Besnik Nallbani/ Emërimi i mësuesve dhe drejtuesve nga komuniteti- një risi, por jo me pak pikëpyetje.

469
Sigal

Shkrimi trajton Udhëzimin Nr.56 dhe 57 dt.12.11.2013 të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,i  cili është në prag të procesit të zbatimit

 Një nga sfidat e sotme në arsim, krahas reformës kurrikulare,  është dhe shkolla  si qendër komunitare. Sigurisht, kjo është një qasje e re për vendin tonë që e merr zanafillën nga përvoja e vendeve kryesisht më te zhvilluara të Europës  dhe me standarde shumë të larta,fillimisht nga vendet nordike, pra nuk kemi të bëjmë me ndonjë ide origjinale që mban autorësinë e ndonjë individi apo grupimi të caktuar pedagogjik apo politik. E reja këtu qëndron tek elementi “kohë” e implementimit të disa kompetencave që transferohen nga pushteti tek komuniteti, tek gjithpërfshirja e komunitetit dhe grupeve të interesit për problemet e arsimit etj.. Në këtë shkrim do të përqendrohesha vetëm në dhënien e kompetencave të plota komunitetit për emërimin e mësuesve dhe drejtoreve të shkollave, që sigurisht, përbëjnë një risi dhe do të aplikohen për të parën herë në vendin tonë.

Argumentet pro dhe kundër mund të jenë të shumtë, por sidoqoftë shqetësimi mbetet dhe ky shqetësim jo në sensin teorik (mbasi teorikisht çdo gjë është e bukur  madje dhe e suksesshme në ato vende ku ka vite që  aplikohet), por problemi është se a ka ardhur realisht koha kur komuniteti pranë çdo shkolle, në qytete e fshatra, është në ato nivele dhe përgjegjshmëri të përafërta me komunitetet e atyre vendeve që janë marrë si model ?!
Pa analizuar në tërësi udhëzimin përkatës po ndalem në disa momente, ku midis të tjerave thuhet se nga 5 anëtarët e komisionit përzgjedhës  të një shkolle, dy do të jenë drejtpërsëdrejti përfaqësues të prindërve: Kryetari i bordit dhe Kryetari i Këshillit të Prindërve,dy do të  përzgjidhen  nga këshilli i mësuesve me votim të fshehtë, njëra prej, të cilave (më e vjetër në atë kolektiv)  është edhe kryetare e këtij komisioni dhe e pesta është një përfaqësuese  e DAR-it sipas profilit që mbulon. Ky komision së pari do të pranojë dhe shqyrtojë  dokumentacionin e plotë të aplikantëve, duke plotësuar tabelat përkatëse sipas pikëve standarde të këtij formulari. Deri këtu kemi të bëjmë me një punë thjesht teknike,që së paku lehtëson sektorin e burimeve njerëzore të DAR-it !  Pikëpyetjet fillojnë  pas kësaj,kur një nga elementët më të rëndësishëm të vlerësimit është e drejta e të 5 anëtarëve për të vëzhguar nga 2 orë mësimi tek secili kandidat me një pikëzim nga 1 deri 20 pikë në dispozicion të çdo anëtari  të këtij komisioni. Shtrojmë pyetjen, pa asnjë paragjykim :  së pari,a janë të gjithë kryetarët e bordeve dhe kryetarët e këshillit të prindërve në profilin e mësuesisë për te vlerësuar saktësisht orë mësimi e aq më tepër në të gjitha profilet, kur dihet se ora mësimore përmban elemente shkencorë, metodikë, psiko-pedagogjikë, vlerësimi etj., etj., që të gjitha së bashku kërkojnë profesionalizëm, në të kundërt shumë lehtë kjo kthehet në amatorizëm!
E njëjta gjë mund të thuhet se a janë në gjendje këta të intervistojnë aplikantët për metodat e punës së tyre dhe t’i vlerësojnë me pikë nga 1 deri 10 ?!…
Se dyti,dy mësueset e pazgjedhura të shkollës a i kanë kompetencat e duhura për të bërë një vlerësim të saktë,veçanërisht në ato raste kur  aplikanti mund të ketë një përvojë dhe nivel edhe më të lartë sesa vetë ato ?!…
Çuditërisht drejtori i shkollës nuk merr  pjesë në këtë aspekt vlerësimi dhe pikëzimi,qoftë kur është i të njëjtit profil ,pasi nuk është pjesë e këtij komisioni. Gjithashtu, këtë të drejtë nuk e kanë  as  nëndrejtorët, të cilët  një ndër  detyrat funksionale normative  kanë vëzhgimin  dhe vlerësimin  e orëve të mësimit, madje, edhe tek  të dyja mësueset që janë anëtare dhe kryetare  te këtij komisioni vlerësimi !  Drejtori i shkollës  ka për detyrë  të shqyrtojë dokumentacionin dhe tabelën e pikëve vetëm të dy kandidateve që janë vlerësuar me më shumë pikë nga ky komision,duke patur të drejtën që në prani të nëndrejtorëve  apo kryetares së komisionit të vlerësimit  kur nuk ka nëndrejtorë ,  të zhvillojë me to  një intervistë e në fund të vendosë për njërën prej tyre.
Nuk është ende e qartë nëse vëzhgimi i orëve të mësimit tek aplikanti do të bëhet bashkërisht nga i gjithë komisioni,gjë e cila në vetvete do të krijonte edhe problemet të tjera : përfytyroni rastin e një mësueseje të re përpara një klase që s’e njeh dhe me 5 vëzhgues në me blloqe në duar në fund të bankave ?! Padyshim anormaliteti do të kalonte edhe tek nxënësit dhe diskutimet nuk do të ndaleshin edhe në familjet e tyre. Po në rast se për një vend pune do të paraqiten shumë kandidatë (veçanërisht kjo në Tiranë apo qytete të tjera të mëdha) si do të realizohet ky vëzhgim prej 2 orësh tek secili kandidat ?! A nuk do të ishte ky një eksperiment me pasoja të drejtpërdrejta në dëm të nxënësve ?!
Nëse marrim rastin tjetër kur aplikanti konkurron për drejtor dhe mund të jetë  mësues i së njëjtës shkollë si mund të shmanget konflikti i interesave,kur katër prej pesë anëtarëve të komisionit (me përjashtim të përfaqësueses së DAR-it)  kanë  marrëdhënie të drejtpërdrejta pune e pse jo edhe miqësie me kolegun e së njëjtës  shkollë dhe sigurisht që krijojnë pabarazi në raport  me kandidatët e tjerë jashtë kësaj shkolle e akoma më shumë  kur  vijnë edhe nga rrethe të ndryshme ?
E parë në të gjithë aspektet mendoj se ka një ligjësi universale (sigurisht, të pashkruar në ligj) që vlerësimi (për më tepër ai me notë apo i konvertuar me pikë) duhet të jetë atribut i  specialistëve  më të mirë të fushës,të cilët kanë  të drejtën morale për të qenë sa më të besueshëm dhe objektivë në këto vlerësime, për më tepër kur pasojat e tyre nuk janë të vogla , zënia e një vendi pune është jetike për cilindo,madje problemi shtrihet edhe më gjerë,pasi ka  lidhje të drejtpërdrejtë me interesat e nxënësve dhe zhvillimin e mëtejshëm të cilësisë së shërbimit arsimor  ndaj komunitetit dhe shoqërisë në tërësi. Nisur nga sa më lart, duke mos marrë kurrsesi rolin e një nihilisti apo konservatori, mendoj se do të ishte më produktive tashmë jo tërheqja nga kjo formë e re emërimi, jo spostimi i komunitetit nga ky proces, por zgjerimi i bazës së komunitet, gjë që do të mundësonte rritjen e cilësisë së këtyre komisioneve të ngritura posaçërisht  pranë  çdo shkolle të veçantë. Kështu, nëse do ta konkretizonim problemin qoftë edhe për një qytet të veçantë, p.sh, në Tiranë  mund të ngriheshin disa komisione të specifikuara për kategori të ndryshme shkollash, qoftë edhe në rang të njësive bashkiake, kur kjo përzgjedhje e anëtarëve të komisioneve vlerësuese do  të krijonte mundësi më të mëdha për të qenë  më cilësore, pasi p.sh., nga 10 shkolla që mbulon përafërsisht një minibashki, pra nga 10 kryetarë bordesh e 10 kryetare të këshillave të prindërve mund të përzgjidhej nga një  prej tyre dhe që padyshim  do t’i përkiste fushës së arsimit,mësues apo pedagog  dhe që do të gëzonin  një reputacion që përfshihet  brenda një komuniteti  më të gjerë.
Nga ana tjetër përzgjedhja e dy mësueseve  sipas profilit të kandidatit që aplikon për mësues nuk ka pse të mos bëhet nga DAR,duke caktuar dy nga kryetaret  e departamenteve lëndore nga shkollat që mbulon një minibashki pra nga një komunitet mbi bazë më të gjerë, që presupozohet se janë nga më të aftat për profilin përkatës dhe vlerësimin e orëve të mësimit.Në këto raste do të kishim edhe standarde më të njehsuara, sesa ajo që rekomandon udhëzimi i dhënë.
Njëkohësisht sektori i burimeve njerëzore, sipas këtij, udhëzimi kthehet vetëm në një sektor statistikor, që rakordon orët mësimore në shkallë qyteti apo rrethi, duke e zhveshur atë plotësisht nga puna e gjallë me njerëzit dhe nga përgjegjësitë jo të pakta për zhvillimin e burimeve njerëzore.
Sigurisht nëpërmjet këtij shkrimi nuk marr përsipër të trajtoj në detaje e aq më tepër të udhëzoj se si duhet përmirësuar kjo formë e re deri tani e paaplikuar, por sidoqoftë ngre një shqetësim  me shumë dashamirësi ,qoftë  edhe hipotetik,që ndoshta mund të vërë në lëvizje personat e ngarkuar për nxjerrjen e udhëzimeve specifike përkatëse  dhe përmirësimin  e  mëtejshëm të kësaj risie, duke marrë parasysh kushtet reale të shkollave dhe komuniteteve, ku kjo risi do të zbatohet. Pa këtë përshtatje dhe nëse do të zbatohet në mënyrë shabllone përvoja e vendeve shumë të zhvilluara, jo rrallë edhe risitë më të bukura  kthehen në bumerang dhe bëjnë  të kundërtën, që në gjuhën e popullit thuhet: “Në vend që të vëmë vetulla, nxjerrim sytë”

Ish- shef i Burimeve Njerëzore pranë DAR Tiranë