Bashkim Koçi: Skënder Mustafaj, fëmija i njëmbëdhjetë i Zylyftar Veleshnjës

Ishte 24 janar. Zylyftar Veleshnja kthehej nga Tënda e Qypit, ku hipur mbi një kalë, jo vetëm si invalid lufte, por edhe si Komandant i Grupit të Tretë të Skraparit, kishte marrë pjesë në festimin e përvjetorit të fitores të një nga betejave me të lavdishme të luftës partizane dhe të të gjithë historisë të Luftës ANÇ e zhvilluar më 19-24 janar të vitit 1944. Në këtë manifestim madhështor, siç bëheshin në vitet e pasluftës, merrnin pjesë jo vetëm luftëtarë dhe drejtues të lartë të formacioneve luftarake partizane, siç ishte edhe Komandanti i Brigadës së I Sulmuese, Mehmet Shehu, protagonist i asaj beteje, por edhe të rinj e të reja, shumica nxënës shkollash. Këta të fundit, pra nxënësit e shkollave, kishin marrshuar disa dhjetra kilometra më këmbë për të mbëritur në Tëndën e Qypit. Ata vinin nga shkollat e Skraparit, Çorovoda dhe fshatrat, por me qindra të tillë vinin nga të gjitha kategoritë e shkollave të qytetit të Beratit dhe ato të rrethinave, deri edhe nga Qyteti Stalin (sot Kuçova﴿. -Të kam sjellë një mik, i tha Zylyftari gruas, Bules, e cila e priste te pragu i derës me merakun se si e kishte përballuar atë rrugëtim të gjatë në palcë të dimrit. -Ç’është ky djalë, ku e gjete o Zylyftar. Qënka bërë akull, dhe i kishtë fërkuar kokën e bërë qull nga lloha e dëborës e Tëndës së Qypit dhe e shiut që nuk kishte pushuar për orë të tëra.
Heroi i Popullit Zylyftar Veleshnja 

-Ky djalë, sot e sa të jemi gjallë ne të dy moj grua, do të jetë fëmija jonë i njëmbëdhjetë. Tek i kemi 10 fëmijë, nuk do të na prishë punë ky i njëmbëdhjeti, një lugë do të shtojmë.
Nëna e mirë Bule, i cila ia dinte huqet të shoqit, tha vetëm kaq: E pastë këmbën e mbarë o Zylyftar dhe ky tani e tutje do të jetë vëllai i vogël i pesë motrave e pesë vëllezërve.
Më pas, pasi djalin e porsaardhur e lanë dhe e shplanë, i dhanë edhe për të ngrënë, pasi ai kishte bërë rrugë të gjatë e të lodhëshme. Diku në dhomën tjetër të shtëpisë, Zylyftari kishte marrë Bulen mënjanë dhe i kishte treguar fill e për pé historinë e djalit, të cilin më në fund kishin vendosur ta mbanin aty, ta birësonin e ta rrisnin e trajtonin si dhjetë fëmijët e tyre. Fëmija e kishte emrin Skëndër. E ëma, pas vdekjes së burrit kishte krijuar familje të re dhe Skënderin e vogën, s’dihet për ç’arsye, e kishte çuar në Shtëpinë e Jetimores të qytetit të Beratit. Këto të dhëna Heroi i Popullit Zylyftar Veleshnja ja kish marrë djalit gjatë rrugës që kishin bërë bashkë për të mbritur në Tëndën e Qypit. Në një çast të bisedës me të voglin, Zylyftari kishte qëndruar dhe, duke e ndjerë dhimbjen deri në zemër, i kishte thënë: Sot, kur të kthehemi në Berat, ti nuk do të vesh më në konviktin e Shtëpisë së Jetimores. Do të marr në shtëpinë time. Aty nuk do të jesh vetëm. Do të kesh edhe 5 motra e 5 vëllëzër të tjerë dhe nënë Bulen, i cila, do ta njohësh vetë, ka shpirt njeriu, do të kujdeset si ta kesh nënën tënde. Me ata të Drejtorisë, që të mos bëhen merak, do të flas unë. Hë, se për pak harrova, vijoi Zyluftari, po mbiemrin si e ke? Skënder, Skënder Mustafaj, iu përgjigj voglushi disi i druajtur. Ndërkohë Skënderi i vogël nuk kishte ndërresa dhe veshje të mirë, por ishin “të mira” si të një jetimi. Më dëgjo, i paskësh thënë Zylyftari Bules: Një nga ata kostumet e mi, merr kë të mbushet mëndja, dhe shko te rrobaqepësi për t’i sajuar një kostum Skënderit. Bulja, të cilës kur i fliste zemra, nuk bënte vaki që mendja ta kundërshtonte, nuk e bëri dysh fjalën e të shoqit dhe sakaq, brënda 4-5 ditësh Skënderi shkonte në shkollë i veshur ashik, si një dhëndërr. Kur kjo botë të miklon, të jep dhe të mirat e të tjerëve; po kur të kthen kurrizin, të merr dhe të mirat që ke hak. Me Skënder Mustafanë filloi një jetë e re, krejt tjetër. Madje ai u përshtat aq shpejtë e aq natyrshëm tek familja Veleshnja, saqë mori “legjitimitetin” të konsiderohej si të ish bir biologjik i Heroit të Popullit Zylyftar Veleshnja.

Skënder Mustafaj

Sigal

Të mbushet mendja se kur dikush braktiset nga të afërmit dhe arrin të bëhet i afërt me një që nuk ka lidhje gjaku, vetëm diçka hyjnore mund të arrijë mrekullinë. Këtë bekim Skënder Mustafaj, falë zgjuarësisë dhe pafajësisë për të qëndruar në krah të së mirës, nuk e la atë t’i ikte nga duart si retë në behar, por përdori shpirtin e tij fisnik për të ndjekur rrugën e njeriut të mbarë. Dhe rrugë “e mbarë” do të thoshte të ishte i shkëlqyer në mësime, të ndiqte me disiplinë të hekurt veprimtaritë e shkollës dhe të ishte kokëulur në kontaktet me shokët dhe shoqet, të cilët e vlerësonin si i biri i Heroit të Popullit Zylyftar Veleshnja. Falë këtij qëndrimi të vendosur e të palëkujndur përballë ndershmërisë ai arriti të përmbyllte shkëlqyer ciklin e arsimit 7-vjeçar, duke merituar, jo për emrin e ndritur të Zylyftar Veleshnjës, të vijonte shkollën për mësuesi në Normalen e famëshme “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Skënderi sa qe gjallë nuk e harroi kurrë ditën kur doli nga shtëpia shoqëruar nga babai i tij shpirtëror Zylyftari e tek porta e përcolli nënë Bulja, motrat dhe vëllezërit, të cilët mbanin në dorë edhe valixhen prej dërrase të vëllait të tyre që nisej për rrugë. Edhe pasi përfundoi shkollën për mësuesi Skënder Mustafaj nuk mbeti për asnjë çast “i përkëdheluri” i Beratit. Menjëherë, brenda atij viti, filloi detyrën e mësuesit në fshatin Vërtop. Ashtu si të gjithë kolegët e tij, vendosi të qëndronte, pra të sistemohej me banim aty dhe të kthehej pranë familjes vetëm njëherë në javë. Kur vinte rasti që të mund të vinin në dyshim karakterin e tij prej fisniku, nuk harronte të thoshte me mburrje e me kokën lart se ai ishte produkt i dy prindërve të shkëlqyer, Zylyftarit dhe nënë Bules. Ashtu si ndodhte në ato kohra në lëvizjen e punonjësve të arsimit, Skënderi, falë përvojës dhe kontributit, mbarvajtjes dhe kryerjes me pasion të detyrës si mësues një ditë u gjend në pozicionin e drejtorit të shkollës në fshatin Mbrakull. Mirpo kur njeriu është i ndershëm dhe punon mirë, arrin të bëjë emër, emër që jo rrallë shkon edhe në instanca të larta të rrethit. Kjo çka po them ndodhi edhe me mësues Skënder Mustafain. Një ditë kur erdhi në shkollën e Mbrakullës Sekretari i Parë i Beratit, Pirro Gusho, kërkoi që Skënderi të transferohej në Berat në një detyrë më të lartë, që kërkonte kualifikim dhe përvojë të lartë. Kërkesa, edhe pse u ripërsërit me këmbngulje, nuk u pranua vetëm për një fakt: Sekretari nuk mundi dot të merrte “autorizimin” nga fshati. Bërësi i punëve të mira është më i mirë se vetë e mira. Mësues Skënder Mustafaj pse ishte i tillë qëndroi aty në fshatin e Mbrakullës plot 18 vjet. Madje gjatë atyre viteve ai, si njeri i sakrificës, arriti të përfundonte edhe Universitetin e Tiranës në degën Histori Gjeografi. Për t’i dhënë hakun, pra atë që ai njeri meritonte, duhet të themi se ai detyrimet që kishte nuk i linte kurrë pas dore apo të shkelte tej kufirit që i takonte të ish i dikujt tjetër. Këto cilësi të virtytëshme ai i shfaqi dhe në detyra të tjera. I shquar me punën me masat, dikur transferohet masovik në Bashkimet Profesionale në Berat, ku punoi me shumë pasion, e në veçanti në Ndërmarrjen Bujqësore, ndër më të mëdhatë e rrethit të Beratit. Më vonë do të punonte si masovik në Shtëpinë e Pionierit, ku me pasionin si mësues, muzikant dhe poet la gjurmë në shumë aktivitete të këtij institucioni me emër në të gjithë rrethin e Beratit. Këtu ja vlen të ndalemi pak. Zylyftarit nuk i shpëtonte nga syri asnjë interes i Skënderit, prandaj një ditë shkoi dhe bleu një fizarmonikë dhe u tha fëmijëvë: – Po dëshët mësoni t’i bini. Të gjithë e prekën instrumentin, por i vetmi që shfaqi interes dhe e rrëmbeu ishte Skënderi, i cili mbyllej në dhomë dhe mësoj mrekullisht magjinë e asaj vegle muzikore, të cilën nuk e ndau nga veprimtaria vetiake gjithë jetën. Skënder Mustafaj për të gjitha punët ndjehej i përkushtuar deri në vuajtje, në kërkim të të pamundurës. Të gjithë këtë zell dhe pasion pune ai ia dedikonte edukimit me ideale humaniste babai i tij shpirtëror, Zylyftar Veleshnja, të cilit i mbeti mirënjohës deri në fund të jetës së tij. Pas daljes në pension Skënder Mustafaj, duke i konsideruar si thelbësore vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare u angazhua me shpirt e zemër në Organizatën e Familjeve të Dëshmorëvë të Atdheut të bashkisë të Beratit. Ky fakt tregonte se ky bir i denjë trashëgonte, ashtu si ati që e rriti, Zylyftari, pasurinë më të madhe, siç ishte atdhedashuria e patriotizmi. Ishte fillimi i viteve 2000 kur u bë pjesë e kësaj Organizate dhe pas dy viteve u zgjodh si nënkryetar. Nuk kaluan shumë kohë dhe përkushtimi i pazakontë i tij në vitin 2003 do të caktohej në detyrën e Kryetarit të OKDA, dega Berat për ta mbajtur deri në fund të jetës së tij, deri më 8 Mars 2020. Gjatë atyre viteve, falë përkushtimit të pazakontë, do të bënte pjesë në të gjitha forumet e larta të OKDA në shkallë vendi dhe atë të OVP të LANÇ “Nderi i Kombit”. Veç angazhimit në veprimtaritë e përditshme e të përvitshme ky intelektual me zemër të madhe ka lënë edhe shumë libra ku përjetësohen vlerat, simbolet dhe jeta e vepra e Dëshmorëve të Atdheut për Beratin. Ndër to hedhin dritë që nuk do të shuhet kurrë librat “Lulëkuqe mbi mermer”, me biogafi të plotësuara të shumë dëshmorëvë të rrethit të Beratit, “Publiçistika” ku përmblidhen artikuj ku bëhet fjalë për LANÇ, vëllimi me tregime “Midis dy kohëve”, vëllimi me poezi: “Kur zemra rreh”, “Historiku i familjeve të Organizatës së Dëshmorëve Berat” dhe libri “Familja Veleshnja”. Skënder Mustafaj u nda nga jeta më 8 Mars të vitit 2020, duke lënë pas një emër të ndritur jo vetëm për familjen e tij të vogël, por sidomos për atë të madhen, për atë që nderohej e nderohet ende me emrin e Heroit të Popullit Zylyftar Veleshnja. Thuhet se nderi dhe respekti që mund t’i bëhet një të ikuri nga kjo botë është të jesh qëndrestar i idealeve dhe i virtytëve që ai mbante. Në këtë aspekt familja Mustafaj, ajo që lindi, u rrit dhe u mëkua me cilësitë më të larta nga ajo e Heroit të Popullit Zylyftar Veleshnja, vazhdon të jetë po ajo. Fakti që rrugën dhe të gjithë barrën e punëve, që lidhen me atdhedashurinë e atë patriotike, po e ndjek në mënyrën më të mirë të mundëshme bashkëshortja e Skënderit, pasionantia dhe veprimtaria e palodhur Fatmira Mustafaj.

Borizani I betejës së Tëndër së Qypit, Haki Kapaj (pikturë﴿

Skënder Mustafaj në një nga veprimtaritë kushtuar Heroinës së Popullit Margarita Tutulani në Berat