Prokuroria e Tiranës vendosi mosfillimin e procedimit penal, me argumentin se ngjarja ndodhi jashtë territorit shqiptar – në Athinë (Greqi). Edhe nëse është kryer një shkelje, nuk përbën vepër penale të ndjekshme sipas ligjit shqiptar, pasi nuk plotësohen kushtet për ndjekje penale sipas nenit 6 të Kodit Penal.
Prokuroria e Tiranës bëhet palë për të mbrojtur farsën elektorale të kryeministrit Edi Rama më 11 maj. Me vendimin e datës 22 maj 2025, prokurorja Eloida Goxhi vendosi mosfillimin e procedimit për kallëzimin e bërë nga Albana Vokshi, lidhur me investigimin e “Piranjave” për votën e emigrantëve dhe regjistrimin e zgjedhësve në Greqi. Bëhet fjalë për një kallëzim të kryer nga PD pas videos së transmetuar nga ‘Piranjat’në datën 07 Shkurt 2025 ku administrata ‘zbarkon’ në Athinë për të regjistruar emigrantët.
Në pamjet e transmetuara nga “Piranjat”, zyrtarë të lartë, Belinda Balluku, me detyrë Zëvendës Kryeministre, Ogerta Manastirliu me detyrë Ministre e Arsimit dhe Sportit, Armando Subashi me detyrë Kryetar i Bashkisë Fier, Eriselda Sefa me detyrë Kryetare e Bashkisë Lushnjë dhe Majlinda Bufi Kryetare e Bashkisë Roskovec, si dhe punonjës të administratës respektive të bashkive, shfaqen në një takim të zhvilluar në ambientet e “Hotel President” në kryeqytetin grek, Athinë, me qëllim regjistrimin e votuesve në Qarkun Fier dhe Vlorë, provuar këto dhe nga stendat e hapura dhe të ndara në dy anët e sallës. Në parkingun e “Hotel President”, gjenden me dhjetra makina me targa shqiptare, ku ndër të tjera janë dhe ato të funksionarëve të lartë së bashku me punonjësit e Bashkive Lushnje Fier dhe Roskovec. Në video shfaqet një grua e moshës 40-tave e cila flet shqip dhe prezantohet si zyrtare e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve e dërguar në funksion të një projekti të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, për regjistrimin e votuesve jashtë. Ndërkohë që në një deklaratë të shpërndarë në media në datën 09 shkurt 2025, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka deklaruar se “…KQZ nuk ofron regjistrim në terren”, por vetëm në bazë të platformës elektronike të regjistrimit. Po kështu KQZ thekson se nuk ka ofruar dhe nuk ofron asnjë lloj ndihme apo mbështetje për regjistrimin në terren.
Si mbrojti prokuroria ‘institucionin paralel’
Prokuroria Tiranës vendosi mosfillimin e procedimit penal, me argumentin se ngjarja ndodhi jashtë territorit shqiptar – në Athinë (Greqi). Edhe nëse është kryer një shkelje, nuk përbën vepër penale të ndjekshme sipas ligjit shqiptar, pasi nuk plotësohen kushtet për ndjekje penale sipas nenit 6 të Kodit Penal. E rëndë është fakti se paralelisht me KQZ institucioni kryesor i regjistrimit të emigrantëve PS kishte ndërtuar ‘institucione paralele’ me patronazhistë për të regjistruar emigrantët në favor të pushtetit, por prokuroria thotë se kjo nuk përbën vepër penale, por kundravajtje penale.

Argumenti i prokurorisë
Referuar nenit 6 të Kodit Penal, Ligji Penal i Republikës së Shqipërisë është i zbatueshëm për shtetasit shqiptar vetëm në rastet kur ata kryejnë krim në territorin e një shteti tjetër. Në rastin konkret referuar materialit kallëzues rezulton se e gjithë ngjarja është zhvilluar në shtetin e Greqisë, në Athinë. Sa më sipër edhe nëse jemi para veprës penale të parashikur nga neni 246 paragrafi i parë i Kodit Penal, kjo vepër përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Bazuar sa më sipër, organi i akuzës konstaton se ndjekja penale për këtë material penal nuk mund të fillojë.



















