Më datë 17 Nëntor 2012, në një ditë historike për Tiranën, kryeqytetin tonë të dashur, që na ka marrë shumë vite nga jeta jonë, me shokët e fëmijërisë nga Vlora: Bardhyl Golemi, Niko Gjyzari, Axhem Gjoni Piro Veshi dhe Sadedin Gjoka, siç bëjmë shpesh në kësi rastesh, vendosëm të takohemi te “Biraria e Petros”, në rrugën e Kavajës.
Me nga një gotë birre dhe meze të shijshme në tavolinë, biseda rrodhi rrjedhshëm dhe ceku momentin historik të 68 vjetorit te “Luftës për çlirimin e Tiranës”, u ndal gjatë te festimet e “100 Vjetorit të Pavarësisë” dhe te Vlora jonë e shtrenjtë e vendlindjes, po dhe te ceremonia e rivarrimit te “Mbretit Zog”, që takoi të bëhet po sot.
Ajo, që më bëri më shumë përshtypje dhe më uli të shkruaj, ishte biseda nostalgjike me akademikun Bardhyl Golemi, kur ai nisi te shpjegoi dy ngjarje të rëndësishme që kishte përjetuar këto ditë: Për angazhimin e tij për të dhënë një cikë leksionesh në Universitet dhe për ceremoninë e 40 vjetorit të krijimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
E kisha në krahë ngjitur dhe isha kokë më kokë me doktor profesorin e ditur, shokun tim të fëmijërisë, Bardhyl Golemin duke e parë drejt e në sy, kur ai fliste me pasion, mall e dashuri për të dy këto raste emocionuese dhe vëreja deri lëvizjet e muskujve te fytyrës, si dhe sytë ekspresiv te tij, deri në përmallje, ekstaze e lotimi. E mendoja kur ai ishte para studentëve të tij dhe ligjëronte me pasion, me fjalë të zgjedhura të sakta, nga ato të fundit të shkencës dhe risisë, me ato njohuri që dispononte ai, si rrallë të tjerë. E përfytyroja në këtë çast profesorin të fliste gjithë pasion dhe mjaft bindës po dhe shoqëruar me lëvizje harmonike dhe mjetet përkatëse didaktike e mësimore, kur ai demonstronte shkallë të lartë diturie, që ju a kumtonte në mënyrë të thjeshtë e praktike dëgjuesve të tij. Ata , persona të zgjedhur nga radhët e inteligjencës elektroenergjitike që përgatiteshin për “mastera shkencor”, doktorët e ardhshëm shqiptar, i parafytyroja të ishin shumë kureshtarë e të përqendruar ta shikonin drejt e në sy, sikundër unë tani profesorin e nderuar. Ai, tashmë i thinjur në këto pozicione militante e të nderuara prej pedagogu për 60 vjet, sa këtu në Tiranë, po dhe në Prishtinë, unë e përfytyroja teksa inkurajohet edhe më shumë nga interesimi i tyre dhe bëhet më entuziastë. Pra e shikoja tani profesor Bardhyl Golemin ende lektor në Universitetin Politeknik të Tiranës edhe pse të zbardhur e të moshuar, plot gjallëri e aftësi dhe më kujtohet ndër vite kontributi i tij: Bardhyl Golemi është autor i disa mijëra faqeve të shkruara në libra të veçantë dhe në tekstet e universitetit për elektroteknikën. Ai, gjatë 59 viteve ka punuar me 83 breza studentësh dhe ka përgatitur rreth 5000 inxhinierë, prej tyre më shumë se 500, në Universitetin e Prishtinës,
Bardhyl Golemi, akademiku, profesori, shkencëtar i sotëm, nuk lindi rastësisht. Talenti i gjithanshëm dhe prirjet për t’u bërë dijetar, Bardhyl Golemit, iu shfaqën herët. Të gjitha klasat, që nga fillorja në Universitet, ai i përfundoi me notat “shkëlqyeshëm”! Gjimnazin e mbaroi në Vlorë me “Medaljen e Artë”. E veçanta tjetër është se, duke qenë student i shkëlqyeshëm i Universitetit (në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike), Tiranë, në vitin e fundit të tij, duke qenë vetë student, u caktua të jepte leksione për bashkë studentët e viteve të para. Edhe Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike, si student i parë i tij, e përfundoi me nota shkëlqyeshëm e po këtë vit u emërua pedagog i Universitetit. Bardhyl Golemi është autor i mijëra faqeve studimesh shkencore, publikuar brenda e disa edhe jashtë vendit. Ai është Laureat i Çmimit të Republikës të Klasës së Parë dhe i disa Urdhrave të tjerë. Para tetë vjetësh, në prani të akademikëve, profesorëve e specialistëve, Akademia e Shkencave organizoi promovimin e veprës së plotë të Bardhyl Golemit në librin “Bazat teorike të elektroteknikes” një traktat në tre vëllime dhe 1400 faqe. Është një fakt i rrallë, që edhe pa qenë anëtar partie por duke çmuar vlerat dhe ndershmërinë në punën për t’i shërbyer Atdheut, në kundërshtim me mentalitetin e kohës, që në poste të larta duhet të ishin komunistë, ai pa qenë i tillë, qysh atëherë, falë dhuntive drejtuese e organizative dhe profesionalizmit të tij të spikatur, u caktua Zëvendës Ministër i Arsimit, për arsimin e lartë dhe të mesëm, detyrë që e kreu me zotësi e ndershmëri për mbi 10 vjet (1981-1991). Në këtë kohë u caktua edhe Kryetari i Komisionit Kombëtar i UNESCO-s për Shqipërinë, detyra që e nderojnë atë, sepse i kreu me nder dhe devotshmëri. Edhe pas viteve 90, Bardhyl Golemi, si dhe më parë, mbeti njeriu i arsimit dhe i shkencës dhe, si më parë, nuk u përfshi drejt për drejtë në politikë e as në ndonjë parti të veçantë politike. Detyra të tij e përditshme ishte dhe është pjesëmarrja aktive në punimet shkencore teorike e praktike, në institucione e firma që lidhen me fushën e tij, duke zhvilluar deri ne ditët e sotme leksione e seminare të ndryshme, në Akademi dhe Universitet , si dhe jashtë tyre, në qarqet intelektuale e shkencore, në Shqipëri e Kosovë. Ai, së fundi veç botimit të librave në ndihmë të studentëve dhe inxhinierëve elektrikë, po merret me studime të tjera të rëndësishme për problemet e bioelektromagnetizmit dhe impakteve të tij shëndetësore, me problemet e depistimit elektromagnetik në mjedisin e Shqipërisë; është angazhuar në udhëheqje doktoratash, në përgatitje mikrotezash për studentët e ciklit të dytë, si dhe është përfshire në juri për miratim doktoratash e studime të tjera. Këtë punë gjysmë shekullore Bardhyl Golemi e bën edhe sot me pasion e dashuri, ndërsa fjala e tij peshon e vlerësohet, nga të gjithë Shqiptarët gjithnjë e më shumë, këtu dhe në Kosovë , ku u ftua dhe u falënderua posaçërisht, si një nga gurrë themelet e tij. Duke biseduar sot me Profesorin e nderuar, kërkuam të na shpjegonte dhe për ceremoninë e festimit të krijimit te Akademisë se Shkencave, ku ai kishte marrë pjesë me gëzim. Kishim dëgjuar se Akademikët Kosovar kishin refuzuar pjesëmarrjen në kë të ceremoni jubilare dhe për këtë ne shfaqëm keqardhjen tonë. Ai, na tha se jo vetëm Akademikët Kosovarë, po edhe ndonjë i ftuar nga Shqipëria refuzoi pjesëmarrjen dhe ketë e lidhën me ftesën për akademikët Serb. Në një kohë që duhet të bëjmë përpjekje për solidaritet mbarë Ballkanik dhe bashkim Evropian, këto qëndrime na u dukën të pa drejta dhe ekstremiste. Profesor Bardhyli, lidhur me këtë pjesëmarrje tha se unë nuk mund të hedh poshtë punën e madhe shkencore 40 vjeçare të Akademikëve Shqiptarë, ndryshe do mohoja deri punën time dhe sidomos të dijetareve të shquar Shqiptarë në dekada. Është koha për bashkim dhe jo për përçarje, përfundoi profesori.
Dita e sotme dhe takimi me akademikun, dr. prof. Bardhyl Golemin, mu duk e veçantë dhe biseda atje emocionuese dhe e vlefshme për mua dhe ndofta për lexuesit, ndaj mendova ta përshkruaj dhe ta ndaj me ju.