Prof. Dr. Qemal Lame: Kosova dhe Serbia pranojnë planin Evropian

235
Sigal

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë mundësinë historike që nga Kosova dhe Serbia të pranohet propozimi evropian i njohur si plani franko-gjerman, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve. Gjithçka që është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet. Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel duhet të zbatohen, përfshirë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Disa pyetje mbi garancitë ndërkombëtare, mekanizmat e zbatimit dhe renditjen kohore do të trajtohen së shpejti gjatë bisedimeve të ardhshme në Bruksel. Konceptet demokratike të orientimit europian japin shpresë për normalizimin e marrëdhënieve.

  1. Diplomacia ndërkombëtare ka qartësuar politikën dhe kërkesat për Kosovën dhe Serbinë. SHBA dhe BE si partnerë strategjikë vlerësojnë se është koha për krijimin e Ascociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të dy vendet të ndërprejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian, krijimin e kushteve për marrëdhënie të shëndetshme, paqësore dhe të qëndrueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
  2. Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksojnë qëndrimin se Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, nuk do t’ia shtojë Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv e legjislativ. Miratimi ka për qëllim që të krijohen kushtet të vënë në zbatim Marrëveshjen e vitit 2013, të respektohen kriteret kushtetuese, përjashtohet mundësia për një pushtet të tretë të Republikës Srpska si ndodhi në Bosnje. Me këtë akt të diskutuar dhe kërkuar prej afro dhjetë vjetëve nga Serbia e të mbështetur nga BE dhe SHBA bëhen përpjekje që të mënjanohen kërkesat ultimative serbe për asociacionin me kompetenca ekzekutive, si dhe kundërshtimi i saj nga Kosova. Asociacioni mendohet se nuk minon as kompetencat qëndrore, as ato të komunave.

3.Argumentohet se plani evropian mbështetet edhe në propozimin e Ahtisarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare. Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale, siç bëjnë shumë veta tani, dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjit kosovar. Duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike”.

Është me të vërtetë një arritje pozitive shpresëdhënëse e qëndrimeve zyrtare nga partnerët ndërkombëtarë, se Prishtina dhe Beogradi janë pajtuar me propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa zyrtarë të BE-së thanë se presin diskutime në nivelin e lartë politik ndërmjet palëve.

Kosova dhe Serbia kuptohet se me presionin ndërkombëtar do të arrijnë të pranojnë planin franko-gjerman. Plani dhe bisedimet mësohen nga të dhënat e publikuara jo të plota për të ruajtur fshehtësinë dhe arritur sukses me qëllimin e synuar dhe veprimtarinë intensive nga diplomatët ndërmjetës. Këto janë në metodën e diplomacisë.

Opinioni publik shqiptar dhe ai serb janë shumë të interesuar për të njohur më shumë dhe të japin mendime pasi çështjet kanë në përmbajtje tragjedinë historike të pushtimit dhe gjenocidit shekullor dhe vazhdimësisë së politikës kolonialiste të Serbisë. Një ditë do të arrihet marrëveshja historike. Këtë e presin shumica. Prandaj kërkohet ndërgjegjësim kombëtar dhe përkushtim për të ardhmen më të mirë në miqësi, paqe e mirëqënie.

Mendoj se është me vend të tërhiqet vëmëndja në disa çështje, që kërkojnë sqarim dhe do të ndihmonin për një marrëveshje ndërshtetërore përfundimtare dinjitoze dhe afatgjatë.

E para, pranimi i planit franko-gjerman është i mirëpritur sidomos nga shqiptarët, që kanë besim të plotë tek politika amerikane dhe ajo evropiane. Por duhet vlerësuar besimi i shqiptarëve dhe të mos përfitohet për lëshime të padrejta. Ky plan të mos kushtëzohet me kritere që favorizojnë dhe ndihmojnë strategjinë e gjeopolitikës evropiane dhe asaj amerikane të arrijë suksesin e synuar. Nuk duhet të ndodhi që pas miratimit të planit të nënvleftësohen Kushtetuta, sovraniteti e integriteti teritorial i Kosovës, nuk kërkohet njëlloj nga Kosova e Serbia për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të vazhdojë në forma të tjera politika e vjetër e mosnjohjes, krijimit artificial të konflikteve për t’u bërë lëshime të mëtejshme nga Kosova. Serbia të ndryshojë politikën e presioneve, kërcënimeve e konflikteve të qëllimshme që bën me mbështetjen e Rusisë dhe më pas përfiton me lëshimet, që i bëhen nga SHBA dhe BE. Prandaj, plani është e domosdoshme të qartësojë detyrimin e përbashkët për marrëdhënie të barabarta dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare të njohjes së ndërsjelltë, qoftë edhe pa e cilësuar konkretisht siç e ka parashikuar projekti që po diskutohet. Problemet e parashtruara nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ato nga  Presidenti Aleksandër Vuçiç kërkohet të vlerësohen njëlloj, të kenë në përmbajtje reciprocitetin dhe të arrihet mirëkuptimi me drejtësi duke respektuar realitetet politike në të dy vendet dhe interesat e gjeopolitikës evropiane dhe asaj amerikane.

E dyta, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është problem kushtetues, sovraniteti e integriteti të pushtetit shtetëror qëndror e lokal për Kosovën. Qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të formuluara me kujdes dhe duken shpresëdhënëse. Zbatimi dhe respektimi në jetën e përditshme të shtetit e të shoqërisë, shtron nevojën e domosdoshme që këta dy patnerë gjeostrategjikë të marrin edhe përgjegjësinë që ju takon për zhvillimet politike të mëtejshme që në veprimtarinë konkrete të komunave me shumicë serbe të mos lejohet ndërhyrja e hapur apo e maskuar e Qeverisë serbe dhe të mos zbatohet praktika e Srpska Republik e Bosnjes. Partnerët të garantojnë me objektivitet mbështetjen e ndërhyrjen e tyre në rast se Serbia dhe serbët në Kosovë përfitojnë nga të drejtat e shtuara dhe paralizojnë apo imponojnë padrejtësisht pushtetin qëndror dhe lokal. Komunat serbe të respektojnë në teritorin e tyre njëlloj të drejtat e liritë, tokën e pronën, kthimin në banesat e tyre edhe për shqiptarët, që janë largur nën presionin e pushtetit të Serbisë. Krijimi i asociacionit serb duhet të jetë edhe një nxitje dhe detyrim edhe për asociacionin e shqiptarëve në Serbi.

E treta, pa dëmtuar sekretin e bisedimeve, të garantohen nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbrojtja e interesave kombëtare të shqiptarëve me standarte të njejta si edhe për serbët. Kosova është shtet multi etnik. Në bazë të planit të Ahtisarit në Kushtetutë garantohet dhe në praktikë realizohet barazia e kombësive, në flamurin zyrtar të shtetit janë gjashtë yje që përfaqësojnë njolloj kombësitë, megjithëse shqiptarët janë në shumicë. Pakica serbe ka të siguruara 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe imponon faktikisht nismat themelore për Kushtetutën dhe ligjet e tjera kryesore.

Prandaj është e nevojshme të mbahen në qendër të vemëndjes nga partnerët strategjikë si dhe këto dy shtete barazia e reciprociteti ndërshtetëror, të mënjanohen pasojat negative të disa marrëveshjeve të deritanishme, që kanë favorizuar kërkesat e Serbisë dhe nuk janë vlerësuar me të njejtin nivel edhe kërkesat e njohura të Kosovës. Politikanët shqiptarë me besimin dhe respektin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar marrëveshjet që kritikohen për cënimin e interesave kombëtare, si për kufirin me Malin e Zi duke i dhënë një sipërfaqe më shumë se 8030 hektarë tokë, shtimin e kompetencave të asociacionit serb në vitin 2015 të cilat u vlerësuan nga Gjykata Kushtetuese se bien në kundërshtim me 23 nene kushtetuese, etj.

Uroj të arrihet sukses me marrëveshje dinjitoze historike që të garantojë perspektivën e miqësisë, paqes e sigurisë midis Kosovës e Serbisë, rajonit dhe të zgjerimit e forcimit të mëtejshëm të bashkësisë evropiane si shtet i përbashkët i popujve evropianë.