Kozma GJINI/ “Dhuna” e Ramës dhe shkopi i Gjeçovit

560
Sigal

 … S’e dogji dot, nuk  e kalbi/as zjarri i pabesë, as dimri;/sikur thotë: Kanunin jua solla,/që ju me shkop ta përzini!…..Thonë se na qenkej “hapur” dosja e  shprehjes së “dhunshme” të Ramës, madje me ekspertë ndërkombëtarë. Çudi?! Veç një gjë s’kuptohej, pse i kishin vënë mbi kapak Dosja “Shkopi i Gjeçovit”dhe s’ia kishin vënë “Dosja Rama” . Akuza: Ka ushtruar dhunë psikologjike nëpërmjet shprehjes : “…Pa folur pastaj për paraqitjen time programatike, që u kthye në motiv për të ikur, deri nga salla me pretendimin se po ushtroj dhunë. S’keni parë asgjë akoma. Por, nuk keni faj, ua thashë edhe dje. 1 milion shuplaka janë shumë…”. Kaq tha oratori, me një artikulim të qetë dhe mimika s’reflektoi, as lodhje, as nxitim, por qetësi e buzëqeshje e milimetruar deri në një grimë alegorie. Ka disa ditë që e shkreta fjalë po lodhet duke shëtitur Evropën, “po doli nga dhëmballa e mori mëhalla”. Bre, çudi…kaq shpejt të paskej shkuar në veshin e zonjës “Pak”e cila e do “shumë” Ramën? Tani, të flasim drejt… një çiçkë  më shumë ajo anon nga Berisha, prandaj i “dha” Ramës në PE edhe disa “këshilla-shpulla”, që ne si shqiptarë të mos biem  në pozitat e fëmijës qaraman, ngjitur pas bluzës së edukatores: “Me leje, teta edukatore Europa! Të shkoj të bëj pak çiçin…?”  O tempora! O mores! Për kaq analfabetë i ditkan shqiptarët? Po, a nuk ishte Rama ai që s’ua fërshëlleu fare (po fare ama), d(h)iplomatëve të huaj të Tiranës, të cilët i “shqyen” xhaketën, për  t’i mbushur mendjen që të hiqte dorë nga protestat paqësore për kutitë…dhe i tregonin tryezën e parlamentit… deri sa më në fund erdhi 21 janari fatkeq i plumbave? Po nejse, diplomacia “di vetëm një gjuhë të huaj”, gjuhën  diplomatike. E kisha fjalën te “dhuna”. Pash zotin, z. Rama, thonë se atë llaf e kishe me të hedhur, si bastuni alegorik i Gjeçovit. Me demek fjalën “dhunë” e ke pas vënë në thonjëza “ajrore”? Apo, vërtet ke pasur ndërmend  ndonjë “kopaçe”, në një kohë që po vjen dimri e s’kemi dru për t’u ngrohur?! Në fakt, na ke hapur goxha front “pune”, se ne jemi të “punësuar” në një kafe dhe ohohooo…, pimë kafe e bëjmë llafe.  Por, po ziremi e ka plasur sherri se s’dimë nëse e lagu, apo s’e lagu bishtin skilja?!. Është dhunë, apo s’është dhunë? Tavolinë më tavolinë  burrat “lozin” hidh e prit “dhunën-top”  e s’i japin dot dum. Një palë “paskan” depozituar firmat në dosjen për ndjekje penale në gjendje të lirë të folësit…(!).  “Duhet çuar në gjyq se ka “ushtruar” dhunë  ndaj opozitës, (së cilës ende i duket vetja sikur është pozitë – tha Ruçi”. Ishin dhe një takëm burrash të qetë e mendje më vete, që e kthenin përmbys kuptimin e fjalës “dhunë”,  në një kohë që i  kishin veshur edhe një vello “artistike” me kripë, piper e humor. Popull ma…nga ata që përpiqen t’ia lexojnë tjetrit kartat në zhep. Këta thonë se Rama, si njohës i mirë i leximit të asaj që s’lexohet, punë pikturash ma…(ke parë si rrimë si guhakër para kubizmit)… edhe këtë fjalë kreu i pozitës na e paska nxjerrë qëllimisht nga ai “thes” për të “provokuar” opozitën. Ç’bënet kështu?! Po kush të merr vesh me alegorira, satira, sarkazma e metafora? Thuaji, more mik troç. Dajaku e ka emrin dajak. Na e veshe me plumba, do ta kthejmë me fjalë. Na qëllove me gura, do të qëllojmë me bukë. Bile, nuk është keq, që edhe në parlament “të vihet” si yrnek në mur një dajak, se: kobure s’keni, as vazo lulesh s’keni, pale po vajte sharove edhe hekurat(!)… Dhuna ka shumë emra që fillojnë nga: fryma, vijon me pickimin, thumbin, hostenin, me fshikullën, me llastiqet (si Coli…) vazhdon me  kamxhikun, dhëmbët e qenit, shkopin e gomës ( jo të thanës), kopaçen, shigjetën e deri te baruti… e plumbat… Drurin?…Aaaa..jo,  se drurin e kemi vetëm për gratë. Hë… se  desh harrova: po ti “ke ushtruar” dhunë ndaj opozitës, për derisa gjysmën e qeverisë e ke mbushur me gra? Je në taketuke? Mirë…mirë po do pendohesh, do të të mbesin shtambat pa ujë!…

 Aman, o z. Rama, mos e ke pasur vërtet me të hedhur atë llafe?  Ne na ka zaptuar sherri dhe fukaralliku, ti luan me fjalën. Megjithëse nga pasunia ne vijmë pas  gjermanit, xhanëm… Hëëë …se më erdhi në shtek gjermani. E dini? Në kohën e luftës roja gjermane ruante urën e fshatit tim, se aty do të kalonte autokolona. Fshatari zuri me çark miun e grazhdares dhe po e hidhte te ura, por e pa gjermani:

-Ndal!Çfarë hodhe te ura?

-Minë, (miun)-, tha fshatari.

-Si more minë? E lidhën dhe e shqepën në dru, deri sa erdhi një përkthyes, që e sqaroi gjermanin se s’ishte fjala për minën me sahat, por për miun me katër këmbë që i hante thesin e misrit fshatarit. Ngatërrohen gjërat shpejt tek ne. Prandaj një kategori thonë se Rama me këtë aludon t’u thotë atyre “peshkaqenëve” që i kanë lyer duart me “mjaltë”…(kushdo që e ka shkelur petën e byrekut), të  mos fshihet pas ferrës se drejtësia do bëjë detyrën…dhe lepuri do hipi vetë në qerre.  Mos këto llafe ”S’keni parë gjë akoma…”  duhen kuptuar… se punët e veprat do të nxjerrin të palarat e akëcilëve?… Gjene, mos na e merrni për keq, se popull i thjeshtë ma…. Njeriut zemëroju për aq sa kupton… E the vetë ti…si shkollë nate!…Kurse  Xhevahiri do të shkruante  “Shkopi i Gjeçovit”: Hesht në muze, midis hutave/ky dru nga malet e mia;/në dorezë është shkruar:/Rroftë Shqipëria!