Izet S. Çulli: “E vërteta dhe liria janë direkët e një shteti”

Shteti duhet të funksionojë në të gjitha hallkat dhe në harmoni për të gjithë ata njerëz që rraskapiten shpirtvrarë nga gjykata në gjykatë. E vërteta ekziston, ka thënë dikur një piktor i huaj,-trillohen vetëm gënjeshtrat.”Ligji i detyron të gjithë

Kjo thënie e mëlartme i përket shkrimtarit Henrik Ibsen dhe i përshtatet këtij shkrimi që po trajtojmë sot. Të gjithë duhet të jemi të ndjeshmëruar për çka po ndodh në vendin tonë që të huajt aq bujarisht e ndanë copa-copa, si ta kishin pronën e tyre! Pra, neve duhet  të na dhimbset çdo metër toke, milje në det, apo hapësire ajrore, si edhe për ngjarjet e papëlqyera që ndodhin jo vetëm në Vlorë p.sh., por në të gjithë territorin tonë. Shkeljet ligjore hapurazi, në dritë të diellit dhe ndodh të kujtohemi nga strukturat e larta të shtetit për të kthyer normalitetin. Dëgjoni dhe shikoni emisionet  kërkimore televizive si “Fiks fare”, “Stop”, apo “Tak fak” dhe u dashka që ndërhyrje të tilla për zbatimin e ligjit kryhen nga ata që nuk e kanë për detyrë parësore të nxjerrin në pah shkelje të rënda duke i bërë publike në emisione të këtilla. Po përse nuk e kryen punën administrata publike, aq e fryrë dhe burokratike?! Pse ata sehirisin ose ngrohen në diell apo në vilat e tyre të kushtueshme luksoze?

Unë e kam theksur edhe më parë p.sh. për djegiet masive të pyjeve, kësaj pasurie shumë shekullore të kombit, për shuarjen e zjarrit të të cilëve, shpesh strukturat e veçanta përgjegjëse,justifikohen se nuk hyjmë dot me mjete(!)Po si mund të hysh në pyll me zjarrfikset?A thua se këtë nuk e kanë ditur qysh më parë? Po të llogarisim, se sikur çdo pesë vjet të ishte blerë vetëm një hidroplan, tani do të kishim shtatë të tillë. Ne kështu nuk do të kërkonim as ndihmën e të huajve, natyrisht me pagesë.

NOA

Po skandalet tek ne nuk kanë të sosur. Ja, u bë pa përspektivë rruga kryesore Tiranë -Durrës me dy korsi nga të dy anët, pra katër gjithsej, dhe tani përpiqemi ta zgjerojmë dyfish, duke shpërblyer me siguri ata që u preken pronat e shumta private ose publike përgjatë rrugës. Po ashtu, Tirana dhe jo vetëm kjo, është pushtuar nga hekuri e betoni dhe nuk gjen vende të lira për pensionistët apo fëmijët. Për këtë do të na mallkojnë pasardhësit. Është një dukuri që nuk mund të rregullohet kurrën e kurrës. Jo. Duhet shtuar se meqenëse më dolën në shteg problemet e mprehta të ditës, u dashka të dalë kryeministri për të shkuar nëpër qarqe për të liruar vendet e zëna, jo ato të pallateve të pambarimta shumëkatëshe, por edhe rrugicat apo trotuaret para lokaleve të ndryshëm. Njerëzit janë të detyruar(pa le nënat me karrocat e fëmijve, sa të vështirë e kanë) duke baritur ngadalthi dhe në rresht si ushtarët! Po një e keqe shumë e madhe është edhe kjo, se kur vjen në pushtet krahu tjetër i politikës, ajo që me të drejtë i zhbëri e para, e dyta e nismon veprimin duke i ngritur lokalet apo shtesat për rreth, siç kishin qenë! Ovidi ka shkruar që “ligji nxirret që i forti të mos bëjë çka dëshiron”.

Më e rëndë paraqitet gjendja në vendet bregdetare ku njerëzit janë mjaft të ndjeshëm, veçan në stinën e verës. Kështu kemi ndërtime pa kriter duke zënë mjediset publike të pamerituara. Duhet theksuar se duke vepruar në këtë mënyrë, do të shkaktohen konflikte sociale, grindje e mosmarrëveshje mes njëri-tjetrit, që jo rrallë përfundojnë keq e më keq.Nuk e paska parë drejtori përkatës i bashkisë etj.,atë pallatin e ngritur para syve si në qytet, në vendet turistike apo në bregdet! Edhe rrugët brendaqytetëse, janë zënë nga parkimet e makinave(veç shëtitoreve të cunguara) dhe njerëzit detyrohen jo rrallë, të ecin në mesrrugë(!) Të gjithë pyesin nëse kanë marrë lejë nga bashkia disa trimoshë apo kokëkrisurish, të cilët ndërtojnë pa dijeninë e nëpunësve të shtetit, ku plotësohen dokumentet përkatëse? Nuk e besoj. Askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. Po kostot kush i paguan atëherë për të tilla veprime antiligjore? Ja mbase për një kohë mund të lirohen hapësirat publike të kudondodhura, po a janë  parë dokumentet se kush i ka dhënë për ndërtime e zaptime të tilla? Ndoshta do të ishte më mirë që vetë këta të shkojnë e t’u kërkojnë llogari atyre për çka kanë gatuar. Po me siguri nuk ua mban(si personave që janë në detyrë dhe të tjerëve më parë). Dhe kjo vetkuptohet se pushtetarët në fjalë veprime të tilla antiligjore, nuk i kanë kryer për mirësi apo humanizëm, por me siguri duke u korruptuar. Kjo plagë e rëndë sfilitëse, që nuk po shërohet aq lehtë e grryen shoqërinë që duam të ndërtojmë sot. Jo për nostalgji, por në sistemin e kaluar monist (dhe jo komunist se ky nuk është realizuar praktikisht në botë gjer tani), dënoheshe jo vetëm për deficët, por edhe për suficët!?Po ja, do të ndërrojmë drejtorët përkatës të një bashkie, ndërkaq ata që vijnë a do të jenë të “imunizuar” nga shkeljet ligjore? Nuk besoj. ’Abeceja’ do të nisë sigurisht nga e para dhe ku ishim, pyet populli i mençur,-asgjëkundi…

Shpesh vihet re se edhe në një familje të vetme do të gjesh probleme, kundërti e qejfmbetje dhe jo më në shtet të tërë. Po në kurriz të popullit janë jo vetëm politikanët e pushtetarët nivel ndryshëm, por dhe gjykatoret. Si është e mundur që kur çështje të këtilla tek ne hallakaten me muaj e vite, në Strasburg p.sh. ato zgjidhen më shpejt? Është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje sfiduese që këta tanët i rrafshon.

Urtësia popullore dhe filozofë të ndryshëm,janë të mendimit se  e vërteta është një dhe më e prekshme apo e dukshme për t’u zbuluar, ngase ajo është reale; ndërsa gënjeshtra ka shumë e shumë këmbë, të cilat të zhytin në labirinte që shpesh mund të mos dalësh dot. Dhe odiseja e vuajtjeve të papërmbajtshme vazhdon gjatë, që zgjidhja e shumë pritur e plot merituar nuk duket në horizont. Shteti duhet të funksionojë në të gjitha hallkat dhe në harmoni për të gjithë ata njerëz që rraskapiten shpirtvrarë nga gjykata në gjykatë. E vërteta ekziston, ka thënë dikur një piktor i huaj,-trillohen vetëm gënjeshtrat.”Ligji i detyron të gjithë”(“Lex omnes alligat”-thonë latinët).

Përfund këtyre shënimeve të halleve të pambarimta të tablos jetësore që ndodhin në përditshmërinë tonë, mund të pyes veten(!) dhe të tjerët që interesohen për përparimin e këtij kombi të drobitur nga problematikat që na rëndojnë mbi shpinë:

-A mungon ndonjë hallkë e zinxhirit qeverisës si në qendër dhe në bazë, të cilat paguhen ashtu rripshtrënguar, nga vetë populli ynë?

-Jo, është përgjigjja  e njëzëshme dhe e sigurt.Atëherë  ku fle lepuri, pse punët nuk shkojnë siç duhet,kur me pasuritë tona të mëdha mbi e nëntokësore, ne nuk do të ndodheshim ku jemi sot. Pra duhet të funksionojë diktatura e ligjit, por për të gjithë njëlloj, ama,ballafaqe  dhe jo për të njëjtën çështje të veprohet tjetër për tjetër. Njeriu ka lindur për të jetuar dinjitetshëm dhe jo ashtu të vegjetojë këmbëzvarrë dhe i shkurajuar.Qoftë e lëvduar puna dhe veprimtaria  e çdocilit prej nesh…!