Ëngjëll Musai: Patatinat me drogë, për fëmijët shqiptarë

398
Sigal

Speciale nga Ëngjëll Musai/ Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë (RASFF) , i BE-së pas analizave laboratorike të kryera në Gjermani ka konstatuar praninë e atropinës dhe skopolaminë në patatina misri “Natural Organic Tortilla Chips 125 g”. Ajo ka njoftuar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri të bllokojë hyrjen e mëtejshme në dogana dhe, të bllokojë në supermarkete, dyqane dhe kioska këto produkte me përbërje droge si dhe të bëjë  groposjen e tyre. Nga ana e saj AKU, ka njoftuar operatorët e biznesit ushqimor shqiptar si dhe u bën thirrje konsumatorëve, që e kanë blerë këtë produkt që të mos e konsumojnë atë, por ta kthejnë pranë subjektit, ku e kanë blerë.

 

“Një muaj më parë, qytetarët shqiptarë konsumuan mbi 11 ton akullore me përmbajtje kancerogjene, ndërsa në nëntor 2020, rreth 1 ton kofsha pule me origjinë nga Polonia dhe me përmbajtje salmonele u konsumuan në tryezat e qytetarëve, si një ushqim i shëndetshëm”

Edhe pse është kulmi i varfërisë, shqiptarët kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre sakrifikojnë gjithçka, mjafton që të plotësojnë sa të kenë mundësi kërkesat e tyre, si në aspektin e trajtimit të domosdoshëm ushqimor, të shëndetit dhe veshmbathjes etj. Madje tek populli ynë ekziston një shprehje domethënëse që “ja kursej gojës”, apo “ e heq nga goja”, mjafton që të mos u mungojë gjë atyre, sidomos kur janë produkte të domosdoshme për shëndetin. E njëjta gjë ndodh me prindërit, të cilët mundohen t’i lumturojnë sado pak fëmijët e tyre edhe për produktet e tjera si lodrat, veshjet, duke mos i lënë kokë-varur dhe të prekur, kur shikojnë fëmijët e të pasurve të “demokracisë”, por edhe të atyre që prindërit u punojnë me tenderat dhe shërbimet në administratën e korruptuar shqiptare. E njëjta situatë është edhe kur fëmija rritet, shkon në shkollë apo edhe universitet, ku familjet, të cilët edhe pse nuk janë në gjendje të mirë ekonomike, punojnë me orë të tëra, me çfarëdolloj mundësie pune të ndershme, që u jepet dhe mundohen të mos i bëjnë fëmijët të skuqen. Sigurisht kjo kategori familjesh, që sipas institucioneve vendase dhe ndërkombëtare përbëjnë mbi 70% të familjeve të varfëra, është krejt ndryshe nga fëmijët e oligarkëve, trafikantëve të drogës, krimit, prostitucionit, deputetëve, politikanëve, ministrave, kryebashkiakëve, drejtorëve, drejtuesve të institucioneve të reja dhe grabitqarëve të PPP, investitorëve strategjik etj, që jetojnë në luks, të cilëve nuk u mungon as “qumështi i dallandysheve”,- thotë një proverb i urtë popullor dhe që ushqimet dhe veshjet i porosisin jashtë vendit. Madje në Tiranë ka edhe dyqane ushqimesh dhe furra buke të shtrenjta me miell e ushqime, që vijnë nga jashtë posaçërisht për kategorinë e familjeve të oligarkëve dhe trafikantëve, që nuk e ndjejnë peshën e milionave dhe miliardave, të vëna nga trafiqet dhe pasuria e përbashkët e këtij populli të varfër. Sigurisht bëhet fjalë për ata pak zyrtarë, agallarë dhe pashallarë, që i kanë fëmijët këtu, sepse pjesa dërrmuese e familjeve të bajraktarëve të qeverisë apo shushunjave të lidhur me pushtetin, të cilat i kanë fëmijët, gratë, dhe familjarët e tyre jashtë vendit, të shkolluar jashtë dhe me shtëpi të blera në vendet e BE-së, Amerikë, Kanada madje kohët e fundit edhe në Dubai. Por le t’i kthehemi halleve të 70% të popullsisë shqiptare, familjeve të tyre dhe fëmijëve, të cilët vërtetë të varfër, por që rriten në atdheun e tyre, nën dashurinë e gjyshërve dhe me pensione qesharake. Por edhe pse janë me pensione të ulta këta gjyshër mendojnë për nipërit dhe mbesat duke u blerë sipas mundësisë, ndonjë patatinë, akullore, çokollata, kinder etj, për të treguar dashurinë që ata kanë për trashëgimtarët e familjes së tyre. Por është e tmerrshme kur mendon që këto artikuj të dëshiruar për fëmijët: pse jo dhe për të rriturit, por edhe nënat shtatzëna dhe ku shumica vijnë nga jashtë, kanë në përbërje të tyre, salmonelë, viruse, përbërje kimike dhe artikuj të tjera të ndaluar dhe të rrezikshëm për jetën. Dhe ne jemi koshientë, pasi mediat në përgjithësi dhe gazeta ‘Telegraf’ ka bërë me dhjetra denoncime të bujshme për këto skandale. Dhe shteti hesht dhe në shumë raste është i kompromentuar me trafikantët edhe pse shqiptarët paguajnë taksa pikërisht për administratën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), të doganave, inspektoriateve shëndetësore, të higjenës, krimit ekonomik dhe strukturave të tjera ndihmëse. Rasti më i fundit ka të bëjë me një alarm të institucioneve të BE-së, të cilat sinjalizojnë organet e kontrollit ushqimor në Shqipëri, doganat dhe ministrinë e Bujqësisë që të bllokojnë hyrjen në Shqipëri të patatinave për fëmijët, pasi ato janë me përbërje drogërash dhe alkaloidëve atropinë dhe skopolaminë. Nga ana mjekësore këto lloje përbërësish janë me efekte të forta paralizuese dhe krijojnë gjumë, gjendje të shfrenuar, irritim, dhimbje barku, rënie të imunitetit, çrregullime nervore, dhe i detyron fëmijët që të kërkojnë vetëm këtë lloj patatine, sepse është njëlloj si droga, që përdoruesit e kërkojnë me çdo kusht. Rreth një javë më parë Autoriteti Kombëtar të Ushqimit në Shqipëri (AKU) është vënë në dijeni nga Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë (RASFF) për këto patatina, madje duke i kërkuar që jo vetëm të bllokojnë hyrjen e mëtejshme, por të ushtrojnë kontroll, të sekuestrojnë dhe groposin këto lloje patatinash shumë të rrezikshme për fëmijët shqiptarë, pasi e njëjta gjë ka ndodhur edhe në disa vende të BE-së, të cilat i kanë bllokuar dhe sekuestruar brenda 24 orëve. Në lidhje me këtë rast AKU ka bërë publike njoftimin duke u kërkuar qytetarëve të mos i përdorin si dhe ka urdhëruar bizneset t’i heqin nga raftet e shitjes. Ja njoftimi i plot dhe zyrtar i AKU-së:


NJOFTIM PËR KONSUMATORIN!

Referuar njoftimit të ardhur nga sistemi RASFF, ku pas analizave laboratorike të kryera në Gjermani është konstatuar prani e alkaloidëve atropinë dhe skopolaminë në patatina misri “Natural Organic Tortilla Chips 125 g”.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për bllokimin e produktit. Në bashkëpunim edhe me operatorët e biznesit ushqimor, janë kryer njoftimet paraprake për thirrjen për konsumatorët, që e kanë blerë këtë produkt që të mos e konsumojnë atë, por ta kthejnë pranë subjektit, ku e kanë blerë. Tiranë më 29.7.2022

Për dijeni të konsumatorëve shqiptarë më duhet të sqaroj se: Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë (RASFF) është një portal për shkëmbimin e informacionit ndërmjet shteteve kur konstatohet risk në zinxhirin ushqimor. Kjo i lejon të gjitha shtetet të marrin masa të menjëhershme, përfshirë dhënien e menjëhershme të informacionit ndaj publikut, nëse është e nevojshme. Komisioni informon një shtet jo anëtar të RASFF, nëse një produkt ushqimor i gjurmuar në shtetet anëtare është eksportuar në një nga vendet jo anëtar i BE-së. Sigurisht që ndërhyrja dhe njoftimi i AKU-së vlen për t’u përshëndetur, por lind pyetja: “Sa të përgjegjshëm dhe sa të gatshëm janë bizneset të groposin këto patatina?” Faktet kanë treguar se në mbi 95% të rasteve të tilla, asnjë nga bizneset nuk i bllokoi dhe groposi këto ushqime, pasi mungon ndërgjegja dhe se për këto mallra ata kanë paguar para. Shteti ynë mavri me bojë, AKU dhe institucionet e bashkëpunimit me vendet e BE-së, por edhe të organizatës Botërore për Ushqimin duhet t’u kërkojnë shteteve nga ku është origjina e këtyre patatinave, por edhe të ushqimeve të tjera të paguajnë dëmshpërblimin për ushqimet, kostot e groposjes, transoprtit etj. për biznesmenët shqiptar, që i kanë blerë jashtë vendit. Vetëm kështu disiplinohet kjo situatë. Konsumatori është i sigurtë, dhe tregtarët shqiptarë në mënyrë vullnetare janë të gatshëm të bllokojnë dhe asgjësojnë çdo lloj ushqimi me salmonelë, që nga mishi, pula, sallami, vaji, lodrat e fëmijëve, apo çdo lloj produkti ushqimor dhe industrial, pasi e di që do bëhen process-verbalet me institucionet shqiptare dhe do dëmshpërblehen për këto produkte. Në Shqipëri është futur vaji gjëmbaçi, palme, plepi, grurë me radioaktivitet, që shkakton kancer, hekur për ndërtimet me radioaktivitet, që mbetet i betonuar në muret e shtëpive dhe pallateve etj dhe askush nuk ndihet. Sa mirë që vendet e BE-së, por edhe të rajonit nuk pranojnë produkte ushqimore dhe bujqësore me normë të lartë pesticidesh që tregtarët dhe fermerët eksportojnë jashtë?! Madje ua bllokojnë që në doganë pasi u bëhet analiza në pikat doganore. E njëjta përgjegjshmëri duhet të jetë edhe me mallrat, që vijnë nga jashtë drejt vendit tonë dhe jo ta konsiderojnë Shqipërinë si vend i dorës së tretë, pasi rastet e shumta të shtimit të sëmundjeve kanceroze e kanë bazën pikërisht tek këto produkte që vijnë nga jashtë.

“Për asnjërin nga këto raste, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit  në Shqipëri nuk njoftoi konsumatorët për rrezikun që iu kanoset, të njoftonte popullatën, me qëllim shmangien e këtyre produkteve nëse i konstatonte në tregje, dhe të bëhej paralelisht tërheqja e tyre nga tregjet.”


Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë (RASFF) e BE-së dhe Qëndra “Alert” në Shqipëri.

Një falenderim i veçantë shkon për Qëndrën “Alert”, kolegun dhe mikun tonë të përkushtuar Granit Sokolaj, i cili ka qenë në gatishmëri të plotë për çdo abuzim me cilësinë e ushqimeve dhe sidomos atyre që përdoren nga fëmijët, pasi sikurse theksuam më sipër familjet për të lumturuar dhe plotësuar kërkesat e fëmijëve shpenzojnë pa kursim sado të varfër, që mund të jenë këto familje. Qëndra “Alert” ka bërë kërkime të thelluara për shumë raste skandaloze të ushqimeve të rrezikshme, që hyjnë në Shqipëri, duke bashkëpunuar me portalin kryesor të Bashkimit Europian për konsumatorin, në të cilin përfshihen edhe vendet jashtë unionit siç është edhe Shqipëria, nga ku ka rezultuar se gjatë dy viteve të fundit (2020-2021) ka pasur kërkesa shumë serioze për të marrë masa për produkte të caktuara, të cilat nëse konsumohen rrezikojnë seriozisht shëndetin. Produktet e rrezikshme për konsum, që vijnë në Shqipëri nga Bashkimi Europian, në kohë reale informojnë autoritetet shqiptare, por mungesa e reagimit ka sjellë konsumimin e dhjetëra tonëve ushqime të kontaminuara nga shqiptarët. Një muaj më parë, qytetarët shqiptarë konsumuan mbi 11 ton akullore me përmbajtje kancerogjene, ndërsa në nëntor 2020, rreth 1 ton kofsha pule me origjinë nga Polonia dhe me përmbajtje salmonele u konsumuan në tryezat e qytetarëve, si një ushqim i shëndetshëm. AKU nuk merr masa për informimin e konsumatorëve dhe nuk bën publike rastet që kur njoftohet nga vendet e unionit për të rritur ndërgjegjësimin e konsumatorëve, për t’u mbrojtur nga rreziqet e mundshme nga prezencë e salmonelës, substancave të paautorizuar oksid etileni, që u konstatuan kohë më parë në tregun shqiptar në farat e susamit të zi me origjinë nga India; përbërës organikë të paqëndrueshëm në gota silokoni për foshnjat të prodhuara nga Kina dhe të futura në BE nga Danimarka dhe që përfunduan në Shqipëri etj. Vetëm pak muaj më parë, qytetarët shqiptarë konsumuan mbi 11 ton akullore me përmbajtje kancerogjene, ndërsa në nëntor 2020, rreth 1 ton kofsha pule me salmonelë me origjinë nga Polonia.

Ja disa nga rastet skandaloze për të cilat Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimet dhe Ushqimet për Kafshë (RASFF) të BE-së ka vënë në dijeni autoritetet shqiptare, por ministria e Bujqësisë së Frida Krifcës ka heshtur, pasi institucionet kombëtare, që kanë në dorë fatet e ushqimit të shqiptarëve dhe sidomos fëmijëve nuk mund të drejtohen dhe menaxhohen nga “Dadot”, që kanë ardhur në këto detyra pasi shërbyen si shërbëtore të familjes të pashait të qeverisë.

  1. Në 10 gusht 2021 Gjermani ka ngritur alarmin për trupa të huaj (pjesë qelqi) në kripë deti të trashë me origjinë nga Spanja. Gjermani hoqi nga marketet këtë produkt ndër konsumatorët që e kishin blerë e dorëzuan kripën. Ndërsa Zvicra shkoi edhe më tej duke e asgjësuar sasinë e kripës me rrezik për qytetarët. Produkti është shpërndarë edhe në Shqipëri.

2.Në 5 gusht 2021 Spanja ngriti një alarm serioz për xhinxherën pluhur të prodhuar në Indi, pasi në produkt kishte Oksid Etileni mbi normat e lejuara. Spanja, Greqi dhe Danimarka morën masa për këtë product, ndërsa në Shqipëri asnjë njoftim zyrtar për konsumatorët.

3.Në 27 korrik 2021 Spanja informoi në portal për një substancë të paautorizuar (oksid etileni) në stabilizuesin e përdorur nga fabrika në prodhimin e akullores me origjinë nga Franca e shpërndarë në mbi 50 shtete, përfshirë edhe Shqipërinë. Produkti që ishtë shpërndarë edhe në Shqipëri, u largua nga tregu një pjesë e vogël e tij, teksa pjesa më e madhe e produktit ishte konsumuar nga qytetarët.

4.Në 7 korrik 2021, Finlanda ngriti shqetësim për përbërës organikë të paqëndrueshëm në gota silokoni për foshnjat të prodhuara në Kinë dhe të futura në BE nga Danimarka. Sipas ekspertëve, ka shumë komponime të paqëndrueshme në gotat e silikonit, që përdoren për fëmijët. Produkti ndodhej edhe në tregun shqiptar.

5.Në 29 qershor, Holanda njofton për prezencë të salmonelës në patatinat të prodhuara si lëndë të parë nga bananent me origjinë nga Filipinet, “Banana Chips”. Ky produkt rezulton i importuar edhe në Shqipëri dhe në portal paraqitet me rrezik serioz për konsumatorët.

6.Në 4 qershor 2021, Sllovenia njofton për Oksid Etileni mbi normë në suplementin ushqimor të prodhuar po në Slloveni. Rreziku serioz detyroi këtë shtet dhe Italinë të marrë masa, ndërsa shtetet e tjera përfshirë dhe Shqipërinë nuk dhanë asnjë informacion për publikun.

7.Në 4 dhjetor 2020, Greqia lëshoi një alarm dhe njoftoi në portal për një rrezik serioz për konsumatorët pasi një substancë e paautorizuar oksid etileni u konstatua në farat e susamit të zi me origjinë nga India. Ky produkt është shpërndarë edhe në tregun shqiptar.

8.Në 4 dhjetor 2020, Franca njofton për mbetje dezinfektuesi në produktet e qumështit të prodhuara në Francë. Produkti u shpërnda edhe në Shqipëri.

9.Në 5 nëntor 2020, Lituania njofton për prezencë të salmonelës në kofshat e pulës me origjinë nga Polonia. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.

10.(Trupat inspektuese të AKU kryen më datë 24.11.2020 inspektim në subjektin Agro Food Company për verifikimin e produktit, kofsha pule të ngrira me origjinë nga Polonia dhe rezultoi se sasia totale prej 990 kg e identifikuar me nr. LOT 01345000 është shitur në subjektin “KAZAZI MEAT shpk”, ku pas ndjekjes se gjurmueshmërisë, u verifikua se është shitur tek konsumatori final. Ky paragraf në kllapa u mor nga Raporti Vjetor i AKU për vitin 2020)

11.Në 30 tetor 2020, Franca njofton për salmonelë në krahët e pulave të ngrira me origjinë nga Polonia. Rreziku cilësohej serioz. Franca kthen tek vendi i origjinës sasitë e importuara. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.

12.Në 7 gusht 2020, Greqia njofton për oksidim të kapakëve të shisheve me ushqim të gatshëm me origjinë nga Kina. Sipas rezultateve të testit, kapaku metalik është i papërshtatshëm për kontakt me ushqimin për shkak të oksidimit të madh. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.

13.Në 2 korrik 2020, Holanda njofton për një rrezik serioz në kofshat e pulës me origjinë nga Polonia, pasi ka rezultuar me prezencë të salmonelës. Nga analizat rezultoi me rrezikshmëri të ulët ngarkesa e salmonelës në produkt.

14.Në 30 qershor 2020, Greqia njofton për prezencë të salmonelës në mishin e pulës të mbushur me djathë dhe proshutë me origjinë nga Bullgaria. Produkti i shpërndarë edhe në Shqipëri.

15.Në 2 shkurt 2020, Holanda njofton për probleme në proteinat e qumështit me origjinë nga Irlanda. Produkt i shpërndarë edhe në Shqipëri.

16.Në 3 janar 2020, Bullgaria njofton për prezencë të salmonelës në kofshat e pulës të ngrira me origjinë nga Polonia, duke e klasifikuar produktin me rrezikshmëri të lartë për konsumatorët.