Pronarët: Verifikimi i titujve të pronësisë, një mashtrim i radhës

557
Sigal

Nëpërmjet mediave pronarët mësuan se, Qeveria në mbledhjen e radhës mori vendim për zgjatjen e afatit të verifikimit të titujve të pronësisë dhe riorganizimin e drejtorive të krijuara në qarqe për këtë qëllim. Këto Drejtori janë krijuar nga Qeveria “Berisha”, në çdo prefekturë e në vartësi të Prefektit. Detyra e tyre ishte verifikimi i sipërfaqes së tokave që kanë marrë përfituesit e tokave (pronarët e fabrikuar) nga ligji 7501. Me këtë vendim Qeveria “Berisha” do zbulonte disa metra tokë që mund t’u ishin dhënë gabim, ose tepër pronarëve të rinj, dhe me ato metra do kënaqte për sataka, pra do kompensonte pronarët e vjetër që tokat i trashëgojnë nga të parët e tyre.

Qeveria Rama çuditërisht e vlerësoi si gjetje mjaft të goditur ekzistencën e këtyre strukturave që me punën e tyre do zbulojnë copëza toke të ndara tepër ose të matura gabim që të heqë qafe pronarët e vjetër. Insistimi i qeverive për verifikimin e titujve të pronësisë është një strategji e qëllimshme, ose më mirë një mashtrim, që pronarët të shpresojnë se mos është bërë ndonjë gabim në matje që të marrin një copëz tokë nga e tyre si lëmoshë. Kjo është një fyerje edhe më e madhe, një tallje e Sali Berishës, por që për fat të keq mbështetet edhe nga Edi Rama. Për pronarët trashëgimtarë të tokave, që ua rrëmbeu qeveria me ligjin antikushtetuese 7501, ky lajm është edhe më i hidhur se sa deklarata e kryeministrit për ndarjen e certifikatave të pronësisë.

Arsyetimi i Programit të Qeverisë, se: “atyre që kanë gati çerek shekulli që po e punojnë tokën, ne do t’jua japim në bazë të 7501-shit”,  është sa i njëanshëm aq edhe i padrejte, sepse po ne pronarët që këtë tokë e kemi punuar, jo 22 vjet, por për shekuj me radhe a nuk paskemi shumëfish të drejtë?

Me miratimin e kushtetutës me referendum, Qeverisë iu ngarkua detyra që të ndryshonte ligjet, ndërsa pronarëve të vjetër u lindi e drejta që të merrnin tokën e tyre, njëherësh ligji 7501 konsiderohej i shfuqizuar sipas nenit 181 të Kushtetutës. Atëherë pse kalvari i pronës në Shqipëri nuk zgjidhet? Nuk zgjidhet, sepse Presidentët e vendit, megjithëse janë garant të kushtetutës  njëri pas tjetrit bëjnë sehir, sepse kryeministrat njëri pas tjetrit kanë interesat e tyre dhe megjithëse premtojnë në fushatë elektorale kur vijnë në pushtet harrojnë, sepse Sali Berisha e ideoi dhe e instaloi 7501, por vetëm në  Jug të vendit, ku bëri pronarë edhe minoritarët, ndërsa në  zona të tjera, përveçse i la të merrnin tokën e tyre, i nxiti që të shpërnguleshin e të zaptonin edhe tokat e të  tjerëve, por më në fund edhe i legalizoi, duke i  bërë me dy palë prona.

Dihet se pronarët që janë prekur padrejtësisht nga Ligji 7501 janë me qindra mijëra, po ashtu përpjekjet e tyre në këto 22 vjet, për t’ju kthyer pronat kanë qenë drastike. Janë dhjetëra shoqata, mijëra letra e peticione që i dërgohen Qeverive të radhës, por secila bën rolin e shurdhit. Edhe elita e popullit Shqiptar në vite ka reaguar ndaj kësaj padrejtësie. Kështu 50 akademikë, shkencëtarë, artistë etj., i kanë bërë peticion presidentit të asaj kohe Z. Rexhep Mejdani dhe gjithë personaliteteve politike dhe deputetëve, nëpërmjet të cilit i kërkojnë kthimin e pronës pronarit që e trashëgonte, si një e drejtë kushtetuese, por edhe morale, ku i shkruajnë konkretisht:

Peticion, datë 16 shtator 1999

Të nderuar Zotërinj,

Me ndjenjën e përgjegjësisë qytetare patriotike, Ju drejtohemi të shqetësuar për

gjendjen e krijuar sot në Shqipëri, ku shteti shqiptar nuk po angazhohet për zbatimin e

Kushtetutës dhe të Konventave Ndërkombëtare në fuqi, për “Të drejtat dhe liritë e

njeriut” lidhur me pronën e trashëguar, të shpronësuar nga regjimi i diktaturës.

Kushtetuta e sotme e Republikës së Shqipërisë i vë detyrë Kuvendit që të nxjerrë ligje për rregullimin e drejtë të çështjeve që lidhen me shpronësimet dhe konfiskimet e kryera gjatë regjimit komunist. Vonesa në zbatimin e kësaj norme kushtetuese është ndër faktorët kryesorë që po gërryejnë sot shoqërinë shqiptare, ku mungon paqja sociale dhe lulëzojnë krimi, korrupsioni, klanet dhe arbitrariteti në organet e shtetit dhe të drejtësisë, si rrjedhojë e mos respektimit të të drejtave themelore të njeriut dhe të drejtës së pronës private. Duke pasur parasysh se demokracia dhe shteti i së drejtës, prona private e grabitur me dhunë nga diktatura nuk mund dhe nuk duhet të trajtohet si kategori politike për fushata elektorale. Ligjet e padrejta  të periudhës së pluralizmit, po bëjnë të mundur pasurimin e disa individëve me pronat që shteti i diktaturës ua kish grabitur pronarëve të ligjshëm, duke i quajtur ato “prona të shtetit”, Këto ligje, të cilat bien ndesh me normat morale, me Kushtetutën dhe me Konventat Ndërkombëtare, janë pengesë për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri. Me qëllim që të ndreqen gabimet e deritanishme kërkojmë angazhimin tuaj që të veprohet me përparësi për zbatimin e kushtetutës, e cila kërkon Kthimin e pronës private tek i zoti. …….. Të nderuar Zotërinj, problemi i zgjidhjes së pronësisë në Shqipëri, është shumë më i lehtë, nga sa e paraqesin politikanët, që synojnë të pasurohen ose të përfitojnë padrejtësisht. Zgjidhja e këtij problemi kyç për sistemin e demokracisë në Shqipëri  bëhet vetëm me një angazhim serioz dhe vullnet të sinqertë nga ana e drejtuesve të shtetit shqiptar. Peticioni ynë është vazhdim i kërkesave të njëpasnjëshme të bëra nga pronaret e shpronësuar dhe shoqatat e tyre, që nga viti 1991, për të arritur me mjete demokratike vendosjen e demokracisë së vërtetë………. Shprehim bindjen se Ju, së bashku me patriotë të tjerë me ndjenjë përgjegjësie qytetare, me shoqatat dhe forcat demokratike brenda e jashtë vendit, do të na mirëkuptoni dhe do të bashkoheni me shqetësimin tonë.

Tiranë 16.09.1999

Peticioni është nënshkruar nga 50 akademikë, profesorë doktorë, shkrimtarë, artistë e mësues të popullit, etj., përfshirë personalitete të rëndësishëm si: Kryetar i Akademisë së Shkencave, Prof. Dr. Ylli Popa, Nënkryetar i Akademisë Prof. Dr. Farudin Hoxha, Sekretar Shkencor i Akademisë, Eduard Sulstarova, Rektor i Universitetit të Tiranës. Prof. Dr. Marenglen Spiro etj., por edhe ky Peticion ra në vesh të shurdhër të Qeverive kokëforta Shqiptare.

Dega e shoqatës “Dukati” ,Tiranë