Veliaj: “Nuk ju ndihmojmë dot, por hallet do t’i qajmë bashkë”

381
Sigal

Ministri  i Mirëqenies, Veliaj, thyen Kodin e Heshtjes   dhe  zbardh  publikisht filozofinë e re të qeverisjes

Ministrat e rinj të kabinetit “Rama1”, kanë përveshur mëngët dhe kanë filluar siranë e punëve, ndaj jo më kot  janë zotuar se do të sjellin rilindjen e madhe.  Ka disa ministra që punojnë larg kamerave dhe fleshëve të fotove dhe nuk ndihet zhurmë në punët e tyre. Por ka edhe disa ministra të tjerë, që punën e tyre duan ta kthejnë në një shou televiziv. Ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë, Erjon Veliaj, dy ditë më parë, pasi kishte ftuar të gjitha kamerat e kanaleve televizive, kombëtare dhe lokale, si edhe fotoreporterët e të gjitha agjencive, shkoi te familja e foshnjës dy-vjeçare, i cili u aksidentua në rrugë dhe u “përkujdesua” ta çonte në spital, pasi u “sensibilizua” nga thirrja për ndihmë e nënës së foshnjës, e cila denoncoi mjekët e spitalit, që i refuzuan ndihmën e parë mjekësore. Sikur, ministri i Mirëqenies, Erjon Veliaj, të kishte lënë në çast mbi tavolinë, të gjitha projektet që harton, në atë minutë që u dëgjuan ankesa dhe thirrja për ndihmë e nënës së foshnjës, dhe të shkonte menjëherë – pa u kujtuar që të thërriste asnjë kamera – në spital dhe të përkujdesohej që foshnja të mos largohej nga spitali pa i dhënë ndihmën e parë mjekësore, atëherë, zoti ministër do të ishte vërtet ai protagonisti  dhe shembulli, që i kishte munguar politikës. Ministri Veliaj, as më vonë, nuk u dëgjua që të denoncojë ata mjekë që i mohuan foshnjës romë ndihmën e parë. Këtë denoncim ministri Veliaj nuk do ta bënte për hakmarrje ndaj mohimit të ndihmesës që i bënë foshnjës romë, por si një paralajmërim të qeverisë së re ndaj sistemit të kalbur e të korruptuar të shërbimeve shtetërore ndaj qytetarëve. Kësisoj, ministri Veliaj, do të përkujdesej që të ndihmonte të shërohej gjithë shërbimi shtetëror ndaj qytetarit.  Mirëpo, shou i asaj dite i ministrit Veliaj, nuk ishte as i rastësishëm, as spontan, që u diktua nga një nevojë urgjente e rrethanave. Ministrit i duhej shou jo për të ndihmuar një foshnjë romë të braktisur nga ndihmesa mjekësore e shtetit, por që të përcillte te populli një imazh të tjetërsuar, aspak real, por të imagjinuar të vetvetes së tij.  Në vazhdën e përcjelljes së këtij imazhi të tjetërsuar, të rremë e aspak real, ministri Veliaj, dje, në një intervistë televizive, u “përkujdesua” që të zbardhë filozofinë e atij shou që dha një ditë më parë, kur pohoi se: “Ne vërtet nuk mund të zgjidhim hallet, por asgjë nuk na pengon që t’i qajmë hallet”. Kjo është filozofia politike e ministrit Veliaj. Që qeveria e cila mori votën plebishitare nga populli, për të përmirësuar e ndryshuar rrënjësisht realitetin e vështirë ekonomik, për të shëruar tërësisht një sistem të korruptuar të shërbimit publik ndaj qytetarëve, sipas ministrit Veliaj, nuk do t’i zgjidhë dot këto halle të popullit, ama, po sipas pohimit të ministrit Veliaj, qeveria do të qajë hallet me popullin. Nuk e di sa nevojë ka populli për  këtë  model qeverie të Erjon Veliaj,  qeveri vetëm të qajë hallet e tij, paçka se e ka të pamundur që t’i zgjidhë.