Problemi Spinoza

784
Sigal

Mendimtari guximplotë i shekullit të XVII i ka paraprirë shekullarizimit, shtetit demokratik liberal, duke i çelur udhë iluminizmit

Prej kohësh më ka tërhequr Spinoza dhe për vite me radhë kam gëluar nga dëshira që të shkruaj për këtë mendimtar guximplotë të shekullit XVII, kaq i vetmuar e fillikat në faqe të dheut – pa familje, pa një bashkësi – autor i librave që me tërë mend e kanë ndryshuar botën. I ka paraprirë shekullarizimit, shtetit demokratik liberal dhe zhvillimit të shkencës natyrore, duke i çelur udhë iluminizmit. Fakti që u shkishërua nga hebrenjtë në moshën njëzetekatër vjeçare dhe u censurua gjatë gjithë jetës nga të krishterët, gjithnjë më ka ngjallur kureshtjen, ndoshta për shkak të prirjeve të mia ikonoklaste. Dhe ajo ndjesi e çuditshme afrie me Spinozën u bë edhe më e ndezur, kur mora vesh që Ajnshtajni, një ndër heronjtë e mi të parë, ishte spinozian. Kur fliste për Zotin, Ajnshtajni fliste për Zotin e Spinozës, i njësuar kryekëput me natyrën, një Zot që ngërthen në vetvete tërë thelbin, një Zot që “nuk luan zare me gjithësinë”; me këtë, Spinoza do të thotë që çdo ngjarje dhe dukuri, pa përjashtim, ndjek ligjet rregulluese të natyrës.

Kam bindjen që Spinoza, si Niçja dhe Shopenhaueri në jetën dhe filozofinë e të cilëve kam bazuar dy romanet e para, ka shkruar gjëra me peshë të madhe në fushën që unë mbuloj, psikiatrinë dhe psikoterapinë; fjala vjen që idetë, mendimet dhe ndjenjat ndikohen nga përvojat e mëparshme, që pasionet mund të studiohen falë racionalitetit, që të kuptuarit çon në transhendencë dhe desha kësisoj të lartësoj ndihmesën e tij me një roman idesh.

Po si mund të shkruash për një njeri, që ka bërë një jetë kundruese, me kaq pak ngjarje të spikatura? Spinoza ishte tejet i tërhequr dhe kurrsesi nuk e shpalos individualitetin në shkrimet e tij. S’kisha asnjë lloj materiali që të më ndihmonte për të shkruar: asnjë dramë familjare, asnjë histori dashurie, xhelozi, anekdota kureshtare, hasmëri, grindje apo pajtime. Ka pasur një letërkëmbim të pasur, por, pas vdekjes, kolegët respektuan porosinë e tij dhe i hoqën nga letrat thuajse tërë komentet personale. Jo, jeta e tij nuk ka qenë e shënjuar nga drama të mëdha: pjesa dërrmuese e studiuesve e përshkruajnë Spinozën si një shpirt të paqtë e dashamirës, disa e krahasojnë jetën e tij me atë të shenjtorëve të krishterë, madje ndonjëri edhe me atë të Jezusit.

Kështu mora përsipër të shkruaj një roman mbi jetën e brendshme, me shpresën se aftësitë e mia vetjake do të më ndihmonin për ta rrëfyer historinë. Tek e fundit, ishte qenie njerëzore dhe duhet të ketë përjetuar po ato konflikte njerëzore bazë, që gjëllinin brenda meje dhe shumë pacientëve me të cilët kam punuar në rrjedhën e disa dekadave. Në moshën njëzetekatërvjeçare, duhet ta ketë brengosur së tepërmi largimi nga bashkësia hebraike e Amsterdamit, me një vendim të pakthyeshëm që urdhëronte çdo hebre, përfshi edhe pjesëtarët e familjes, ta bënin hasha për jetë. Asnjë hebre s’do të këmbente fjalë me të, askush s’do të bënte tregti, askush s’do t’i lexonte shkrimet e tij dhe çdokush duhej t’i rrinte pesëmbëdhjetë hapa larg. Dhe natyrisht, askush nuk jeton dot pa një jetë të brendshme plot fantazi, ëndrra, pasione dhe lektisje dashurie. Thuajse çereku i veprës kryesore të Spinozës, Etika, i kushtohet “kapërcimit të qerthullit të pasioneve”. Si psikiatër, jam i bindur që nuk e ka shkruar këtë pjesë pa u ballafaquar me pasionet e veta.

Gjithsesi, për vite me radhë, mbeta i zhytur në amulli, sepse nuk po lidhja dot fijet e nevojshme për t’i dhënë jetë një romani: por një udhëtim në Holandë, pesë vjet më parë, ndryshoi gjithçka. Shkova atje për një konferencë dhe, si pjesë të shpërblimit, kërkova dhe m’u sigurua një “ditë Spinoza”. Kryetari i shoqatës spinoziane holandeze dhe një nga filozofët kryesorë spinozianë pranuan të më shoqëronin në tërë vendet e rëndësishme për Spinozën: banesat, vendin ku u varros dhe sidomos në muzeun Spinoza në Rijnsburg. Pikërisht atje e gjeta ujin tim të bekuar.

Shkova në muzeun Spinoza të Rijnsburgut, rreth dyzet minuta me makinë nga Amsterdami, i mbushur me shpresë, duke kërkuar… Po çfarë kërkoja? Ndoshta një takim me shpirtin e Spinozës, ndoshta një histori. Por me të vënë këmbë, mbeta i zhgënjyer, i mëdyshur nëse ai muze vocërrak e i skamur mund të më afronte në njëfarë mënyre me Spinozën. Të vetmet sende, deri diku personale, ishin njëqind e pesëdhjetë e një vëllimet e bibliotekës së tij dhe, pa e bërë të gjatë, aty e përqendrova vëmendjen. Shoqëruesit më ndihmuan t’ju afrohesha lirshëm dhe i mora ndër duar, njërin pas tjetrit, librat e shekullit XVII, teksa i peshoja dhe iu merrja erë. U ngjetha i tëri, kur mendoja se po prekja sende, që dikur kishin qenë në duart e Spinozës.

Kuturisjet e fantazisë m’i ndërpreu njëri prej shoqëruesve:- Natyrisht, zoti Yalom, sendet e Spinozës (shtrati, teshat, këpucët, penat dhe librat) u nxorën në ankand pas vdekjes së tij për të paguar shpenzimet e ceremonisë së përmortshme. Librat u shitën dhe kushedi se ku përfunduan, por, për fat, noteri kishte bërë një listë të hollësishme para ankandit dhe, më se dyqind vjet më vonë, një filantrop hebre mblodhi tok pjesën dërrmuese të titujve, të njëjtat botime të atyre viteve dhe me të njëjtat qytete ku ishin botuar. Pra, vërtet e quajmë biblioteka e Spinozës, por, në fakt, s’janë veçse kopje. Gishtat e tij nuk i kanë cikur kurrë këto libra.

Iu largova bibliotekës dhe ia ngula sytë portretit të filozofit të varur në mur; sakaq u shkriva e u bëra një me ata sy të mëdhenj stërgjatësh, të trishtuar, me qepalla të rënda; më kaploi një ndjesi mistike, diçka që rrallë më ndodh. Por shoqëruesi më tha:- Ndoshta nuk e dini, por kjo nuk është pamja e vërtetë e Spinozës. S’është veçse pjellë e fantazisë së artistit, e bazuar në disa rreshta përshkrim. Edhe nëse i janë bërë portrete në gjallje, nuk kanë mbërritur deri në ditët tona.

Po dilja huq në çdo hap.

Ndërkohë që po këqyrja pajisjen për të lustruar thjerrëzat në dhomën e dytë (nuk është origjinalja, thuhej në mbishkrim, bëhej fjalë për një pajisje të ngjashme), dëgjova njërin nga shoqëruesit, që ende ndodheshin në sallën e bibliotekës, të zinte në gojë nazistët.

U ktheva në bibliotekë.- Çfarë? Nazistët paskan qenë këtu? Në këtë muze?

– Po, disa javë pas Blitzkrieg-ut në Holandë, trupat ERR mbërritën me makinat e mëdha tip berlinë dhe grabitën gjithçka: librat, një bust, një portret të Spinozës, gjithçka. Ngarkuan ç’gjetën në kamion, pastaj e vulosën dhe e shpronësuan muzeun.

– ERR? Ç’kuptim kanë këto germa?

– Einsatzstab Reichsleiter Rosenberg, njësia operative e komandantit të Rajhut Rozenberg, të Alfred Rozenbergut me një fjalë, ideologut antisemit më të lartë nazist. Ishte në krye të plaçkitjeve të Rajhut të tretë, dhe ERR-të, nën udhëheqjen e tij, kryen plaçkitje në tërë Europën, fillimisht vetëm në pronat e hebrenjve dhe më pas, në rrjedhën e luftës, s’lanë gjë pa zhvatur.

– Pra, këta libra i qenkan marrë dy herë Spinozës?- pyeta.- Mos doni të thoni, se librat u blenë për herë të dytë dhe biblioteka u ngrit sërish në këmbë?

– Jo, këta libra shpëtuan për mrekulli dhe në mbarim të luftës u kthyen, përveç pak kopjeve që mungonin.

– E habitshme!- Këtu, pra, fjetka dhe historia që kërkoj, mendova.- Po përse vallë t’i ketë shtënë në dorë Rozenbergu këta libra? Vërtet kanë njëfarë vlere, meqë i përkasin shekullit XVII, ndoshta edhe më të lashta, po përse nuk shkuan drejt e në Rijkmuzeum të Amsterdamit dhe të merrnin ndonjë Rembrand, me vlerë pesëdhjetë herë më të lartë se tërë këto vëllime të marra së bashku?

– S’është aty çështja. Nuk hynte paraja në këtë mes. Interesi i ERR-ve për Spinozën mbeti i veshur nga tisi i misterit. Në raportin zyrtar, i dërguari i Rozenbergut, nazisti që kreu grabitjen në vend, kishte shtuar një fjali kuptimplotë: “Gjenden vepra të reja të çmuara, me rëndësi të madhe për sqarimin e problemit Spinoza”. Raportin mund ta lexoni në web, nëse dëshironi… gjendet mes dokumenteve zyrtare të Nurembergut.

Mbeta pa gojë.- Sqarimi i problemit Spinoza? Nuk po kuptoj asgjë. Ç’kërkonte të thoshte? Çfarë ishte problemi Spinoza për nazistët?

Shoqëruesit ngritën supet njëherësh dhe pëllëmbët e duarve nga qielli.

Nuk iu shqita.- Mos po thoni që për shkak të problemit Spinoza, nazistët i kursyen dhe nuk iu vunë pishën këtyre librave, siç bënë anekënd Europës?

Që të dy pohuan me kokë.

– Ku u mbajt biblioteka gjatë luftës?

– Askush nuk e di. Librat humbën pa nam e nishan për pesë vjet dhe mbinë krejt papritur më 1946-ën në një minierë kripe gjermane.

– Një minierë kripe? Vërtet çudi!- Mora në dorë njërin nga vëllimet, një kopje të Iliadës të shekullit XVI dhe, ndërsa e ledhatoja, thashë:- Pra, ky libër i lashtë historie paska një histori të vetën për të rrëfyer.

Shoqëruesit më ftuan të vizitoj pjesën tjetër të muzeut. Kisha mbërritur në një çast fatlum: pak vizitorë kishin mundur ta shihnin deri më tani gjysmën tjetër të ndërtesës, sepse për shekuj në të banonte një familje punëtorësh. Por pjesëtari i fundit i saj vdiq pak kohë më parë dhe shoqata spinoziane e bleu fill pronën. Tani po fillonte rindërtimin, për t’ia bashkëngjitur më pas muzeut. U enda mes copërave të suvasë dhe materialeve të ndërtimit, duke i hedhur një sy kuzhinës së thjeshtë dhe sallonit, pastaj u ngjita në një shkallë të ngushtë, që të çonte në dhomën e gjumit. I hodha një vështrim shkarazi dhe nisa të zbres, kur sytë më mbetën te një vijë e hollë, rreth gjysmë metri e gjatë, në një qosh të tavanit.

– Ç’të jetë vallë?

Rojtari plak ngjiti disa shkallare për të parë dhe më sqaroi se ishte një kapanxhë që të nxirrte në një papafingo të vogël, ku dy gra hebreje, një nënë plakë me të bijën, iu qenë fshehur nazistëve gjatë gjithë luftës.- I ushqyem dhe u kujdesëm për to.

Atje jashtë një katrahurë e vërtetë zjarri, katër hebrenj holandezë në pesë të vrarë nga nazistët! Kurse aty, në katin e dytë të shtëpisë së Spinozës, të fshehura në papafingo, dy gra hebreje gjetën strehë të ngrohtë gjatë gjithë luftës. Një kat më poshtë, muzeu i vogël i Spinozës u plaçkit, iu vu dylli dhe u shpronësua nga një oficer i njësisë operative të Rozenbergut, aq i bindur se biblioteka do t’i ndihmonte nazistët të zgjidhnin “problemin Spinoza”. Po ç’të ishte vallë ky problemi Spinoza? Po vrisja mendjen se mos ndoshta edhe ky nazisti, Alfred Rozenbergu, për arsye të tjera, ishte vënë në ndjekje të Spinozës. Hyra me një mister në atë muze dhe po dilja me dy.

Pak kohë më vonë nisa të shkruaj.

Irvin D. Yalom

Përktheu: Agim Doksani

Nr i faqeve: 397

Çmimi: 900 lekë

Shtëpia Botuese MORAVA