Çlirim HOXHA/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara financon rikonstruksionin e Bibliotekës së Vlorës

566
Sigal

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës po financon një projekt për rehabilitimin e katit të parë të Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” në qytetin e Vlorës. Punimet për rikonstruksionin e këtyre mjediseve pothuajse kanë përfunduar dhe tani pritet mobilimi i tyre. Vlera e këtij financimi shkon në shifra të konsiderueshme. Financimi i këtij projekti konsiston në krijimin e hapësirave të reja për mbarëvajtjen e aktiviteteve, shtrimin me pllaka, shtrimin e sektorit të fëmijëve me parket, zëvendësimin e të gjitha vetratave të dyerve dhe dritareve, patinimin dhe lyerjen e mureve, shtrimin e ndriçimit të sallave, vendosjen e grillave të reja të dritareve, lyerjen e kangjellave të dritareve, atyre të murit rrethues, të derës së jashtme etj. Po ashtu u suvatua dhe u lyer fasada e Bibliotekës duke i dhënë një tjetër pamje plotë dritë. Në mjediset e sallave të katit të parë janë vendosur kondicionerë, podi i personaliteteve gjatë aktiviteteve, foltorja dhe pritet të mbërrijnë raftet e reja të librave si dhe kompjuterit me tavolinat përkatëse si dhe pajisje të tjera audio-vizive. Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës Këndin Amerikan (Amerikan Corner), i cili ofron kushte për të gjithë nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme, por edhe studentët e universiteteve të Vlorës që të frekuentojnë literaturën e gjithanshme në gjuhën angleze. Këndi Amerikan pranë Bibliotekës së Vlorës organizon shumë aktivitete për të njohur historinë dhe kulturën e popullit amerikan si dhe bashkëpunon me shkollat e qytetit për perfeksionimin e gjuhës angleze dhe aktivitetet të tjera. Këndin Amerikan pranë Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” të Vlorës e kanë vizituar të gjithë ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë këtu edhe Ambasadorin Aleksandër Arvizu, i cili ka qenë i pranishëm dy herë në ambientet e saj dhe konkretisht në Këndin Amerikan. Ka qenë vet interesimi i Ambasadorit Arvizu për funksionimin dhe mbarëvajtjen e Këndit Amerikan të Vlorës, ashtu si edhe të këndeve të tjera amerikan në Tiranë dhe Kukës. Që nga krijimi i Këndit Amerikan pranë Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës, numri i lexuesve të gjuhës angleze ka ardhur në rritje. Mjediset e rikonstruktuara rishtazi do të krijojnë kushte optimale për mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve që organizohen në sallat e katit të parë të bibliotekës, përfshirë këtu edhe Këndin Amerikan, i cili luan një rolë parësor në njohjen dhe forcimin e miqësisë midis popujve tanë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë interesohet posaçërisht për kompletimin e Këndit Amerikan me literaturë të re, ku përfshihen librat më të fundit të letërsisë, historisë për të gjitha moshat si dhe revista të ndryshme. Gjithashtu, pas rikonstruksionit pritet që në mjediset e Këndit Amerikan pranë Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” të instalohen aparaturat e fjalës së fundit të teknologjisë për tu shërbyer më mirë frekuentuesve të këtij këndi dhe aktiviteteve që organizohen në të. Për mbarëvajtjen e Këndit Amerikan pranë kësaj Biblioteke ka një interesim të vazhdueshëm nga e palodhura Matilda Vangjeli Drejtoresha e Burimeve të Informacionit pranë kësaj ambasade, e cila nuk rresht në kërkesat e saj për përmirësimin e punëve. Duhet theksuar se, prania e Këndit Amerikan pranë Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” të qytetit të Vlorës, ka gjetur mikpritjen e stafit të bibliotekës dhe të komunitetit, çka tregohet edhe në aktivitetet e përbashkëta që organizohen aty, ku nxënësit dhe studentët ndihen si në shtëpinë e tyre. Vet Kryetari i Bashkisë së Vlorës zoti Shpëtim Gjika gjatë pritjes së fundit që i bëri Ambasadorit Arvizu, e falënderoi atë për interesimin për Këndin Amerikan dhe mjediset e kësaj biblioteke. Theksojmë, se Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” e qytetit të Vlorës është krijuar në vitin 1936 nga një grup arsimtarësh dhe me kontributin e Familjes Vlora, të patriotëve Ibrahim Shyti, Ali Asllani, Dr. Ali Mihali, Musa Jonuzi, Jani Minga etj. Aty gjendeshin rreth 7156 libra. Kjo bibliotekë mori formë më të organizuar në vitin 1946 duke u pasuruar më shumë me libra, gazeta e revista, duke përfshirë këtu edhe një pjesë të fondit të Familjes së Eqerem bej Vlorës. Duhet thënë se Vlora ka pasur një traditë të hershme të bibliotekave që me dorëshkrimet e rralla e Himarës dhe Vlorës në shek. XIII-XVI, Bibliotekën e Mekatit (1672) me Bibliotekat e Manastririt të Zvërnecit, të Kishës Ortodokse, (1916) të Odës së Tregtisë (1920) të Manastirit të Shashicës që u dogj, të Librari “Shpresa” të Ibrahim Shytit dhe mjaftë biblioteka të tjera të familjeve qytetare vlonjate. Sipas kronikave të kohës Biblioteka e Familjes Vlora është krijuar në vitin 1875 dhe në vitin 1914 kishte në fondin e saj 14 600 vëllime. Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” e Vlorës deri në vitin 1995 kishte 120 000 ekzemplar libra dhe në vitin 1997 u dëmtua rëndë gjatë trazirave. Sot me mbështetjen e vazhdueshme të Bashkisë Vlorë fondi i kësaj biblioteke është rikuperuar çdo vit. Ngritja e Këndit Amerikan pranë kësaj Biblioteke e ka shtuar më shumë interesin për librin në gjuhën angleze dhe pjesëmarrja e nxënësve dhe studentëve që frekuentojnë këtë kënd ka ardhur në rritje. Financimi i fundit i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për rehabilitimin e katit të parë të Bibliotekës Publike “Shevqet Musaraj” dhe këndit Amerikan duhen përshëndetur si një kontribut i rëndësishëm në fushën e kulturës, miqësisë dhe respektit të ndërsjellët.