Lush Susaj: Abuzimi me fondet e rindërtimit nuk mund të lahet me demagogji, as dosje fiktive 

1094
Sigal

Financimi për rindërtimin dhe problemi me korrupsionin dhe injorancën

Nga Prof. Dr. Lush Susaj

  • Urojmë që të mos shkohet deri tek hedhja e gurëve.

Viktor Hygo ka shkruar: “Streha e fundit e mbretërve është gjylja e topit, ndërsa streha e fundit e popullit, hedhja e gurëve”

 Takimi i donatorëve për fondet e rindërtimit është dëshmia më e mirë e mbështetjes së përhershme e të pakursyeshme të botës demokratike ndaj Shqipërisë dhe popullit të sajë që përballët dhe lufton përditë me krizat dhe varfërinë artificiale që buron nga korrupsioni, fiktiviteti dhe injoranca e thellë politike dhe administrative. Grumbullimi i një fondi prej 1,15 miliardë eurosh e që mesa duket do të monitorohen më nga afër nga donatorët, institucionet dhe bankat ndërkombëtare, është edhe një moment shumë i rëndësishëm që Shqipëria të ndërmarrë reforma rrënjësore në drejtim të investimeve, të hapjes dhe menaxhimit efektiv të fronteve të punës dhe ndërtimit, të përdorimit të parasë dhe të burimeve njerëzore, etj.

  • Abuzimi me fondet e rindërtimit nuk mund të lahet me demagogji as dosje fiktive

Askush nuk duhet të mendojë se këto fonde (ku ¾ janë kredi që duhen shlyer nga taksat tona), mund të abuzohej e të përfundojnë aty ku kanë përfunduar donacionet dhe fondet e dhëna në vite për bujqësinë që sot ndodhet në ditën e sajë më të zezë, as ato të adresuara për blegtorinë pa eksporte e në minimumin historik të numrit të krerëve, as ato të adresuara për mjedisin e denatyruar e tashmë të ndotur si kurrë më parë, as ato të adresuara për arsimin pa klasa, pa tekste e me laboratorë më të varfra se ato të viteve 1970-1980, etj. Bota demokratike e ka kuptuar dhe e ka shumë të qartë problemin e madh  që Shqipëria ka me korrupsionin që është zhvilluar e lartësuar deri në këtë pikë të rrezikshme përmes qeverisjeve të njohura klanore e përjashtuese, përmes fiktivitetit e preventivave të fryrë dhe përmes injorancës e denatyrimit etik e Professional të pashembullt të administratës dhe institucioneve. Bujaria e popujve dhe qeverive demokratike të Europës dhe SHBA është dhe duhet të përkthehet në analizë për më shumë punë e vetëdije politike e shtetërore në shërbim të reformimit të gjithanshëm të institucioneve dhe të ndryshimit të gjithë sjelljes së deritashme abuziviste, nepotike e hajdutërore ndajë pronës, investimeve dhe posteve drejtuese në administratë dhe institucione. Mbështetja aktuale për rindërtimin është edhe një kambanë tjetër alarmi për të hequr dorë sa më parë nga përgojimi dhe sjellja poshtëruese ndaj rinisë, ndajë punëtorëve dhe gjithë specialistëve të vendit që po përballën përditë me dy alternativa, ose të pranojnë poshtërimin dhe vjedhjen e mundit e të djersës së tyre përmes punës së rëndë dhe pagës së ulët të skllavit, ose të largohen në emigracion në kërkim të një vendi ku vlerësohet jeta, puna dhe dinjiteti i njeriut. Qeverisjet nepotike e orientale të Shqipërisë, kurrë nuk e njohën as respektuan natyrën, as jetën, as punën dhe as dinjitetin njerëzor. Qeverisja aktuale nuk e njeh fare këtë fushë. Sundimtarët tonë duan dhe mendojnë për skllevër e jo për qytetarë që punojnë e kontribuojnë, sjellja dhe mendja e tyre e vogël na shpie as më larg dhe as më afër se në rendin e vjetër skllavopronarë.

  • Gjithmonë mirnjohje për takasapaguesit dhe qeveritë e vendeve demokratike.

Për gjithë mbështetjen dhe ndihmën e madhe financiare, nga zëmra e çdo shqiptari buron vetëm mirënjohje e thellë dhe e sinqertë për popujt dhe qeveritë demokratike që nuk e harruan dhe nuk e braktisën kurrë Shqipërinë as popullin e sajë.  Në këtë rast nuk e kam fjalën për një mirënjohje që do të nënkuptonte thjeshtë detyrimin e kthimit të borxhit financiarë të këtij apo të rasteve të tjera. Përkundrazi tek shqiptarët ka ekzistuar e do të ekzistojë përjetë ndjenja e një mirënjohjeje të vërtetë e të sinqertë për çdo ndihmë e qindarkë të dhënë nga popujt dhe nga vendet demokratike, si dhe detyrimi për ti administruar ato me përgjegjshmëri e transparencë të lartë. Mirënjohja dhe besnikëria e vërtetë e shqiptarëve ndaj vlerave demokratike të Evropës dhe SHBA, është hyjnore, është shumë e më e madhe dhe më e rëndësishme se sa ajo ndjenja e njohur e borxhit që duhet kthyer me patjetër. Në teologji shkruhet se: Nëse nuk u qëndron besnik dhe mirënjohës njerëzve që të rrethojnë dhe të bëjnë ndere, nuk mund të jesh i lumtur…..A je njeri i fisëm, apo je faqezi dhe horr?”. Pavarësisht nga qeverisjet klanore e despotike e klanore, në thelb e në tërësi shqiptarët janë njerëz të fisëm, janë besnikë dhe të njohur për kurajë e neveri ndaj horrave, hajdutëve e mashtruesve.

  • Mendësia dhe sjellja orientale e administratës, barrë e rëndë për Shqipërinë

Sundimtarët oriental dhe administratat e tyre janë tipike parazite e shkatërrimtare për jetën dhe ekonominë e një vendi. Në të tilla administrata, gjithkush dëshiron të abuzojë, të jetojë e të pasurohet në kurriz të shtetit i cili jeton në kurriz të mundit e djersës së të gjithëve. Një nga karakteristikat tipike të sjelljes së sundimtarëve dhe administrative orientale është shpërfillja dhe tallja me punëtorët, me talentet dhe me njerëzit e thjeshtë të punës dhe të dijes, karakteristikë që buron nga injoranca, mungesa e njerzillëkut dhe vlera tepër e ulët e tyre.  Në këtë kontekst, kujtoj një shprehje të poetit të njohur Khalil Gibran (2014) që thotë: “Vetëm njerëzit e vegjël përpiqen të poshtërojnë dhe të ulin të tjerët. Kush nënvlerëson të tjerët është vlerëpakë”. Tallja me njerëzit e rrugës apo të kafeneve nuk është aspak normale. Nuk është serioze as normale të bëhet propagandë sikur shqiptarët janë dembelë e nuk duan të punojnë. Shqipëria në vite e dekada është përballur me diktatura, me sundimtarë oriental, me korrupsion e fiktivitet, me vjedhje e krime elektorale e pasurore, e të tjera dukuri negative mjaft të njohura për qeveritë dhe popujt e botës demokratike. Por askush nuk mund të kultivojë absurdin sikur shqiptarët qëndrojnë nëpër kafene e nuk pranojnë të punojnë apo shqiptarët nuk njohin profesionet dhe nuk dinë të punojnë. Sundimtarët oriental të Shqipërisë dhe administrate nepotike e krahinore e tyre janë mësuar që ti shohin shqiptarët duke punuar nga Konispoli e deri në Vermosh për dy bukë misri në ditë e të veshur me rrecka e opinga të grisura. Për fatin tonë të keq vazhdon e njëjta mendësi dhe dëshirë egoiste e narciste për të parë njerëz që bëjnë beton me lopatë e që paguhen vetëm 8 euro në ditë, apo gra e vajza që qepin këpucë e paguhen me vetëm 4 euro në ditë. Shqiptarët janë qytetarë të mirë të një bote të lirë e sit ë tillë nuk mund të pranojnë më kurrë as punën e skllavit, as pagesën e skllavit dhe as keqtrajtimet dhe etiketimet e skllavit. Shqiptarët janë punëtorë të mirë, janë profesionistë të mirë, janë miq e shokë të mirë, janë ndërtues të mirë, janë njerëz që e bëjnë punën e tyre me dashuri e përkushtim. Një fjalë e urtë thotë që: “Nëse e pjek bukën me shpërfillje, ke pjekur bukë të hidhur”.  Është koha për vetëpërmbajtje e për një ndjesë publike të sinqertë ndaj përgojimeve, vuajtjeve dhe shpërfilljes së gjatë e të pamerituar të punëtorëve dhe specialistëve shqiptarë që ose ngrysin ditët pa punë e shpresë në vendin e tyre të vjedhur, ose behën skllevër pa pagë e pa dinjitet ose largohen në kërkim të azilit apo një punë që paguhet e respektohet. Bertrand de Jouvene ka shkruar: “Një shoqëri delesh me kohë lind një qeveri ujqërish”. Ndërsa Arthur Schopenhauer ka shkruar: “Etja për pasuri dhe famë është vetëshkatërrim. Pasuria është si uji i detit, sa më shumë njeriu pi aq më i etur bëhet; dhe e njëjta është e vërtetë edhe për famën”. E përbashkëta e të gjithë sundimtarëve dhe administratave tona orientale ka qenë dhe është egoizmi dhe etja e pushtetarëve dhe politikanëve për pasuri e famë. Për më keq është mendësia e të pasurit të një populli të nënshtruar, të varfër. Në mendjen e tyre kanë projektin e një populli skllav që ta shtypin, e vjedhin, e drejtojnë e mund ta kullosin apo dreqosin njëlloj delet. Shqipëria, mbase më shumë se kurrë ka nevojë për drejtues, njerëz dhe institucione që dinë të respektojnë natyrën, dijen, punën, profesionet dhe të drejtat e liritë e tjera themelore të njeriut.

  • Urojmë që të mos shkohet deri tek hedhja e gurëve.

Viktor Hygo ka shkruar: “Streha e fundit e mbretërve është gjylja e topit, ndërsa streha e fundit e popullit, hedhja e gurëve”. Askush nuk e dëshiron konfliktin as hedhjen e gurëve mbi administratën dhe institucionet. Matematika është shkenca më e saktë dhe me përdorimin më të gjerë në shkencë, në politikë, në shoqëri, në ndërtimtari e kudo tjetër. Teoria mbi probabilitetin na mëson se kur vlera e probabilitetit është një, kemi të bëjmë me një ngjarje të sigurt. Unë jam i bindur për faktin që, nëse fondet dhe investimet e rindërtimit do të përdorën apo akuzohen me logjikën e preventivave të fryrë dhe demagogjisë së deritashme me ministra fuqiplotë apo me ministra e drejtor me gjysmëfuqie, hedhja e gurëve do të jetë ngjarje e sigurt dhe koha e hedhjes do të jetë e afërt. Shqipëria ka nevojë për institucione dhe një administratë qendrore e lokale funksionale që të menaxhojnë me përgjegjshmëri e profesionalizëm të lartë çdo ndihmë e qindarkë të dhënë për rindërtimin e vendit. Është koha që politikanët e Shqipërisë të kuptojnë nevojën jetike të ndryshimit të sjelljes dhe qëndrimit të tyre ndajë shoqërisë, natyrës dhe mendimit njerëzorë. Është koha për të bashkëpunuar për zhvillimin e qëndrueshëm e jo për përçarjen, korrupsionin as konfliktin.