Lëvizja Çame / Samiti i …supës, ndryshe, takimi Meta-Idrizi

616
Sigal

Në këtë rrëmujë dhe amulli që ka mbërthyer në  jetët tona të përditshme titrat që Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi u takuan të një lokal peshku te ish blloku ishte nga të paktat lajme që mund të kalonin pa u vënë re. Ajo që të bënë t’i kushtosh pak vëmendje këtij lajmi është ironia e sms që këto “lider” i dërguan pa dashje medias për të dekonspiruar takimin e tyre. Mësuam që tema e takimit na qenkësh koalicionet e ardhshme politike dhe rezoluta çame. Nuk mjaftonin zyrat e LSI, zyra e PDIU-së, zyrat e kuvendit që dy kryetar partish të këtij vendi të uleshin dhe të bisedonin seriozisht fatet e këtij vendi? Edhe sikur e vërteta të ishte që këto dy qenie politike të kenë harxhuar 5 minuta nga supa e tyre për të diskutuar fatet e Shqipërisë, fakti që diskutonin për Shqipërinë me buzët me supë e kthen të gjithë këtë shfaqje në diçka të pështirë dhe qesharake. Do të kishim dëshirë të kishim ditur nëse Idrizi duke qenë inekzistent në partinë e vet, duke mos mbajtur as edhe një nga premtimet e tij elektorale dhe politike, duke e lënë komunitetin Çam në mëshirën e fatit të tij dhe duke qenë në grahmat e fundit të shpërbërjes së tij politike tashmë a mos po kërkon të fshihet nën hijen e “madhe” që Ilir Meta pretendon se lëshon? Një gjë është e sigurt, këto njerëz nuk bëjnë kurrë politikë atdhetare apo nacionaliste, pa bërë më parë kalkulime të pastra biznesi sesi të mbijetojnë dhe sesi të nxjerrin kokën mbi baltën që ato vet e kanë prodhuar dhe i kanë zhytur shqiptarët në të. Dje kishte ngjarje politike të dorës së parë, mund të përmendim deklaratën nga ish Presidenti i Greqisë për çështje territorialiteti, dje erdhi Ministri i Jashtëm i Serbisë në Tiranë, dje kishte protesta në Prishtinë, kishte zhvillime për shqiptarët e Maqedonisë, ish të burgosurit politik dolën nga greva e urisë e shumë të tjera si këto. Të gjithë prisnim deklarata serioze nga kryetar partish që pretendojnë të kenë Çështjen Kombëtare në axhendën e tyre po jo, lajmi i vetëm që na erdhi është që Idrizi dhe Meta përpos gjithçkaje që ndodhi po hanin supë. Idrizi mbas gjithë keqpërdorimit të vendeve të punës të përfituara nga marrëveshja me PD, mbas emërimit në këto vende njerëz me kualifikimin më të ulët të mundshëm dhe babëzi të lartë, mbas faturës politike që i ngarkon PD-së si parti në qeverisje me sjelljen e drejtorëve të tij dhe të vetën të papërgjegjshme tani na i bënka indirekt edhe presion. Shpresojmë mos t’i marrin seriozisht partitë e mëdha këto manovrat fëminore të Idrizit se, ndryshe politikisht do t’i lënë atij vetëm “kockat”. Nëse supa e sotme do të perceptohej si presion do të ishte fillimi i fundit të tij politikë. Nëse për Idrizin politikë kombëtare do të thotë të babëzitesh me lugën që PD-ja të ka vënë në dispozicion, të përpiqesh të përdredhësh bishtin pas LSI-së dhe t’i shkelësh një sy PS-në për çdo rast, për ne, shqiptarët e thjesht të Çamërisë kjo sjellje vlerësohet si papërgjegjshmëri e pafalshme politike dhe si tradhti kombëtare. Ky është dëmi më i madh i mundshëm që një kryetar me dashje mund t’i shkaktoj çështjes dhe kauzës sonë. Kjo sjellje veç na ndan nga komuniteti ynë dhe na bën të tregohemi me gisht nga çdo shqiptar i ndershëm që ka “dy pare mend në kokë”. Idrizi mund të organizonte partinë e vet ndërkohë, mund të legjitimonte veten kryetar (të paktën më një palë zgjedhje si ato të Metës), mund të ndërtonte struktura dhe të përçonte vet lideri, drejtuese dhe vendimmarrëse, mund ta hapte PDIU-në drejt komunitetit Çam dhe mos ta kthente atë në një bunker me një zyrë ku i vetmi vendim i rëndësishëm është si ti bëjmë presion PD-së t’i marrim ndonjë nga ato drejtorit “me lekë”. Në samitin e supës vihej re mungesa e deputetit Tahiri. Intrigues për komunitetin është fakti nëse mungesa e tij vjen për faktin se Idrizi nuk donte të ndante supën me të apo ky i fundit kishte frikë mos PD-ja i priste ato supat që kështu si pa dashje përfiton në emër të komunitetit çam? Komuniteti çam kërkon zgjidhje politike dhe ligjore, komuniteti çam kërkon pronat dhe varret e të parëve të tyre, komuniteti çam kërkon të kthehet lirshëm në shtëpitë e baballarëve të tyre, komuniteti çam kërkon patriot dhe jo supaxhinj që mendojnë veç për interesa meskine dhe personale. Duket që një ndarje e madhe do te jetë e pashmangshme së shpejti, komuniteti çam do të vazhdoj të luftoj i bashkuar për Çamërinë duke u përpjekur t’i jap shansin të tjerë burrave të ndershëm dhe patriot t’i udhëheqin nëpër beteja dhe do të abandonojnë pseudo-drejtuesit e tanishëm që fatkeqësisht në emër të komunitetit do të zmadhojnë grykësin e tyre për qëllime private dhe personale.