Ilmi S. Qazimi:  ‘Lista e mbyllur’ ishte dhe mbetet vjedhje e hapur!

-reflektim për aspekte të kodit zgjedhor –

NOA

Ja edhe votimet e 11 majit 2025, aq shumë të reklamuara në media e në politikëbërjen tonë të shthurur, u realizuan me sukses!? Thuajse tërëçka u zhvillua konformë rregullave, me qetësi, me normalitet, por edhe me ndonjë anomali apo disa gabime njerëzore!?Edhe të huajtë vëzhgues-ose më saktë, – sehirxhinj të sprovuar që dinë të rrjepin- i quajtën “votime dhe zgjedhje  të mirëqena”. U votua bindshëm për 140 deputetë të Kuvendit, (alias Parlamentit të Republikës së Shqipërisë).

Humbësi po qan e ankohet, fituesi qesh e pasurohet

Sidoqoftë, zgjedhjet e 11 Majit 2025 u mbyllën me sukses! Me hir a me pahir, me zor apo me dëshirë, ato u pranuan nga të gjithë paçka se z.S.Berisha po ankohet nëpër Europë që janë farsë!Ca fituan e ca humbën. Kështu ka qenë e kështu do të jetë. Ca, trishtueshëm, dolën nga Kuvendi se ishin bërë  bajat; ca hyjnë (domosdo që do të zëvendësohen se boshllëk nuk ka askund)se iu shkon për shtat. Shumica mbetën aty ku ishin se janë rigon e gjemb i butë nën hijen e lisit. U bënë gjurmime e vrojtime, intervista e analiza, kërkesa e ankesa, akuza e denoncime,procedime e arrestime, numurime e stërnumurime votash në kuti e jashtë kutive të votimit. U bënë deklarata dhe u firmosën kontrata. U derdhën milionat dhe se sa, se si, se ku, se për kë, këto e di vetëm kreu: I.Celibashi dhe E.Rama.E, është rasti të kujtojmë se  atje ku hidhen miliona, kur bëhet deti kos, lum ai që ka lugë dhe manovrueshmëri më të madhe të llufisë sa më shumë! U bë e çfarë nuk u bë për ato zgjedhje që i dhanë përsëri kolltukun e kryetarit të qeverisë, z.Edi Rama. U fol se vota e emigrantëve ishte një risi!? Por pak ose aspak kush nuk thotë më të vërtetën:pikërisht atje në ato votime të diasporës, pati më shumë fitime, abuzime,  akrobacira dhe teknokracira. Ato shërbyen si një lloj maske për të mbuluar pjesë të së vërtetës dhe për të stimuluar euforinë e fitores.Tek e fundit e majta, partia e quajtur socialiste(edhe pse këtë emër ajo nuk e ka përligjur deri më sot!) i fitoi këto zgjedhje. Pik. Aferim! Le të shpresojmë se do të kemi arritje më të mëdha suksesive!?

Shqipërisë nuk i duhen më 140 deputetë, por shtatëdhjetë!

Duke i hedhur një sy kodit zgjedhor ku bazohen zgjedhjet tona parlamentare, ndër tetë kapitujt e tij e vlen që të rishihen, të paktën dy; ai i numurit të deputetëve që duhet të ketë Shqipëria  në bazë të sasisë së popullsisë  që ata duhet të përfaqësojnë në organin më të lartë ligjhartues dhe ai i listave të kandidatëve për deputet  që do t’i paraqiten votuesve. Shifra 140 na ka kallur atë lloj tmerri që ndjen njeriu kur shikon çdo ditë në tavolinë burrin e nënës që nuk e honeps dot. Kjo sepse emrat dhe fytyrat e deputetëve tanë  nxirren  nga media orë e çast për shumë ditë të vitit në katër vite-hiq muajt e pushimeve të verës.

Njëqind e dyzeta është një shifër absurde dhe përligj një sasi njërëzish që duhet të pasurohen sa më shumë dhe të shtojnë klasën e të pasurve pa djersë, me dallavere, pa kontribute të merituara tash sa vite.Jo vetëm për katër vitet e deputetllëkut, por edhe tre vite më pas! Sepse kështu e ka ligji!? Deri tani, me ndonjë përjashtim fare të vogël, kjo shifër ka pasqyruar në ekran  intelektualë të lartësuar e të mirëfilltë, tek-tuk edhe ndonjë atdhetar të flaktë; diplomat të rafinuar dhe  të dijshëm  që bazohen në argumente; njerëz mediokër dhe inatçorë; zonja  fjalamane, me bizhuteri super  të shtrenjta dhe gojëshqyera; hajdutë të maskuar, llafollogë dhe sidomos demagogë të pa shoq ashtu si edhe zjarrvënës, grushtues, bishtnues,helmues, tymues etj.Por ka treguar edhe  individë, deputetë sa për  të mbushur sallën, për të firmosur borderonë dhe 24 bonuset, të cilët nuk e mësuan kurrë se  ku qe foltorja por e kanë ngritur e ulur kartonin jeshil, sa herë ia ka dashur qejfi kryetarit të partisë. Së fundmi, numuri 140 ka shërbyer edhe për të fshehur deputetë që kanë bashkëvepruar ku më pak e ku më shumë, me kriminelë shqiptarë dhe të huaj, ashtu si edhe deputetë që i kanë vënë kazmën Shqipërisë, me bëmat e tyre.

Popullsia shqiptare që gëzon të drejtën e votimit realisht po zvogëlohet, votuesit shqiptarë firasin, të tjerë  banorë po vijnë nga tërë rruzulli veçanërisht nga vende të Azisë juglindore, India, e pastaj nga, Lindja e Mesme, Ukraina e Italia, e vendosen këtu; por numuri i deputetëve është po aq: 140! Të krijohet përshtypja sikur vetë Parlamenti është një gardh, hunjtë e të cilit nuk mund e nuk duhet të shkulen deri sa të kalben e të bien vetë!?Dreqi e merr vesh se përse kjo shifër, 140 deputetë,  nuk po ndryshon!? Mbase këtë vit do të dalë ndonjë i mençur (qoftë edhe rebel aventurier) nga këta “të rinjtë – o të rejat- ligjvënës”e ta propozojë me argumente të pakundërshtueshme që,për zgjedhjet e 2029-ës,të ulet numuri të paktën deri në njëqind deputetë ose më e  mira  fare deri në 70 deputetë. Se aq njerëz janë,xhanëm, që votojnë për ta! Le të shpresojmë.

Listat e mbyllura -një shkelje flagrante e demokracisë

Shqetësimin këtë radhë e kemi për një shfaqje të nivelit më të lartë demokracisë në thonjza të mëdha: lista e mbyllur e deputetëve është vetëm një vjedhje e hapur! Nuk është fjala tek emrat e atyre që e përbejnë këtë listë si atë të kryetarit tashmë të plakur S.Berisha, ashtu edhe atë të kryetarit bluzëzi, Edi Rama. Madje kjo është pikë e fundit për nga rëndësia. Problemi është: si mund të quhet demokratike kjo mënyrë zgjedhjesh ku disa janë të paracaktuar nga shefi në zyrë, e të tjerët, më të paktit janë ata që do t’i sjellë në Kuvend vota e popullit të thjeshtë atje tutje nëpër territorin shqiptar, apo edhe nga diaspora!? Kjo shqip do të thotë: këta kandidatë për deputetë janë të vendosur nga unë! Pik.Doni a s’doni ju, ata do t’i votoni. Edhe po nuk i votuat unë do t’i fus pa derman në parlament! Atëherë, që të rrimë shtrembër e të flasim drejt: kur unë, si deputet i paracaktuar nga kryetari i partisë ulem në kolltuk ia them lirshëm dhe me shumë prepotencë të “ligjëruar” atij tjetrit që erdhi ngjitur me mua nga vota popullore: ” Ik mo tutje! Kush të pyet ty!? Unë jam i besuar i shefit.”Ose e thënë  më shqeto: deputetin e emëron kryetari i partisë.O Perëndi! ( në qoftë se ka një të tillë), Ç’qenka kështu kjo lloj demokracie?

Nuk pretendoj se njoh ligjet , por si qytetar, kemi rënë në biseda edhe më shumë shokë e specialistë të fushës juridike, dhe me shqetësim pyesim: përse shkelen kaq hapur parimet e shkruara në Kushtetutë? Përse bëhet ky kod zgjedhor kaq i mbrapshtë? Kur do të ndëshkohen ata që ideojnë e ata që hartojnë  në detaje të tilla ligje e kode që nuk janë aspak demokratike!? Realisht ata të listës së mbyllur nuk janë as të legjitimuar plotësisht as të ndërgjegjshëm se përfaqësojnë popullin se në fakt përfaqësojnë dëshirat e kryetari të partisë, të një njeriu të vetëm”sulltanor” që guxon- se ia lejon kodi’?!- dhe del mbi popullin që është i vetmi, i cili duhet të vendosë për kandidatin që do të votohet për t’u bërë deputet.

Kësisoj kemi dy gjendje:” jam deputet i mirëfilltë, sepse jam votuar nga lista e mbyllur sepse kështu e ka ligji. Pik”. Por është edhe realiteti tjetër më i fuqishëm që bërtet e ulërin:”vërtet unë nuk jam votuar direkt nga votuesi ,por nga partia e kryetari; mua nuk më duhet fare se paskam zëvendësuar vullnetin e popullit me dëshirën e kryetarit. Edhe kryetari tek populli bën pjesë?!”“E ç’më duhet mua se paskam shtrembëruar vullnetin e votuesit? “

Mirëpo logjika e demokracisë thekson se vota është e pavarur, sovrane dhe ligjore.Ti, ore zotëri, e ke marrë miratimin nga kryetari e jo nga Votuesi Sovran. Kështu që kjo metodë rrëfen qartë që vidhet vota, shpërfillet ajo dhe zhvleftësohet tërësisht procesi  demokratik zgjedhor.E përse tërë kjo muarrebé? Argumentet dhe faktet shkojnë drejt mendimit se dy kryetarët tanë, E.Rama e S.Berisha, duan të ruajnë pushtetin dhe menderen e tyre! Duhet thënë haptazi: votime me lista të hapura, të mbyllura, të shqepura, të manipuluara, etj, janë vjedhje dhe më tej përdhosje e historisë së vendit duke  shkelur me këmbë mbi dinjitetin popullor të shqiptarëve që duan të votojnë. Mbase e keni vënë re se edhe ulja e numurit të votuesve  që janë  të gjallë pranë kutisë së votimit , por nuk venë të votojnë burimin kryesor e ka pikërisht këtu: ‘te hileja e shefit dhe poshtërimi që na bën ai neve si qytetarë.’

Ecim më tej: për fletë-çarçafin e votimit të këtij 11 maji , ishte një udhëzim se”o voto partinë dhe kandidatin e saj o vota shkon në fik”! Po bota e përparuar borgjeze nuk e ka kështu! Ti ke të drejtë të votosh njeriun -kandidat si person pavarësisht se kujt partie i takon ai! Pse nuk bëhet siç e ka b.f. Gjermania, ku secili votues  voton për kë të dojë parti e për kë individ -kandidat  t’ia thotë qejfi. Përse ky lloj mish-mashi tek “demokracia “ jonë? Fjalia e thënë nga tërë  termat dhe ligjet e demokracisë botërore të së tanishmes, që”votuesi duhet të ketë kontroll të plotë mbi efektin e votës së tij!”tek praktika jonë zgjedhore është shpërfillur tërësisht.

Ka ardhur koha që këto anomali të rënda të korrigjohen.