Skënderbeu i “pret kokën” Teutës

515
Sigal

Kampionët në fuqi fituan 2-0 në Durrës, por trajneri Josa e ka mendjen te sfida me Tiranën

Fitore e rëndë kampionësh. Falë triumfit 2-0 ndaj Teutës në “Niko Dovana”, Skënderbeu kryesues (17 pikë) e thelloi diferencën në tri pikë ndaj Besës së vendit të dytë dhe katër pikë ndaj Tiranës. Një fitore e çmuar e trajnerit Mirel Josa, që shtron gjithmonë dhe më shumë rrugën drejt titullit të tretë rresht të korçarëve. Një sukses, i cili në fakt mban firmat e dy lojtarëve të huaj: kroatit Pero Pejiç në minutën e 19-të (goli i tij i gjashtë sezonal në shtatë ndeshje) dhe bashkatdhetarit të tij, Zheljko Tomiç (70′). “E kishim vlerësuar këtë ndeshje shumë të rëndësishme për ne, e cila na jep prioritet për vazhdimësinë. Duhet të kemi parasysh rivalitetin e këtyre dy skuadrave në sezonin e kaluar, por sot (dje) djemtë i kanë kryer detyrat ashtu siç duhet. Ne kishim superioritet në mesfushë me Lilajn, Orelesin dhe Shkëmbin, duke fituar shumë topa, por edhe në sulm Pejiç e Plaku ishin të gatshëm për të konkluduar aksionet. Goli i dytë ne na çliroi për sa i përket vazhdimësisë së lojës, sepse kundërshtari po krijonte trysni ndaj nesh në ato momente, mund të ndodhte ndonjë gabim dhe Teuta mund të barazonte. Pra, goli i dytë na e lehtësoi detyrën”, tha pas ndeshjes, trajneri Mirel Josa. Ish-tekniku i Tiranës (ka fituar titullin me bardheblutë në sezonin 2003-2004) do të përballet ndeshjen e radhës kundër ish-skuadrës që e bëri të famshëm si lojtar. “Nuk shkoj direkt tek titulli, sepse i marr ndeshjet sipas radhës. Javën e ardhshme kemi një përballje tepër të fortë me Tiranën që është kundërshtari ynë direkt. Duke i marrë ndeshjet me seriozitet javë pas jave, këtë seriozitet që kemi treguar deri tani duhet ta vazhdojmë që ta kemi më të lehtë arritjen e titullit kampion. Është e sigurt që gabime gjatë rrugës do të ketë, por duhet që të mos na ndodhin në ndeshje vendimtare”. Nga ana e tij. zëvendëstrajneri i Teutës, Oert Kote, pranoi se skuadra e tij nuk funksionoi: “Lojtarët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Asgjë nuk funksionoi, çaluam në të tre repartet. Natyrisht që Skënderbeu është një kundërshtar shumë i fortë, por ne nuk dolëm në lojën tonë. Nuk është se kampionati mbaroi këtu, ndeshjet janë në vazhdim, ndaj duhet ta kalojmë me qetësi këtë moment, të jemi të bashkuar si staf, si ekip, në mënyrë që të rikthehemi sa më shpejt tek rezultatet pozitive”. Skënderbeu është duke bërë një sezon të shkëlqyer, duke qenë ekipi që ka numrin më të madh të fitoreve (5), por dhe skuadra që ka shënuar më shumë (13 gola).