shqipe, si tipari kryesor i kombit shqiptar, ka një histori zhvillimi dhe përparimi plot sfida të ndryshme. E lindur në agimin e njerëzimit ajo ka qenë e përndjekur dhe e ndaluar. Rilindësit tanë vizionarë e kuptuan se boshti kryesor i zgjimit dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare do të ishte gjuha shqipe. Më 1879 u krijua Alfabeti shqip ose Alfabeti shqip i Stambollit i cili, siç e quajti Asdreni, “ishte një agim për shqiptarët”. Ky proces, d.m.th. miratimi i një alfabeti gjithë-shqiptar u bë në Kongresin e Manastirit më 1908, ndërtesa muzeale e të cilit, para disa ditësh, u sulmua egërsisht nga ekstremistët maqedonas, që tërbohen nga madhështia dhe fisnikëria e gjuhës shqipe.

Rilindësit e mëdhenj kuptuan nevojën historike se gjuha shqipe, shkollimi i shqiptarëve në gjuhën amtare, do t’i ndërgjegjësonte në luftën me armë kundër sundimit turk osman. Nuk është rastësi që ndër viktimat e para të shqiptarëve në luftën e tyre për liri dhe pavarësi u bënë mësuesit patriotë si Dhaskal Todri, Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi etj. Shqiptarët janë ndër popujt më të lashtë të rruzullit tokësor. Zbulimet arkeologjike, dokumentet historike, dëshmitë e historianëve klasikë, të historiografëve të periudhave të ndryshme historike, mbi të gjitha vetë gjuha shqipe, provojnë katërcipërisht lashtësinë e shqiptarëve. Dijetarët e shquar, që i përmendëm edhe më lart, thonë se shqiptarët janë një popull autokton, një popull i moçëm, pasardhës i banorëve më të parë të gadishullit ballkanik, një ndër popujt më të lashtë të Evropës dhe të botës. Ata thonë se shqiptarët rrjedhin nga pellazgët e dikurshëm. Përfaqësuesi i kësaj teze është albanologu gjerman Georg Von Hahn: “Të gjithë dijetarët e sotëm bashkohen me mendimin se shqiptarët janë stërnipër të ilirëve të moçëm dhe se gjuha e tyre është faza më e re e ilirishtes së vjetër” , shkruan Eugen Oberhummer, profesor i gjeografisë historike në Universitetin e Vjenës.

Kaosi politik në Maqedoni dhe grindjet e stërzgjatura ndërpartiake, mungesa e stabilitetit politik e shoqëror, janë shprehje e krizës së shoqërisë maqedonase dhe pasojë e ndërhyrjeve nga faktorë të jashtëm e në radhë të parë të faktorit rus. Përpjekjet dhe manovrat djallëzore që bëjnë forcat antidemokratike të Maqedonisë për të fajësuar të ashtuquajturën “platformë shqiptare”, “platformën e Tiranës”, e cila ka në thelbin e saj kërkesën për gjuhën shqipe si e drejtë kushtetuese dhe historike, janë tërësisht të pavërteta dhe shpifëse… Shqiptarët janë element shtet-formues dhe jo “minoritet etnik” që do të lejohej përdorimi i gjuhës shqipe vetëm në zonat e banuara nga shqiptarët. Qëndrimi antishqiptar i këtyre qarqeve shoviniste maqedonase është në vazhdim edhe të qëndrimeve të tjera, si qëndrimet në të ashtuquajtur Enciklopedi të Maqedonisë, ku përdhosen figura të mëdha të kombit shqiptar, Heroi kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Nënë Tereza etj.

Ky qëndrim antishqiptar nuk është një dukuri rastësore. Sajesa e kësaj dukurie është një prodhim i mitologjisë antishqiptare sllave. Gjuha shqipe dhe kombi i lashtë e autokton ilir-arbëresh-shqiptar, që e flet atë nga fillesat e njerëzimit, siç pohoi edhe një herë eseja e botuar në gazetën “The New York Times”, ka krijuar një kulturë, art e letërsi të bukur dhe me mesazhe miqësore dhe paqësore.

“Gjuha shqipe – ka shkruar gjuhëtari i madh Eqrem Çabej, është tabani i tabanëve të kombit”, prandaj edhe shqiptarët në Maqedoni janë aq të përkushtuar, të vendosur dhe të palëkundur për kërkesën e tyre kushtetuese, për gjuhën shqipe, që Rilindësi madh, poeti Naim Frashëri, e quante gjuhën shqipe si “Gjuhë e mirë, e ëmbël… e bukur e plot vlerë.”
Sigal