Ilmi S.Qazimi: Ushqimet, fshatarësia dhe qeveria-lumi po i merr të tria!

32
Sigal

-Po ushqehemi më mirë tani në ‘demokraci’ apo në “kohën e Xhaxhit”?

/Telegraf.al/ Kemi dëgjuar jo pak njerëz që jetesën e sotme e krahasojnë me ‘kohën e Xhaxhit’. Disa nuk guxojnë ta thonë hapur emrin e ‘xhaxhit’, të tjerë e thonë demek me tallje. Mos vallë kanë frikë? Thuajeni troç, me zë të lartë dhe shqiptarisht, në kohën e Enver Hoxhës! Ajo kohë, 1944-1985 ishte epokë historike e jetës sonë që nuk mohohet kurrë. Ne kemi egzistuar, kemi jetuar me tërë përmbajtjen e plotë e të gjithanshme të kësaj fjale, në ato vite, me njëmijë të mirat dhe ato pak të këqia, që kishte ai sistem ekonomiko-shoqëror në ecurinë e tij në shtigje të pashkelura, por në ngjitje progresive. Është idiotizëm, krim ndaj vetes dhe fëmijëve tanë, ndaj vetë zhvillimit shoqëror që ta mohojmë, tjetërsojmë apo eklipsojmë atë periudhë gjysmë shekullore dhe t’i thurim lavde dhe hosanara sistemit ‘demokratik’. Ishte realisht epokë e ndritur, që ne të lindurit në vitet e fundgjysmës së parë të shekullit të kaluar, e kemi jetuar tërësisht. Ishte dhe do të mbetet historike (pavarësisht propagandës helmatisëse të kriminelëve vendas dhe të qarqeve të caktuara të shteteve të tjera jo dashamirëse), sepse u punua me ndërgjegje dhe me dëshirë e disiplinë për ta bërë Shqipërinë Zonjë, siç e profetizoi dhe e ëndërronte Naim Frashëri i madh. Dhe asaj epoke ia dha emrin udhëheqja e drejtë e Enver Hoxhës. Këtu historia ka vendosur pikë dhe nuk ka tjetërsim.

Ishte viti 1983 kur Ylberi, një inxhinier gjeolog, (që kishte studiuar në Poloni, në vitet e socializmit), në një bisedë të lirë me nga një ‘arançatë’përpara, mes shokësh intelektualë të fushave të ndryshme shtroi një pyetje: Ju lutem më thoni çfarë i marrin tokës në atë vazo ato dy lloj lulesh që janë të ndryshme në ngjyrë e në aromë, në madhësi e në formë? Ato janë mbjellë dhe po rriten në një vazo, në të njëjtën sasi e lloj dheu?! Na vuri në siklet të madh. Lulet ishin në ballkonin pranë të cilit kalonim çdo ditë kur ktheheshim nga puna. Njëra kishte aromën e manushqes dhe ngjyrën e kuqe (jo blu siç njihet nga ne manushaqja) dhe tjetra kishte formën e yllit me pesë cepa, me aromë të lehtë kulpre dhe petalet të shtresëzuara duke formuar pesë yje me ngjyrë floriri farfuritës. Të tillë rrëfime ka secili në jetën e tij. Por fatkeqësisht inxhinieri erudit nuk arriti,që pas pesëdhjet vjetësh të dëgjojë pyetjen  më të zezë të shekullit:-me se dhe si po ushqehen shqiptarët që iu janë shtuar kaq shumë sëmundjet?

Tani, viti 2024, kur shkenca ka arritur pika kulmore, çështja e luleve, si ushqim shpirtëror del në një plan të tretë. E para është ajo e ushqimeve fizike, industriale, kimike e biologjike, që po u jepen shtatë miliardë  banorëve të globit tonë, që mizorisht po trajtohen si të ishin gjallesa me dy këmbë e pa ndërgjegje shoqërore. Dhe këtë e bën kapitalizmi, e bën biznesi, e bën konkurrenca dhe “mbrojtja e të drejtave të njeriut(!?)” prej shtetit kapitalist. Duke e parë problemin këtu tek ne në vendin tonë të vogël, dikur të virgjër dhe tërësisht të mbrojtur nga të tillë armiq ‘ushqimorë’, tani jemi krejtësisht të zhveshur lakuriq në mes të ujqërve të kapitalit të huaj, që nuk kanë lënë gjë të mirë pa na rrëmbyer e asgjë të ligë pa na futur këtu me forcë dhe ‘me dëshirë’ të qeverive tona.

Në vend të rigonit që bleva, brenda në bustinë kishte tallash druri. Në kutinë e djathit, gjeta një copë allçi dhe në qesen e kripës doli një pilulë rozë. Në kutinë mbështjellëse të pakos me dhjetë vezë lexova: “vezë pa antibiotik” kurse në qesen me patatina gjeta një lloj krimbi të pjekur bukur. Për të mos vijuar më tej me mishin e kalbur brazilian, pjeshkën hormonale argjentinase, sallatën jeshile ultra helmuese shqiptare, domaten e hormonizuar jashtë standartit, miellin ukrainas me vlera minimale ushqyese të bukës ‘masive’, konservantët e panumurt, etj.etj. E kësisoj mund të numurohen me miliona raste, me qindra mijra shembuj sa të frikshëm aq potencialë dhe të përditshëm mbi trupin tonë. Sos këto, por edhe milionat e mikrobeve toksike, infektive, bakteriale, të cilat i “sjell vet ajri”, që hyn lirshëm dhe detyrueshëm në mushkëritë tona. Seç po bën bota, le ta dëgjojmë, të nxjerrim mësime, të ruhemi nga më e keqja e saj dhe të marrim më të mirën. Por se ç’po bëhet këtu në Shqipëri për ushqimin që po hamë duhet të japë llogari qeveria dhe hallkat e zinxhirit të saj nga ministresha deri tek fshatari e blegtori. Këta dy të fundit kanë përgjegjësinë më të vogël, sepse qeveria deri tani po ndihmon, nxit, stimulon dhe paguan (ngaqë mbush xhepat e veta më parë) importin e ushqimeve apo produkteve ushqimore prej vendeve më të zhvilluara duke e asfiksuar prodhimin bio vendas. A nuk është ky një krim monstruoz i qeverisë sonë në këto 34 vjet? Ku janë molla dhe qepa e Korçës, fasulja dhe molla e Dibrës, rrushi dhe portokalli, hurma, fiku dhe qershia shqiptare deri te hudhra dhe lëpjeta?! Njerëzit e duhur me të cilët duhet të ndeshemi të gjithë, nga më i vogli deri tek më plaku, nga rrogëtari më i thjeshtë deri tek njeriu nëpunës që e do atdheun dhe familjen, për ushqimin që po hamë dhe po kthehemi në kavje të shkencës janë vetëm qeveria dhe disa hallka parazitare pranë saj! Kjo lloj qeverie ‘populiste’ ka krijuar disa struktura faqe e famëzeza si AKU, dhe sa e sa të tjera me iniciale që nuk merren vesh, që nuk përgjigjen për  kontrollin e ushqimeve. Janë bërë ankesa nga njerëzit e thjeshtë dhe asnjë ndryshim nuk shohim! Kush u ndëshkua për helmimin me pesticide? Kush u dënua për mishin e papapërdorshëm të pulës? Kush u ndëshkua për vjedhjen e fondeve europiane për bujqësinë shqiptare?

Në “kohën e Enverit” Shqipëria e vogël tetëqindmijshe doli nga lufta kombëtare çlirimtare antifashiste e antinaziste e dërrmuar, por qeveria dhe partia-shtet e nxorri në dritë të plotë. Kjo erdhi, sepse për 25 vjet punë, punë dhe përsëri punë me disiplinë të rreptë, e përsëris të rreptë, u ndërtua baza ekonomike dhe u transformua ndërgjegja e njeriut në masën që të kuptonte cila qe rruga më e mirë në jetë. Dhe u arrit që popullsia të bëhej në afër katër milion banorë. U arrit që buka të ishte plotësisht bukë misri nga fushat e Korçës, Dibrës e Gjirokastërs; buka e grurit në gjashtë llojet dhe katër format e saj, me çmim simbolik, të ishte vetëm bukë gruri nga fushat hambar të Shqipërisë si ajo e Myzeqesë, Devollit, Lezhës e Nënshkodrës. Ai shtet kishte një ministri për industrinë e lehtë dhe ushqimore, e cila  kryente të tëra funksionet e duhura, kishte njerëzit e duhur dhe mjetet aq sa ishin mundësitë konkrete. Ajo kohë kishte planifikim shkencor, ndjekje e realizimit të planit, kontroll dhe lavdërim për punën e mirë e ndëshkim për fajtorët, indiferentët, sabotatorët e sidomos vjedhësit. Kishte edhe Institut për Studimin e Përmirësimin e Tokave, që përcaktonte ku, kur dhe si do mbillej misri, gruri, duhani e luledielli, pambuku e orizi, etj,etj. Tani nuk ka fare institute e as bimë industrial, por tokat janë lënë djerrë ose me hashash e bar i egër që nuk shfrytëzohet. Kurrsesi nuk mund të quhet zhvillim ky proces degradimi! Atëherë kishte Akademi Shkencash dhe Universitet Bujqësor shumë i njohur në Europë. Në ato vite punohej frontalisht për ndërgjegjësim me bindje, edukim dhe përsëri edukim deri në dënim me privim lirie ku, gjithpoaq i dënuari do të punonte në një sektor të caktuar si minierë a ndërtim. Vjedhësi dhe ryshfetxhiu ndëshkohej thuajse njëlloj si tradhtari-aksiomë kjo që e kanë përdorur shumë shtete të botës, që duan përparim e begati si Izraeli, Rusia, Singapori etj. Njihej forca, vendi e roli i fshatarit dhe i punëtorit e, më e rëndësishmja, vlerësohej ajo si forcë transformuese shoqërore.

Po tani? Kemi kaq vite ku sundon mashtrimi, vjedhja në të gjithë kahjet, helmim ushqimor, biznes për superfitim në një natë. Asnjë biznesmeni manjak dhe qeveritari, që mendon vetëm të zhvasë, nuk i bëhet vonë se sa njerëz sëmuren përkohësisht apo përjetësisht, se sa vdesin dhe se sa mbesin invalid nga ushqimet që hanë! (Mjafton të kujtojmë se në dy njëri vdes nga një lloj kanceri!). Sa ikin jashtë vendit dhe sa humbasin pjesë të trupit të tyre duke filluar nga truri! U intereson vetëm fitimi maksimal. Ja ky është sistemi demokratik i sotshëm! A e shihni se sa të trembur janë bosat parlamentarë europianë nga protesta aq e fuqishme me forcë përmbysëse e fermerëve? Edhe qeveria jonë duhet ta njohë fuqinë e atyre që prodhojnë të mirat materiale e jo t’i vjedhë e mashtrojë ata. Për qeverinë e Edi Ramës as që do bëhet fjalë për studim tokash, mbjellje dhe korrje, vaditje e prashitje, por vetëm për turizëm, turizëm dhe… turizëm, me punëtorë nga Azia, India, Afrika! Se djemtë e vajzat shqiptare po largohen si rezultat i politikave antikombëtare të qeverive tona. Ku po vemë kështu?