Hyqmet Zane: Genocidet si ditë harrese për qeverinë dhe Shoqatën Çamëria!

Më e pakta që do të duhej të bëhej do të ishte një nderim në Parlamentin Shqiptar të viktimave të genocidit si të thuash një përkujdesje për jetët e njerëzve që kanë ikur padrejtësisht dhe të pafajshëm vetëm e vetëm se urrejtja nacionaliste e serbëve dhe grekëve ka qenë patologjike. Aq më keq kjo për formacionin e quajtur “Shoqata Çamëria”, erdhi dhe iku dita e krijimit të Shoqatës Patriotike Çamëria dhe askush nuk u kujtua të thoshte një fjalë

/Telegraf.al/ OKB apo organizata të tjera ndërkombëtare me kohë kanë vendosur apo caktuar ditë të veçanta për të kujtuar apo përkujtuar ngjarje dhe data të shënuara, siç është edhe “Dita e Genocidit” më 9 dhjetor apo ditë të tjera me shenjë për të drejtat e njeriut, etj. Është normale që të përkujtohen ditë të tilla që janë vendosur me konsensus në organizmin më të lartë botëror. Bëhen edhe aktivitete në respekt të viktimave nga genocidet kudo ku ato kanë ndodhur. Por e vetmja që nuk i kujton ato është Shqipëria ose më saktë strukturat e shtetit shqiptar. Me dashje apo pa dashje kjo ndodh tek ne.

NOA

Dikush do të pyes se cilin genocid duhet të kujtojë Shqipëria? Po, e drejtë ! Në shekullin e 20-të ndaj kombit shqiptar ndodhën dy genocide tipike si krime kundër njerëzimit : genocidi grek mbi Çamërinë dhe genocidi serb mbi Kosovën. Janë dy genocide që ngjajnë si dy pika uji në modelin që janë kryer, janë genocide me pasoja që për fatin e keq ndëshkimi i autorëve të tyre nuk është bërë a thua se ka pasur apo nuk ka pasur genocid.

Më e pakta që do të duhej të bëhej do të ishte një nderim në Parlamentin Shqiptar të viktimave të genocidit si të thuash një përkujdesje për jetët e njerëzve që kanë ikur padrejtësisht dhe të pafajshëm vetëm e vetëm se urrejtja nacionaliste e serbëve dhe grekëve ka qenë patologjike.

Nëse hebrejtë i lëvizën të gjithë gurët për të denoncuar dhe dënuar genocidin nazist ndaj tyre dhe ia arritën, duhet të jenë ata që quhen deputetë me origjinë të trashëguar çame që ta bëjnë këtë gjë në Parlamentin Shqiptar. “Me këtë rast deputetët çamë dhe të tjerë deputetë shqiptarë në Kuvendin e Shqipërisë, – shprehet Ahmet Mehmeti, ekspert i të drejtës ndërkombëtare, – të kërkojnë një interpelancë nga Kryeministri Edi Rama për ta ndihmuar Atë në vlerësimin e datave historike me shenjë të miraturara edhe nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë siç është 27 qershori “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Të kërkosh zgjidhjen e problemit të Çamërisë me mjete demokratike sipas gjithë konventave të luftës kundër Genocidit dhe të drejtave të njeriut që shteti grek megjithëse është palë, i ka shkelur dhe vazhdon t’i dhunojë me brutalitet dhe arrogancë politike”.

Lind pyetja do apo nuk do t’i përkujtojë shteti shqiptar dhe qeverisja këto data përkujtimore me shenjë siç është për shembull “Dita e Genocidit”? Ky është një problem i madh që nuk ka as vëmendjen më të vogël. Janë të vërteta të mëdha, që rrinë të fshehura në sirtaret e një zyrtari burokrat, që i dhjamosur nga trutë, nga pasuritë që përfiton, as nuk i shkon në mendje një gjë e tillë. Këto të vërteta historike duhet të dalin në dritë dhe të bëhen pjesë e kujtesës së një kombi që për çudi kujton me shumë precizion ditët e ngjarjeve të luftës antifashiste kur populli luftoi për Shqipërinë e lirë dhe demokratike dhe “korri” Shqipërinë e izolur dhe diktatoriale të genocidit komunist që nuk thuhet asnjëherë.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë Joschka Ficher më 1999 kur ndodhi genocidi serb mbi Kosovën ka thënë: “Ne nuk guxojmë të lejojmë të ndodhë genocidi ndaj një populli në Europë, kur ky popull ka pasur civilizim para 3.000 vjetëve, kur ne atëherë kemi jetuar nëpër drunj e pemë”. Kjo vlen për të gjithë kombin shqiptar, por që nuk po e di dhe nuk do që ta dijë ai njeri apo grup individësh që kanë përfaqësim në strukturat e larta të shtetit, që me qëllim të caktuar i kanë kthyer krahët të vërtetave dhe i mbajnë të fshehura ato, edhe pse e dinë që të vërtetat duhen thënë në kohë dhe në hapësirë.

Aq më keq kjo për formacionin e quajtur “Shoqata Çamëria” që ka një sabotim të qëllimshëm në funksionimin e saj, sepse për fatin e keq është vendosur një njeri në krye të saj që e mbajnë peng për funksionet e larta të Shoqatës Çamëria. Erdhi dhe iku dita e krijimit të Shoqatës Patriotike Çamëria dhe askush nuk u kujtua të thoshte një fjalë se janë 33 vjet që u krijua ajo dhe që ka një statut dhe një program, që nuk po respektohen fare, ndoshta edhe nuk njihet fare.

Komandimet e njëpasnjëshme të kryetarëve të Shoqatës Çamëria dhe mosmbledhja e mosrespektimi i Këshillit Kombëtar dhe mosbërja e zgjedhjeve sipas statutit, janë treguesi i ndërhyrjeve nga individë që flasin në emër të PDIU dhe kanë harruar se çfarë janë. Uzurpimi i punëve të Shoqatës Çamëria nga kryertari i PDIU ka bërë një dëm të madh në ftohjen dhe fashitjen e kërkesave të çamëve në kauzën e tyre. Për këtë kauzë u krijua formacioni “Shoqata Patriotike Çamëria” për të ngritur zërin në fushën kombëtare dhe në rang ndërkombëtar për genocidin grek ndaj Çamërisë dhe për të fituar të drejtat e tyre legjitime të mohuara dhe sunduara nga shteti grek dhe të harruara nga shteti diktatorial, që i depersonalizoi dhe i vrau çamët.

Pikërtisht ky realitet, kur nuk ka kujtesë historike, kur nuk ka kërkesë për interpelancë me kryeministrin se ku ka përfunduar Rezoluta për Çamërinë, që është miratuar në parlament? Nuk mund të kërkohet një interpelancë për të kërkuar se ku janë bisedimet në funksion të traktatit të miqësisë mes dy vendeve? Si nuk merret asnjëherë mendimi i Shoqatës Çamëria si organizatë e miratuar nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë dhe që shteti shqiptar ka detyrim për informimin. Për punët e tyre, për Belerin e Himarën kanë fyt grekët të kërkojnë të drejtat e tyre, t’u ngrihet edhe bust për Micotaqisin në Dropull, kurse për çamët nuk ka as hyrje në Çamëri po që se diktohet se është çam! Ku janë të drejtat bilaterale që duhen të kenë reciprocitet? Këto e të tjera janë kërkesa që deputetët çamë duhet t’i kërkonin në sallën e Kuvendit.

Vitet po ikin dhe jemi në të 80-in që nga ajo ditë kur grekët me bandat e tyre kryen masakrat mbi popullatën e pafajshme të Çamërisë dhe sot pas kaq vitesh kemi rënë në heshtje totale, ka vetëm tre deputetë në grupin parlamentar të PS dhe 4 deputetë tek PDIU. Pa diskutuar se cilët janë ata, dua të them se këta çamë as janë takuar ndonjëherë të pijnë një kafe si çamër, për të mos thënë që e urrejnë njeri-tjetrin, edhe pse janë futur në Parlament edhe me votat e çamëve që jo që nuk ia kanë parë hajrin, por nuk po shohin që ata deputetë më origjinë të trashëguar nga Çamëria të bëhen altopolantë të të drejtave çame dhe t’i kërkojnë kryeministrit interpelancë për të drejtat e parespektuara nga Greqia dhe për të thënë se çështja çame është një realitet dhe ndaj saj ka tendenca për të injoruar dhe heshtur.

Përse krenohen se janë çamë ata deputet, si nuk u skuqet faqja kur një qeveritar grek vjen në Shqipëri dhe akuzon çamët kot më kot dhe nuk ka gazetarë dhe media që ta trajtojnë problemin. Heshtja për Çamërinë është kthyer në një tradhëti nga kushdo që e bën.

Ditët e shënuara me fokus ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe dënimin e genocideve nuk janë akses vetëm i çamëve, por i gjithë kombit se ky komb ka provuar genocidet dhe shkaktarët e tyre nuk janë dënuar ende. Kur vjen puna për një post në institucione, apo ndonjë privilegj personal nga këta çamë me mandate deputeti, realizohet a thua se Shoqata Çamëria u kthye si një zyrë punësimi dhe jo që u formua për të dënuar genocidin dhe ngritjen e zërit brenda dhe jashtë vendit në institucione ndërkombëtare për të realizuar detyrimin ndaj popullatës çame që sot po e mban genocidin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut mbi kurriz.