Intervista/ Prof. Asoc. Dr. Ndriçim Mehmeti: Ministrja Kumbaro u dhuron klientëve të saj privatë milionat e Arsimin Publik

AKSHA është një koncesion i pastër, me shumë pikëpyetje dhe dritëhije të mëdha në aspektin financiar, profesional dhe integritetin e institucioneve shtetërore, që janë përgjegjëse për Arsimin në Shqipëri

Jakup B. GJOÇA
Gazeta TELEGRAF

NOA

Në mbledhjen e fundit të Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, ministrja Mirela Kumbaro braktisi seancën dëgjimore, duke refuzuar të përballet me pyetjet e ngritura mbi projektligjin për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA). Madje, ministrja Kumbaro kishte pohuar se ky projektligj për AKSHA është diskutuar gjatë me grupet e interesit. Mirëpo, eksperti për Arsimin / Prof. As. Dr. Ndriçim Mehmeti në intervistën për gazetën “TELEGRAF” pohon se ministrja Kumbaro gënjen publikisht, sepse ky projektligj nuk është diskutuar fare dhe se “duhet të kalonte një periudhë minimale 6 mujore në universitete, arsimin parauniversitar e me radhë. Nga ana tjetër, nuk pashë as gatishmërinë e Komisionit Parlamentar të Edukimit për dëgjesa publike me njerëz të fushës, unversitete e specialistë. Zoti Mehmeti  shpjegon se “Një strukturë e vetme që përqendron shumë funksione (kurrikulë, vlerësim, administrim, financim, etj.) dhe që nuk ka pavarësi institucionale, është më tepër përjashtim sesa rregull në BE. Nga shpjegimet që u dhanë të bënte përshtypje se kjo megaagjenci, më shumë dukej si një ndërmarrje biznesi, sesa institucion arsimor. Zoti Mehmeti pohon se “Projektligji për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA) bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian dhe me kërkesat e Kapitullit 26 për Arsimin bie ndesh, si shumë afera në këtë vend”. Në Shqipëri Arsimi public është një parcelë politike, ku mund të nxirren fitime të mëdha ekonomike, në kurriz të së ardhmes të fëmijëve, nxënësve, studentëve, mësuesve e pedagogëve, prindërve dhe gjithë shoqërisë.

JA MODELET E ARSIMIT PUBLIK NË VENDET E EUROPËS, SHQIPËRIA NË DREJTIM NEGATIV

– A ka ndonjë rast, në ndonjë vend të Bashkimit Europian, (apo edhe gjektë), që një shërbim i tillë publik, t’i jepet një fondacioni, institucioni joshtetëror?

– Nuk ka asnjë model. Kjo u duk edhe nga refuzimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, pas insistimit të kërkesës së kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsimin L. Boçi se:”Cili vend në Evropë ka një model ë tillë”. Nuk ka asnjë model të tillë. Përkundrazi. Nëse bënë një kërkim të thjeshtë në google, gjen këto përgjigje: Në vendet e BE-së, modelet zakonisht shkojnë në drejtim të kundërt:

  • Në Gjermani, arsimi është shumë i decentralizuar dhe kontrollohet nga landet (rajonet federale), jo nga një agjenci e vetme qendrore.

  • Në Francë ka një rol të fortë të shtetit qendror përmes Ministrisë së Arsimit, por funksionet janë të ndara në drejtori dhe struktura të ndryshme, me mekanizma kontrolli dhe balancimi—jo një agjenci unike pa autonomi.

  • Në Itali dhe Spanjë, ka një kombinim të fortë midis qendrës dhe rajoneve, ku rajonet kanë kompetenca të konsiderueshme në arsim.

  • Në Finlandë, që shpesh merret si model, autonomia e shkollave dhe institucioneve është shumë e lartë, dhe agjencitë shtetërore janë më tepër koordinuese sesa kontrolluese.

Pra në konkluzion kemi: Edhe kur ekzistojnë agjenci kombëtare (p.sh. për kurrikulën, vlerësimin, apo sigurimin e cilësisë), ato zakonisht:

  • kanë mandat të kufizuar dhe të specializuar,

  • janë të ndara nga njëra-tjetra,

  • dhe shpesh kanë një shkallë autonomie profesionale për të shmangur ndikimin e drejtpërdrejtë politik.

Pra, një strukturë e vetme që përqendron shumë funksione (kurrikulë, vlerësim, administrim, financim, etj.) dhe që nuk ka pavarësi institucionale, është më tepër përjashtim sesa rregull në BE.

– Zoti Mehmeti, projektligji për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA) a është shtruar paraprakisht për diskutim në mjedisin universitar, përpara se të çohet për miratim në Komisionin Parlamentar për Edukimin, Shkencën dhe Sportet?

– Jo. Madje nuk di të jetë thirrur ndonjë tryezë për këtë qëllim. Për dijeninë tuaj, në qarqet universitare nuk po diskutohet as ndryshimet e ligjit të Arsimit të Lartë, ndonëse ka dy muaj, që Kryeministri Rama, ka deklaruar se “do të rishikojmë ligjin e Arsimit të Lartë”. Projektligji për AKSHA, (që do të bëhet ligj pa asnjë ndryshim dhe diskutim), është i një ndjeshmërie shumë të lartë publike dhe me një spektër shumë të gjerë, pasi prek nga arsimi parauniversitar e deri tek provimet për profesionet e rregulluara, kualifikimet e mësuesve, etj. Në këtë këndvështrim, ai duhet të kalonte një periudhë minimale 6 mujore në universitete, arsimin parauniversitar e me radhë. Nga ana tjetër, nuk pashë as gatishmërinë e Komisionit Parlamentar të Edukimit për dëgjesa publike me njerëz të fushës, unversitete e specialistë, duke u kufizuar vetëm tek sindikatat, të cilat ishin të kënaqura, po të mos tarifoheshin shumë mësuesit për shërbimet e agjencisë. Kjo është më shumë se për të ardhur keq, është tragjike.

Një strukturë e vetme që përqendron shumë funksione (kurrikulë, vlerësim, administrim, financim, etj.) dhe që nuk ka pavarësi institucionale, është më tepër përjashtim sesa rregull në BE

– Pavarësisht “amballazhimit” të kësaj nisme të ministres Kumbaro, me emërtimin “Projektligj”, në thelb, a është një koncesion i mirëfilltë, ku një shërbim publik kërkohet t’i jepet për zbatim një  Albanian American Development Foundation (AADF), pasi ka lidhje me menaxhimin e një investimi nga buxheti i shtetit?

– Padyshim që po. Znj. Kumbaro shquhet për një prirje që gjithçka ta marrin privatët. Këtë qasje e ka pasur në çdo ministri që ka qenë dhe e vuri në zbatim edhe në Ministrinë e Arsimit, AADF, mund të shërbente si këshilltare në rastin më të mirë, nëse ka një ekspertizë të tillë, (që mesa di unë nuk e ka), por jo t’i jepeshin ë gjitha çelësat e një prej agjencive, ku është investuar shumë nga viti 2000-2015 për të bërë një qendër profesioniste të  provimeve, analizave dhe studimeve të cilësisë së arsimit parauniversitar dhe meë gjerë se kaq dhe pastaj, u investua fuqishëm për shkatërrimin e saj, prej znj. Nikolla e në vijimësi. Është një koncesion i pastër, me shumë pikëpyetje dhe dritëhije të mëdha në aspektin financiar, profesional dhe integritetin e institucioneve shtetërore, që janë përgjegjëse për Arsimin në Shqipëri.

Nga shpjegimet që u dhanë të bënte përshtypje se kjo megaagjenci, më shumë dukej si një ndërmarrje biznesi, sesa institucion arsimor

Kush do të marrë përsipër borxhet e QSHA. Më shkoqur: Prej dy vitesh QSHA, nu ka paguar hartuesit e testeve në lëndë të ndryshme, me shuma që shkojnë nga 70 mijë lek të reja deri në 100 mijë e më shumë

– A ka konflikt interesi ky projektligj, në lidhje me strukturat që do të përfshihen në funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA)?

– Padyshim që po. Nga shpjegimet që u dhanë të bënte përshtypje se kjo megaagjenci, më shumë dukej si një ndërmarrje biznesi, sesa institucion arsimor. Po t’i shtosh faktin dhe pyetjen që ende nuk e ka bërë kush: Kush do të marrë përsipër borxhet e QSHA. Më shkoqur: Prej dy vitesh QSHA, nu ka paguar hartuesit e testeve në lëndë të ndryshme, me shuma që shkojnë nga 70 mijë lek të reja deri në 100 mijë e më shumë. Ky borxh do të mbartet prej Agjencisë së re dhe do t’u thuhet mësuesve dhe pedagogëve se tani ndryshuam emër dhe bëni si të doni me ata që ikën, apo lekët do të ndahen me atë, që bëri këtë krijesë të çuditshme.

– A ka problematikë mënyrën e përfshirjes dhe transparencën e procesit, derisa krijohet një strukturë, ku fondet publike hapin rrugën për përfshirje të aktorëve të caktuar, pa garë dhe pa transparencë?

– Ministrja Kumbaro e ka në stilin e vet të “UNI-t” bashkëpunimin pa tender, pa asnjë studim e pa asnjë arsye me privatë. Ju mund ta dini faktin, përshembull: Që nga viti 2017-2021, parkun arkeologjik të Butrintit  menaxhonte një kompani e përpunimit të mishit dhe sallamit. Kjo është thënë hapur nga deputetja I. Zhupa në Kominsionin e Edukimit dhe askush nuk e morr me këtë problem. Ma, nuk mblodhi për diskutim as bashkëpunëtorët e saj ndër vite, madje i la ata me “gisht në gojë” dhe pa pagesë, pasi vështirë se AADF, të njoh borxhin e shtetit shqiptar ndaj të tretëve, pasi është organizatë private.

Ministrja Kumbaro e ka në stilin e vet të “UNI-t” bashkëpunimin pa tender, pa asnjë studim e pa asnjë arsye me private

Projektligji për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA) bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian dhe me kërkesat e Kapitullit 26 për Arsimin bie ndesh, si shumë afera në këtë vend

– Projektligji për Agjencinë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore (AKSHA) a bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian dhe me kërkesat e Kapitullit 26 për Arsimin?

– Bie ndesh, si shumë afera në këtë vend, por duket se edhe BE-ja, nuk e ka mendjen fare tek standardet e saj. Në Komision u tha nga Sekretari i Përgjithshëm, se ka një dakordësi të BE-së, për këtë Agjenci, por nuk na u paraqit asnjë dokument që ta vërtetonte këtë. Para marrëdhënies së veçantë, romantiko-financiare me privatin, BE mbetet në plan të dytë, për  qeverinë shqiptare.

– Ky projektligj i ministres Kumbaro, a përmban problematika kryesore, sikurse mungesën e pavarësisë institucionale, përqendrimin e vendimmarrjes tek ministri, mungesën e transparencës dhe auditimit të pavarur, kontrollin politik mbi të dhënat arsimore, përfshirjen e donatorëve në vendimmarrje dhe konceptin e vetëfinancimit të një institucioni që nuk duhet të jetë fitimprurës?

Ka një seri gjërash që bien erë për keq: Nga mungesa e një kontrolli financiar (deklarimi i të ardhurave s’do të bëhet, tarifat e shërbimeve si vendosen dhe sa do të paguajmë për shërbimet, më shtrenjtë se më parë apo njësoj,) nga mënyra e funksionimit ku llogari i jepet ministrit dhe jo të tjerëve. etj. Agjencia do të ishte e udhës të reformohej të rriste kapacitete e saj njerëzorë dhe profesionale dhe të vendosej nën kontrollin e Komisionit të Edukimit, i cili, duhet t’i takojë opozitës në çdo kohë. Komisioni duhet të zgjidhte një komision me jurist, ekspert arsimi, ekonomist, i cili do të raportonte çdo 6 muaj dhe fund të vitit, për të gjithë aktivitetin arsimor, financiar, etj dhe më pas, Komisioni të bashkërendonte punën me Ministrinë e Arsimit për përmirësimin  e politikave arsimore. Arsimi është një çështje kombëtare dhe trajtohet si e tillë në shumicën e vendeve të Evropës. Në Shqipëri Arsimi Publik është një parcelë politike, ku mund të nxirren fitime të mëdha ekonomike, në kurriz të së ardhmes të fëmijëve, nxënësve, studentëve, mësuesve e pedagogëve, prindërve dhe gjithë shoqërisë.

Ju falenderoj!

Agjencia do të ishte e udhës të reformohej të rriste kapacitete e saj njerëzorë dhe profesionale dhe të vendosej nën kontrollin e Komisionit të Edukimit, i cili, duhet t’i takojë opozitës në çdo kohë

Në Shqipëri Arsimi public është një parcelë politike, ku mund të nxirren fitime të mëdha ekonomike, në kurriz të së ardhmes të fëmijëve, nxënësve, studentëve, mësuesve e pedagogëve, prindërve dhe gjithë shoqërisë.