(Sipas kujtimeve të Skënder Malindit)
Mestan Ujaniku lindi në vitin 1902 në fshatin Ujanik, rrëzë Malit të Tomorrit.

Ujanik është fshat në gji të Tomorrit, në lartësinë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit dhe shumë pranë vendit të shenjtë të Abaz Aliut. Fshati ishte i tëri një fis dhe mbante mbiemrin Musabelliu. Mestani ishte i biri i Hatemit dhe i Hurmasë.
Që në moshën 18 vjeç, Mestani radhitet në ata 300 burra skraparllinj që nën udhëheqjen e Riza Cerovës dhe Ali Koprencës morën pjesë në luftën e Vlorës. Në vitin 1924 atë e gjejmë përkrah forcave fanoliste në Lëvizjen e qershorit, ndërsa në vitin 1935 arrestohet si pjesëmarrës në Lëvizjen e Fierit, një nga organizatorët e së cilës ishte Riza Cerova.
Burrat e kësaj familjeje janë rreshtuar në çetat e Servet Zaloshnjës dhe të Sali Butkës. Vetë Mestani u bë një nga personalitetet e shquara të luftës antifashiste nacionalçlirimtare.
Pushtimi fashist i 7 prillit të vitit 1939 e gjeti në burgun e Beratit për një vrasje banale në fisin e tij. Në rrëmujën e atyre ditëve ai del nga burgu dhe në vend të shkojë në shtëpi, bashkë me shumë patriotë të tjerë nga Berati dhe Skrapari krijon një çetë me 15 vetë, ku merr edhe djemtë dhe kushërinjtë e tij.
Kjo çetë e vogël e krijuar që në vitin 1941 është bërthama e çetës së madhe që u krijua në Teqenë e Kulmakut më 14 mars të vitit 1942, që u quajt Çeta Plakë e Skraparit dhe ku komandant u caktua Mestan Ujaniku. Partia Komuniste nëpërmjet Qarkorit të Korçës sa mori vesh këtë, dërgoi menjëherë përfaqësuesin e saj në këtë çetë, anëtarin e Grupit Komunist të Korçës, Gjin Markun për ta mbajtur këtë çetë nacionaliste në krahun dhe nën ndikimin e saj.
Pas krijimit çeta shkon në zonat e Beratit dhe Roskovecit për të ndihmuar në krijimin e çetave të tjera antifashiste.
Në korrik 1942 Mestani shkon në fshatrat e Kolonjës , në Butkë, Qafzes, Kozel , Rehovë, Selenicë, Pishëz, Qinan, Qesarakë dhe Lubonjë për të propoganduar luftën për çlirimin e Shqipërisë.
Skënder Malindi kujton:” Në gusht 1942, në Koprenckë takova partizanët e çetës ku komandant ishte Mestan Ujaniku dhe komisar Gjin Marku. Mestani më la përshtypjen e një burri kreshnik, me pamje burrërore, guximtar, krenar dhe i vendosur për të luftuar.’

Meqenëse veprimtaria e çetës u bë e njohur qeveria fashiste shqetësohet, prandaj dërgon kapiten Xhafer Balin me 63 milicë për ta asgjësuar çetën. Milicët i dogjën shtëpinë Mestanit dhe u vendosën në fshatin Mëlovë për të vazhduar veprime të mëtejshme. Çeta e Mestanit së bashku me popullin e armatosur të fshatrave për rreth i rrethuan milicët në fshatin Mëlovë. Zjarri u hap nga të gjitha anët. Kapiten Xhafer Bali duke parë se ishte i rrethuar dhe në pamundësi për të dalë nga ky rrethim u dorëzua me gjithë milicët. Ky aksion bëri bujë të madhe në qeverinë e Tiranës, e cila dërgoi menjëherë forca të shumta ushtarake drejt Skraparit.
Mestan Ujaniku, pa pritur që këto forca të mbërrinin në Skrapar organizoi me shpejtësi një sulm të fuqishëm kundër karabinjerëve dhe si rezultat i këtij sulmi më 5 shtator 1942 u çlirua Corovoda dhe i gjithë Skrapari. Kështu Skrapari u bë rrethi i parë në Shqipëri që u çlirua nga partizanët.
Mestan Ujaniku ishte një burrë me trup mesatar, me pamje krenare, i armatosur me një pushkë të shkurtër tip “mauzer”. Mbante qylaf të bardhë në kokë, me shqiponjën në mes dhe përkrenaren e Skënderbeut në të dhe me yll të kuq.
Çlirimi i Skraparit e rriti shumë famën e Mestan Ujanikut jo vetëm në Skrapar, por në të gjithë Shqipërinë. Mestani në çetë kishte edhe tre djemtë e tij Xhemalin, Hatemin dhe Vehapin. Xhemali u bë komandant çete, kurse Hatemi u caktua zëvendës komandant i batalionit “Margarita Tutulani”.
Në muajin korrik 1943, me shkrirjen e çetave në formacione të tjera partizane, Mestani emërohet komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, ku komisar i këtij shtabi ishte Kahreman Ylli. Në Kongresin e Përmetit gradohet major.

Më 1946 i jepet grada nënkolonel dhe u emërua anëtar i shtabit të Divizionit të II Shkodër. Më 1947 arrestohet me të ashtuquajturin “grupi i deputetëve” me akuzën gjoja agjent i angloamerikanëve. Mestani vdiq nga torturat më 1947 në moshën 46 vjeçare. Ende nuk i është gjetur varri.
Drama e jetës së Mestan Ujanikut është një dramë që tejkalon çdo normë njerëzore, është një dramë shekspiriane që nuk ka penë ta përshkruajë e ta sjellë. Ja ç’shkruan Nuriu, djali i vogël i Mestanit, Nuri Musabelliu, që banon në Durrës:
“Ka qenë një natë e gjatë e plot ankth, burrat e shtëpisë së madhe nuk erdhën në shtëpi. Mungon Xhemali dhe Vehepi, që të dy ishin oficerë. Çfarë kishte ndodhur? Vetëm pas dy ditësh erdhi haberi, një kob që nuk e shkonim nëpër mënd, ishin arrestuar me ta edhe Barjami. Netët ishin të ftohta, të gjata edhe pse ishte maj i vitit 1947. Që nga ai moment dhe deri sa u bë gjyqi ishim as në qiell as në tokë, nëne Pemja, kjo bijë e një dere të madhe, të dëgjuar dhe të nderuar të Skraparit dhe një grua mjaft e fortë vinte rrotull nëpër shtëpi dhe përsëriste shpesh: “Nuk kemi pse ulim kokën se gëzojmë hasmin!
Akuzat ndaj Mestanit ishin një bllof, kapedani i maleve që kishte luftuar tërë jetën me armiqtë, tani akuzohet për veprime armiqësore!? Burrërisht qëndroi dhe në burg. Kaloi aty vetëm një vit dhe më 11 korrik 1948 ndërroi jetë në moshën 46 vjeçare, në një moshë më aktive që ka njeriu. Enigma e vdekjes dhe enigma e varrit është brengë e madhe për ne që nuk gjetëm eshtrat t’i bënim një varr dhe t’i çonim një tufë lule, ndoshta një varr simbolik në varrezat e Dëshmorëve në Çorovodë do ma lehtësonte sadopak dhimbjen”.
Pas viteve 90 Presidenti i Republikës e ka dekoruar Mestan Ujanikun me medaljen “Shqiponja e artë” dhe me titullin “Dëshmor i demokracisë.”






















