-Ja cilat janë sinjalet që ” trokasin në “derën e madhe” të shoqërisë së sotme
-Pse është kaq e intoksikuar patologjia e famës sociale?
– Ja cilët janë gjeneratorët mediatikë” që intensifikojnë të keqen sociale
– Nevoja për famë sociale, një lloj “imperializmi” tipik i jetës postmoderne, një “ideologji gjithpërfshirëse” e kohës
– Me ato që shohim të mos bëjmë as të çuditurin, puritanin moralist, apo konservatorin e ndryshkur, duke mohuar të vërtetën
Gëzim Tushi, “Mjeshtër i Madh”
Tani që telerealiteti spektakolar i edicionit aktual të “Big Brother Vip” është drejt fundit, është e udhës që sociologjikisht dhe etikisht të reflektojmë për të vlerësuar në përmasa serioze ndikimet sociale, disa dukuri dinamike, herë spontane e herë të koncentruara si dukuri tipike të jetës së sotme, ca gjëra që burojnë herë si patologji sociale e herë si terapi me efekte socio-psikologjike kurative. Ka një shqetësim të madh social, të cilin e ritheksoi dhe evidentoi në përmasa të hipertrofiziuara ky telerealitet, që është kristalizimi i ideologjisë së nevojës së njeriut për dukje publike, trafik influence sociale, ridimensionim i personalitetit përmes simulakrave individuale, të gjitha të konvertuara në dëshirën e shfrenuar dhe patologjike të njeriut eksentrik i dhënë tërësisht në betejën për të qenë “influencër” përmes elementëve formal të dukjes, sjelljes.
Askund tjetër nuk ka hapësirë më adekuate për simulakra sociale se sa në këtë shtëpi. Se aty më në fund gjithçka është lojë stimulimi dhe simulimi. Të gjitha shqetësimet, dilemat, kënaqësisë, vuajtjet, trishtimi dhe konfliktualiteti janë rrethanore e momentale. Herë të vërteta e herë të stisura, herë të ftohta e dredharake e hamendësime rrethanore.
Nevoja për famë sociale
Nevoja për famë sociale, ky lloj “imperializmi” tipik i jetës postmoderne, kjo “ideologji gjithpërfshirëse” e kohës, e bashkuar me dëshirën për para e sukses me çdo kusht, të cilët kanë qënë komponentë ekzistenciale të këtij spektakli, në thelb janë tregues sinjifikative të kuintesencës së natyrës, së shoqërisë së sotme shqiptare. E cila i ka fare të ravijëzuara tiparet si “shoqëri e spektaklit”, e qejfit, e arritjeve, performancës dhe suksesit personal. Një galeri tiparesh tipologjike të jetës postmoderne, të cilat në mënyrë të sintetizuar u dukën qartë dhe u ravijëzuan në lidhjet dhe marrëdhëniet qarkulluese brenda këtij telerealiteti. Me siguri edhe me efekte dhe kundërefekte në jetën sociale të shoqërisë, qoftë si ndikime të drejtpërdrejta, apo të tërthorta në sjelljen, jetën e përditshme, profane të shoqërisë, në parimet konceptuale dhe ndërtimin e raporteve empirike të njerëzve tanë. Në miniaturë, nga dimensioni por në përmasa spektakolare, këto tipare të përgjithshme, që janë ravijëzuar në jetën e shoqërisë shqiptare, apo që janë në fillesat e shfaqjeve të tyre masive, i gjejmë të konturuara sociologjikisht në ambientet e këtij “teatri social”. Në mënyrë të padyshimtë, ka qenë diçka e natyrshme, e pritshme që në këtë shtëpi të vogël, në kushtet e habitatit të ngushtë dhe do kishte një “bashkekzistencë të ngjeshur” sociale të mbushur me kontradikta edhe për shkak të garës dhe rivalitetit të banorëve të saj. Sepse në një telerealitet të tillë, natyrshëm që ekzistojnë lidhje “të ngjitura” për shkak të hapësirës së ngushtë dhe kohës lineare të pakufizuar. Duke qënë në mënyrë të pandërprerë afër dhe pranë njëri tjetrit, janë të natyrshme turbullimet psikologjike e turbulencat morale, sentimentale e me propabilitet edhe ndoshta seksuale. Ne kemi parë skena të natyrave të ndryshme, madje ka patur raste kur kaosi social i lojtarëve me interesa të ndryshme, apo të kundërta, janë ekzagjeruar deri në kufijtë e të pakuptueshmes, apo të absurdit, të cilat në dimensionin e tyre janë jashtë e përtej “kufirit social” me të cilin ato shfaqen në jetën reale, midis njerëzve në familje apo shoqëri. Madje ndonjëherë konfliktet dhe stratagjemat e intrigave, manipulimeve, mjeteve të përdoruara për qëllime gati jo humane e perverse, nuk na bëjnë të mendojmë pozitivisht për atë “morfologji marrëdhëniesh”, që kanë ndodhur dhe po ndodhin në këtë “shtëpi pa mure” dhe me transparencë sociale. Kur shikon kahjen, forcën e negativitetit të kësaj “cope sociale eksperimentale”, të vjen në ndihmë paradigma kafkiane e “fuqive djallëzore” që do ketë shoqëria në të ardhmen, “fuqitë djallëzore” të së cilës nuk po trokasin vetëm tek dera e “shtëpisë telereale” se sa ato mund të jenë sinjale sociale që do trokasin akoma më fort, në “derën e madhe” të shoqërisë së nesërme. Në mënyrë të sintetizuar dhe në vlerësimin e integruar social të problematikave që evidentohen në BBV, qoftë si ontologji apo si fenomenologji e formave të patologjive sociale të jetës sonë të përditshme, të cilat në ecencë, pavarësisht nuancave spektakolare e simularkave mediatike, në konceptimin diagnostikues qoftë si identitet mediatik apo eksperiment social (një debat i hapur socio-filozofik), janë pasqyrim i problematikave të vërteta të shoqërisë aktuale. Një shoqëri me tendenca të akseleruara supermoderne, spektakolare, e dukjes, shpesh kaotike, e përçarë apo në jo pak raste edhe moralisht e shpërpjestuar.
Lojtarët e dinë mirë, e kanë mësuar këtë “ideologji spektakolare populiste”, që para se të hynin në shtëpinë e BBV, që ata do ndahen në pëlqimet parapëlqimet apo urrejtjet e tyre të personalizuara, duke u bërë tifoz pasionant, më së shumti jo aq me aktorët e arsyeshëm, prudent, të matur, por me lojtarët që ngrenë konflikte, shumë herë artificial, dhe që shfaqen në teatrin mediatik si kundërshtarë të fortë teatralë
Të njohim të vërtetën
Të mos gënjejmë veten dhe pa rënë në pozitat e hipokrizisë sociale (një sëmundje shumë e përhapur në shoqërinë tonë, e sintetizuar në dyfaqësinë e njeriut, që akoma është reminishent me njeriun e ri të socializmit, që fliste ndryshe nga çfarë mendonte dhe mendonte ndryshe nga çfarë thoshte), duhet të njohim të vërtetën, që përtej ca ekzagjerimeve për qëllime personale affirmative apo ekseseve komunikative agresive (mbi niveli e tonalitetit të vërtetë social të jetës sonë), gjërat që pasqyrohen në këtë spektakël janë afërsisht “gjërat tona”, dukuri që i kemi në jetën tonë të përditshme në familje, shkollë, jetën profesionale, në marrëdhëniet sociale publike dhe ato të jetës së ngushtë miqësore apo pse jo edhe intime, të cilat “laboratori social” i BBV përmes transparences, krijoi kushte për të perfeksionuar këto mjete bashkë me artin e përdorimit më të sofistikuar të këtyre mjeteve. Askund tjetër nuk ka hapësirë më adekuate për simulakra sociale se sa në këtë shtëpi. Se aty më në fund gjithçka është lojë stimulimi dhe simulimi. Të gjitha shqetësimet, dilemat, kënaqësisë, vuajtjet, trishtimi dhe konfliktualiteti janë rrethanore e momentale. Herë të vërteta e herë të stisura, herë të ftohta e dredharake e hamendësime rrethanore. Në mënyrë të drejtpërdrejtë me ambientin social të kufizuar të shtëpisë BBV, apo në mënyrë diagonale me secilin nga banorët e saj, ajo shërbeu herë si habitat i përbashkët dhe herë duke evidentuar lidhjet personale. Mjete të tilla si intriga, dyfaqësia, thashethemet, përgojimet prapa krahëve, format e ashpra të dhunës verbale, gjëndjet vullkanike orale (shyqyr që nuk kemi patur dhunë fizike apo seksuale të hapur), në emër të garës, efekteve mediatike, nevojës për famë dhe fitore natyrisht, këto dukuri që ndeshim në jetë në forma bruto e të papërpunuara, i gjejmë në këtë format televiziv më të perfeksionuara, të cilat i jepen publikut si paradigma tipike, si forma arketipale të sjelljes në “jetën moderne”.
Por aty janë të pranishme të gjitha nuancat e raporteve dialektike të jetës, qoftë sociale, apo psikologjike, mënyrave e formave të reja që përdoren për ndërtimin e marrëdhënieve midis njerëzve në garë në konkurencë reale. Madje deri në nivelet e agresivitetit, anktheve, dyshimit, pasigurisë, që kanë sjellë pasoja edhe të sjelljeve jo normale, depresive.
Me ato që shohim…
Pra të mos bëjmë as të çuditurin, puritanin moralist, apo konservatorin e ndryshkur, duke mohuar të vërtetën, që përgjithësisht ato dukuri sociale e sjellje psiko-morale që në miniaturë i ndeshim në BBV, nuk janë ngjarje ekstra territoriale apo tipike për një shoqëri tjetër ndryshe nga e jona. Por nga ana tjetër duhet kuptuar fakti, se në një hapësirë sikurse është kjo “shtëpi” është e natyrshme që intensiteti i debateve, shkalla e konfliktit, intrigës shfaqen më me intensitet, agresivitet evident dhe kontinuitet, qoftë ky thelbësor, apo për efekte spektakolare. Lojtarët e dinë mirë, e kanë mësuar këtë “ideologji spektakolare populiste”, që para se të hynin në shtëpinë e BBV, që ata do ndahen në pëlqimet parapëlqimet apo urrejtjet e tyre të personalizuara, duke u bërë tifoz pasionant, më së shumti jo aq me aktorët e arsyeshëm, prudent, të matur, por me lojtarët që ngrenë konflikte, shumë herë artificial, dhe që shfaqen në teatrin mediatik si kundërshtarë të fortë teatralë, duke u përpjekur për të ndërtuar mizanskena televizive tërheqëse, shoqëruar me “lëndë sociale” komunikative eksplozive, duke vlerësuar nivelin e atraksionit televiziv. Madje duke i parë gjërat me realizëm, këto dukuri spektakolare të transplatuara nga realiteti social dhe jeta reale si tipologji sjelljeje, këtu shfaqen të amplifikuara, të lidhura jo vetëm me hapësirën e ngjeshur sociale, por edhe me nevojën për performancë televizive individuale. Kjo është arsyeja pse dialogu nevrastenik dhe permanenca konfliktuale në marrëdhëniet e banorëve, janë në përmasa jo të zakonshme, kur i krahason ato me sjelljen njerëzore në jetën e përditshme. Nëse qëllimi i këtij “eksperimenti social” do të ishte ky, që lidhet me sofistikimin e mjeteve jo sociale e antihumane, kjo do të ishte vërtetë një eksperiment pa substancë biofilike, që nuk do kontribuonte në përmirësimin e shëndetit të shoqërisë dhe marrëdhënieve njerëzore. Një burim toksisciteti, për të cilëin shoqëria dhe njerëzit tanë nuk kanë nevojë, sepse e kanë me bollëk në jetën e përditshme.
Jeta jonë nuk ka nevojë për “gjeneratorë shtesë”, që prodhojnë dhe intensifikojnë të keqen sociale në shoqëri.
Ka ca ngjarje, madje të shpeshta, lidhje, marrëdhënie, konflikte, debate, aleanca konjukturale, veprime okulte e indirekte, rivalitete, xhelozi, urrejtje patologjike, e plot mekanizma të tjerë të natyrës social-psikologjike, që vërtetojnë se në kohën e sotme në marrëdhëniet njerëzore kanë ndryshuar modalitetet e lidhjeve shkakësore. Jetojmë në habitatin e shoqërisë postmoderne, të vendosur në kornizat e një jetë likuide (të rrëshqitshme) e të paqëndrushme, të mbushur me lëkundje thelbësore dhe pasiguri sociale ekzistenciale, në të cilën marrëdhëniet njerëzore janë gjithnjë e më pak humaniste e solidare, empatike e mëshiruese, ku narcizizmi është bërë ideologji sunduese e modul determinant për “njeriun e vetmjaftueshëm” e të sukseshëm, në të cilën lidhjet midis shkakut dhe pasojës në marrëdhëniet njerëzore kanë kapërcyer modelin e vjetër të jetës tradicionale. Këto janë bërë të vështira për t’i kuptuar dhe interpretuar si duhet në jetën e vërtetë sociale, pale pastaj kur jemi në situatë eksperimentale, ku kemi subjekte konkurues, lojtarë rivalë që ndodhen të vendosur qëllimisht nën trysninë e distancës sociale minimale, dhe nën ndikimin e faktit që lidhjet shkakësore dhe ngjarjet zhvillohen para kamerave televizive, këtij “agjenti të jashtëm” që i nxit, i ashpërson, i amplifikon konfliktet duke dalë përtej dialektikës së marrëdhënieve në jetën reale.
Padyshim është një situatë simulakrimi, sepse për këdo është dilema analogjike nëse kemi të bëjmë me një botë sociale të vërtetë apo me një realitet të sajuar për efekte spektakolare të kulluara. Pavarësisht çdo imagjinatë sociaologjike individuale apo pritmërive moralistike, shtëpia e BBV është një prerje sociale, një copë nga realiteti i vërtetë, edhe pse mbase jo plotësisht i përputhur në mënyrë adekuate. Por aty janë të pranishme të gjitha nuancat e raporteve dialektike të jetës, qoftë sociale, apo psikologjike, mënyrave e formave të reja që përdoren për ndërtimin e marrëdhënieve midis njerëzve në garë në konkurencë reale. Madje deri në nivelet e agresivitetit, anktheve, dyshimit, pasigurisë, që kanë sjellë pasoja edhe të sjelljeve jo normale, depresive.
Skena të ashpra të konflikteve esenciale
Sa herë që shikoj skena të ashpra të konflikteve esenciale apo ekzibicionale në ambientet e “shtëpisë pa mure” në BBV, mënjëherë mendja të shkon në disa tipare të jetës së përditshme, ekzistenciale dhe endemike, si shoqëri që po bëhet gjithnjë e më shumë transparente, likuide, e sfilitur, që e çon individin deri në gjëndje raskapitëse me të gjitha karakteristikat e burn-outit psikologjik. Kjo është arsyeja pse edhe loja në këtë telerealitet duket kaotike, performancat individuale i kanë të gjitha modalitetet e sjelljes sociale, që përfaqëson atë të vërtetë që është përtej kësaj “shtëpie të famshme”, që është kthyer në laborator social në të cilën banorët ndjekin me besnikëri dhe frenetizëm spikatjen dhe afirmimin e suksesshëm të zhvillimit pragmatik e personalisht të lojës. Në fund të fundit, sido që ta vëzhgojmë nga pikëpamja sociologjike, apo ta vlerësojmë me instrumenta psikologjikë, jemi dhe jetojmë në një shoqëri likuide (Zygmaunt Bauman), turbokapitaliste, e shpejtësisë dhe ndryshimeve të befasishme, që nuk është koherente, me “konstante etike” të qëndrueshme apo me struktura institucionale dhe amortizatorë socialë të stabilizuar.