Kurt KOLA / Shpata e Demokleut mbi kokën e ish të përndjekurve

597
Sigal

Përgjigje Drejtorit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, z. AGRON TUFA

Më tërhoqi titulli i artikullit në gazetën “Panorama” datë 15 tetor dhe fillova ta lexoj me interes, pa më shkuar mendja se unë do të isha objekt goditjeje në atë shkrim, kinse po kritikoj regjimin e po përkrah grevistët e përndjekur. Më befasoi, se bashkë nuk njihemi fare, s’kemi pasur rast as të përshëndetemi e jo më të krijojmë shkak për kritika në shtyp! Mbase ke menduat se jam ndonjë “anonim”, nga ata që të kanë prekur në sedër, por unë jam i drejtpërdrejtë, jo me më të zakonshmit si puna jote, por edhe me Kryeministrin tënd komunist. Sigurisht, të kanë prekur sulmet e mia ndaj tij, ndaj mund të jem bërë i bezdisur edhe për ty…

E lidhje grevën e sotme me të ndjerin Xh Korça… Ka pasur dhe të tjerë pas tij, por Diktatura nuk i la të vdisnin, duke i ushqyer me pompa nga lart e nga poshtë si Xh. Qesen, për 120 ditë rresht. Madje kemi bërë greva në vazhdimësi… Kur burgu I Burrelit u dënua nga Byroja Politike me vdekje të ngadalshme më 1980, ne bëmë grevë urie për 50 gr. djathë në ditë dhe pas 18 ditëve e thyem komandën dhe fituam 1.5 kg djathë në muaj, sa për mbijetesë. T’i përmenda këto pak rezistenca, jo pse nuk i din ti, por që të mësosh se paraardhësi i  Kryeministrit tënd komunist, Diktatori Hoxha nuk lejonte të vetësakrifikoheshin dy njëri pas tjetrit, ndërsa sekretari I PPSh, kryeministri yt i sotëm, deklaron: “Një herë gabova unë, më 1994,  se jam doktor e m’u dhimbën, ndërsa sot të gjithë le të vdesin”. Ka të drejtë, pasi sot ai nuk është më Doktor, por Sadist!…

Tani të kthehemi tek “episodi” yt interesant. Do ta shkruaj për fjalë për fjalë: “Një ditë pranvere të këtij viti, më njoftuan se në korridorin e Institutit, është shtrirë një ish i përndjekur (një prej grevistëve të sotëm). U mundova t’i shpjegoi se të drejtën për grevë mund ta zbatonte, së paku në oborr, por jo në ambiente pune. Ishte e kotë. Përkundrazi, ai më tha se “së shpejti këtu do të mblidhen dhe të tjerë, që ndodhen tek lulishtja “1 Maji”. E pashë vetë që kjo mund të ndodhte. Një punonjëse pastrimi, që shërbente dhe në disa lokale përballë Institutit, më tha: “Sapo kthehem nga lokali përballë ku ndodhej ky që sapo është shtrirë këtu. Pak më parë ishte ulur në një tavolinë me deputetin Saimir Tahiri dhe Kurt Kola. Po deshe, ik e shihe, në s’beson”. Shkova, pashë kuptova: në tavolinë ishin siç më tha pastruesja. U trishtova shumë nga kjo kurdisje alla-kioskë. U ktheva dhe i thashë grevistit të shtrirë: ” Nuk do të bëj përpjekje të të nxjerrë apo të të mbush mendjen të dalësh, por po deshe shko dhe lajmëro dy zotërinjtë me të cilët para dhjetë minutash ishe në tavolinë. Thuaju se që nga hyrja në lokal, përfshirë dhe bisedat që bëtë, janë të gjitha të filmuara. Do jemi të detyruar t’i japim për transmetim, meqë do na pezulloni aktivitetin në ambiente pune”. “Nuk është  e vërtetë, reagoi ashpër grevisti, ju kanë shpifur spiunët”. “Mirë, ta shohim, por do të jetë vonë kur të transmetohet”, thashë dhe hyra brenda. Dua që këtë episode t’ia kujtoi atij “grevisti” të tashëm, me kokë të lidhur me rrip”.

Para se të shpjegojë se si e kuptojmë ne ish të burgosurit “episodin” tënd, po të bëj të qarta disa nga aludimet e tua.

E para, unë nuk jam i prapaskenave alla-kioskë. Jam i tribunave ku i them mendimet e mia hapur, para publikut, në mitingje me 200 mijë njerëz, me zë të lartë dhe që e shumëfishojnë megafonat, deri në shurdhim të dashakeqëve.

Së dyti, grevat e urisë, të cilat ti as e ke idenë se çfarë janë, unë i kam bërë vetë, në burg edhe jashtë tij. Banesa ku je instaluar ti, ka qenë shtëpia jonë, shtëpia e gjenocidit komunist, me një redaksi të kompletuar,  që me anë të gazetës “LIRIA” publikonim hallet dhe problemet e shtresës sonë. Kishim krijuar me shumë përpjekje dhe për një kohë të gjatë dhe një ekspozitë të krimeve makabre të komunizmit, çfarë e bezdiste dhe sëkëlldiste sekretarin e PPSH, Kryeministrin tënd, deri sa një ditë të shtunë, ditë zyrtare pushimi, na sulmoi me eskortën e horrave të tij dhe shkatërroi gjithçka, nuk la letër e shkresë pa përmbysur, me sulme jakobina siç di të bëjë vetëm ai. Pas kësaj sollën spiunët e Institutit të Integrimit në katin e dytë.  Puthadorët dhe servilët e çdo sistemi që dalin në mbrojtje të qeverisë që po fyen e torturon bashkëkombësit e tyre. Aty, në atë korridor, ku ti nuk e lejove “grevistin” imagjinar, më 1994 janë ngujuar 180 grevistë, midis të cilëve 30 gra të moshuara, ish të internuara e të burgosura. Ishte një grevë urie që u shtri në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Ajo grevë e ish të persekutuarve politikë, e tmerroi ish -sekretarin e PPSH, presidentin e atëhershëm, i cili i trembur se mos i merrnin pushtetin, me një vendim gjyqi si ky i sotmi, turri policinë, SHIK-un, hajdutët e matrapazët që e mbanin dhe vazhdojnë ta mbajnë në politikë, dhe u vërsul më keq se xhelatët e Diktaturës mbi shtresën tonë… Filluan rrahjet e ish të persekutuarve dhe tërheqja e tyre zvarrë, për t’i nxjerrë jashtë vendeve të ngujimit. Një egërsi e brutalitet i pa parë u përdor ndaj plakave, që  i tërhoqën zvarrë korridoreve të dhimbjes së tyre të pa cak, duke treguar shkallën më të lartë të agresivitetit, deri në akt sindromik. I rrahën, i sakatuan të burgosurit politikë nga Saranda në Koplik, nga Korça në Lushnje, nga Dibra në Tiranë, ane mbanë Shqipërisë! Burgosën disa syresh, mua më mbajtën tre muaj në burg, derisa dola me grevë urie!…               `

Për shkak të dy koordinatorëve, po paragjykohet greva e urisë sot, si ajo e vitit 1994. Po ajo frymë reaksionare, po ato fyerje e sharje, akuza e shpifje, shantazhe e denigrime. Për të vërtetuar se edhe pas tetëmbëdhjetë vjetësh, ora e ish -sekretarit të dikurshëm të PPSH, ka mbetur ku ka qenë në vitet ’70, në kohën e skëterrit komunist!

Në fillim të pluralizmit, kur ne ishim ende në burgje politike e kampe internimi, besuam vërtet tek një parti që u krijua si opozita e parë e Diktaturës… Dëshira e madhe për liri, urrejtja ndaj komunizmit, shpresa për fitoren e kauzës sonë, për të cilën u sakrifikuam dy breza njerëzish, na bënë të besojmë fort tek opozita e parë, e vetëquajtura “Partia Demokratike”, ndaj ne u bëmë mbështetja e saj, gjë të cilën ajo e pati domosdoshmëri, për t’u përballur me pjesën tjetër të partisë nga kishin dalë e që mori një emër pak më të moderuar se nëna e saj, Partia Socialiste.

Në reformë politike, Partia “Demokratike’, e cila në vazhdim të shkrimit do të jetë në thonjëza, dha disa shenja në përkrahje tonë: pati disa deputetë në Parlament, disa nëpunës në administratë, dhe më shumë punësime në policinë e rendit. Në këtë sektor të administratës u futën mjaft ish të përndjekur, edhe për t’u përdorur si presion ndaj opozitës së majtë, por edhe kundër shtresës së tyre  pot ë ishte nevoja…

Kur nisën të kërkohen reformat social-ekonomike, si kthim i pronës së paluajtshme, e konfiskuar nga Diktatura, tek pronarët e saj të ligjshëm, u kundërshtua nga qeveria e Partisë “Demokratike’, madje duke përdorur shkopinjtë e gomës mbi grevistët pronarë në tetor 1993, ngujuar në sallën e selisë së Partisë Republikane!…

Një vit më vonë, në gusht ’94, e njëjta gjë me ish të dënuarit dhe të internuarit politikë. Kundërshtimit për të mos iu dhënë dëmshpërblimin të dënuarve politikë, pas marrjes së pafajësisë, kjo shtresë iu përgjigj me grevë urie në të gjithë vendin.

Qeveria e partisë “Demokratike’, me Sekretarin e PPSH, I mirëkamufluar, ushtruan dhunën e turpshme, duke rrahur e fyer ata që i kishte torturuar e dhunuar 50 vjet diktatura kriminale komuniste. Duke përjetuar veprimet reprezalje të saj, thjeshtë për kërkesat legjitime të një rendi demokratik e shteti të së drejtës, dalëngadalë vërtetoi se Partia “Demokratike” ishte më e pistë se Partia Socialiste, dhe më e majtë se ajo. Më e pistë se në të gjitha instancat e saj dominonin dhe dominojnë fogurat e urryera të PPSh-së. Më e majtë, sepse nën maskën e të djathtës, realizoi skemën e Ramiz Alisë, për të mos i lënë asnjë mundësi krijimit të së djathtës reale!… Duke mos  e përballuar dot presionin e shtresës antikomuniste dhe pasi forcoi pozitat, Partia “Demokratike” na përçau në dy pjesë, në dy shoqata, duke mbajtur në mbështetje të nënshtruarit e Diktaturës, me premtimin se nuk iu hap dosjet, premtim që për hir të së vërtetës e ka mbajtur dhe do ta mbajë!… Sepse Themba e Akilit, e keqja e të gjitha të këqijave në Shqipëri, është mos-hapja e dosjeve, duke e mbajtur kaq kohë vendin tonë larg Europës dhe politikën si një Shpatë Demokleu mbi gjithkënd që ngre krye dhe që ka dosje! Arkitekt i kësaj strategjie është Kryeministri yt!

Sa i përket të përndjekurve politikë, të cilët në këtë grevë urie, ku bashkëvuajtësit janë ngujuar, jo vetëm për të të drejtat e tyre legjitime, por për krejt shtresën që i përkasin, dalin në mbrojtje të qeverisë e kundër atyre që po bëjnë aktin më sublim, tregojnë vetë ashiqare se kanë shkuar aq larg në rrugën e poshtërisë, sa as Zoti nuk i kthen dot mbrapshtë!… Me karakterin e tyre të dobët vazhdojnë të përfitojnë favore e lëmosha mbi fatkeqësitë dhe aktet sublime të bashkëvuajtësve, që po shkojnë drejt martirizimit. Të vjen keq me naivitetin  e tyre, ose gjoja naivitetin, se gjithçka është  e përllogaritur, kur thonë se, “nuk e përkrahim grevën, se ajo është politike”. Kanë frikë se bie qeveria që ka njëzet vjet që tallet me ta! Qeveria dhe sekretari i PPSH gënje e tallu e ata duartrokit!… Qeveria iu ndalon me ligjin e dëmshpërblimit gjithçka iu ka dhënë me ligje të tjerë deri në aprovimin e ligjit në vitin 2007 për dëmshpërblimin,  këta heshtin kokulur.  Qeveria harbute, diabolike dhe hajdute i detyron që për gjithë jetën që iu ka mbetur të përgatisin dosjet me dokumente, duke i marrë ato në shtet dhe duke i çuar përsëri në shtet! Sepse Ministria e (Pa) Drejtësisë nuk mund t’i marrë dosjet nga gjykata në vartësi të saj dhe nga Ministria e Brendshme! U sfilitën pleq e plaka dy tre vjet zyrave e korridoreve, duke kërkuar dokumente, a thua se këta njerëz kishin dënuar veten! Kjo ishte njëra djallëzi komuniste ndaj atyre që i kishte dënuar pa asnjë faj. Djallëzia tjetër, amendimi nga ligji më 2009 I kohëzgjatjes, nga tetë vjet, me tetë këste, në   kohë të pacaktuar, në infinit! Pikërisht për këto marifete hipokrite e dashakeqe, të burgosurit politikë janë ngujuar në grevë urie.

Puthadorët thonë është grevë politike. Unë iu them: politike që ç’ke me të! Një qeveri që mashtron qytetarët  e vet, duke mos zbatuar ligjet e veta, duhet rrëzuar një orë  e më parë! Kjo është një qeveri me prirje diktature dhe sundim diktatori, për rrëzimin e të cilit duhet bashkuar dhe me djallin…

Ti, zoti Tufa, me artikullin tënd, shtiresh sikur e godet këtë pushtet mafioz, por me shumë takt, jo kështu hapur si unë. Sigurisht, të kanë emëruar në një vend që për nga përndjekja nuk të takon, ose ka që janë shumë përpara teje për atë vend! Por këta nuk e meritojnë, për shkak mosbesnikërie ndaj pushtetit me tendencë diktature.

Jam tash dyzet vjet në luftë të vazhdueshme me Diktaturën komuniste dhe tash njëzet e një vjet me neodiktaturën, nuk do të shkulet nga metodologjia e së parës!

Besoj, zoti Tufa se nuk të kam lënë vend për hamendësime, prapaskenash, ala-kioskë të atij episodit të stisur ndaj meje. Ndërsa sa i përket formës së ndërtimit të “episodit’ ishte motamo si ata që na krijonin të dënuarit që punonin në prapavijën e burgut, me të cilat operative mbushte dosjen dhe vetëm kur e shihnim veten në gjyq, pa ditur asgjë dhe prej ku merrnim dhjetë vjet dënim shtesë…