Nga Irsa Ruçi – Nderi i humbur i demokracisë shqiptare

318
Sigal

A u cënua personalisht z. Berisha nga shpallja non grata? Në pikëpamjen emocionale, ndoshta dhe po, sepse pesha që ka mbajtur për disa dekada e identifikon me personalitetin e vendit në sytë e botës dhe është e vështirë të artikulohet se “Shqipëria është dhe ka qenë e padëshiruar nga SHBA për rreth 30 vitet që z. Berisha ka pasur rol udhëheqës në politikbërje”.

Aq më tepër që shqiptarët janë adhuruesit më të flaktë të “tempullit të lirisë” që ka qenë kurdokohë ëndrra e përtej oqeanit. Por në rrafshin politik dhe në koceptin e drejtësisë publike, nuk i është cenuar asnjë fije floku, ndaj dhe e gjithë skena ngjan me një thriller të shkruar nga një dorë pa talent politik. Qëllimi për të realizuar poshtërimin publik në sytë e shqiptarëve, i dha një dimension të papritur gjithë teatrit që u kurdis të luhej, ku në vend të shigjetës së helmatisur, triumfoi mesazhi: më i shenjtë se dinjiteti, është vetëm atdheu.

Por kur e vërteta e tij nëpërkëmbet, as dinjiteti nuk ka më vlerë. Ndaj, për hir të lirisë që në thelb mbart fisnikërinë njerëzore, lufta për dinjitet është luftë për mëmëdhe. Sepse skenari me të cilin ishte veshur misioni, kishte në thelb zhbërjen e figurës së një prej themeltarëve të demokracisë shqiptare. Na vjen mirë apo keq ta pranojmë, z. Berisha është tabloja e vitit ’90 që personifikon lirinë dhe hedhjen e hapave drejt konsolidimit të demokracisë shqiptare.

Qëllimi ishte që kjo histori të deformohej, për interesa thellësisht personale të organizatave që s’kanë lidhje me shtetin, por kërkojnë shtigje pushteti, në momentin kur dukej se koha e z. Berisha kishte perënduar, me vullnetit të tij për të mos qenë aktiv në strukturat partiake. Por, kjo përsëritet, në kohën kur socializmin e kemi sërish në prag dhe ndërgjegjia jonë shoqërore është e mpirë dhe e pashpresë. Administrata është kokëulur, e nëpërkëmbur, të cilës i delegohet me “kontribut vullnetar” çdo fundjavë mbledhja e plehrave. Shumë shpejt ndaj saj do nisë gjuetia e shtrigave, ku do gjurmohen arkat e peshkut, por jo peshkaqenët që kanë rrëmbyer çdo llokmë të shtetit dhe që realisht
qeverisin sot Shqipërinë.

Drejtësia e re do tentojë të mpijë individin deri në vetëcensurë, ta bëjë të paaftë për të reaguar apo kërkuar një të drejtë, pasi dhe e drejta do shihet privilegj që s’do e ketë kushdo. Çka që do ketë kushdo “dhuratë” është kafshata e bukës, e për hir të saj, secili do përtypë dinjitetin e do pranojë të hajë turpin me bukë. Shqipëria e para viteve ’90 është në prag, e duket se brezi që do e pësojë këtë herë, nuk ka pasur lidhje me të shkuarën dhe ndaj memoria historike nuk e lajmëron për asnjë rrezik në prag.

Sot, nuk është nderi i z. Berisha ai që është nëpërkëmbur, as sedra e tij, duke pasur parasysh moshën dhe dëshirën për ta përmbyllur ciklin e jetës në vend të vet, që teknikisht non grada nuk ka asnjë vlerë reale, por mbart domethënie të fortë, që s’ka lidhje me drejtësinë, por me frymën politike. Në rast se faktet për korrupsion ekzistojnë, ato duhet t’i kalojnë drejtësisë, e drejtësia duhet të veprojë, kushdo qoftë ai që ka abuzuar me pasurinë e shqiptarëve.

Nuk është nëpërkëmbur as nderi i Partisë Demokratike si një organizëm njerëzor, sepse ajo forcë është një fuqi e domosdoshme për vendin. E cila duhet sërish të funksionojë si një zë i fuqishëm, jo më si zgjatim i pushtetit, për interesa minimaliste që po e zhbëjnë deri në humbje të identitetit. Nuk po abuzohet me nderin e dinjitetin e askujt në vetë të parë, por e vërteta është se po nëpërkëmbet nderi e dinjiteti kombëtar, e kjo është shumë e rëndë.

Nëse na tremb rikthimi i z. Berisha, mendoni sa tremb rikthimi i diktaturës, që është në prag, e rinia e cila s’e ka provuar mbi kurriz, nuk po ia ndien erën nevojtores që ka nisur të qelbet. Është koha të vritet frika, nëse nuk duam të shembemi sërish, ku me gjak e lot të lutemi “bukën e gojës, o i gjithpushtetshëm, falna sot”.