Hyqmet Zane: Çamëria dhe disa të vërteta të fshehura nga internacionalistët e idelogjisë diktatoriale

126
Sigal

Çështja çame ka qenë gjithëherës një problem i trajtuar gjërësisht në truallin diplomatik ballkanik përmes dokumentave historike dhe qëndrimeve të ndryshme shumëplanshme. Por njëherazi ka qenë dhe mbetet e persekutuara  në historinë europiane e pas Luftës II Botërore. Çdo tentativë mohuese dhe tjetërsuese e këtij problemi në historinë mbarëkombëtare shqiptare vetëm është penguar në kohë e, megjithatë, kurrësesi mund të zhbëjë apo ta mohojë atë që historia e ka shkruajtur me gjak. Në revistën “Flamuri” të vitit 1946, botim i Mërgimit të Partisë Balli Kombëtar Shqiptar, ndër shumë materiale të botuara për çështje shqiptare të kohës, është edhe një analizë e marrëdhënieve shqiptaro–greke, si një nga preokupimet kombëtare. Ajo që bie në sy në këtë material të relatuar, janë disa të vërteta që as nuk i kemi ditur se kanë qenë të fshehura për opinionin shqiptar, por janë edhe disa qëndrime të komunistëve shqiptarë dhe që flasin më shumë për sjelljen ndaj popullatës së Çamërisë që u bë viktimë shumëplanëshe e historisë, por më shumë qëndrimet e të quajturve “komunistë” ndaj tyre.

Çfarë shkruhet në materialin e referuar:

“Nji popull i vogël si populli shqiptar, nuk mund të ketë tjetër dëshirë në politikën e jashtëme, veçse miqësi kundrejt fqinjëve. Miqësi e jo nënshtrim. Bashkëpunim e jo imponim, kompresion e jo sfidë, drejtësi e jo arbitrarizmë. Greqinë kemi dashtë gjithnji ta kemi në numrin e miqve. Shqipnisë i mbetën nën Greqi mëse 130 mijë shqiptarë. Sot nuk dimë a janë 30 mijë. Greqia kujdeset gjithnjë për ndonjë ishull grekofonësh gjatë Dropullit, e në Vurg. Për hatër të këtyne ishujve të vegjël nuk mund të robnohej gjymsa e Shqipnisë. Prandej më 1913 u vendos kufini i sotshëm, si kufini ma i mirë për Greqinë.

Marrëdhaniet politike dhe ekonomike që nga 1920 qenë të kënaqshme. Filluen me u harrue grindjet e vjetra e pretendimet absurde. Greqija e kuptoi dhe pat rasë me e provue se reziku i Shqipnisë idhte dhe reziku i sajë. E pau me Italianët, e shef sot me Sllavët. Kur Italija pushtoi më 1939 Shqipninë, ke kufijt e Greqisë ra kumbona e parë e alarmit. Nji vjet pas, në Tetuer 1940, zjarri i armëvet italiane desh të djegi lirinë e pavarësinë greke. Por Grekët qindruen. Edhe ata, si shqiptarët më 7 Prill, nuk banë shumë hesape. I pritën me pushkë imperialistët e Rromës. Heroizmi grek kënaqi gjithë botën e tmerueme, por enthusiazmoi ma tepër se kërkend shqiptarët e robnuem. Balli Kombëtar filloi nji lëvizje të madhe në ushtërinë Shqiptare për të përgatitë nji kryengritje mbrapa vijavet italiane. Por përpara desh të sigurohej nëse Grekët e sulmuem e kishin për zemër lirinë e pavarësinë tonë si atë të tokës e të popullit të vet. Mjerisht deklaratat shpresëdhanëse të Metaksas-it nuk u ndoqën nga faktet. Pse në Korçë e në Gjinokastër grekët filluen havazin e vjetër e as nuk përkrahën formimin e nji qeverije shqiptare, as nuk folën ma për lirinë e Shqipnisë. Edhe Koloneli Englez Cripps qi gjindej me ushtërinë greke në Korçë deklaroi se shqiptarët nuk duhej të pritshin çlirim nga Greqija. Veç kësajë, komunistët e Shqipnisë nuk deshën të bashkëpunojnë me Ballin Kombëtar për nji lëvizje në favor të Greqisë, sepse ata nuk ishin kundër Aksit, mbasi Rusija ende nuk kishte hymë në luftë! Nga shkaku i këtyne fakteve nji kryengritje e vërtetë mungoi. Me gjithë këtë i gjithë populli Shqiptar e ndihmoi ushtërinë greke. Mussolini vetë ndër letra qi i shkruen Hitlerit rrjeshton si nji ndër shkaqet e disfatës italiane edhe revoltën e Shqiptarëvet. Vetëm në nji rasë, thotë Mussolini, qemë të shtërnguem me dërgue prapa vijavet e me çarmatosë 6000 Shqiptarë. Me pushtimin e tokës greke, rezistenca në Greqi mori fund, ndërsa në Shqipni rifilloi. Balli Kombëtar edhe Partija Komuniste e paraqitun si Nacional-çlirimtare, filluen luftën kundër okupatorit e trathtarëvet. Por nuk kaloi nji vjet e u pa se të kuqtë Shqiptarë interesat e Shqipnisë i kishin vu nën urdhënat e Sllavëve. Këte e vërtetoi ma mirë prishja e marrëveshjes së Mukajt dhe fillimi i luftës civile me urdhën të huej, thuejse menjiherë mbas bashkimit. Balli Kombëtar e kuptoi rezikun dhe mendoj se do ta kuptojshin edhe Grekët. Dërgoi, prandaj, nga fundi i 1943-s gazetarin Dhimitër Fallon për t’u marrë vesht me rezistencën greke. Bisedimet filluen në nji atmosferë komprensioni. Reziku nuk paraqitej vetëm për Shqiptarët. Kështu deklaruen edhe gjeneralë dhe personalitete grekë. Balli paraqiti planin për nji akord me Grekët jo komunistë. Baza e bisedimevet ishte: njohja e kufinit të 1913-s, aleancë ushtarake, ndihmë diplomatike, akorde ekonomike, të drejta pakicave. Asnji prej pikavet nuk do të cënonte sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar. Akordi do të firmosej nga të gjitha partitë e rezistencës sonë kombëtare tue përfshi edhe irredentizmin Kosovar. Lidhja do t’i shtrohej pranimit të nji parlamenti Shqiptar të zgjedhun lirisht, mbas fitimit të pavarësisë. Përfaqësuesit e partivet greke pranuen kufijt e 1913-s dhe premtuen edhe ndihmën e tyne morale e diplomatike për nji plebishit në Kosovë, simbas Kartës së Atalantikut. Në korrik 1944, Dhimitër Fallo u kthye në Shqipni për me paraqitë propozimet greke dhe me marrë vendimet e fundit. Balli Kombëtar, mbasi ndigjoi mendimet e ekspertëvet në çështje ndërkombëtare, i dha z. Fallo instruksionet e veta. Mirëpo gazetari e luftëtari i njoftun u vra në Korçë, më 31 gusht 1944, nga komunistët të cilët kishin urdhën me ndalue me çdo kusht nji lidhje të tillë. Delegati tjetër i caktuem nuk mundi të arrijë në destinacion. Komunistët nuk e deshën këte marrëveshje t’urtë e të favorshëme, sepse Shqipninë e konsiderojshin urë e jo Komb e sepse nuk dojshin qi brigadat e ELAS-it të pengoheshin me u ardhë në ndihmë të kuqvet Shqiptarë ndër veprimet kundra Nacionalizmit, i cili kishte nji faj të randë” me mendue, me punue e me luftue vetëm për interesat e Shqipnisë.

Sot Greqija, qi pati fatin, nga ndihma e shpejtë dhe e vendosun e englezëvet, mos me ranë në duer të terrorit të kuq, vazhdon (pa dyshim për shkaqe oportuniteti) kërkimin e Korçës e të Gjirokastrës. Në qoftë se regjimi i Enver Hoxhës nuk asht i kqyrun me sy të mirë në Greqi, në këte hall qi ka zanë edhe popullin Shqiptar, nuk ka faj Korça dhe Gjirokastra. Ato qenë Shqiptare më 1913 e nuk mund ta mohojnë Atdheun sot. Sidomos mbas gjithë atij gjaku, qi derdhën bujarisht për liri të Shqipnisë. Greqija do t’a kuptojë se lirija e nji Shqipnie Ethnike do t’i shërbejë shumë ma tepër sesa robnija e Korçës e Gjirokastrës. Historija duhet të na i hapi sytë. Popujt tonë mund të merren vesht e duhet të merren vesht pa pasë nevojë me vumë në bilancin e miqësisë pretendime të pathënë dhe të rrema”.

Epilog i analizës

Siç edhe shprehen protagonistët e pasqyrimit të këtyre realiteteve, “ma të shumtat e fakteve që përmenden këtu janë botue nëpër traktet edhe gazetat e komunistëvet në Shqipni. Komunistët e Shqipnisë e paditën Ballin Kombëtar për trathti të naltë, kur muerën vesh këte përpjekje.

Përgjigjen ia dha këtyne shpifjeve kryeministri Grek Voulgaris, i cili deklaroi : “Lajmet e përhapuna se gjoja personalitete nacionaliste Shqiptare kanë pranue t’i lëshojnë Greqisë Korçën e Gjirokastrën janë krejt të pathemelta dhe i përgënjestrojmë kategorisht”. Kur ndigjojmë dhe kuptojmë sot se si është e mundur që sjelljet e politikës shqiptare janë të pabesa ndaj çështjes çame, tipike si ato të grekëve në mënyrë të herëpashershme, përgjigjen e marrim përmes të vërtetave, që na vijnë nga protagonistët e kohës dhe që kanë kaluar mbi 78 vjet që kanë qenë të mbuluara me qëllime të caktuara. Situata e gjendjes së shqiptarëve trashëgimtarë nga Çamëria pa përfaqësim në institucionet shqiptare dhe mosprania e përfaqësuesve politikë në marrëdhëniet bilaterale diplomatike në bisedimet Shqipëri – Greqi, flasin për një sjellje që flet më shumë se fjalët. Për më shumë sjelljet e një partie politike me inicialet PDIU që padrejtësisht flet në emër të çamëve dhe mbron interesat personale të një kryetari si Shpëtim Idrizi që ka ndikim negativ në funksionimin e strukturave të Shoqatës Çamëria, nuk i ka ndihmuar asnjëherë trajtimit dhe aq më shumë zgjidhjes së problemit çam që kërkon një studim dhe hartimin e një strategjie.