Gjon BRUÇI/ Dy mësime historike të Boletinit, për liderët tanë politikë

601
Sigal

Luftëtari i madh i pavarësisë, krahu i armatosur i Ismail Qemalit në aktin e madh të 1912-ës në Vlorë, Isa Boletini, midis shumë vlerave patriotike e atdhetare, na ka lënë trashëgim dhe dy veprime, apo gjeste të thjeshta, por shumë kuptimplote, të cilat përbëjnë realisht dy mësime historike të çmuara për çdo shqiptar që e konsideron veten të tillë. Ndonëse janë të njohura tashmë prej të gjithëve, sidomos njëra, preferoj t’i riprodhoj në këtë shkrim, ashtu siç na kanë ardhur nga gojëdhëna e pagabuar e të parëve tanë. Siç tregon një nip i Boletinit të madh me banim në Shqipëri, kur Ismail Qemali së bashku me Isa Boletinin po niseshin drejt Europës për të bërë të njohur Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, i thotë luftëtarit tonë: “Zotni Isë, ne po shkojmë në shtetet e Europës, prandaj unë mendoj se duhet të vishni diçka tjetër”. Siç dihet Isa Boletini në të gjitha rastet mbante veshur kostumin karakteristik të shqiptarit.

Isa Boletini, pa u vonuar asnjë dekik i ktheu këtë përgjigje: “Zotni Ismail, kur Evropi vjen tek na, nuk e ndryshon veshjen. Atëhere pse duhet ta ndyshoi unë timen?”

Ismail Qemali qeshi dhe pa e zgjatur më tej u nis drejt  kancelarive të Europës i shoqëruar nga “Robin Hudi Shqiptar”, siç do ta cilësonin  europianët Gjeneralin shqiptar me qeleshe të bardhë.

Një shprehje e goditur, e cila i kalon kufijtë e një replike që përdoret në bisedë. Isa Boletini, ishte vërtet një njeri pa shkollë, por jo pa kulturë. Familja e Boletinëve është ndër familjet më me zë në trevën e Kosovës. Vetë Isa nuk ishte i pa shëtitur brenda e jashtë vendit. Ai ishte njëri nga gjeneralët popullorë më të lavdishëm të periudhës së Pavarësisë, i cili komandoi mijëra forca vullnetare popullore në mbrojtje të trojeve amtare nga serbomalazezët dhe pushtues të tjerë. Por mbi të gjitha Isa Boletini ishte shqiptar. Një shqiptar i vërtetë, i cili, kur Sulltani i ofroj pasuri, tituj dhe jetesë në kryeqytetin turk, ia ktheu: “Ma i  mirë asht Boletini se Stambolla”.

Tani le ta krahasojmë këtë lider shqiptar të para një shekulli, me liderët tanë të ditëve tona. A mund të bëhet ky krahasim? Kurrsesi. Liderët tanë, të mbërthyer pas euros, pas BMV-ve, pas  vilave, pas pronave, pas firmatove e . . .  pas “feisbukut”, jo vetëm uniformën s’e kanë shqiptare, por as zemrën, as mendjen, as karakterin, as patriotizmin, as identitetin. Liderët tanë kanë vetëm një objektiv: Europën – drejt së cilës kërkojnë të zhyten lakudac dhe pa mbathje fare. Dhe kur themi Europë, nuk kemi parasysh Kontinentin plak, ku ne jemi banorët e parë të saj, por Kancelaritë e Brukselit ku gjenden mekanizmat politikë e financiarë që i mbajnë në pushtet duke mashtruar një popull me iluzionet e parajsës borgjeze. Për hir të kësaj, liderët tanë janë gati të ndryshojnë jo vetëm kostumin tradicional, por edhe doket e zakonet më thelbësore që na kanë dalluar midis kombeve të tjerë, duke pranuar e aplikuar gjer perversitetet e shekullit, siç është martesa brenda të njëjtit seks, çka do t’i vërë  kazmën familjes, gjer dje bërthama solide e shoqërisë shqiptare. Pothuaj gjithë liderët tanë janë gati të bëjnë edhe majmunin, vetëm të pranohen në parlamentin europian, atje ku siç thamë, varen çelat e dy Republikave tona  të bananeve. Dhe kjo ndodh, sepse ata nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë tjetër të dobishme për vendin, përveçse rolin e majmunit në oborrin e të tjerëve. Madje majmunllëkun e bëjnë edhe në shtëpinë tonë kur kanë prezent të huajin, të cilit i servilosen me pështirosje, duke e quajtur vëlla, ndërkohë që vëllaut të gjakut i thonë mik….

Përsëri me Isa Boletinin.

Mësimi i dytë:

Kur Isa Boletini së bashku me Ismail Qemalin do të shkonte në takim me lordin anglez Eduard Grej, i thanë paraprakisht të dorëzonte nagantin tek porta e pallatit. Isai nuk kundërshtoi, por nxori nagantin dhe ja la në dorë oficerit që kryente shërbimin në hyrje. Mbas takimit, lordi në fjalë e shoqëroi Isën tek vendi ku kishte lënë nagantin dhe duke i buzëqeshur inglizçe i thotë: “Gjeneral, gazetat mund të shkruajnë nesër se Isa Boletini, që s’mundën ta çarmatosnin sulltanët e Turqisë, sapo u çarmatos prej një ministri në Londër”

“Jo, qe besa, – ia ktheu Isa, – shqiptari nuk çarmatoset kurrë”

Dhe nxori nga xhepi i xhamadanit nagantin e dytë.

Një shok i imi letrar, këtë episod tepër domethënës e ka hedhur në poezi, ku fjalët e Isa Boletinit i ka rreshtuar kështu: “Armën ne or tungjatjeta / E dorëzojmë prej burrënisë / Por në brez na gjendet tjetra / Që t’ia dalim pabesisë”. Një frazë e shkurtër, një veprim simbolik, një qëndrim koherent që nuk vdes kurrë, që flet më shumë se qindra leksione për përvojën historike, e cila edhe sot nuk ka dalë nga skena. Përsëri Shqipëria gjendet në të njëjtat koordinata gjeostrategjike me fqinjët, që ndonëse na buzëqeshin, mendojnë natë e ditë të na kullufitin në vathin e tyre shoven. A nuk kanë kaluar mbi shtatë dekada dhe fqinji ynë jugor ende e mban në sirtar ligjin famëkeq të luftës me vendin tonë? Dhe liderët tanë “karizmatikë” (më saktë Rakitikë), jo vetëm nuk e mbajnë në brez koburen e dytë si Isa Boletini, por kanë dorëzuar edhe thikën e bukës dhe janë futur në prehrin e NATO-s, ku buka është e “gatshme” dhe e ndarë në “feta”. Deri kur kjo?

Ata kanë shpresë se kjo “dikur-a” do të vijojë sa të jenë në pushtet. Pas kësaj le të bëhet qameti. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qeverinë tjetër shqiptare dhe liderët e saj, të cilët, ndonëse bënë luftën për çlirim, sapo u rehatuan në karriget e pushtetit, i dorëzuan armët e luftës dhe me duar në xhepa e xhepa të grisur, i luten për marrëveshje hasmit shekullor, i cili edhe tani pas 14 vitesh liri dhe pesë vite republikë, u nxjerr gjuhën dhe vijon të mos i njohë si shtet, përveçse si një provincë të Serbisë.

Duke bërë këto krahasime midis liderëve tanë të djeshëm dhe këtyre të sotmit, njeriu vihet jo pak në dilemë: Kanë ndryshuar kohët, apo kanë ndryshuar njerëzit? A jemi ne pasardhësit e vërtetë të Isa Boletinit, të Bajram Currit, të Ismail Qemalit, të Luigj Gurakuqit, të Enver Hoxhës, të Myslim Pezës, të Vojo Kushit, e të  Adem Jasharit, apo kemi devijuar nga geni ynë fillestar? Paralel me këtë, pyetja tjetër: Vërtet kanë ndryshuar kohërat dhe sot nuk ka fare nevojë për nagant e armë, sepse paqja është vendosur njëherë e përgjithmonë në tokën ku jetojmë?

Kjo e dyta e ka përgjigjen të dukshme. Bota, apo toka ku banojmë në asnjë ditë të vitit nuk e ka pushuar luftën. Në asnjë ditë të vitit ajo nuk ka patur e nuk ka paqe dhe qetësi absolute. Për të mos thënë se të gjitha gjasat janë që kjo luftë të ndizet në të ardhmen e afërt me të gjitha mjetet. Historia e njerëzimit nuk ka njohur asnjëherë periudha paqeje të plota e aq më pak të përhershme. Ndaj krahas punës paqësore njerëzimi, sipas fiseve apo më vonë sipas shteteve, ka punuar çdo ditë edhe për luftën mbrojtëse. Kjo sepse mjaft fise, e më vonë shtete, nuk kanë pushuar asnjëherë  të përgatiten për luftëra sulmuese, grabitqare e pushtuese. Në asnjë rast, historia nuk shënon që një popull (qeveria e tij) të shkrijë e nxjerrë jashtë përdorimit armët, siç ka ndodhur me vendin tonë. Dhe madje të krenohet se ka zënë vendin e parë për asgjësimin e këtyre armëve, në një kohë kur vetë organizatorët e këtij “çarmatimi” po armatosen çdo ditë për të na “mbrojtur” ne që vetçarmatosemi. Në asnjë histori revolucioni, apo lufte çlirimtare nuk shënohet që luftëtarët, pasi kanë fituar luftën dhe siguruar çlirimin, të kenë hedhur armët dhe nga UÇK të kthehen brenda ditës në TMK, e më vonë FSK, emërtime e funksione që u shkojnë organizmave civile, por jo atyre ushtarake.

Çka ndodhur pra me ne shqiptarët?

Shqiptarët janë tradhtuar e po tradhtohen poshtërsisht nga të vetët, nga drejtuesit, nga liderët, të cilët pasi degjeneruan gjer në gen për hir të makutërisë së ndjellur prej të huajve, na kanë futur në një labirint mashtrimesh e iluzionesh që do ta kemi vështirë të dalim. Kohët vërtet kanë evoluar, por kombi do të mbetet komb edhe për disa shekuj të tjerë, që nuk do të jenë të paktë. Globalizmi në çdo gjë e për çdo proces është në favorin e të mëdhenjve e jo të të vegjëlve. Kush mendon se mund të futet në Evropë pa “kostumin” tonë kombëtar, ai realisht mendon e vepron për humbjen e vetë Shqipërisë e të shqiptarëve. E njëjta gjë mund të thuhet pa frikë edhe për paqen. Ajo mund të jetë e gjatë dhe e sigurtë, vetëm nëse mbajmë në brez “nagantin historik” të Isa Boletinit, me të cilin do të përballojmë pabesinë që historikisht nuk na ka munguar. A e kanë lexuar historinë e popullit tonë, liderët tanë shqiptarë? Frikë kam se jo! Dhe kjo është një fatkeqësi. Nëse e kanë lexuar dhe e kanë harruar, atëherë kësaj i thonë degjenerim. Nëse historinë e dinë, por nuk duan ta njohin, atëherë këta liderë janë  mercenarë të shitur dhe nga kjo sëmundje ata nuk mund të shërohen, përveçse kur të paralizohen e të bëhen të padëmshëm.

Politikanë e shtetarë të dy shteteve tona: Nëse vërtet doni të punoni për Shqipërinë dhe shqiptarët, vishni kostumin karakteristik dhe mbani poshtë xhamadanit nagantin e dytë të Boletinit. Funksioni i tyre, pavarësisht nga forma, mbetet aktual. Këtë e ka vërtetuar dhe e vërteton çdo ditë historia.