Luan Shmilli* / Debati i tretë, Obama fitues…Romney ende s’ka humbur!

567
Sigal

Një debat sërish i nxehtë me ulje-ngritje tempi dhe sërish më agresiv dhe më i arsyeshëm Obama

 

Ka përfunduar edhe debati i tretë dhe i fundit për Shtëpinë e Bardhë. Një debat sërish i nxehtë me ulje-ngritje tempi dhe sërish më agresiv dhe më i arsyeshëm Obama. Romney humbi takimin e tretë, pasi kishte humbur të dytin dhe fituar të parin. Obama fitues në përfundim të kësaj beteje, e cila përafron kohën e përcaktuar, 6 nëntor, ku me votën e tyre të lirë dhe të paprekshme, amerikanët do zgjedhin presidentin e ardhshëm, i cili natyrisht do të jetë i përkohshëm në mandat. Rizgjedhja e Obamës, nuk mund ta çojë atë më shumë se katër vjet president, ndërsa nëse amerikanët vendosin të zgjedhin Romney, ai ka të drejtë të marr presidencën dhe mundësinë të rikandidojë pas katër vjetësh. Një sistem perfekt zgjedhje me kufizim mandati, të cilën çuditërisht e kanë shpikur e ngritur në sistem shqiptarët e lashtë. Më saktë, është epiroti ilirik, molosi i shquar Arryba, ai që së pari u propozoi qytetareve të tij këtë sistem zgjedhje, duke tejkaluar demokracinë e fqinjëve grekë, pasi përveç mandatit të kufizuar ai ishte i pari që u lejoi grave të drejtën e votës. Ja vlen të përmendim këtë përcaktim nderues historik shqiptaro jugor, për të kuptuar se vlerat tona të stërlashta edhe pse qeveritarët e parlamentarët qesharakë shqiptarë nuk i zbatojnë, ka vende si Amerika që jo vetëm pranon t’i zbatojë, por nuk nguron as të shpallë nga e ka origjinën ky sistem zgjedhjesh!…Arryba, sipas D.Alikarnasit jo vetëm e kreu mirë detyrën e prijësit epirot ilirik, por nuk pranoi të rizgjidhej më, edhe pse asambleja e qytetarëve kërkoi të rizgjidhej pas tetë vjet qeverisje të mirë. Këtë shembull ndjek Amerika. Dhe konkurrenca e kandidatëve para votës së lirë (për Shqipërinë, të gjithë banorët e globit që dinë të lexojnë, kanë mësuar se një njeri që nuk njeh Arrybën, vjedh dhe manipulon zgjedhjet! Por kjo është një temë e gjerë për tjetër herë… ) Dje, Obama i ndihmuar nga kandidati republikan, sipas CNN, CBS,etj., fitoi takimin e tretë. Konsensusi i fitores së presidentit shkon nga 48 për qind në 53 për qind. Instat poll i CBS deklarohet 53 përqind me 23 përqind, kurse 24 përqind deklarohen barazim takimi. CNN deklarohet se Obama mban shifrën 48 përqind të fitores, kurse Romneu 40. Kanë mbajtur të njëjtën strategji të raundit të dytë, të dy kandidatët. Obama sulmon që në fillim, përparon me elokuencën e fjalëve dhe gjykimin e shëndoshë, ndërsa Romney fut në lojë sarkazmin dhe nënqeshjet, pa e përballuar dot plotësisht kundërshtarin. Politika e jashtme tema e debatit të tretë. Tg.Com 24 hour, që në titullin e hershëm të mëngjesit të djeshëm vendos nëntitullin “Romney dhuron fitore në politikën e jashtme. Ndofta sepse Romney shpalli hapur që mbështet deklarimin e Obamës, për t’u larguar nga Afganistani brenda vitit 2014. Të njëjtin mendim edhe për përdorimin e dromëve (avionëve pa pilotë) si dhe përdorimin e komandove si ajo e majit 2011 që çoi në eliminimin fizik të Bin Laden. Obama nuk ka nguruar të bëjë qesharake tentativat e Romney, në politikën e jashtme duke thënë: “E di që ke hedhur ide në këtë fushë ku nuk shquhesh, por në të gjitha idetë ke gabuar!”

Romney kërkoi ta mbajë në “ring” me grushtim në drejtim të ekonomisë, por Obama edhe këtu ja doli duke kundërsulmuar me argumente. Romney shfaqi objektivin e vjetër kundërshtuar edhe nga nobelistë të ekonomisë se, këto katër vjet duhet të dalin nga kategoria e të varfërve duke hapur ai 12 milion vende pune, duke avulluar reformën e Obamës në shëndetësi, për të financuar sektorin e mbrojtjes, ushtrinë…ka thënë Romney gjysmë ore para se të binte gongu përfundimtar. Kush ndoqi debatin kuptoi replikën e Obamës, i cili premtoi se do të rikthejë në Amerikë punën e përditshme të njerëzve, aftësitë e tyre të manifakturës, premtoi krijimin dhe zgjerimin e ndërmarrjeve duke mos investuar jashtë vendit, por këtu. Dhe për këto do t’u kërkojmë mirëkuptim të pasurve duke i taksuar dhe kërkuar të paguajnë më shumë…Obama nuk harroi t’i kujtojë falimentimin e ndërmarrjes se vogël që Romney ka bërë ne Masaçusets. “Amerika është sot më e fuqishme se 4 vjet më parë,” ka deklaruar Obama.

“Horsers and bayonetes”, (kuaj dhe bajoneta) ishte një dritare ku dy kundërshtarët debatuan dhe që ka çmendur miliona njerëz në Tuiter. Këtu Romney ka goditur shkurtimet e shumta të Obamës në ushtri duke thënë se marina amerikane ka sot më pak anije se më 1916. Obama ka replikuar se “edhe për këtë arsye Amerika sot ka me pak kuaj dhe bajoneta dhe më shumë nëndetëse…”Një frazë e gjetur, brilante e shprehur në orën 9.45 minuta, sipas orës lokale e East Coast. “Nga ky moment shkruan Mediaset Tg.Com, vërshojnë menjëherë 6.5 milion ciu-ciu në Tuiter, aq i preferuar për Obamën, me 105 mijë mesazhe në minutë që kanë dominuar këtë shprehje mendimi, më i larti ciu-ciu, në të tre takimet. Në debat mbërriti edhe çështja siriane, ku Romney kërkon t’i jepen armë të rënda kryengritësve, për të larguar diktatorin Asad, që mbrohet me ligjet e shtetit që ka ndërtuar alias demokratike dhe populli nuk e do dhe pasi doli në demonstrata të fuqishme sot po bën kryengritje. Obama është dakord që kryengritësit duhen armatosur, por jo me armë të rënda, pasi Asad i ka tanimë ditët të numëruara. Në debat u fol edhe për marrëdhëniet me Rusinë, Izraelin, Palestinën… Më parë shtypi kishte njoftuar se nëse Romney fiton presidencën, shumë liderë botërorë do të gjenden të papërgatitur dhe do u duhet të ndryshojnë stil. Kontrastet dhe divergjencat politike me Rusinë mund të rriten për Lindjen e Mesme, ndërsa Izraeli i frenuar kujdesshëm nga Obama, mund të bëhet aventurier me Iranin e armatosur rëndë. Obama është më i ekuilibruar, më dinamik dhe më konkret në zgjidhjen e problemeve, megjithëse ka pengesa të shumta prej krizës të cilën duhej ta kish menaxhuar më mirë. U fol dhe për të tjera gjera. Ajo që mbeti është vetëm përfundimi i debatit të tretë, ku Obama duket qartë, fiton një duel tjetër, por jo përsëritjen e presidentit. As Romney që duket se e humbi debatin e tretë (shtypi europian pa komente dje) sipas analizave televizive dhe radiove, nuk ka humbur betejën finale. Më 6 nëntor do jenë amerikanët ata që me votën e tyre do vendosin përfundimisht. Gjer në atë shpallje fituesi, ka kohë për të fituar zëmra qytetarësh të lirë amerikan. Natyrisht duke i bindur ata, për një jetë më të mirë, për një Amerikë më të fuqishme dhe më demokratike. Beteja vazhdon.

*Nga Italia, për “Telegraf”