Linda Fejzaj: Dashuria është burimi i çdo gjëje që krijoj

1025
Në kohën që jetojmë, mes varfërisë, papunësisë dhe mungesës së shpresës nuk është e lehtë të hasësh njerëz të qeshur dhe të qetë. Pesimizmi ka nisur të zërë rrënjë pothuajse tek çdo individ, ku dikush e shpreh thjeshtë duke shfryrë, dikush rebelohet sipas mënyrës së vet. Janë pakësuar portretet që buzëqeshin, njerëzit me iniciativa, ata që kanë dëshirë të bëjnë diçka të bukur dhe ndoshta kanë të drejtë, sepse pak mundësi ekzistojnë. Edhe kur e ke mundësinë. ndesh në shumë pengesa! Por, pavarësisht vështirësive ose jo mundësive, a duhet të heqim dorë nga dëshirat apo ëndrrat tona? Mes këtyre pyetjeve, jo rastësisht takoj një grua, të cilën pas bisedës unë e quajta supergrua! Po po! Një natyrë e ëmbël që di të fali vetëm paqe, nëpërmjet zërit, portretit plot dritë dhe mënyrës se si ajo zonjë flet për artin. E dashuruar pas artit dhe punës për artin. Një grua që fillimisht, karrierën e saj artistike e nisi duke zbukuruar trupin femëror nëpërmjet stilimeve në veshje. Ajo është autore e një sërë romanesh si: “Gjuha e një zonje”, “Kthim i thyer”, “Vrasje e dyfishtë”. Gjithashtu dhe një nga skanaristet me të mira në vend. E vlerësuar nga kritika dhe e kërkuar nga regjisorë dhe producentë. 

Më trego pak për veten, nga vini dhe përse mbani 2 mbiemra?

Jetoj në qytetin e Vlorës, vend që unë nuk do ta ndërroja kurrë me asgjë dhe me asnjë, sepse është “kontinenti’’ i paqes sime. Valëzimi i dy deteve në qytetin tim ka bere atë që të shoh me syrin e paqes dhe qetësisë çdo element të jetës. Mbiemri Fejzaj është mbiemri nga babi, i cili nuk jeton më. 

Ku e ka zanafillën profesioni juaj si stiliste?

I kam adhuruar përherë ngjyrat dhe lojën me to, sepse, moda në vetvete është një lojë e tillë, lojë me ngjyrat. Të ideosh apo të shkosh përtej kësaj duke ngritur një model të gjallë, duke i dhënë frymën tënde. ID-in tënde, për t’i dhënë jo vetëm kënaqësi të tjerëve por dhe për të shijuar lumturinë e tyre prej teje është një kënaqësi më vete. Ka qenë vitet pas 90-të ato që përcaktuan dhe drejtimin që duhet të merrte prirja dhe dëshira ime për të ushtruar veten time në “botën e modës”. Për një kohë të gjatë nuk rreshta së shfletuari gjithçka mbi etnografinë, gjë që me mundësoi jo vetëm njohjen me çdo veshje, por për të sjell detaje të vogla në dukje të saj, në idetë e mia të modernizuar, për të krijuar diçka ndryshe. Fillimet kanë qenë gjithmonë të vështira, por gjithmonë fati dhe impenjimi maksimal më kanë ndihmuar të marr kënaqësi të jashtëzakonshme, një ndër të cilat është dhe sfilata më e madhe në Shqipëri ajo e 100 vjetorit të Pavarësisë, sfilatë, e cila më ka bërë të ndjehem krenare më shumë se kurrë.

Motivi që ju shtyu për të shkruar librin e parë?

Kam lexuar dhe shkruajtur me kohë dhe pa kohë. Qysh fëmijë kam qenë e edukuar në atë mënyrë, që dhe detajet më duhej t’i shkruaja. Mund të jetë e habitshme për ndokënd, por e vërteta është se unë në jetën time kam pasur përherë një moto: “Çdo libër të ri që lexoj më hap një dritare për të parë botën”. Përse mos të isha edhe unë një nga ata që ofroja një dritare të tjerëve apo gjithkujt që do të preferonte të lexonte apo ndjente nëpërmjet asaj që do të sillja. Nga këtu ka nisur dhe ideja e romanit “Gjuha e një zonje”, jo pa qëllim botimet kanë filluar me këtë roman. Kam dëshiruar të sjell atë çfarë mendoj se duhet për çdo kënd. Duke menduar se mund të zgjedhësh princin e kaltër, por babai mbetet përherë mbreti. Kam hyrë në fushën e letërsisë pikërisht me këtë vepër, sepse krijesat e mia unë i quaj vepër, me gjuhë të thjeshtë, të qartë, për të hyrë në çdo familje, për të pasur mundësinë të lexohen dhe të përthithen apo përtypen nga çdo moshë dhe nga çdo shtresë. 

Si është të realizosh skenarë filmash, duke patur parasysh që është një zhanër i vështirë?

Filmi është zhanër i vështirë, por edhe më i bukuri, magjia e tij më ka mbërthyer si Bermuda që përthith dhe mban brenda çdo mjet në rezonancën e vet. Ndihem me fat që kam pasur përherë një pedagog, që ka udhëzuar dhe udhëhequr punët e mia të para, le të themi se ka qenë profesionalizmi dhe ashpërsia e tij, ajo që jo vetëm që unë kam sjell një produkt që vlen. Nëse një kurs prej x studentësh kanë një pedagog. Unë kam pas fatin të kem pedagog privat, edhe pse ai thotë se skenarist lind nuk bëhesh, pjesa tjetër është vetëm udhëzim, të punosh nën udhëheqjen e një pedagogu të tillë nuk është thjesht fat por edhe përgjegjësi. Letërsia ka fjalën, filmi ka imazhin dhe është pikërisht ky që duhet të flasë më shumë, që duhet të krijojë hapësirat për të ardhur i tillë. Skenari i filmit me metrazh të gjatë “Sekreti” është mbështetur mbi veprën time roman “Kthim i thyer” dhe është realizuar për 45 ditë, një kohë e limitizuar nga shtëpia kinematografike “Tërpini”. Të punosh është impenjim dhe përkushtim. Ndërsa të jesh në art është dhuratë nga Zoti…

Çfarë ju motivon të krijoni kaq shpesh gjatë gjithë kohës?

Krijimi është si shtatzënia, në momentin që mbush kohën e maturimit 9 muaj, cikli mbyllet, fëmija lind. Unë vij si produkt i dashurisë së prindërve janë ata që më kanë sjellë në jetë me dashuri, e ndoshta kjo dashuri që u transmetua edhe tek pasardhësit e mi, mund të jetë motivi i gjithçkaje, pra pikënisja është dashuria. Dikur, dikush më pyeti përse shkruaj, nuk e di, ndoshta nëse do e mësoj përse shkruaj, mbase nuk do shkruaj më dhe aty mendoj se do jetë fundi im!

Cilat janë objektivat dhe ambicia juaj?

2016 është viti i “ambicies” së madhe, sepse edhe pse pak ditë ka që është shfaqur premiera e filmit “Jetë të pafajshme”, sot folëm mbi të mirat dhe pritshmëritë e filmit dhe me producenti më konfirmoi se do të nisin në fillim të qershorit xhirimet e filmit të radhës, këtë herë me metrazh të mesëm “Djali dhe deti”. Por jo vetëm kaq, pasi kemi bërë një marrëveshje me një regjisor karriere për një skenar filmi me pesë seri që mund të startojë rreth muajit të parë në vitin e ardhshëm. Gjithashtu kam bërë kontratë me një regjisor për një film me metrazh të gjatë që do të hyjë në konkurrim në QKK. Puna ime do të vazhdojë, Vincent Fogarty mendon se jam personi i duhur që mund ti ofroj një skenar që kënaq vizionin e tij për filmin dhe kinemanë. Ai ka punuar para disa vitesh për një projekt me “Top Channel” dhe tani shoh se jam unë e zgjedhura prej tij si skenariste, për bashkëpunimin e tij të radhës.

A besoni vërtetë në pafajësi?

Varet nga këndvështrimi! Ne vijmë të pafajshëm, në një botë të fajshme. Besoj në pafajësinë time dhe të çdo fëmije të ardhur në jetë. Vërtetë bota është kazan që zjen, jetojmë një kohë kur njerëzit duket se janë denatyruar, për më shumë vendi ynë dikur është quajtur vendi i shqiponjave, por tashmë shumë janë kthyer në skifter për njëri tjetrin. Unë besoj se arti mund të ndryshojë botën, nuk duhet të lemë të ndryshojë bota ne. Besoj se puna ime mund të ofroj pak çaste ndryshe jetës së të tjerëve.

Sa e vështirë ka qenë rruga e artit për ju? 

Vështirësitë dhe barrierat i kam ndjerë që në konkurrimin për të bërë sfilatën me përmasa kombëtare, kur nuk fitoi e preferuara e titullarëve, në atë kohë dhe fondi i qeverisë për këtë event u zhduk të tjerët mund të ndaleshin, mbase, por unë jo. Kjo nuk pengoi stafin tim dhe mua të vazhdojmë. Moment i vështirë ka qenë edhe projekti i parë kinematografik, kur pas një përgatitje të jashtëzakonshme dhe një impenjimi, në çastet e fundit të projektit, regjisorja me papërgjegjshmërinë e saj, apo sepse “u ble”, nuk u paraqit në mbrojtjen e projektit edhe pse ishte ndër ato projekte që së paku disa regjisorë e kërkuan si projekt. Jam e predispozuar dhe e përgatitur për të ecur para, se jo vetëm barrierat por edhe bërrylat janë më shumë se të njohur në kohërat që jetojmë, në fushën ku operojmë, por kjo është thjesht një sprovë për të bërë më të mirën. 
Të flasim pak më shumë për filmin “Jetë të pafajshme”
Filmi është një financim dhe prodhim 100% nga ‘ThG production’. Thanas Gega është kujdesur për detajet që të jenë sa më korrekte dhe konform me kushtet e tregut në këtë fushë. Ngjarjet e filmit zhvillohen në Tiranë, ku kemi pasur bashkëpunim me akademinë artistike Robert Radoja dhe shkollën artistike Metronom. Në qendër të subjektit, është Drini 10 vjeç, që jeton me gjyshen e tij pas humbjes së prindërve të tij. Por kjo nuk do tëpengojë ecjen dhe ngritjen e tij falë dhe përkrahjes që ai merr.
Sigal