Bashkim Koçi: Dy bektashinj margaritarë

Veprimtaritë më të larta në këtë Botë i kryejnë disa individë, të cilët të duken sikur nuk bëjnë asgjë, por kur ata i studjon, kur ua “përkthen” atë çka kanë bërë gjatë jetës së tyre mëson se kanë qënë mjeshtra për t’i trajtuar gjërat njëherësh, pa i ndarë njëra nga tjetra, si detyrat njerëzore, ashtu edhe ato hyjnore. Në këtë grupim të njerëzve me virtute të larta, zënë vend edhe dy bektashinj “margaritarë”, të dalluar për veprimtari të çmuara. Njëri është baba Medin Gllava, e tjetri baba Neki Qazimi, të dy nga fisi i Çaushajve, të cilët ishin dhe mbeten figura të ndritëshme bektashiane në tërë trevën e Tepelenës.

Baba Medin GLLAVA
Baba Medin GLLAVA

Baba Medin Gllava…

Sigal

Baba Medin Gllava u lind dhe u rrit në fshatin Levan, komuna Krahës, të Tepelenës.  Ashtu si “të themelit” të tij, u bë shumë shpejt bektashi, i nxitur ndoshta nga i ati, Mamani, i cili ngrihej e ngrysej me betimin “për Abas Aliun e Tomorit”. Shërbeu për shumë kohë si dervish, vite që çfaqën tek ai jo vetëm besnikëri e përulësi ndaj bektashizmit, por dhe ndjenja patriotike, si ato të mëmëdhetarëve frashërlinj  të dëgjuara e të përciella nga i madhi Baba Alush.

Detyrën si baba e mori dhe e ushtroi në teqenë e Gllavës, e cila ishte ngritur qysh nga viti 1883.  Aty për vite me radhë kishin shërbyer baba Qamili e baba Ismaili, klerik bektashinj me emër të mirë në atë zonë. Në vitin 1912 teqeja e Gllavës do të drejtohej nga baba Medini, e cila vite më pas do t’i ngjitej si mbiemër, e ai do të njihej si Baba Medin Gllava.

Vitet kur baba Medini shërbente në teqenë e Gllavës, vendi ish i përfshirë nga ngjarje të mëdha, nga lëvizje popullore e patriotike. Shqipërisë, ashtu si një nënë që pret të lindë fëmijën e saj, i kishin filluar “dhimbjet”  për tu bërë e pamvarur. Ismail Bej Vlora përgatitej të shpallte Pavarsinë. Në këtë periudhë teqeja e Gllavës ishte kthyer në strehë të patriotëve, të atyre që kishin marrë arratinë për t’ju gjendur pranë Ismail Beut. Për të vërtetuar këtë çka po themi na vjen në ndihmë historia ku Çeta e drejtuar nga Baba Medin Gllava ka luftuar krah figurave të ndritura si baba Kamber Velabishti, Bab Dudë Karbunara, Sulo Resuli, luftëtarit Sulo Nullaj, atdhetarit Bektash Berberi, Guri Naska, Cene Nova, Muharrem Leshi, Adil Lunga  e shumë të tjerë.

“Nuk ka fe pa Atdhe” për baba Medin Gllavën, ashtu si për mbarë bektashinjtë kishte domethënie të patjetërsueshme, ishte “ylli i mëngjezit” për t’u orjentuar në të gjithë veprimtarinë si klerik. Këtë qëndrim të palëkundur ai e çfaqi edhe kur qeverisë së Vlorës, nën drejtimin e Ismail Qemalit iu kundërvunë forca regresiste, si ajo e Esat Pashë Toptanit, duke qëndruar e bërë rezistencë për t’i thyer. Madje, në korrik të vitit 1914, nga konfrontimi i forcave të drejtuara nga baba Medini me “kryengritësit”, mbetën 20 të vrarë dhe 92 të tjerë u zunë rob. Eshtë një shembull unikal në llojin e vet që një baba teqeje të jetë në krye të një çete luftëtarësh me armë në dorë, e mandej të dalë fitimtar. Ja ky ka qënë baba Medin Gllava.

I tillë, rrebel e kaluar rrebelit, qëndroi edhe ndaj austriakëve, italianëve e të gjithë atyre, që synonin eleminimin nga harta të Shqipërisë. Sipas revistës “Djersa” duhet të ketë ndërruar jetë në vitin 1917 në Gjirokastër në krye të punëve si shërbëtor i Zotit. Për ta nderuar, për të çuar deri në fund amanetin e tij, që eshtrat të preheshin aty ku shërbeu për një jetë të tërë, në teqenë e Gllavës, ai u rivarros aty plot pas 28 vjetësh, më 29 nëntor të vitit 1945. Iu bënë nderime nga më dinjitozet, të merituara për një klerik patriot si baba Medini. Në këtë ceremoni morën pjesë personalitete të larta fetare dhe politike të kohës si Gjysh Ali Gjirokastra, baba Xhelo Komari, asambleisiti Siri Shapllo, dy nipërit e tij, ish partizanë të Luftës NAÇ, Qamil e Xhavid Hamzo nga Fratari i Mallakastrës. Për kontributin që dha si organizator i lëvizjeve patriotike e luftarake Baba Medin Gllavës i është dhënë  titulli “Dëshmor i Atdheut”.

Baba Neki ÇAUSHI
Baba Neki ÇAUSHI

… Dhe baba Nekiu

Baba Nekiu u lind më një Janar të vitit 1916 në fshatin Levan, komuna Krahës të Tepelenës, në një familje “të tretur për Shqipërinë” dhe me rrënjë shumë të thella për kontributin që ka dhënë për çështje kombëtare. Por ajo që bje në sy dhe që të imponon respekt ndaj fisit të Çaushajve është përbetimi ndaj fesë bektashiane, shërbimi që breza të tërë kanë bërë ndaj saj si të ishin “yzmetxhinj” të lindur e pakurrfarë shpërblimi, të betuar për të ecur në gjurmët e Abaz Aliut.

Një ndër ta është dhe mbetet edhe baba Nekiu, ai që do të ngelej me emër të mirë kudo ku drejtoi e shërbeu, duke i gjezdisur pëllëmbë për pëllëmbë të gjitha Shtëpitë e shënjta të Kultit bektashian. Ai qysh në moshë të re, pa i dirsur ende qimja në faqe, i erdhi si “nga lart” dëshira për të veshur rroben e bekuar të dervishit, duke frekuentuar në mënyrë të vazhdueshme e me plot dëshirë të gjitha ngjarjet që kishin të bënin me besimin bektashian, duke ndjekur e bërë pjesë e peligrinazheve, riteve dhe veprimeve që përcjellin mirësi e dashuri. Kur ishte vetëm 16 vjeç ai plotësoi ëndrrën për t’u ngjitu në malin Tomor, pikërisht aty ku kish lënë gjurmë i madhi Abaz Ali, emëri i të cilit do të bëhej udhërrëfim, do të ishte “piketa” nga do të merrte drejtimin si një besimtar i palëkundur në udhën e Zotit. Thonë se kur mbëriti në Malin  e Shënjtë të Tomorit kishte marrë me vete dy desh për t’i bërë Kurban, të taksur me shpirt në emër të dëshirës për t’u bërë dervish. Por, edhe pse e ngjiti atë Majë ku gjendej Gjurma e Abaz Aliut, ai nuk mund të bëhej dervish, nuk plotësonte një nga kriteret për të qënë i tillë. Ishte në moshë shumë të vogël, axhami. Do të shërbente tre vjet e një ditë pranë teqesë me emër të Harakopit në Krahës të Tepelenës e ku do të “ndriste ndër të tjerë” për besnikëri dhe devotshmëri të lartë. Pas këtij shërbimi të një njeriu të urtë ai do të bëhej muhyb e më pas të vishte rroben e nderuar të dervishit. Sipas kujtimeve të Baba Nekiut, dervish e bëri baba Fejzua nga fshati Therepel i Skraparit, të cilit i shërbeu me besnikëri të lartë, si askush tjetër. Ishte njeri i dëgjuar, shumë i njerëzishëm me besimtarët dhe predikues fanatik i riteve bektashiane. Në çdo festë, apo kërkesë që shtrohej nga babai i teqesë, dervish Nekiu ishte “më këmbë”, shërbëtor i njerëzisë dhe i urdhërave që i vinin “nga lart”, nga betimi që kish bërë për të mbjellë vetëm mirësi.

Teqeja e Harakopit, Levan, Tepelenë
Teqeja e Harakopit, Levan, Tepelenë

Baba Nekiu nuk ishte nga ata që në momente vështirësie tregohen “të vegjël”, dorëzohen lehtë. Jo. Ai në të gjithë “karierën” e tij si bektashi u dallua për tjetër gjë, për guxim e besnikëri, për vepra që ia lartësuan emrin. Një ndër ngjarjet, e cila e bëri të fitonte “pushtetin e të marrin”, të bëhej “njësh me Përëndinë”, është shërbimi dhe qëndresa që tregoi ndaj Baba Kamber Prishtës kur ai kryente detyrën e Kryegjyshit Botëror në Tiranë. Ishte dhe mbeti yzmetxhiu më besnik dhe më i sakrifikuari në kuptimin më të mirë të këtij virtuti. Edhe sot e kësaj dite nipi i tij, Medin Çaushi, ruan disa relike të rralla, pasuri që nuk këmbehen as “me flori”. Eshtë një unazë e çmuar, tespiet të përgatitura me qelibar dhe një lugë e pirun të argjendë. Këta sende me vlera të mëdha muzealë i ruajti për disa dhjetravjeçarë Baba Nekiu, i përbetuari për të mbetur ai që ish,  margaritar i besimit bektashi. Baba Kamber Prishtën, si për ta kryer detyrën deri në fund me nder, ai e ndoqi nga pas, nuk iu nda edhe kur e futën në burg, në Gjirokastër. Sigurisht, sendet vetiake, të cilat ai ia besoi vetëm baba Nekiut, mbetën të vetmit “nishanë” që e mbajnë edhe sot e kësaj dite gjallë. Jo vetëm klerikun me emër të madh, baba Kamberin, por edhe karakterin e tij, i cili e kishte si aksiomë thënien “ shpirti nuk kalitet me flori e pasuri”.

Si dervish shërbeu edhe në teqenë e Plasës, në Korçë. Si baba e dekretoi baba Lazja në teqenë e Qatromit. Për pak kohë shërbeu në teqenë e Leskovikut, e cila më pas u mbyll e ku  të gjitha objektet e kultit, apo gjithçka tjetër që ishte si pasuri e teqesë, u transferua në teqenë e Qatromit. Ishte muaji mars i vitit 1967 kur baba Nekiu, i betuari për të qëndruar  deri në fund të jetës sherbëtor i Zotit, të hiqte rroben e bektashiut dhe të vendosej pranë fshatit të lindjes, në Levan të Krahësit. U sistemua pranë vëllait, Durmishit dhe më pas tek nipi i tij, Medini, i cili do t’i shërbente si të kish qënë bir i vetëm i asaj familje.

Në vitin 1992 baba Nekiut i shdriti përsëri “Drita bektashiane” për të shërbyer si dikur në Shtëpitë e Zotit, teqetë, të cilave u ishin mbyllur dyert, aty e 30 vjet të shkuara. Së pari, iu desh të jepte ndihmesën e tij për riparimet në teqenë që “i kish ngrënë shpirtin” ngaqë e kish patur aty pranë shtëpisë ku jetonte, atë të Harakopit. Më pas shërbeu në teqenë e Melanit në Nepravishtë e atë të Koshtanit.

Baba Nekiu ndërroi jetë më 6 dhjetor të vitit 1999 në Levan. Gjatë gjithë kohës u kujdes nipi, i cili mban emrin e babait me emër të mirë, Medin Gllavës. Prehet në tyrben (të cilën e ka ngritur nipi me kontributin e tij) e teqesë së Harakopit, në Krahës 2 dhe ka në krah baba Hasan Kremenarin, baba Sulo Krahësin dhe baba Barjam Vëndreshën.