Xhevat Mustafa: Bota na dashka më shumë se qeveria jonë

538
Sigal

Xhevat Mustafa

Me shumë gjasa në Bruksel dhe Uashington e dinë mirë se qeveritë socialiste të Shqipërisë janë me “fat të madh”.  Edhe në operacionet ndërkombëtarë të ndihmave financiare, materiale, ushqimore, mjekësore…për Shqipërinë më 1991-1992, 1997, më 1999  në drejtimin e vendit ishin qeveri socialiste, të cilat u përfolën jo pa fakte për abuzime të shumta e të mëdha korruptive me ndihmat nga bota.

Natyrisht, të gjithë si shqiptarët, në rradhë të parë ata që patën humbje të mëdha njerëzore dhe në banesa nga tërmeti 26 nëntorit 2019, duhet të gëzohemi nga përfundimi i Konferencës së Donatorëve në Bruksel i 17 nëntorit 2020 me shifrën e 1.15 miliardë eurove, në formë ndihme të drejtpërdrejte dhe kredishë të buta! Më shumë me shpresë të Zotit në qiell, të nxitjes dhe shtyrjes nga qeveritë e vendeve donatore se nga ne vetë, na takon të urojmë dhe shpresojmë që këto ndihma financiare të shkojnë 100% në drejtimin e duhur e të nevojshëm.

Pra, për ndërtimin e pallateve dhe të shtëpive të reja për ata mijëra viktima të tërmetit, që janë edhe sot e kësaj dite nëpër çadra, hotele, në banesa kushërinjsh, miqsh, shokësh…1.15 miliardë eurot  që u dhanë nga Konferenca e Donatorëve mund të interpretohen edhe si një “Mini Plan Marshall”, që, përveç procesit të rindërtimit,  ka si synim parësor edhe uljen e ndjeshme të fluksit të emigrantëve nga Shqipëria drejt Gjermanisë, Francës, SHBA-së, Kanadasë, e tj. dhe punësimin në vend, për disa vite, të sa më shumë të papunëve shqiptarë të moshave të reja.

Duke ndjekur jehonën e Konferencës së Brukselit më 17 shkurt 2019, më bëri përshtypje sidomos shpejtësia e disa politikanëve dhe qeveritarëve si dhe e “të majtëve”  të hapur apo “maskuar”, edhe mes mediave, për të rritur ndjeshëm shifrat si dhe për ta reklamuar humanizmin, solidaritetin dhe bujarinë e qeverive donatore dhe kreditore si meritë parësore të qeverisë Rama dhe të atij, individualisht si kryeministër. Si kundërpërgjigje ndaj tyre ndihmon për saktësi  fakti se kjo kjo konferencë dhe ndihma që dha ajo për Shqipërinë dhe popullin shqiptar është vazhdim i një tradite të moçme botërore dhe jo për herë të parë, si eksluzivitet  në histori për qeverinë Rama.

Po sipas kësaj tradite dhe praktike  fondet e ndihmave u jepen qeverive të vendeve, për të cilat janë mbledhur konferencat e donatorëve dhe jo qytetarëve-viktima shtëpi më shtëpi në cash, apo nëpërmjet bankave, Kështu do të veprohet edhe për qytetarët shqiptarë- viktima të tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke i dhënë ndihmat dhe kreditë nëpërmjet qeverisë Rama…

Paratë që u deklaruan si grante e donacione dhe si kredi në Bruksel, më 18 shkurt 2020, janë shprehje humanizmi dhe jo simpatie personale apo partiake për qeverinë dhe kryeministrin, për të mbyllur apo cektësuar  disa gropa të mëdha në buxhet apo për të përfituar dhjetra miliona euro në forma korruptive ata që do të kenë fatin t’i marrin dhe përdorin!

Nëse Edi Rama  do të mburret se janë ndihma për atë personalisht, kjo mund të merret njësoj sikur ai të mendojë dhe mburret se ka meritë përcaktuese edhe se shkaktoi tërmetin e 26 nëntorit 2019!

Thjesht për informacion, pa u kthyer në Itali me vite pas, para rreth 9 muajsh një konferencë si ajo e Brukselit për Shqipërinë, u zhvillua për Mozambikun, në Beira të Portugalisë, më 31 maj dhe 1 qershor 2019. Më shumë se 600 njerëz u vranë kur cikloni Idai, më 25 dhe 26 mars 2019  goditi provincat qendrore në Mozambik me erëra të mëdha dhe shi  të zgjatur, të cilat shkaktuan përmbytje krahinash dhe fshatrash të tërë. Rreth 400 000 njerëz u zhvendosën, mbi 715 000 hektarë të lashta u shkatërruan dhe 1.85 milion njerëz mbetën në nevojë për ndihmë humanitare.

Nga Konferenca e Donatorëve qeverisë së Mozambikut iu dhanë në formë ndihmash dhe kredishë gjithësejt 1.2 miliardë dollarë, kur ajo kërkonte rreth 3.2 miliardë dollarë. Për të mos përjashtuar të keqen se lëvrimi i 1.15 miliardave euro si kredi dhe ndihma mund ta zgjasë procesin e  rindërtimit me vite na ndihmon përvoja e hidhur në Italinë fqinjë. Janë ndërruar disa qeveri, por qindra familje vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të mos jenë sistemuar në kushte optimale dhe përfundimisht pas termetit të 6 prillit 2009 në Aquila, që shkaktoi rreth 300 të vrarë dhe qindra ndërtesa të shkatërruara si dhe termetit të 24 gushtit 2016 me rreth 250 të vrarë, 400 të plagosur dhe qindra banesë të rrënuara ose të dëmtuara rëndë. Dashtë Zoti tek ne nuk zgjat me vite, si në Itali, Turqi,  Kili, Kolumbi,  Indonezi, Sri Lanka, Bangladesh, Haiti, Ekuador… lëvrimi i ndihmave financiare ndërkombëtare!

Meqenëse ka filluar një fushatë e madhe për të nxjerrë parësor rolin personal të Edi Ramës, duke e bërë gati hero, që “arriti t’u rrëmbejë ndërkombëtarëve me zgjuarsi”  jo pak, por rreth 1.15 miliardë euro, po bëj një renditje tjetër e të shkurtër të meritave dhe të meritorëve më të mëdhenj, edhe me doza humori të hidhur. Sipas gjykimit tim lista e meritave dhe e meritorëve mund të jetë përafërsisht në këtë formë:

-“Merita e parë” është e tërmetit të 26 nëntorit 2019, që ra afër vendit tonë , që qe i fortë dhe bëri dëme të madhe njerëzore, banesore dhe materiale.                                                                                                                -“Merita e dytë” është e cilësisë së dobët të ndërtimeve dhe e materialeve të ndërtimit në vendin tonë, jo vetëm të para viteve 1990-të, por edhe në këto 20 vitet e fundit, përfshirë pra edhe kohën e kryebashkiakllëkut të Edi Ramës, Vangjush Dakos dhe të paraardhësve të tyre, socialistë dhe demokratë…

-Merita e tretë ështe e mediave të vendit dhe atyreve ndërkombëtarë, që i pasqyruan me operativitet dhe gjërësisht dëmet dhe pasojat e tërmetit të fortë të 26 nëntorit 2019.          -Merita e katërt si rradhë, por parësore është e ndjeshmërisë njerëzore, institucionale dhe shtetërore, e solidarizimimit dhe humanizmit të vendeve dhe qeverive të BE-së dhe të disave  të Botës Arabe.                                                                                                  -Merita e pestë dhe e fundit i mbetet qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, që apeluan shpejt për ndihmë të fuqishme ndërkombëtare dhe u bënë bashkorganizatorë të Konferencës së Brukselit, më, 17 shkurt 2020, duke u befasuar edhe ata nga shuma prej 1.15 miliardë euro, me dy të tretat e saj dhënë  në formën e kredive me interes të butë dhe një të tretat si ndihmë e pastër apo donacione.

Saktësisht,  295 milionë euro janë grante, donacione, të cilat shtetet i dhurojnë për Shqipërinë për proçesin e rindërtimit, ndërsa 885 milionë euro janë kredi të buta. Për të lakuriqësuar apo për t’u bindur me një rast të ri manipulimi nga Arben Ahmetaj ndihmojnë shifrat e fryra që dha ai në debatin në emisonin Oponion të TV Klan, në mbrëmjen e 18 shkurtit.

Ahmetaj u shpreh se nga 1.15 miliardë euro të mbledhura nga kjo konferencë në ndihmë të rindërtimit të Shqipërisë pas goditjes nga tërmeti i 26 Nëntorit, “400 milionë janë para dhuratë dhe rreth 700 milionë janë kredi të buta”. Shikoni më lart shifrat e vërteta dhe do të dalë stërzmadhimi i tyre nga ministri i Edi Ramës. 295 milionët si grante dhe donacione ai i bën 400 milionë në sytë dhe veshët e qindra mijëra shqiptarëve që e ndiqnin live, duke shtuar 105 milionë, ndërsa  885 milionët si kredi me interes  të ulët i ul në 700 milionë, duke “ngrënë”  apo “fshehur” 185 milionë euro.

Natyrshëm, nga kushdo mund të shtrohet pyetja se si mund t’i besohet një ministri  të një qeverie dhe partie, që  shton dhe pakëson jo me dhjetra euro, por me qindra milionë euro?

Gjithsesi, përtej euforisë, ekstazës apo orgazmës qeveritare dhe të mediave të saj, këto rreth 885 milionë dhënë si kredi, duhen llogaritur si shtim i ndjeshëm i borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, që do të mbeten për shumë vjet dhe disa qeveri në kurriz të qytetarëve taksapagues dhe jo vetëm të kësaj qeverie.

Me shumë gjasa, kjo qeveri nuk do të mund ta shtyjë mbijetesën përtej  fundit të mandatit të  saj të dytë, ashtu si qeverisjet e mëparshme në këta rreth 29 vjet të pluralizmit apo të pasdiktaturës komunisto-socialiste.

Po kështu, për t’u bindur se Konferenca e Donatorëve ishte një “rast i artë” për të përfituar kapital politik, partiak dhe personal ndihmon edhe loja me shifrën e vërtetë të ndihmave dhe kredive nga Franca.

Në fillim, me shumë gjasa nga burime të afërta me ERTV dhe qeverinë, shqiptarët e u befasuan nga “bujaria e madhe franceze, me rreth 100 milionë euro si ndihmë dhe rreth 60 milionë euro si kredi me interes të butë”.

Në darkë, ministri Ahmetaj ia hoqi dy zerot e shtuara në mënyrë abuzive ndihmës franceze dhe “kokoshi nga  Franca” na mbeti… 1 milionë euro!?

Është për t’u gëzuar  nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së dhe të SHBA-së  se ndihmat që i janë dhënë qeverisë shqiptare për procesin e rindërtimit do të jenë nën kontrollin rigoroz të Bankës Botërore dhe të hallkave të tyre të auditimit, për të mos  rënë pre e korrupsionit apo “piranjave” shqiptare.

Me shumë gjasa në Bruksel dhe Uashington e dinë mirë se qeveritë socialiste të Shqipërisë janë me “fat të madh”.  Edhe në operacionet ndërkombëtarë të ndihmave financiare, materiale, ushqimore, mjekësore…për Shqipërinë më 1991-1992, 1997, më 1999  në drejtimin e vendit ishin qeveri socialiste, të cilat u përfolën jo pa fakte për abuzime të shumta e të mëdha korruptive me ndihmat nga bota.

Nëse nuk do të dojë dhe dijë t’i mirëadministrojë, t’i ruaj, që mos rrjedhin dhe pikojnë miliona nëpër xhepa zyrtarësh dhe oligarkësh-miq të sajtë saj, t’i përdorë me përgjegjshmëri dhe drejtësi, ka shumë mundësi që edhe kjo meritë e pakët e qeverisë dhe e kryeministrit Rama personalisht për dhurimin dhe kreditimin e 1.15 miliardëve euro  të shndërohet në faje, turpe, skandale, në abuzime, veprime të dënueshëme moralisht dhe juridikisht…